Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Eja!

Eja të ngremë një urë së bashku,

Se thashethemet nuk mbarohen,

Një urë të shkojnë shpirtrat tanë,

Edhe me mall të përqafohen!

 

Eja të ngremë një urë së bashku,

E që ta dimë veç ne të dy,

Shpirti yt të vijë tek unë,

E shpirti im të vijë tek ty!

 

Eja të ngremë një urë së bashku,

Një urë si rreze e si dritë,

Të kalojë mbi të gjithë ëndrrat,

Që i mbajmë fshehur nën qerpikë!

 

Eja të ngremë një urë së bashku,

Eja ta ngremë dalngadalë,

Sipër saj të shkojë e nesërmja,

Ndërsa poshtë një lumë me mall!

 

Eja të ngremë një urë së bashku,

Veç nesh të mos ta dijë askush,

Ta ngremë një urë me frymë shpirti,

Si një ylber ulur në fushë!

 

Eja të ngremë një urë së bashku,

Një urë të bukur siç janë ëndrrat,

Natën kur të gjithë po flenë,

Mbi të të na kalojnë zemrat…!

 

Eja të ngremë një urë së bashku,

Që për në zemër t’i ketë shtigjet,

Një urë të denjë për dashurinë,

Ku unë e ti të jemi brigjet…!

 

Eja të ngremë një urë së bashku!

Please follow and like us: