Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Mungesë

 

Tani s’i ndjej hapat e tua,

Se ti ke ikur diku larg,

M’u duk e trishtë kjo mbrëmje sonte,

M’u duk i shkretë ky bulevard.

Ja rrugët mbushur plot me njerëz,

Secili shkon në punë të vet,

Dhe pse shëtisin dhjetra vajza,

M’u duk i zbrazët ky qytet.

Ca zogj në tela cicërojnë,

Dhe pemët çelin ditë për ditë,

Shëtisin rrugëve dhjetra vajza,

Po unë kam frikë që të hedh sytë.

Zhurmon qyteti nëpër mbrëmje,

Po unë sërish ndjej zbazëti

S’ka vlerë një qiell kur s’del hëna.

Dhe ky qytet kur mungon ti.

Dhe ja pranvera krahët zgjat,

Një bli i moçëm degët tund,

Sikur më thotë me zë të mekur,

Gjithçka e bukur ka një fund.

Tani s‘i ndjej hapat tua,

Ndaj shpirti im mbushet me dhembje,

Mes dhjetra vajzash në qytet,

Kërkoj më kot fytyrën tënde.

Please follow and like us: