“Rusët po vijnë”, një botim nga studiuesi Shaban Murati
Studiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”.
Libri “Rusët po vijnë” është, sipas tij, një përpjekje për të kuptuar në thellësi pasojat e sotme dhe të ardhme, që vijnë nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.
Në botimin voluminoz me 98 analiza mbi dinamikën e diplomacisë ruse në Ballkan, studiuesi i njohur Shaban Murati ngre shqetësimin se si politikat proruse dhe proserbe në rajon po dëmtojnë interesat e kombit shqiptar.
“Diplomacia ruse, – thekson zoti Murati në intervistën për Zërin e Amerikës, – klasifikohet si kundërshtare historike e pavarësisë së Shqipërisë dhe e pavarësisë së Kosovës, dhe një nga pengesat kryesore diplomatike për çështjen kombëtare shqiptare në 110 vjetët e fundit e në vazhdim”.
Studiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”. Në një intervistë më Zërin e Amerikës ai shpjegon se libri është një përpjekje për të kuptuar pasojat nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit. Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu
Ai thotë se me këtë libër tërheq vëmendjen për një dukuri gjeopolitike, diplomatike e strategjike, që i kërcënohet Ballkanit, Shqipërisë dhe Kosovën.
“Kur them “Rusët po vijnë” është një dukuri jo e ditës, jo thjesht e lidhur me agresionin e fundit rus në Ukrainë, por është një dukuri që ka karakterizuar 30 vjet të post-komunizmit në Ballkan, dhe që për fat të keq, nuk i është kushtuar vëmendja dhe rëndësia e duhur nga qeveritë e quajtura demokratike, që erdhën në Ballkan pas shembjes së komunizmit” – thotë zoti Murati.
Autori thekson se presidenti rus Putin ka kërkuar qysh në vitin 2014 një rishikim të pasojave të luftës së ftohtë dhe ndarje të zonave të ndikimit.
Pas sulmit të parë në Krime ndaj Ukrainës, Putin mendoi të kthehej në Ballkan, duke e cilësuar atë një rajon me interes të veçantë për Rusinë, shton ai.
“Ballkani është për Moskën pika më e dobët e sigurisë së kontinentin europian si dhe një qendër ortodokse, për të cilën ka investuar prej 100 vjetësh nga epoka cariste e komuniste, ku mund të rivendosë fuqinë e saj” – thotë zoti Murati.
Shqipëria dhe Kosova, shton ai, vepruan drejt që u rreshtuan me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe sanksionet ndaj Moskës, si dhe në pritjen e refugjatëve të luftës; për Shqipërinë ishte një detyrim, për Kosovën ishte një fisnikëri, sepse Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Qëndrimi i Kosovës ëhstë dy herë më fisnik se i Shqipërisë, sepse Ukraina nuk e njeh Kosovën, por Kosova pati largpamësinë që të bashkohej me qëndrimin e NATO-s dhe të BE-së. Kemi një rreshtim të faktorit shqiptar në anën e duhur, gjë që për fat të keq, nuk është shumë e shpeshtë” – thotë zoti Murati.
Në vitin 2015 sekretari amerikan Xhon kerry paralajmëroi se pas krimesë, vija e dytë e zjarrit do të jetë Ballkani, kujton autori, por Ballkani fjeti gjumë, sipas tij.
“Rusia nuk mund të konkurojë me ideale as me ide demokratike, të cilat nuk i ka zbatuar kurrë në territorin e vet, ndaj i sulmon ato edhe në vende që priren nga perëndimi, sulmon vlerat demokratike perëndimore të Ballkanit dhe u mëshon gjithmonë lidhjeve ideologjike, okulte, fetare, që e kanë mbajtur të lidhur me këtë rajon” – thotë zoti Murati.
Nga ana tjetër, ai vlerëson me një sy kritik edhe angazhimin e Shqipërisë përkrah nismës Ballkani i hapur.
“Cili është dukuria më e rrezikshme: Open Balkan nuk po lejon faktorin shqiptar të ketë kohezion në Ballkan. Strategjia bazë e Serbisë në drejtim të faktorit shqiptar me Open Balkan ështëçaraje e faktorit shqiptar në Ballkan. Ne e dimë fare mirë që këto tre vitet e fundit kohezioni midis Shqipërisë dhe Kosovës është në kuotat më të ulëta dhe, sipas analizës time profesionale, mëkati, ose faji kryesor për këtë i bie Tiranës” – thotë studiuesi Murati.
Ai thekson se Ballkani i Hapur nuk është një nismë trepalëshe, por është një projekt i Serbisë, i nisur fillimisht si MiniShengen dhe si zonë e përbashkët ballkanike perëndimore ekonomike, të cilën ua ka shpërndarë vendeve të rajonit nga Parisi qysh më 2016.
Ata e shohin rilindje të Jugosllavisë dhe Shqipëria duhej të mendohej 10 herë para se të jepte një përgjigje për këtë nismë, shton zoti Murati.
“Si mund të pranojë Shqipëria të hyjë në një simë të ngushtë subrajonale këtu në një kohë që Serbia nuk njeh Kosovën?! Serbia ka deklaruar hapur se në nismën Open Balkan Kosova do të vijë si një provincë; kështu shkruhet në dokumentat zyrtare serbe. Më falni,por Shqipëria, si shteti amë, nuk është kështu as amë as njerkë, kur pranon që të hyjë në një nismë serbe, në një kohë që Serbia nuk njeh Kosovën. Ç’është kjo nismë që ka pesë shtete dhe një provincë?!” – pyet zoti Murati.
Diplomati dhe analisti i njohur vëren se të presidentët e tre vendeve, që pritet të takohen pas disa ditësh në kuadër të Ballkanit, i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe janë kundër kësaj nisme dhe kundër kryeministrave të tyre, pra këta kryeministra nuk bindin dot as presidentët e tyre.
Ndërsa nga pikëpamje amerikane është bërë e qartë, shton ai, se SHBA do ta mbështesin nismën, nëse ajo është e lidhur me Procesin e Berlinit dhe nëse do të përfshihen në të 6 vendet e rajonit, por këto dy kritere nuk plotësohen dhe vet nisma është në thelb e gabuar.
Sipas tij, Nisma Open Ballkan është kundërvënie ndaj procesit të njohjes diplomatike të Kosovës, por asnjë nismë në rajon, thekson zoti Murati, nuk do të ketë sukses, nëse nuk njihet dhe nëse nuk respektohet Kosova si e barabartë.
“Presidenti Biden ka deklaruar se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës duhet te qendërzohet në çështjen e njohjes së Kosovës, por dy ditë më parë presidenti Vuçiç u betua përsëri se nuk do ta njohë Kosovën dhe askush nuk reagoi”, thotë zoti Murati.
Libri më i fundit, Rusët po vijnë, i autorit shaban Murati është i 16 botim mbi ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare, vazhdim i studimit Rusia Ballkanike.
Shaban Murati është diplomat karriere, me titujt dhe detyrat më të larta në këtë fushë, si dhe autor një seri studimesh mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të shteteve në Ballkan, nga Kosova, Shqipëria e Greqia, Serbia e Bosnja dhe deri tek veprimtaria diplomatike e SHBA, BE-së në rajon.
https://www.zeriamerikes.com/a/6602106.html
https://alb-spirit.com/2022/06/18/pano-hallko-shaban-murati-dhe-libri-ruset-po-vijne/
Dinamika diplomatike ruse në Ballkan në optikën e Shaban Muratit