Albspirit

Media/News/Publishing

Selaudin R. Guma: Elegji për Altinin

 

Lulet e Majit t’i vumë sot, Altin bir

Petalet e luleve derdhën lotë si nektar eliksir

Ora e keqe e mortjes, jetën ta mori papritur

Moj Urë e Lekëlit, na bëre hata, mynxyrë.

 

Re në xhade si një lis goditur rrufeje

Dora e zezë e fatit të la në rrugë pa ndjenja

Vajtuam të gjithë me ligje, me dhimbje

Flladi shpërndau pikëllimet tona.

 

O Altin, djali me çika ç’na bëre o trim

Na ike dhe le pas një mal hidhërim

I le dy fëmijët, si dy yje pa baba

Dhuratën pa shokun e jetës në krah.

 

Të qajnë fëmijët me ngashërim, o baba

Të qan nëna jote me fjalë të mëdha

Era i çon larg në pyje me gjelbërim

Me këngën e zogjve: Na ike Altin.

 

Ti ishe furtunë, zgalem në jetë

Të qan Sadati, Maksuti, dhimbje shumë

Qan Dona, Dhurata, Enkeleda me trishtim

Qan Laureta, atje larg në mërgim.

 

Të qanë kushërinjtë, kudo që qenë

Këtu dhe atje ku kanë marrë dhenë

Me lot zemre të qau gjithë Luzati

Dajo, xhaxhallarë, bashkë gjithë fshati.

 

Se ti ishe lule Prilli, o Altin

S’mendove për mua, Selaudinin, o bir

Që të donte aq shumë, si shpirtin o nip

Asnjehë s’të ndante nga zemra, o dritë.

 

Buzëqeshur s’u mërzite asnjëherë

Fryu erë e fundit atë ditë të zezë

Me miq e me shokë, Luzati ishte plot

Dy mijë vetë, Covidi s’i mbajti dot.

 

Në burra e në gra s’përmbahej dot loti

Qan Polemi me ligjërim si qëmoti

I kripuri lot ngurosi lulet e mortit

Për ty bir që sot po të merr Zoti.

 

Fjalët që tha Bashkimi, plot mallëngjim

Balsam për ty u bënë, o Altin o trim

Nuk deshëm të të shihnim shok bashkë me dheun

Por fati s’na dëgjoi nga jeta të rrëmbeu.

 

Ti natën bëje ditë, vetëtimë për gjithçka

Era përcolli larg të madhen hata

Degët ulën krahët për dhimbjen tënde

Qofsh i Parajsës, Altin si ti më s’ka.

 

Një zë i thellë më zgjoi në mesnatë

Shkruaj dy radhë, më tha, për këtë mandatë

Kjo dhimbje na trondit, s’na lë te qetë

Altin s’bën më nëna dhe s’mund të ketë.

 

U bënë bashkë të gjithë nipërit e mi

Floriani, Sindriti, Besniku, Platoni

Dhimbja juaj na mundon ne pleqve

Iu kishim pranë, iu kishim mbështetje.

 

Re si një lis papritur, goditur nga rrufetë

Në zemrën timeje i skalitur përjetë.

 

Altin Guma u aksidentua me motorr në 6 Maj 2020, te Ura e Lekëlit. Ishte djalë i sjellshëm, bujar, i papërtuar dhe me shumë shoqëri. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, por nuk arriti të jetonte. Varrimi i tij u bë më 9 Maj 2022 ku morën pjesë mbi 2 mijë veta. Qofsh i parajsës dhe i mirësisë, nipi im Altin!

Please follow and like us: