Albspirit

Media/News/Publishing

Rusët që protestojnë kundër luftës

 Vetëm disa mijëra rusë kanë protestuar publikisht kundër pushtimit të Ukrainës, duke rrezikuar që të arrestohen, të gjobiten, të burgosen, apo të largohen nga vendet e punës dhe vetëm që të mbajnë një qëndrim parimor kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. Qeveria ruse, me kontrollin e saj të rreptë mbi mediat kombëtare dhe makinerinë e saj të fuqishme të zbatimit të ligjit, nuk ka kursyer asnjë përpjekje për të mbytur një disidencë të tillë dhe për t’i penguar ata që e kundërshtojnë luftën, që të përhapin mesazhin e tyre për publikun e gjerë. Radio Evropa e lirë foli me shumë nga ata persona që kanë protestuar në të gjithë vendin për të zbuluar se përse ndiheshin të detyruar të ndërmerrnin këtë rrezik dhe për të dëgjuar historitë e tyre të thëna nga vetë ata.

Vyacheslav Chernov

Vyacheslav Chernov është një biznesmen nga qyteti i Tashtarolit në rajonin e Kemorovos në Siberi. Ai është akuzuar dy herë për “ekstremizëm”për aktivizmin e tij politik, ndërsa biznesi i tij është shënjestruar nga zyrtarët lokalë.

Vyacheslav Chernov
Vyacheslav Chernov

“Ky shtet ka 1001 mënyra për të shkatërruar çka është e shtrenjtë për ty”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka vuajtur një periudhë administrative të paraburgimit për deklaratat e tij kundër luftës, por u përgjigj pa nguruar kur u pyet nëse ai i trembet një dënimi të mundshëm me burgim. “Përse duhet të kem frikë?”, deklaroi Chernov. “Unë po flas të vërtetën. Dhe nëse duhet të vuaj – nuk më vjen turp të vuaj për të vërtetën…. Cili është qëllimi të jetosh në rehati nëse ndërgjegjja jote nuk është e pastër? Kjo është torturë, jo të jetuarit. Nëse unë humbas vetveten, kjo do të ishte një katastrofë më e madhe për mua se sa të humbas lirinë time. Nëse autoritetet mendojnë që mund të më thyejnë duke më dërguar në burg, atëherë le ta provojnë”.

Aikhal Ammosov

Aikhal Ammosov është një aktivist dhe muzikant në qytetin lindor të Siberisë, Yakutsk, i cili është dënuar dy herë për “huliganizëm” për vizatimin e grafiteve kundër luftës. Aktualisht, ai po përballet me akuza penale “për diskreditim të forcave të armatosura”pasi shkroi sloganin “Jo luftës”. Ai tha se u mbajt pesë ditë në izolim pas arrestimit të tij dhe u kërcënua me armë dhe një paralizues elektrik: “Ata u munduan të më thyenin, mendërisht”. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ishte i sigurt se do ta dërgonin në burg. “Është e frikshme pasi këto akuza që po ngrihen ndaj meje po përdoren për t’ua mbyllur gojën të gjithë atyre që duan paqe”, tha ai. “Ata arrestojnë njerëz si unë dhe më pas të gjithë në Yakutsk frikësohen. Ne jemi shumë larg Moskës dhe Shën Peterburgut. Këtu nuk jemi të mbrojtur… Praktikisht, këtu nuk ka asnjë aktivist të të drejtave të njeriut”. “Mendoj se shumë njerëz janë të frikësuar në Yakutsk”, deklaroi Ammosov. “Ata na kanë terrorizuar që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë qenë njerëz të tmerruar… Nëse Rusia është një shtet diktatorial, atëherë Yakutia është një qytet ultra-diktatorial. Këtu mund të mbetesh i gjymtë përjetë nëse ke një opinion të ndryshëm nga ai ‘zyrtar’ ”. “Kur të fillojnë të kthehen arkivolet, njerëzit do të kuptojnë dhe kur sytë e tyre do të hapen, ata do të dalin të protestojnë në rrugë”, u shpreh Ammosov. “Por, për momentin, duket sikur ata duan më shumë luftë, më shumë gjakderdhje. ‘Do ta shkatërrojmë Ukrainën dhe më pas do të shkojmë më tej…’ Njerëzit janë përfshirë aq shumë në këtë dhe janë aq jotolerantë ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe…saqë ata i kërcënojnë seriozisht ata, duke i përndjekur dhe duke thënë: ‘Do t’iu thyejmë këmbë e duar’”. Ammosov deklaroi se është marrë fshehurazi me aktivitete kundër luftës që nga dita kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 24 shkurt. “Dhashë dorëheqje edhe nga puna…në mënyrë që të kundërshtoja luftën me kohë të plotë”, tha ai. “Ata më përndoqën për dy muaj, pak a shumë. Kam qenë i fshehur, duke qëndruar në vende të ndryshme çdo natë.”

Maria Ponomarenko

Maria Ponomarenko është një gazetare nga qyteti i Barnaulit në rajonin e Altait, në Siberi. Aktualisht ajo ndodhet në paraburgim në pritje të gjyqit në Shën Peterburg, ndërsa përballet me akuzat për “diskreditim të forcave të armatosura” mbi një postim në mediat sociale për bombardimet ruse të civilëve në qytetin e Ukrainës, në Mariupol. Ajo rrezikon të marrë një dënim prej dhjetë vjetësh.

Maria Ponomarenko
Maria Ponomarenko

Ajo iu përgjigj pyetjeve me shkrim nga qelia e saj. “[Lufta] në Ukrainë është e dhimbshme”, shkroi ajo. “Një dhimbje në shpirt, në zemër, në mendje. Kur filloi lufta, ndjeva një dëshpërim të thellë, sepse më dukej e pamundur të ndalohej kjo çmenduri vëllavrasëse. Unë kam të drejtë ta quaj ‘luftë’…. Në javët e para, madje edhe tani, ndjeva emocione shkatërruese, një ndjenjë faji. Por unë kam bërë gjithçka që kam mundur. Nuk heshta. Unë nuk dhashë aprovimin tim. Heshtja në Rusi sot është e barabartë me nxitjen e një krimi”. “Një makinë represive po na mbyll gojën”, vazhdoi Ponomarenko. “Por, edhe në kushte të tilla, kur mund të burgosesh për pesë apo dhjetë vjet, ne gjejmë njerëz të guximshëm që refuzojnë të marrin mbi vete barrën e pjesëmarrjes në vrasjen e popullsisë civile të Ukrainës. Ne po luftojmë, megjithëse nuk ka shumë si ne. Tani shumë varet nga rusët e lirë. Nëse vetëm pesë për qind e rusëve gjejnë guximin dhe vendosmërinë, ndryshimet do të vijnë”.

Anna Krivonos

Anna Krivonos është një gazetare në qytetin e largët lindor të Yuzhno-Sakhalinskut. Ajo u gjobit me 30.000 rubla (475$) për një postim në mediat sociale të 2 marsit të quajtur “Sakhalin Oblast dëshiron Paqe”, ku u bëhej thirrje njerëzve që të nënshkruanin apelin e saj kundër luftës. Kur shkroi atë postim, u shpreh ajo, ishte e sigurt se do të mund t’i bindte njerëzit se lufta në Ukrainë ishte imorale dhe e rrezikshme. “Unë isha absolutisht e bindur për këtë”, tha ajo dhe shtoi: “Mendova se njerëzit që e mbështetën këtë ferr, thjesht, nuk e kishin menduar sa duhet”.

Rusët në terr informativ për shkatërrimin e Ukrainës

Megjithatë, me kalimin e kohës ajo ka ndryshuar mendim. “Gjatë gjithë këtyre muajve, njerëzit mund të gjenin çdo informacion, ata mund të kontrollonin dhe të shihnin burime të shumta”, deklaroi Krivonos. “Nëse do të kishin dëshirë. Nëse dikush po e mbështet atë çfarë po ndodh, atëherë kjo është një zgjedhje e vetëdijshme. Nuk kemi për çfarë të flasim më. Kohët e fundit po mendoja se po shkoj në polici, në gjykatë dhe gjithçka për asgjë”, thotë ajo. “Në fakt edhe atëherë, në fillim të prillit, nuk kishte kuptim”, shtoi ajo. “Nënshkrimet erdhën shumë ngadalë. Disa njerëz nënshkruan dhe më pas më kërkuan që të hiqja emrin e tyre, duke thënë se kishin ndryshuar mendim. Unë kam shumë miq, por nga të gjithë ata, vetëm tre nënshkruan. Ishte një mësim i dhimbshëm”. Seanca e saj gjyqësore zgjati vetëm pak minuta, tha Krivonos, por la përshtypje të paharrueshme për të. “Kisha ndjesi shumë të çuditshme”, kujton ajo. “Kishte një ndjenjë lirie, sigurie absolute dhe të së vërtetës. Më herët ndieja ankth dhe frikë. Por, në sallën e gjyqit – vetëm liri. Mendoj se gjyqtarja, një grua rreth moshës sime, kishte gjithashtu ndjenja të çuditshme. Doja ta kapja nga supet dhe t’i thosha: ‘Nuk ke pse ta bësh këtë. Ti e ke një zgjedhje’, sepse edhe mua më vinte keq për të”.

Aleksandr Dneprov

Aleksandr Dneprov është një specialist 33-vjeçar informatike në Naberezhnye Chelny, qytetin e dytë më të madh në rajonin e Tatarstanit. Ai ka zhvilluar i vetëm protesta kundër luftës që nga prilli. Ndryshe nga të tjerët, ai nuk është ndaluar nga policia. “Askush nuk është interesuar për mua”, tha ai. I pyetur për të përshkruar ndjenjat e tij më 24 shkurt, kur Rusia nisi luftën e saj të paprovokuar në Ukrainë, Dneprov tha se njëra prej tyre ishte “turpi”. “Kisha ndjenja të përziera – turp dhe mosbesim që presidenti ynë kishte kryer një krim kaq monstruoz”, tha ai. “Nuk do të thosha se kisha frikë – u lëndova dhe u turpërova para popullit ukrainas. Më parë nuk isha ndier si pjesëmarrës në ndonjë ngjarje politike”, vazhdoi Dneprov. “Por, atë ditë ndjeva se nuk ishte e mundur të heshtja më. Duhet ta pranonim se ishim fajtorë. A mund ta kishim ndaluar këtë më herët? Është një pyetje e vështirë, sepse nuk e dinim se do të vinte deri te lufta. Nuk e kam besuar kurrë se qeveria ime mund të kryente një agresion të tillë”, u shpreh ai. “E gjithë kjo histori është sajuar nga vetë Rusia dhe fajin e ka vetëm Rusia”, shtoi Dneprov.

Kamil Churayev

Kamil Churayev është një dizajner dhe artist në Ufa, kryeqytetin e rajonit të Bashkortostanit. Ai ka zhvilluar i vetëm tri protesta kundër luftës, por nuk është arrestuar. “Ajo që ndodhi dhe ajo që po ndodh është aq e tmerrshme dhe domethënëse – dhe prek fjalë për fjalë secilin prej nesh – sa që do të ishte e pandershme të pretendosh se disi nuk të përfshin ty”, tha Churayev për Radion Evropa e Lirë. “ [Protestat] Ishin një reagim i natyrshëm, një dëshirë për t’u përcjellë njerëzve se unë personalisht jam kundër asaj që po ndodh…. Çfarë mund të bëj? Mund të shkarravit në një copë letër dhe të dal jashtë [për të protestuar]. Nuk mund të bëj asgjë tjetër”. “Miqtë e mi nga Ukraina shkruajnë se është e rëndësishme që ata të shohin mbështetje nga njerëzit në Rusi”, tregoi ai. “Unë e konsideroj të drejtën time të shenjtë t’i emërtoj gjërat ashtu siç janë në të vërtetë”, tha Churayev. “Nëse po zhvillohet një luftë, unë do ta quaj atë luftë”.

Ravil Sharafutdinov

Ravil Sharafutdinov është një avokat 29-vjeçar nga Syzran, një qytet në rajonin e Samaras. Ai u bë qytetari i parë i Syzranit që u arrestua për protesta kundër luftës kur zhvilloi i vetëm një protestë më 3 maj. Ai u gjobit me 30,000 rubla (475 dollarë) për “diskreditim të forcave të armatosura”.

Ravil Sharafutdinov
Ravil Sharafutdinov

“Që nga fillimi kam qenë kategorikisht kundër luftës”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. Por, vetëm pas rreth 10 javësh lufte ai protestoi publikisht. “Unë mendoj se u bë fizikisht e vështirë të qëndroja i heshtur”, tha ai. “Ndërgjegjja ime nuk po gjente paqe. Çdo ditë që kalonte, bëhej gjithnjë e më i qartë dallimi mes të zezës dhe të bardhës. Dhe, nuk është e mundur të balancosh mes të zezës dhe të bardhës…. Ti e kupton që nëse dëshiron të qëndrosh në dritë, duhet të kalosh kufirin dhe të ndalosh së mos bëri asgjë. Të paktën, kështu ishte për mua”. Në mars, ai u përpoq të protestonte. “Unë u përpoqa të merrja një pankartë në qendër të qytetit”, kujton ai. “Qëndrova për disa minuta dhe kuptova se nuk isha gati të më çonin me furgon policie në qeli. Unë kam tre fëmijë të vegjël dhe gruan”. Më vonë ai arsyetoi se protesta të tilla nuk janë të paligjshme. “Mund të marr një gjobë ose të kaloj disa ditë në burg”, tha ai dhe shtoi “por të paktën do të mbetem një qenie njerëzore”. Pavarësisht arrestimit të tij, Sharafutdinov planifikon të vazhdojë protestën, megjithëse shpreson t’i shmangë akuzat penale. “Por, nëse bëhet fjalë për një çështje penale, kështu qoftë”, tha ai. “Do të shkoj në gjykatë. Unë do ta mbroj veten”.

Yevgenia Isayeva

Yevgenia Isayeva është një artiste në Shën Petersburg. Menjëherë pas pushtimit të 24 shkurtit, ajo u shfaq në qendër të qytetit me një fustan të bardhë, të lyer me bojë të kuqe që simbolizonte gjakun. Protesta e saj zgjati 10 minuta dhe ajo u dënua me tetë ditë burgim për “huliganizëm”. Yevgenia Isayeva gjatë protestës së saj kundër luftës në Ukrainë

Yevgenia Isayeva gjatë protestës së saj kundër luftës në Ukrainë

“Protesta ime…ishte një lloj përvoje lirie për mua”, tha ajo. “Që nga 24 shkurti nuk mund të jetoja normalisht. U ndjeva keq dhe për herë të parë pas shumë vitesh pata kriza paniku. Por, ky gjest më ndihmoi. U ndjeva më mirë”. “Propaganda shtetërore përpiqet t’i bindë të gjithë, se njerëzit si unë e kanë humbur logjikën”, tha Isayeva. “Por, nuk e kam humbur mendjen. I thashë policisë në stacion se historia do të na gjykojë dhe se kjo do të ndodhë shumë shpejt”. “Ne jemi të gjithë të burgosur të këtij sistemi”, shtoi ajo. “Por nëse thjesht ngremë duart lart, atëherë e gjithë kjo errësirë do të na përpijë, do të na fundosë. Por, ka të vërteta absolute për të cilat ne duhet të flasim”. “Tani është momenti më i mirë për të vepruar”, tha Isayeva, “dhe jo për t’u dorëzuar. Ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të kyçësh veten dhe të ndihesh fajtor, për mendimin tim, nuk është produktive”./REL

Please follow and like us: