Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: O çun garip Tirone, jo burrë Shteti!

 

 

Shoh gjithandej që janë të skandalizuar me çfarë deklaroi ministri i jashtëm rus në lidhje me Ballkanin e Hapur. Se si nismë është serbe dhe se Brukseli a Nato nuk e duan etj. Ai që mendon se në raport me vendet e rajonit ne jemi përpara në lidhje me politikat e jashtëme, është naiv. Ose është naivitet kombëtar. Kjo për faktin e thjeshtë, ne kemi njëqind vjet shtet, madje i gjysmuar, kurse ata kanë shekuj përvojë mbi supe. Edi Rama mund të jetë çun garip Tirone, çun modern që i pëlqen të snoboj veten me qillota apo me bullizmin karakteristik të traditës sonë të çunit nga Tirona, karshi atyre në provincë. Çuni me bluxhinse e çamçakiz, që u shet mend atyre me pantallona doku në provincë etj., por nuk është asesi burrë shteti. Për më tepër kur kërkoni sinqeritet nga një person që i është futur punëve të Shqipërisë me inatin pervers karshi iks apo ypsilon projekti kombëtar…, si rasti me kufirin detar me Greqinë, apo Ballkanin e hapur me Serbinë. Janë projekte që duhen të gjykohen kombëtarisht apo thjesht si dosje të pushtetit? Këtë pyetje i bëni vetes dhe jeni të sqaruar. Gjithmonë nëse jeni mendje hapur dhe doni Shqipërinë kombëtarisht, jo Shqipërinë e çunave si Edi Rama apo lali Eri. Si çun garip thjesht ka hedhur mbi supe mendimin  se ai i bon të gjitha. Të tjerët janë rrypa, janë dede. Mirëpo po ta vini re ka dhjetë vjet në pushtet dhe nuk ka një kaçatorr uji për të fikur zjarret e malit, jo më të mbroj kufijtë e vatanit. Flet gjithë kohën me ironi për qeverisjen në Prishtinë sikur atë qeveri ta kenë zgjedhur alienët, jo shqiptarët. Sado inat ta kesh Albin Kurtin apo Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, nuk flet shtetari shqiptar me ironi për personat e tyre. Dheu amë ka dyfish përgjegjësi karshi shqiptarëve aty, se është themeluar si shtet në vitin 1912, kurse Dardania në 17 shkurt 2008. Dhe me ndihmën e Europës dhe Amerikës, jo të këtyre shtetarëve të Shqipërisë. Nuk ka sinqeritet nga kësi çunash garipa. Hiqeni nga mendja. Sidomos me Ballkanin e hapur ku e nxjerr si preteks dhe kërcënon Europën se po nuk na pranuat këtë herë, Shqipëria do shkoj nga Lindja. Regresi i politikanit shqiptar zë fill këtu, tek fakti që flet në emër të shqiptarëve edhe pse pjesëmarrjen në votime e ka 38%. Tirana shtetare kur flet për projekte kombëtare duhet domosdoshmërisht të përfshijë Prishtinën. Nuk ka projekte madhore duke përjashtuar njëri-tjetrin. Pastaj është naivitet të mendosh për tregjet në Beograd, Sofje, Shkup, kur nuk shtron tregun Tiranë Prishtinë. Ju akoma nuk doni ta kuptoni se sa shumë jemi duke humbur nga firot e një politike të tillë përjashtuese. Nuk u bashkon kush më mirë e më shpejtë se ekonomia. Asnjë kancelari, asnjë fuqi botërore. Ekonomia o derdimen, ekonomia mes vetes ndaj dhe po ju përçajnë ditë më ditë. Shikoni se sa korridore keni të hapura mes vedit? Sa stacione treni? A e dini se me avion distanca Tiranë Prishtinë është 15 minuta? E megjithatë për një muaj i  rrahin a nuk i rrahin krahët 15 avionë në vit. Pika progresin kombëtar. Se udhët e hekurta ka vdekur një herë e përgjithmonë. Megjithatë keni mbetur vetëm një arterie kombëtare, rrugën e Kombit. Asgjë më shumë. Dhe pretendoni që një çun garip Tirone të luaj biznes fitim prurës për ju, me arinjtë e Vollgës a Siberisë.

Please follow and like us: