Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Pas beteje, njeriu…

Në fund të betejës njeriu kërkoi lumin që ikte në vorbulla,
Lumin që hapte shtegun e ngushtë në shpat të malit,
Dhe pse ishte i drejtë dhe më i keqkuptuari.

Kërkoi lumin që ikte revan,
duke rrahur me ujërat e veta vidhërat e shelgjet,
duke i shtyrë në heshtje tallaz – tallaz rrymat e tij të fuqishme.

Njeriu kërkoi lumin që rrëshkiste si nepërkë e trembur,
Duke çikur lehtas fijet e barit të blertë
pa bërë fare zhurmë.

E mori malli njeriun të dallojë vijën e lumit,
nga ngjyra e zverdhur e gjetheve dhe myshkut
që shkon e përdridhet poshtë hijeve.

Mbrëmjen e kaluar kur priste vdekjen, një tufë çafkash,
fluturuan drejt perëndimit duke ndjekur dritën e diellit.

Tani që dielli doli përsëri ato u rikthyen,
Pasi qetësia është ulur në rërën e lumit,
Ulur dhe pa lëvizur fare, në pritje të shpërndahen retë.

Në fund të jetës njeriu e kërkoi lumin që ikte në vorbulla,
Se frymëmarrja e lumit nuk dëgjohet…

Please follow and like us: