Binak Kelmendi: Liria absolute e luftës
Është e sigurt:
Liri ka vetëm në Luftë
Kur llomotit kot për paqe
Ose thua gënjeshtrat më të mëdha
Pasi ke vrarë sa ke mundur
Sa ke dashur
Dhe kënd ke dashur
Më së lehti është të vriten fëmijët dhe pleqtë
Si Serbia në Kosovë
Askush nuk të ndalon
Dhe pas gjithë këtyre vrasjeve
Të përdhunosh çdo gjë
Edhe macat e sh’pisë
Si ushtarët e Serbisë
E të plaçkisësh
Ç’të shohësh e ç’të gjesh
Te të vrarët dhe te të gjallët
Si policët e Serbisë
Duke ua vënë zjarrin shtëpive
Në Kosovë
Me shkrepësën tënde
Marrë nga xhepi plot gjak.
Në luftë liri ka sa të duash:
Të ikësh
Të bëhesh refugjat, azilant, apatrid
Ta marrësh lejen e qëndrimit të përhershëm
Për të mos u kthyer më kurrë në atdhe
As me arkivol
Dokumente dhe CV
Djegur në Serbi
Te Danubi
Shumë afër Dra- Kullës
Dhe pastaj të premtosh Paqe!