Eriona Rushiti, koncert në Australi
Eriona Rushiti është kompozitore e muzikës së lehtë shqiptare. Ajo ka studjuar violinë që në moshën 6-vjeçare për 12 vite me radhë. Në Akademinë e Arteve Eriona studioi për kompozicion, për të vijuar studimet pasuniversitare në Bukuresht. Pas shumë trajnimesh Eriona u kthye në Shqipëri ku vijon jetën artistike.
CMG: Eriona cili ka qenë për ju viti më produktiv dhe i kthesës?
Eriona Rushiti: Nuk mundem që të cilësoj vetëm një vit, pasi do të doja të ndalesha në disa momente njëherazi. Do e cilësoja si një vit të kthesës fillimisht vitin e dytë në Liceun Artistik ku u hap për herë të parë kursi eksperimental rreth dirigjimit dhe kompozicionit. Prindërit e mi kanë qenë përherë mbështeses dhe me shtynë që ta marr përsipër këtë eksperiencë. Fillimisht kam shkruar një vepër për të parë dhe aftësitë dhe aty spikati talenti im. Një tjetër moment shumë i rëndësishëm në jetën time kanë qenë edhe studimet në Rumani ku fillova edhe doktoruren e ku bëra një bashkëpunim me kompozitorët më të mirë në botë. Ndërsa një pikë shumë e rëndësishme në jetën time ishte edhe përfaqësimi në Eurovision në 2019 me një këngë të cilën e kam shkruar vetë, që titullohet “Kthehu Tokës”.
CMG: A është për ju Shqipëria vendi i mundësive?
Eriona Rushiti: Po është vendi i mundësive. Unë këtu jam edukuar dhe kam marrë energjinë. Shkollat e muzikës në vendin tonë kanë qenë shumë të mira përherë dhe kanë nxjerrë talente kudo në Europë. Të gjithë kanë mundësi të fitojnë dhe të mbajnë mbi supe sukses, sepse kush punon ja arrin.
CMG: Disa nga ëndrrat e tua të lëna përgjysmë e të tjerat për të cilat ju punuat fort?
Eriona Rushiti: Nuk vijnë ëndrrat pa punuar. Kjo është pak, por e sigurt. Përgjithësisht unë kam pasur fat dhe i kam realizuar gjërat e mia. Një nga gjërat që ende nuk e kam bërë dhe që patjetër do ta bëj është synimi im të vendos në skenë një vepër simfonike. Shpresoj shumë që gjërat të ndryshojnë dhe të vendosen sa më shumë vepra shqiptare simfonike në skenë.
CMG: E përfundojmë bashkë fjalinë “Më kujtohet kur”…
Eriona Rushiti: Kam shumë kujtime dhe të gjitha janë të veçanta e shumë të bukura, por do të veçoja momenin kur kam ikur në Gjermani dhe aty u detyrova që pedagogëve t’u tregoja punimet e mia. Të gjithë janë habitur për talentin dhe këtë e lidhnin me faktin që unë vija nga Shqipëria, një vend i vogël. Ju dukej çudi, por ja që më vetëbesim ja del që të zhvillohesh edhe në vendet e tjera.
CMG: Përballë vetes a e ndjeni që jeni e realizuar?
Eriona Rushiti: Po, mendoj që jam e bekuar dhe rolin e nënës do të përpiqem që ta bëj me se miri. Unë si natyrë jam modeste dhe fillimisht dua të ndërtoj raporte shumë të mira me këdo që takoj dhe pastaj jam edhe një grua në karrierë që dua t’i arrij gjërat hap pas hapi.
CMG: Kur ka qenë kulmi i karrierës suaj?
Eriona Rushiti: Ka qenë momenti kur isha në Bukuresht dhe kisha dorëzuar temën e doktoraturës, e cila duhet të mbyllej pas një viti. Hyra më pas në një sallë të mbushur me pedagogë rumunë e më duhej të përfaqësoja tezën time. Pedagogu im ju thotë atyre se unë isha një vajzë nga Shqiperia dhe do ju bëja një nder shumë të madh sepse do ju flisja rumanisht. Ky ka qenë një moment shumë i bukur që më bëri të ndihem shumë krenare, duke treguar që jo vetëm kisha bërë një punë kërkimore, por kisha mësuar edhe gjuhën e tyre. Me këtë rast shtyva veten të vijoja më tej për tu ballafaquar me veten.
CMG Ideja për veprën që u luajt në datë 3 qershor në Australi, si lindi?
Eriona Rushiti: Vepra është një dedikim për një mik të ngushtë, që humbi jetën nga Covid-19. Një vepër për korno dhe piano në nderim të tij dhe e gjitha ka dalë shumë e bukur. Është një vepër për një dhimbje, për një humbje. Pasi unë e solla në Facebook mu propozua të luhet në dy dimensione të tjera dhe më ftuan ta luaja në Australi, në nder të Andrea Canajt.
CMG: Si ndiheni qe vlerësoheni nga vende kaq të largëta?
Eriona Rushiti: Unë kudo ku shkoj kam peshën e Shqipërisë mbi kurriz dhe dua që vendin ta bëj krenar. Këtë gjë e kam ndjerë gjithmonë në fakt, por edhe në këtë rast vlen i njëjti përjetim. Unë dua të theksoj që një nga vlerësimet më të mëdha që kam marrë ka qënë pjesëmarrja në Eurovision, që do të mbetet gjithnjë si një arritje ndërkombëtare e vlerësuar maksimalisht.
Intervistoi: Megi Latifi