Mehmetali Rexhepi: ORA E ZEMRËS
Si rëndom e shikoi orën e murit. Ishte e qetë. Tak-taket e akrepave ishin shurdhuar. Kishin shënuar kohën vetëm deri aty ku kishte ndaluar rrotullimi. Dita kish vajtur në shfaqjen e vet… Si kurdo herë ajo merrte me vete disa fragmente të dritës dhe, linte ca nuanca të hijeve, që sillnin përgjumjen.
E pa qartë lajthitjen e pozitës tij të shtrirë kundruall ditës. Duhej ta kurdiste orën e heshtur, ngase edhe ai kishte mbetur i pakurdisur. Atij i lypej ta shënonte ditën me diçka; sepse diçkaje duhej t`i shërbente… Po nuk i shërbeu një diçkaje, dita gjësendet e shpalosura i merrte me vete dhe i mbështillte me ngjyrën e natës e i hidhte tutje… Ku? Gjithsesi, diku, tek dikush? Tek kush? Atje ku mund të arrinte pakës më parë, por copat e dhuntive zhbëheshin menjëherë…
– Ku, si? – i doli një shtytje…
– Atje ku nuk je, ku nuk ke vrapuar të jesh, t`i kapësh diçka, aq sa mund të shënonte ora jote…
– Ora e shpirtit tënd të është kurdisur… – I shkreptiu rrezja që shqeu retë e një vete të pa njohur. Pohimi e shkundi habinë në pamjet e amullta të Motit. Ishte i përgjithësuar konstatimi i rrezes reflektuese të asaj vete, që ndonjëherë i fshehkej autoritetit tij të këmbëngultë. Ajo nuk dukej, nuk paraqitej, vëzhgonte e heshtur… Përse? Ndoshta për shkakun e mospërfilljeve të shpeshta, ose përfilljes së përciptë, të mangët, të pjesshme, të vetë-mjaftueshme?…
– Më pohove se ora e shpirtit tënd të është kurdisur…?
– A më thua nga kush më kurdisej kjo orë e paralizuar?!
– Lype dhe gjeje vet kurdisjen! – i tha veta, hija pa diell.
– Pra, si t`ia bëj?
– Dil në rreze dhe, do t`i kesh shkëlqimin e hijen…
Ishte një këshillë e rëndomtë që, nuk i mbushi mendjen për asgjë; madje iu duk cinike.
***
Kësaj të diele i jepte pak më tepër liri shtrirjes. Mos lëvizja i aludoi paralizën, gjendje të palëvizshme!
– Sa shpejt më përplasen mendimet e liga!- pohoi.
– Paralizë!Të bëhesh barrë e shtratit, barrë e të tjerëve… Trup i prerë, trup pa dinamikë, lis pa gjethe, që nuk i fëshfërijnë pa degë, as u matet gjatësia me hije, cung i kalbur, i flashkët për qëndresë shtrëngatash, as për mbajtje çerdhesh për lejlekë, as…
Iu kujtua, ia përmendën zorrët, se darkën e kishte ngrënë si duke grabitur, pa i përtypur kafshatat, sikur të ndiqej nga dikush që ka për ta kapur e ndëshkuar padhembshëm.
– Për çfarë do të më ndiqte ai ose akëcili sish?
Sërish i mbushte mendjen vetës se nuk kishte shkak për t`u ndjekur nga askush…
– Por, fijen e dyshimit po ma bën tra! – iu drejtua dytëshorit në prapavijë.
Mirëpo, do ta ketë goditur ndokënd publikisht me diskurset e tij për fëlliqje virtytesh… Mbase?… Thuajse vetëm atij i paskan mbetur në dorë frerët e drejtimit të qerres me politi-kuaj të azdisur?… Por, duhej t`ia mprehte tehun kosës për ferrat e së keqes. Gjasa ia drejtonte gishtin, që edhe këtij t`i kthehej kosa e mprehtë deri në asht. E thoshte dendur: mendoj se ora ime është e kurdisur nga dikush: kur duhet të bie, kur të fle, kur të zgjohem dhe, padëshirueshëm zë pusi në ëndrra! E lidhur pazgjidhshëm me ndonjë kipc, që të mos mbetej kopje e dytë, ndaj kipci do të mëtojë ngufatjen e së parës, sikurse mbrëmë ngufatja e zorrëve me të ngrëna, aq sa të pëlcisnin ato si tullumbace festash… Sapo ngrehte kokë veta nën ëndjen e tij, i jepte një të shtyrë mënjanimit me diskursin e përshtatjes për ëndjen. Kush e kishte kurdisur të gllabëronte aq shumë? Çfarë iu ofrua e nuk e sprapsi në darkën e mbrëmshme? Fijezave të lukthit iu pamundësohej thithja e lëndës së mbingarkuar. Tretja përmes rrotullimeve të shpeshta e trazonte Lumoren e qetë.
***
Pas shumë rrotullimesh arriti në një xhungël të papërcaktuar… I ngjante Amazonës?… Në stomin e një pellgu filluan t`i ngrohen këmbët brenda dy nofullave vigane; pastaj nën butësinë e mesit anash me thepa të rëndë shkëmborë, një tërheqje fryme e jargësh prej lymi, ia paloste krahët me shtrëngim të dyanshëm drejt një kanali gjembor, rrethuar me rrëshirë të trashë acidi…Një forcë tërheqëse, gjithnjë e më shtrënguese e gllabëronte deri te koka, së cilës po i merrej edhe fryma e fundit dhe, errësohej shikimi!… Çdo lëvizje për dalje nga ato darë e tërhiqte, e shtrëngonte më fort, e fuste më thellë, thellë e më thellë!… As britma, as klithje… Zot o Zot çfarë tërhiqje kishte kjo baltë e gjallë, me zhguall të stolisur me arabeska në tërë gjatësinë e vijës saj rrotulluese, elastike, përdredhëse, lëmsh mbështjellës!… Shpejt ajo baltë lëvizëse mori trajtën e një litari anijesh, sakaq litari u shndërrua në përbindësh, në anakondë!… Britmat treteshin nën mure jargësh e zhgualli të trashë…
Inserti i këtillë i kishte përpirë të tjerat inserte, kur zgjimi ia zgjidhi litarin ankthit të tij.
Djersë dhe lirim gazrash…
***
Në qoshen vertikale të dhomës, një merimangë zbriste dhe ngjitej drejt trekëndëshit të tavanit, nëpërmjet fijes së perit që e prodhonte vet. Fijen e zgjaste dhe e shkurtonte, sipas strategjisë të cilën ia lypte pikë-caku. Një mënyrë jete e pa vënë re gjithaq, por e spikatur për strategji kurthesh! Ja çfarë dhuntie i kushtëzoi evolucioni një insekti ngjyre të zezë! Mënyrë jetese me kurthe ose me viktima kurthesh! Krejtësisht e rëndomtë për evolucionin, por e pa rëndomtë për karakterin e njeriut. Kurthet e tilla njerëzore brenda llojit intriguan drama dhe dramat tragjedi; tragjedi fronesh e karrigesh… Kush kujt i modeloi kurthin: insekti njeriut a njeriu insektit? Insekti ka shtytje instiktive ekzistenciale… Po njeriu? Njeriu ka mësymjen e pangopur të lakmisë… Padyshim qytetërimi i përsosi kurthet dhe, pikërisht mbi kurthe të kurdisura u kurthua mijëvjeçarëve! Kësisoj ka për të ndodhur përderisa mënjanohet Zoti i Vërtetë; përderisa njeriu mëton të bëhet Zot vetë; përderisa e thërret Zotin veçse çasteve të apokalipsit, madje i prinë mëtimit, që evolucionit t`i shartojë çfarëdo vullnetesh të veta?!…
– Çfarë janë ato vullnete? – pyeti sikur të kishte përballë një bashkëbisedues.
Aty për aty reflektoi se kjo pyetje ishte naive dhe, nuk duhej t`i drejtohej askujt. Megjithatë, përgjigja nuk i mungoi prej dytëshorit:
– Janë vullnete të asisoj, të cilat nuk mund t`i bartë as kurrizi, as shpirti i jetës… – dhe vijoi:
– Aso, aso vullnetesh, që e çartin evolucionin dhe, ajo natyrë e çartur paparashikueshëm egërson ose robotizon njeriun?!
U rrotullua në krahun tjetër dhe u mbulua me jorganin e heshtjes.
***
Kur pa orën e ndalur moria e reflektimeve iu dendësua dhe, po i silleshin në kokë sikurse plima e sorrave grindavece drejt një caku pa marrëveshje. E kishte lënë ditën vetëm, pa pjesëmarrjen e tij, për t`i dhuruar së bashku me të copat e dhuntive verës… Çka mund t`i merrte stinës? Me përsiatjet e tija nuk i merrte asgjësend. Enigma e kurdisjes është universale… Si e tillë doemos është gllabëruese… Megjithatë, kjo e diel i dukej e gjatë, nata e kishte torturuar; ëndja kafshërore ia kishte fryrë zorrët tej mase. Një refleks i mënjanoi reflektimet tjera dhe i përmendi ëndjen. Si duket kjo qenka imja, e brendshme, askush nuk ma paska kurdisur… Shija… Deshi ta plotësonte konstatimin për shijen, por iu ngatërrua perceptimi i pa saktësuar për masën; mandej pozita e shtrirë i sillte vrushkuj të përzier: muzg-drite. Jashtë dritores tij rridhnin ndodhitë, ngjarjet, gjësendet, ngjyrat, intrigat, përballjet, epshet për shuarje, trajtat e pandemisë, sherret, kërkimet e të urtëve të globit për t`i frenuar numrat e shuarjes të jetëve dhe, tjetërsimi i dhimbjes në numra…
Mbulesën e kredhjeve të thella ia shkundi thirrja e Lumores për pirjen e vonuar të kafesë. Para se të zbriste në katin e parë deshi t`i dëftonte dytëshorit për shijen dhe krupën e vet, por ndoshta do të përhapej renditja për ta kategorizuar tek të pangopurit dhe tha:
– Lëre mos e nga!
– Si më gatoi Zoti i evolucionit të mos më ngopen as shqisat e të parit?
Zoti e përsosi njeriun, duke i dhënë gjithçka nga pak prej të bukurës dhe të shijshmes…
– Domethënë më la mundësinë veçse t`i provoj nga pak të mirat, të bukurën, të këndshmen, të shijshmen, por pa u ngopur me to… – këtë përsiatje nuk ia shpërfaqi Lumores.
Tërë perceptimet e sotme i lidheshin për orën e prapa ngelur. Jashtë sferës së përsiatjeve të tij shkëlqimi dritësor ishte lëbyrës.
***
– Lumore sot e kam vënë re se sa paskam qenë i lidhur për orën e murit të dhomës tonë!
– Ti ke dhe orën e dorës, celularin, çka po të lidh kaq ajo farë ore klasike?
– Nuk e shpjegoj dot… – vazhdoi:
-Ndoshta ato tak-take akrepash ishin shenjat e fillimit të frymëmarrjeve tona të përbashkëta?…
– T`i marrtë t` ligat! – Po, por… – Lumorja paksa hezitoi:
– Unë… Unë… U frikësova për atë orën tënde të madhe, ajo të mos ndalet, ajo!… Ora e shtëpisë, pak punë është kjo!
Për një çast e kaploi habia…
– Cila mund të ishte ajo orë e madhe e shtëpisë, së cilës mund t`i ndaleshin akrepat?!
E kuptoi, por thjesht nuk deshi t`ia tumirte atë parandjenjë të brishtë gruas së kurorës.