Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: VJETËT E ELBASANIT ME ROBERT NDRENIKËN

E dija se do më “shpinin” në Elbasan, kur këtë ma tha vet ministri Th.D., pas shfaqjes së diplomës së komedisë së Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”, me duetin që pata me Robert Ndrenikën, duke lozur dy role anësore që befas ishin “bërë të rëndësishme” e po tërhiqnin vëmëndjen e publikut në tonalitetin e humorit “pa dorashka”! Qe fjala për dy rojtarë shekspirianë që “ruanin keqbërësit” e që gjatë natës së gjatë bëheshin çakërrqejf e dëndeshin me raki, ndërkohë që hajdutët e keqbërësit bënin kërdinë… “Tya, bashkë me atë tjetrin do t’u shpie në Elbasanin tim, ku sapo kemi hapur edhe Teatrin e Ri Profesionist”-tha ai dhe i vuri vulën, ende pa mbaruar atë vit, ndërsa për Robertin, si të mbaronte viti tjetër. Qe një e papritur që nuk mund ta kundërshtoje e as që të shihte ministri se “ç’gjyrë” merrte fytyra në atë mbrëmje të vonë…
Emërimi u bë menjëherë, edhe me shkresë, si Drejtor i atij tetatri, ku do të mbroja edhe rgjizurën e do të lozja edhe si aktor në trupën e sapokrijuar, mbi baza amatore. E, meqënëse Roberti do të vinte aty pas një viti, “ia vura syrin” komedisë së Viktor Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy”, suksesi i së cilës qe i garantur me dy rolet kryesore, me Ndrenikën në rolin e Filimonit e me Shmilin ne rolin e Vagabodit. I shkrova edhe akademikut rumun, me origjinë shqiptare, për t’i marrë lejen e vënies në skenë, i cili e miratoi menjëherë… Mirëpo, si i ri njëzet e pesë vjeçar që isha, paskisha gabuar, ngaqë aty e kudo në vendin tonë, për repertorin “vendoste Partia”,-gjë që unë nuk e pata fiksuar mirë në tru e i “kisha dhënë gojës paksa si shumë”, gjersa që në mbledhjen e parë të “këshillit artistik” që u bë menjëherë, erdhi aty vetë Kryetari i Komitetit A.M. e më tha: “Prit një herë, more djalë, se ti sapo dole nga bangat e shkollës!… Merrë një herë frymë! Shih e mëso…Se nuk do prishim fytyrën e aktorëve…”! Duke më lënë kështu në një mëdyshje dëshpëruese qysh në fillim e duke më futur në zyrën e drejtorit, për t’ia filluar “punëve” nga njohja e administratës së teatrit dhe të estradës, ndërkohë që ajo shfaqje që unë e pata për zemër “fluturoi gjetkë”. Dhe mua më thirrën në komitetin e P.P-së për të më qartësuar se, repertorin e “zgjidhte dhe e vendoste Partia”, nëpërmjet një këshilli artistik të përforcuar edhe nga klasa puntore, ku do bënin pjesë dhe dy persona: Hekuran Isai e Pali Miska, të cilët do të ngjiteshin më pas edhe në “krye të kupolës” së shtetit! Dhe nga organizma e brendshme partiake do të caktohej dikush tjetër për ta vënë në skenë po atë komedi që kisha zgjedhur e do të ndodhte pikërisht ashtu, sikundër e kisha parashikuar: Roberti me Shpëtimin do të krijonin aty dy role të shkëlqyera, të mbingarkuara me shumë humor, po edhe si shembëlltyra në skalitjen e figurës artistike. Robert Ndrenika. në ato pesë vite që qëndroi në Elbasan pati edhe 12 role të tjera, po sikundër qe, i pashembullt në rolin e Aleksandër Filimonit në asnjë personazh tjetër nuk e pati atë sukses të meritur, saqë, edhe kur e pa komedinë e tij edhe vetë Viktor Eftimiu nuk gjente dot fjalë për të thënë e “shtuar” ca më tepër… Kjo ndodh vetëm me aktorët e mëdhenj, që me interpretimin e tyre janë në gjendje të dalin mbi autorim, po e po, por dhe mbi vetveten. Aqsa, kur Lorenc Oliveri interpretoi Otellon, thuajse e mbyti realisht Dezdemonën e aktores Megi Smith, aqsa ajo u tmerrua dhe vetëm, pasi të mbaronte ajo skenë e llahtarshme e do të vinte ne vehte, do të shkonte në kabinën e partnerit të saj gjenial e do ta gjente, po aq të tronditur, në një elektrizim të plotë, në përafërsi të një çmëndurie! Ndërsa i madhi ynë Robert Ndrenika, do të përjetonte tek Kryetari i Bashkisë, jo thjesht madhështinë e rreme të këtij individi të etur për pushtet, po të gjithë sistemin burokratik, që fatlumërisht do të qe “e fshehur” në qytezat provinciale rumune të periudhës mbretërore. Por që, nuk do të shpëtonte Ndrenika, disa vite më vonë, kur interpretoi Triumfallovin e Majakovskit në skenën e Institutit të Lartë të Arteve, nën regjinë e të madhit Kujtim Spahivogli, përpara kuadrove partiake të Tiranës, të cilët, jo vetëm që e kuptuan “tehun e thikës”, po e varrosën këtë shfaqje qysh atë mbrëmje! Ndërsa Roberti, që e ruante mllefin e tij, përmes satirës e groteskut, kundrejt repertorit mediokër të kësaj stine Elbasanase dhe që nuk e duronte dot këtë klimë, me dëshirën e zjarrtë për t’u rikthyer në Tirane, ku kishte lënë familjen e tij, nuk kishte se si t’u shmangej atyre pjesëve e roleve të soc-realizmit, kur ideologjia partiake e Hoxhës ndjehej fare hapur, jo vetëm në çdo personazh, po edhe në çdo batutë… Kështuqë do ta shikonim Robertin zëmërthyer e sa për “të kaluar radhën” nëpër role të këtilla, sikundër qenë: Saldatori (“Linda)”, Kufitari (“I pesti u zu i gjallë”), Mekaniku i dalluar (“Projekti”), apo si tek roli i Jusuf Zavalinës (“Udha e Zavalinajve”) që i bënte jehonë thirrjes aktuale (utopike kineze!) që bënte Enveri “për t’iu ngjitur maleve e për t’i bërë ato si edhe fushat”, bile në mënyrën vullnetare! Tek, pa pritur e pa kujtuar do të kalonte nga Elbasani vetë Udhëheqësi i Partisë e do kërkonte që t’i servirnin edhe një shfaqje, për ta pësuar, kësaj rradhe dramaturgu Naum Prifi që e kishte shkruar këtë pjesë për gjeologët e i zoluar në një mal nga dëbora (“Rrethimi i bardhë”) dhe Shoku Enver do të “lëshonte silura” për ta “varrosur” edhe këtë shfaqje, gjoja si dekadente e revizjoniste!
Kështuqë në të dyja shfaqjet që vura unë në skenë, për të mbrojtur diplomën regjisorit, do t’u shmangesha pjesëve origjinale, që kërkoheshin patjetër me këtë “frymë partiake” e do t’i drejtohesha disa veprave dramatike përparimtare, nga bota, sikundër qe drama e autores përparimtare Finlandeze Hella Vuolijoki “Justina” e të Xhon Gollsuorthit anglez “Kutia prej argjendi”, dhe pse nuk do ta kisha atë “shans suksesi”, ashtu si e ëndërroja, as në njerën e as në tjetrën… Ej “pikë e zezë”,-thoshja me vete, si nuk e gjeta,-të paktën-, një tjetër rol për mikun tim të shkollës e të shfaqjes Shekspiriane, për ta patur rrishtazi edhe atë sukses që e patëm me dy personazhet e Shekspirit, Vergesin e Dogberin, që në tekst nuk premtonin asgjë më tepër, por që një regjizor famoz, si pedagogu ynë Kujtim Spahivogli, frymëzues, mjeshtëror e i papërmbajtur, që dinte aq mirë të shihte edhe më përtej roleve e pjesëve që vinte ne skenë! Mirëpo, e paskisha harruar edhe atë shprehjen popullore se “zogu vetëm një herë të bie në dorë”! Kështu që, tek “Justina” Roberti do të interpretonte një djalë të braktisur nga prindërit që do të rivihej midis tyre, bashkë me dramën e vet, si edhe tek pjesa e Gollsuorthit, po djalin e një antari të parlamentit britanik, Xhek Bratvikun, që e “rrëmben era e kohës së vet”, si djalë i përkëdhelur i sferave të larta… Ndrenika, korrekt si gjithmonë me rolet e veta, hynte nën lëkurën e të dy personazheve, pa qënur fare karaktere,- në kuptimin më të mirë të kësaj fjale,-duke na dhënë kështu dy djelmosha të spikatur e të kundërt me njëri-tjetrin, që sidomos tek Ollavi, djali i gjykatësit Robert Harmallahti e i Justinës, do të ishte si një shpirt i ndjeshëm,-viktimë e nje divorci të pashmangshëm që krijonte “plagë të rënda” psikologjike ca më tepër edhe tek fëmija e braktisur. Pa marrë parasysh që ky aktor, duhej të interpretonte midis tre personazheve amatorë, gjer atëhere, sukundër qe tekniku i ndërtimeve Demir Hyskja (që më pas do të afirmohet si aktor i talentuar) në rolin e Gjykatësit dhe të dy aktoreve që më mungonin në trupën e re dhe isha i detyruar t’i “merrja nga rruga”, sidomos për rolin kryesor të Justinës, duke zgjedhur një grua të bukur bulevardi në shëtitoren e Elbasanit, kur ajo tërhiqte gjithë shikimet e vëmendjen e shëtitores përbri kalasë së lashtë, zonjën Xheko Koçi, po edhe të një vajze të vogël gjithashtu, të Raimonda Hysit, që interpretoi mrekullisht motrën e gjetur pas kaq e kaq vitesh… Ja që, në një teatër të ri, do të ndodhte edhe kështu, ku nuk mund t’i gjeje të gjithë aktorët e përshtatshëm për personazhet e rolet, pra edhe për aktorët që ke aty, në “organikë”, dhe që regjisori e aktori duhet të bëjë punën e vet me ta… Po, për Robert Ndrenikën e heshtur si njeri, nuk do të kishte asnjëherë “fjalë të tepërta” a kundërshti. Roli qe rol që duhej interpretuar, qoftë edhe duke e plotësuar me shpirtin e talentin tënd. Duke kuptuar kështu se sa i gabuar paskisha qenë kur vajta në Elbasan dhe e mendova “rrugën time të shtruar me dafina”!
Prandaja, pa qenë e domosdoshme që të them diçka edhe për ato 12 rolet e tjera që Robert Ndrenika ka interpretuar gjatë këtyre viteve në Teatrin “Skampa” (1964-1969)-, le të mundohem që të prek diçka të rëndësishme që ky aktor, i cili luajti me mua përsëri e në të njejtën shfaqje, sikundër qe “Shtatë Shaljanët”,-ai në rolin e Abaz Agës e unë në atë të të dërguarit të Vezirit,-se ç’kishte një “sekret” tjetër, përveç talentit të lindur: mjeshtërinë e kapjes e të shprehjes së figurës njerëzore nga jeta! Si dhe të një sugjestioni “magjik” tek partneri, duke i dhënë atij impulse frymëzuese gati të njëllojta! Si të ishte një “Magjistar i padukshëm”, që e ruante dukjen dhe e shfaqte para publikut në origjinalitetin më të lartë të natyrësisë. Në repertorin e tij të mëvonshëm, ai do të kishte shumë role të tilla të tipizuara deri në imtësin më të madhe, si figura të skalitura, në ar e argjend, sikundër qe Prefekti i filmit “Koncerti i vitit 36”, Kosta te filmi “Mësonjtorja”. Karrocieri i Ismail Qemalit, Komisioneri i Artur Milerit e disa krijime të tjera të mëvetshme, ku “deti është e mbetet po aq i thellë” e mali “po aq i lartë”. Po meqënëse jemi duke folur për vitet e Elbasanit të këtij kolosi të interpretimirt artistik, që nuk i vjen më skenës e filmit shqiptar, le të themi diçka rreth “kyçit” a “thelbit të figurës” që gjeti ky aktor, për ta shprehur aq bukur kryetarin e bashkisë Aleksandër Filimon, Kryetarin e Bashkisë Rumune-, i cili ngjan si një kopje identike me një sërë kryetarësh e zyrtarësh tanë të të dy epokave shoqërore,-që “hidhet edhe në lum” për të shpëtuar një njeri që po mbytej, kur ai qe në pragun e zgjedhjeve bashkiake”. Për këtë tip, që e mori edhe gazeta, pa asnjë dyshim edhe elektorati i tij i bujshëm, ai dijti të merrte si prototip një zyrtar të atëhershëm të Elbasanit që “sokëllinte” nëpër sheshe e mbledhje publike me të njëjtat fjalë: “Do ta tundim!” e do “Ta bëjmë të madhe!” dhe këto fjalë bombastike aktori i përdori si lajtmotiv të personazhit të Eftimiut e të tij, duke i vendosur organikisht në gojën e Filimonit e duke i shprehur me aq nuanca të ndryshme sa “u bind dreqi fare”! Dhe, kur ky zyrtar erdhi për ta parë shfaqjen, i ulur në rreshtin e parë të karrikeve, u entusiazmua tek e pa veten në shkallën më të lartë të vanitetit, si një kënaqësi madhështie, alla “Mbreti Diell”, që dikur i atribonte vetes Luigji IV i Francës! Mirëpo kjo ndijesi e brendshme e aktorit qe kaq e kamufluar, sa nuk kishte as një “shejtan tjetër” që mundej ta kuptonte. Kur Figura e Aleksandër Filimonit , veç komizmit të jashtëm, kishte edhe diçka tjetër “gërryese nga brenda”, që ishte “drama e mosmirnjohjes”, prej një njeriu që ai e kishte shpëtuar nga mbytja e sigurt, duke u hedhur edhe në lum në çaste kritike jete, për t’i shpëtuar fukarallëkut e mizerabilitetit shoqëror, kur përreth tij valëviteshin “flamuret e zgjedheve bashkiake”. Ky kompleksitet ndijesish të brendëshme, që aktori Ndrenika e jep në trajtën më të shkëlqyer si një fitore e triumf “të merituar”, nuk mundej të shprehej së jashtëmi e së brendëshmi, po me kaq bindje e vërtetësi , më mirë e më bukur, veçse prej këtij aktori që e kishte emrrin ROBERT NDRENIKA.
Teoricienia amerikane STELA ADLER, njera nga figurat më të shquara të shekullit të 20-të, mësuesja e aktrimit të Marlon Brandos e të Robert De Niros nënvizon se “Në ditët e sotme, shumëçka që konsideohet si aktrim, nuk është gjë tjetër veçse gjetja e vetes në ndonjë karakter… Vetëm ju mund të jeni ju.Çfarë privilegji! Askush nuk mund të arrijë tek ajo çfarë mund të bëni ju, nëse e bëni. Prandaj bëjeni. Kemi nevojë të shohim më të mirën tuaj, zërin tuaj, trupin tuaj. Nuk na duhet të shohim si imitoni të tjerët, sepse kjo do të ishte më e mira e dytë e juaja. Dhe më e mira e dytë juaja nuk është më e mirë se më e keqja juaj…Aktori përdor këmbët e veta. Përdor zërin, sytë, duart e tij. Ai përdor çdo pjesë të trupit të vet. Trupi është instrumenti i tij”.
Robert Ndrenika, “Thesari i Artit Shqiptarë”,-do ta quaja unë,-ky njeri i thjeshtë e i përzemërt, i ndershëm e fisnik, më tepër i heshtur se sa i zëshëm, që mundi të ngjitej vet në podjumin e skenës e të fiksohej në dhjetra filma,-kudo me portrete individuale të papërsëritshme,-është edhe si një “mister më vete” në fushëm e magjishme të aktrimit, ku është e s’është vetvetja, por që e mbulon kurdoherë gjenialiteti i artit të tij, ca më tepër i lindur se sa i fituar nga shkollimi. Dhe një ARTIST me gërmë të madhe, i cili më shumë i ka dhënë se sa i ka marrë shtetit tënë të varfër e po aq të pasur(?!), veçse me ato duartrokitje tepër të nxehta të kurdohershme, që asnjëherë nuk i janë ndarrë jetës së tij po kaq të varfër e me shpirtin qelibar, si artist i madhërishëm dhe NJERI i kulluar, qiellor, që është e mbetet,-ndofta ndër të vetmit që i takon katërcipërisht Urdhëri i Lartë i “NDERIT TË KOMBIT”!
Athinë, qershor 2022
Please follow and like us: