Albspirit

Media/News/Publishing

Vangjush Saro: Një fjalim i pambajtur

 

 

(Fragment nga romani “Kurora e Ballkanit”)

 

I dashur vëlla Qato!

E marr me mend se çfarë emocionesh ke pasur ti në atë mbrëmje…Ja ku po ta thom, ai publik ka qenë i nderuar që ka dëgjuar recitimin tënd. Ne jemi në rrugën tonë të krijimit e të konsolidimit, o kolos.Ne po ngjitemi gjithnjë e më lart, i dashur. Krijimtaria jonë e këtyre viteve, është një risi. Po po. Kjo duhet thënë në çdo kohë.

Sidoqoftë. Edhe ne, i dashur Qato, patëm një mbrëmje shumë të veçantë, me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Shoqatës. Diaspora i vlerëson vendçe këto gjëra… Pasi u kënduan hymnet kombëtare, pamë një dokumentar për Shqipërinë tonë të dashur, sadoqë gjysma e filmit qe mbushur me blla-blla e politikanë që s’të kanë as surat, pa le tjetër… Pastaj u erdhi radha fjalimeve. Eh, nuk bëjmë dot pa to. Unë për vete nuk isha përgatitur me shkrim; por sidoqoftë, ti e merr me mend se ç’do të thotë të ligjërojë një shkrimtar i madh. Për këto punë ne, si është ajo fjala… e kemi kuletën të ngrohtë. Ehë!

Ashtu, pra. Sapo që ai drejtuesi i mbrëmjes tha “Ia japim fjalën…”, unë u ngrita sakaq të shkoja te podiumi që ta merrja. Fjalën, de. Epo, gjithë ky shkrimtar, thashë, do të më kenë planifikuar të flas i pari.

-Ku shkon? – më tërhoqi Xhuli.

-Me përshëndet, moj…

Mirëpo ai moderatorimë foli në dorë: “Ia japim fjalën kryetarittë shoqatës, zoti Kola.”

-E shikon? – tha gruaja.

-Mirë de, mirë. Do jem mbasanej, – i thashë. – Fjalimi im… ohuu…

Sapo mbaroi kryetari, u dëgjua sërish drejtuesi i mbrëmjes, i cili edhe po shikonte këtej nga tryeza jonë. “E ka fjalën tani…” Unë u ngrita dhe fillova të përshëndesja gjindjen rreth e përqark. Mirëpo sekush më tërhiqte nga xhaketa kështu… Po më vduqe, moj Xhuli. Si nuk e kupton, o shpirt, që imenajam për të referuar… “Pra, e ka fjalën zoti Grein, mik i shquar i kësaj shoqate…” Hë, ishte ky i Bashkisë. Me siguri, mua më kishin planifikuar pas tij. Fill pas tij. Kjo duhej të ishte patjetër. Atmosfera dukej e shkëlqyer. Po të sillej fjala rreth letrave, për krijimtarinë, ata do të kishin nderin të dëgjonin…

Gjithsesi, po shkonte shumë bukur. Edhe njëherë, drejtuesi i mbrëmjes filloi të prezantonte folësin e radhës: “Të dashur miq! Një tjetër zotëri do të përshëndesë këtë sallë të nderuar në këto çaste…” Një t’u ngritur unë në këmbë, drink. Edhe xhaketën e bëra njëherë kështu, si ta them, i dhashë një të shkundur, sikur e zotëroja mirë. Po ç’zotëroja, mo; ma shqyen nga të gjitha anët.

-Ba, ku je nisur? – më pyeti djali.

-Do mbaj fjalimin, – thashë.

-Ç’fjalim, o ditëzi?! – s’më lëshonte as Xhuljeta.

-Epo, gjithë ky shkrimtar…

-More, ti po bën si kalë pa fre. Përmbahu!

-Xhuljeta, këto krahasime me frerë e me kuaj, nuk kanë ven ktuna – i thashë, pak i nxehur dhe pak në dialekt; se kështu e kom kur jom n’tencion. – Si thu tina, kur të më thojn emrin të zihem në befasi una e t’mos thom asisend ?

Hej, e mendoja thellë këtë punë; dhe doemos që kisha të drejtë. Mirëpo ai drejtuesi i mbledhjes ishte i çuditshëm, prapë ia dha fjalën dikujt tjetër. Oho, kjo nuk kishte sens. Jo për gjë, por ata kishin nevojë për fjalimin tim dhe jo unë për sajdisjen e tyre. Diçka nuk po shkonte në atë mes. Mbase ai që përcillte programin, kishte bërë ndonjë ndryshim në çastet e fundit; sepse edhe kryetari po shikonte këtej nga unë. Dukej sikur po më thoshte: “Fjalimin, Qako Proçka, fjalimin…” S’ishte problem, por ai moderatori qëlloi shushkamen; si i thonë fjalës, ngatërrohej me këmbët e veta.

Sidoqoftë, disi po kalohej… More Qato miku, s’të kam pyetur: A ma lexove këtë tregimin e fundit? Ata djemtë te “Ora 12 e notës” e kishin vënë në krye të faqes. “Dielli që aq pak ndriçonte”. Të pëlqen titulli? Po më ka ndodhur vetë, ore. Ka qenë një ditë vjeshte. Në të errur. Frynte një erë, po ç’të të them… Ej! Lexoje vetë më mirë.

Sidoqoftë. Mbrëmja shkoi mjaft bukur. Të fala na bëj nga shtëpia. Ene më shkruj, ore, më shkruj për tregimin… Po shiko. Lajka nuk du una. Hajde se folim…

 

…………………………………………………………………………………..

 

*Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro ka festuar këto ditë 70-vjetorin e lindjes. Ai ka mbaruar gjimnazin “Raqi Qirixhi” në Korçë, kurse studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës; në 1985 edhe studimet pasuniversitare në Akademisë e Arteve dhe Kinostudio. Ka punuar mësues dhe gazetar. Është Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin “Naim Frashëri” klasi III dhe Çmimin e Karrierës dhënë nga gazeta “Telegraf”; ka fituar gjithashtu çmime kombëtare për vëllimin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe novelën “Polic Këmbëvogli”.

Saro ka shkruar tregime, novela, romane, skenarë për filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë, kritikë letrare, si dhe publicistikë. “Shqipëria në dy kohë” ishte libri i tij më i fundit në këtë zhanër, botuar këto ditë. Nga krijimtaria artistike mund të veçohen: librat me tregime e novelat “Dy orë dramaturg”, “Biri i ambasadorit” e “Një ditë pa mamin”, romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, si dhe librat me fabula “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?” dhe “E dashur Dhelpër!” Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja: L’Âne et le Chevreuil (“GomaridheKaprolli”), Dear Fox! (“E dashur Dhelpër!”), The Boy who became a Balloon (“Djali që u bë tullumbace”), etj. Krijimtaria e tij ka vëmendjen e publikut dhe të mendimit letrar.

Aktualisht jeton në Vankuver (Kanada). Alb-Spirit i uron jetë të lumtur e krijimtari të begatë.

 

 

 

 

Please follow and like us: