Kleitia Vaso: Mbi fenomenin e shëmtuar të borive
…Këtu, boria e parë bie rreth orës 7:15 të mëngjesit, duke të rrudhur fytyrën pa hapur ende sytë e duke të shtyrë t’i shtrëngosh dhëmbët në mënyrë të pavetëdijshme. Pas kësaj, rreshti i borive nuk ndalet kurrë. Secila shfaqet në skenë dhe del nga skena si të ishte e vetmja protagoniste e dramës, ashtu siç i jetojnë jetët shumica e banorëve këtu, treguesi më i qartë ky i mungesës së civilizimit. Në thelb, çfarë kërkon ky i fundit prej nesh është shtypja e përballueshme e instinkteve kafshëroro-foshnjore, në mënyrë që të ekzistojmë në një gjendje disi harmonike me të tjerët. “Sillu me të tjerët, siç dëshiron që ata të sillen me ty” të shërben po aq ty, sa të tjerëve dhe ndoshta më tepër. Por, këtyre borive nuk iu intereson nota që i ndjek apo paraprin. Nuk ka vend për orkestër këtu; janë të gjithë solistë. Çdonjeri, nga më i vogli te më i madhi, përfaqëson të vetmin diell në qiellin e vet. Një përjashtim i vogël bëhet për familjen imediate. Nuk është çudi, atëherë, që, me lindjen e diellit, paqja merr fund. Mund të ngulësh këmbë e të qëndrosh në shtrat duke pritur qetësinë, por, në këtë rast, këmbëngulja është e kotë, e në terma budiste mund të cilësohej si “ngjitje” apo “kapje.” Do të të shkatërronte vetëm ty.
Gjithsesi, një bori mjafton. Edhe në rastet e rralla të një mëngjesi të qetë, në çastin që tingujt e borisë së parë oshëtijnë në rrugën e boshatisur, parajsa është e humbur. Edhe nëse një e dytë nuk do të pasonte të parën – teorikisht, pasi në realitet ndodh gjithnjë – njeriu pret me ankth ardhjen e saj, ndërkoha që frymëmarrja cektësohet dhe gjumi largohet nga sytë, trupi, mendja, pa kthim. Dita nis me një ekuilibër të humbur, si një akrobat që pengohet që në hapin e parë të ecjes në litar. Rivendsoja e ekuilibrit vështirëson dyfish diçka që mund të ishte e thjeshtë. Megjithatë, shpresa është këmbëngulëse dhe për të shpëtuar ç’mbetet nga dita apo vetja, njeriu lëviz instinkitvisht, pasi lëvizja ofron iluzionin e arratisjes edhe nëse, shpeshherë, kjo e fundit mbetet thjesht e tillë, iluzion. Me vrap, atëherë, sa më larg dritares, në korridor, banjë, brenda kabinës së dushit, por kudo boritë vazhdojnë të kumbojnë në vesh, fantazma apo të vërteta, nuk kuptohet më. Dhe pavarësisht tregimeve të përsëritura të gjyshit të plagosur rëndë, shpërthimeve të ndodhura tepër pranë, e përjetimit të fenomeneve shumë herë më të rrezikshëm se tingujt e acarimit të disa shoferëve, për herë të parë arrin t’i kuptosh vërtet veteranët e luftës me stresin e tyre post-traumatik. Mund ta dëgjosh edhe ti zhurmën që nuk ndalet kurrë në kokën e tyre e paqen që, ndoshta, vjen vetëm me vdekjen. Shpresojmë që vjen, gjithsesi, por edhe për këtë nuk mund të jemi të sigurt”.
Fragment nga eseja “Hyrje në psikologji” Mbi fenomenin e shëmtuar të borive.
Please follow and like us: