Albspirit

Media/News/Publishing

Kristina Kashari, një ‘yll’ në ngjitje, koreografja shqiptare që po shkëlqen në Boston, fituese e kampionatit botëror të Dancit

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe

Një “yll” në ngjitje, me pritshmëri të larta, për të mbizotëruar skenën botërore, në Amerikën e largët! Një artiste profesioniste e kompletuar, një “diell i artë”, me rrezet e saj ndriçon veten dhe kombin, duke na përfaqësuar nga përtej oqeanit! Pas suksesit në Shqipëri, ëndrra e madhe si balerinë dhe koreografe po shpërthen me një energji të papërmbajtshme dhe çdo ditë po njeh arritje e profesionalizëm, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur “ëndrra e madhe” që mbartim në zemër, me shumë dashuri dhe pasion, shoqërohet me punë këmbëngulëse, vetëbesim dhe vetëvlerësim, do të sfidojë çdo pengesë dhe me shpejtësinë e erës do të bëhet realitet. E pamundura do të kthehet në të mundur! “Ëndrra e madhe”, si thembra e “Akilit”, nuk është më një ëndërr, por një realitet i prekshëm! Suksesi është triumfi dhe “shpata e Demokleut” për shqiptarët kudo që ndodhen, i cili vjen përmes punës dhe pasionit. Kristina Kashari, vetëm 23 vjeç, e re, e bukur, energjike, po triumfon me sukseset e saj si balerinë dhe koreografe në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse në moshe të re, Kristina ishte mjaft e suksesshme dhe profesionale edhe në Shqipëri, por t’i mbizotërosh skenës dhe tregut amerikan, është një arritje e madhe. Kristina u katapultua nga Shqipëria drejt Amerikës, atje ku konkurrenca dhe profesionalizmi është më i madh, si balerinë dhe koreografe, por puna këmbëngulëse, dashuria për artin, pasioni ka bërë që ajo të arrijë shumë në pak kohë, duke treguar se pritshmëritë do të jenë akoma më të mëdha në një të ardhme të afërt. Kristina është fituese e kampionatit më të madh botëror të dancit për dy vite rresht, 2019 dhe 2020. Në Shqipëri ishte balerinë profesioniste, ka kërcyer në videoklipe, koncerte, televiozione me këngëtarë, ku në disa prej tyre ka qenë dhe koreografe. Prej dy vitesh jeton në Boston, ku punon si menaxhere në një nga kompanitë më të mëdha të vendit “Boston Vip List”. Gjatë periudhës së pandemisë, ajo hapi kursin “Kristina online dance” dhe është bashkëpronare me një nga koreografët më të famshëm të Bostonit. Gjithashtu, Kristina bën modeling në New York dhe aktrim.

Përshëndetje Kristina! Më vjen vërtet mirë kur dëgjoj që të rinj shqiptarë gdhëndin në zemër ëndrra të mëdha, të cilat i realizojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej oqeanit, atje ku konkurrenca është akoma më e madhe. Në Shqipëri, ju keni qenë balerinë profesioniste, madje edhe koreografe, çfarë ju bëri të largoheni drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Boston?

Përshëndetje! Është kënaqësi të intervistohem nga profesionistë si ju! Ju falenderoj!  Unë, në shtator, bëj 2 vite që kam ardhur në Amerikë. Arsyeja më e madhe që lashë Shqipërinë ishte “Të ndjek ëndrrën time”. Unë, në Shqipëri, isha shumë e realizuar profesionalisht, por ëndrra ime ndodhet këtu në SHBA, ndaj dhe unë e mora guximin e madh dhe sfidova veten.

Të uroj vërtet suksese në vazhdim! Sa e vështirë ka qenë për ju si balerinë apo koreografe, të katapultoheni nga Shqipëria drejt Bostonit, për t’u përshtatur me disiplinën, kushtet e punës, stilin profesional por edhe jetësor, në një vend të madh dhe me një treg konkurrues? 

Fillimisht kisha shumë vështirësi, sepse çdo gjë ishte ndryshe nga ajo që unë kisha mësuar ndër vite në Shqipëri. Duke filluar që nga disiplina e punës, bazat kryesore që më duheshin për të qenë koreografe profesioniste, mësimdhënia e shumë detaje të tjera. Por nuk u dorëzova! U aktivizova në klasa profesionale me koreografët më të mirë këtu në SHBA, për 2 muaj e kapa ritmin e tyre dhe tashmë jam një ndër ta.

Cili është stili i punës i një koreografi në Amerikë, krahasuar me Shqipërinë? Ju gjeni ndonjë ndryshim të ri te jeta juaj profesionale aktuale, si koreografe në shtetin ku jetoni? 

Ndryshimi është shumë i madh, si nata me ditën do të thoja, por nëse punon fort dhe ke besim te vetja, asgjë nuk është e pamundur. Në krahasim me jetën artistike që unë bëja në Shqipëri, me këtë që bëj në SHBA, ndryshimi është shumë i madh. Nëse në Shqipëri do të punoja 5 orë ekstra që të mbaja nivelin profesional, këtu në Amerikë më duhet trefishi, pasi, siç e thatë edhe ju, këtu konkurrenca është shumë e madhe; ka shumë talente dhe duhet të punosh shumë fort për të pasur nivelin e lartë kompetitiv.

Sa mundësi ju ka dhënë Bostoni, shteti ku ju jetoni, për t’u realizuar artistikisht dhe për të qenë sa më shumë profesionale në punën tuaj, krahasuar me Shqipërinë?

Krahasuar me Shqipërinë, nga ana profesionale, më ka dhënë shumë, pasi, siç e thashë dhe meë lart, këtu vinë koreografët më të mirë të botës, për të na trajnuar që të jemi profesionistë si ta. Kurse për mundësi është shumë e vështirë, sepse ka shumë të talentuar, plus kanë vite të tëra që janë pjesë e tregut, dhe është shumë e vështirë për të fituar mundësinë. Unë jam ende duke punuar fort, për mundësinë e madhe, dhe nuk do të heq dorë kurrë derisa ta arrij dhe të tregoj talentin dhe profesionalizmin tim.

-Cilat janë projektet tuaja aktuale dhe ato në një të ardhme të afërt, dhe cila është arritja juaj më e madhe në këto dy vite në Amerikë?

Tashmë, sapo jam duke bërë disa xhirime për video profesionale me dance solo dhe me grup kërcimi. Gjithashtu, unë merrem dhe me modeling në Neë York, jam duke bërë disa shootings me fotografë të famshëm shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu jam pjesë e All Casting dhe Boston Casting, ku jam ende në hapat e parë për t’u bërë aktore dhe për të marrë pjesë në filma dhe seriale. Arritja ime më e madhe në SHBA është “Kristina Online Dance”, kursi online që hapa gjatë periudhës së pamdemisë, ku, që në ditën e parë pata një pjesëmarrje të jashtëzakonshme me 78 studentë live me mua vetëm nga Amerika dhe 50 nga Europa. Gjithashtu, theksoj që jam mësuesja e parë e dancit dhe koreografja e parë në botë që zhvillova mësimin oline live me studentët në zoom. Madje bënim dhe xhirime nga shtëpia, ku i montoja dhe bëja videon sikur të ishim bashkë dhe jo larg njëri-tjetrit. Ishte shumë eksperiencë e bukur, sepse shumë fëmijë ishin të mbyllur gjatë asaj periudhe dhe mezi e prisnin orën e mësimit. Sapo mbaronim mësimin, i ruaja 30 minuta shtes enkas që ata të flisnin me njëri-tjetrin, dhe të tregonin krijimtaritë e tyre që bënin kur praktikoheshin në shtëpi, si dhe ushtrimet e ndryshme gjimnastikore që i mësonin gjatë orës së mësimit.

A janë të interesuara nënat e reja shqiptare të sjellin fëmijët e tyre të marrin mësime si balerinë? Cili është zhanri artistik që ju jeni më e profesionalizuar në fushën tuaj si koreografe?

Kur nisa për herë të parë mësimdhënien në SHBA, studentët e mi të parë ishin shqiptarë. Të gjitha nënat, kur e morën vesh që unë isha shqiptare dhe që edhe pse në moshë shumë të vogël isha shumë e arritur profesionalisht dhe koreografe e kompletuar në zhanrin tim, ato ishin të gatshme që t’i angazhonin fëmijët e tyre duke më mbështetur dhe duke pasur besimin e plotë te unë. As dy javë nuk zgjati dhe puna ime ishte mbresëlënëse saqë shumica filluan të më kërkonin orë private për fëmijet e tyre. Zhanri im është Hip Hop Neë Style Dance dhe sporti i gjimnastikës, pasi që në moshën 3 vjeçare kam qenë gjimnaste. Në orët e mësimit përveçse u mësoja hapat e dance, u bëja dhe ushtrime akrobatike dhe gjimanastikë artistike. Gjithashtu, duke qenë se jemi dhe shqiptarë dhe padyshim na mungon ajo fryma e atdheut, u mësoja fëmijëve dhe disa nga vallet e trevave tona. Prindërit ishin shumë të lumtur, sepse disa prej fëmijëve të tyre kanë lindur në SHBA, disa s’kishin qenë kurrë në Shqipëri, dhe sa herë që bënim mësim u dukej sikur ishim në Shqipëri, sepse mësimin e zhvilloja në gjuhën shqipe dhe anglisht.

Kur zgjoheni në mëngjes, ndodh t’i thoni vetes “bëra mirë apo bëra keq”, që u largova nga Shqipëria?

Kjo është një pyetje shumë e bukur! Çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo darkë që vë kokën në jastëk, falenderoj zotin për këtë mundësi të artë që më dha në jetë! Jam shumë e lumtur që ndodhem në USA, sepse këtu është vendi i duhur për të bërë ëndrrat realitet dhe për të realizuar të gjitha dëshirat. E dua shumë Shqipërinë, por mundësitë për të rinjtë janë të limituara. Ndërsa këtu ka shumë mundësi, është e vështirë t’i fitosh, por e ardhmja është e sigurt!

Kur ëndrrat janë shumë të mëdha dhe kur i dëshirojmë pa masë, ato bëhen vërtet të realizueshme. Por kur ndiejmë edhe mbështetjen e të tjerëve, marrim një emocion, energji pozitive, që na shtyn të ndriçojmë akoma edhe më shumë. Ju e keni ndierë mbështetjen e komunitetit shqiptar në Boston? 

Është shumë e vërtetë! Unë ndihem shumë e privilegjuar, pasi e pata fatin ku kisha shumë mbështetës, dhe i kam ende në rrugëtimin tim. Komuniteti shqiptar ishte i pari që më dha dorë që unë të bëj arritjen time të parë në SHBA. Çdo ditë më mbështesin dhe më thonë do ia dalësh, “ti je talent, je krenaria jonë”. I falenderoj me zemër për çdo fjalë të ngrohtë dhe për mbështetjen që më japin çdo ditë!

Ju kanë mbështetur më shumë emocionalisht shqiptarët e Shqipërisë, apo të Amerikës?

Nuk do të veçoja asnjë pasi të dyja palët, si shqiptarët e Amerikës dhe ata të Shqipërisë, më kanë mbështetur dhe më kanë ndjekur në çdo hap timin deri më sot. Dua të them që ndihem shumë me fat për këta njerëz të mrekullueshëm, popullin tonë të dashur shqiptar, që janë kaq njerëz të mrekullueshëm, zemërmirë, mbështetës dhe që besojnë në talentin dhe punën time. Ata janë forca ime më e madhe!

A mund të na i shpjegoni me pak fjalë, si është një ditë e zakonshme për ju?

Unë kam një ditë shumë të ngarkuar. Zgjohem në 5:30 AM, shkoj në palestër ku bëj gjimnastik dhe fitness, deri në orën 8:00 AM. Pastj nisem për punë nga ora 9:00-5:00 PM. Punoj në një kompani si menaxhere e Boston Vip List. Pasi mbaroj punën, iki në shtëpi të ndërrohem dhe të përgatitem për klasat e dancit, të cilat i nis nga ora 6:30 PM – 10:30 PM. Pasi mbaroj klasat shkoj te puna e dytë 11:00 PM -1:00 AM, ku bëj xhirimin dhe montazhin në studio të videove të punës dhe të eventeve të kompanisë. Më 1:00 AM nisem direkt për shtëpi, fatmirësisht e kam 22 minuta larg, dhe kështu e përfundoj ditën.

Në përfundim të kësaj interviste, do doja të jepnit një mesazh, duke u nisur nga eksperienca juaj, për ata të rinj që kanë ëndrra shumë të mëdha, të cilët jetojnë qoftë në Shqipëri, apo në një vend tjetër të botës.

Në bazë të eksperiences time ndër vite, unë do të këshilloja për çdo të ri ose te re, qoftë dhe për fëmijët dhe bashkëmoshatarët e mi që kanë ëndrra të medha, të mos ndalen kurrë së shpresuari dhe së punuari fort, për t’i bërë ato realitet. Nëse do ketë një moment dobësie apo demoralizimi, kthjellohuni dhe mendoni synimin tuaj të jetës! Dijeni se jeni shumë të fortë dhe që një ditë do t’ia dilni sado larg të duket ajo ditë, nëse ju keni besim te vetja do të vijë shumë shpejt. Gjithashtu, nga eksperienca ime që askush s’më ndihmoi, nëse ndodh dhe me ju, dijeni se nuk keni nevojë për askënd, vetëm besoni te vetja juaj dhe te ëndrra juaj; punoni pafund dhe nëse lodheni vazhdoni të punoni, sepse një ditë do t’ia dilni mbanë! Ëndrrën tuaj mos ia tregoni askujt, ajo është gjëja më e çmuar e juaja, ruajeni dhe kur ta arrini atëherë tregojani të gjithë botës! Mos u dorëzoni kurrë dhe mos u ndalni për asnjë arsye ose pengesë që mund të hasni rrugës. Është në dorën tuaj sa shumë e doni ta arrini dhe ta realizoni ëndrrën tuaj! Provoni çdo mundësi, nëse mundësia nuk vjen, krijojani vetë vetes mundësinë, dhe gjithçka do të realizohet. Ju jeni gjithçka, duajeni veten tuaj dhe besoni fort në aftësitë dhe dhuntitë tuaja!

Please follow and like us: