Lëshime të rënda strategjike, një pikë e errët e vizitës së Dendias në Tiranë, që u la kinse në heshtje
Shaban Murati
Ministria e jashtëme greke në datën 6 qershor thirri disa organe të rëndësishme të shtypit grek, që nga agjencia zyrtare e lajmeve e deri te “Ekathimerini”, të cilave u njoftoi “në kushtet e anonimitetit” se Shqipëria ka rënë dakord të shtyjë edhe pesë vjet të tjera afatin e Traktatit të Miqësisë dhe të Sigurisë me Greqinë, të nënshkruar në vitin 1996. Gazeta “Ekathimerini“ shkruante në 6 qershor se “qeveria shqiptare është në favor të rifuqisë së Traktatit të Miqësisë së vitit 1996 për pesë vjet të tjera, deklaruan burimet diplomatike greke”. Gjithë mediat greke publikuan njëzëri lajmin e rëndësishëm të mësipërm, duke iu referuar njëzëri burimeve diplomatike të MPJ të Greqisë. Duket qartë që diplomacia greke, e drejtuar nga ministri Dendias, është shumë e kënaqur që Shqipëria pranoi kërkesën greke që Traktati dypalësh i Miqësisë dhe i Sigurisë, të cilit i ka mbaruar afati në vitin 2017 dhe u shty njëherë pesë vjet deri në dhjetor 2022 nga qeveria e tanishme e Tiranës, të shtyhet përsëri edhe pesë vjet të tjera nga viti 2023 deri në vitin 2028. Sipas burimeve nga qeveria e Shqipërisë kjo ka qenë një nga kërkesat, që ministri i jashtëm grek Dendias i paraqiti kryeministrit Edi Rama në bisedimet e tyre në Tiranë në 23 maj 2022. Askush nga zyrtarët e lartë të ministrisë së jashtëme apo të qeverisë shqiptare nuk e zunë me gojë në publik këtë kërkesë greke. Por ministri i jashtëm grek nuk dëshironte ta linte në heshtje këtë sukses të diplomacisë së tij personale në Tiranë.
Ndaj njoftoi gjithë shtypin grek nëpërmjet “burimeve diplomatike” të ministrisë së tij të jashtëme për suksesin e arritur nga diplomacia greke në Shqipëri. Pse kjo shtyrje e dytë e fuqisë së Traktatit dypalësh të Miqësisë konsiderohet sukses nga diplomacia greke? Traktati dypalësh i Miqësisë dhe i Sigurisë i vitit 1996 është një traktat në favor të Greqisë dhe në dëm të interesave të Shqipërisë. Mbetja e tij në fuqi edhe dhjetë vjet pas mbarimit të afatit është vazhdim i këtij favori grek dhe disfavori shqiptar me kontratën më të lartë juridike midis dy shteteve.
Së pari, duhet thënë se në nenin 20 të Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të firmosur nga ministrat e jashtëm Alfred Serreqi dhe Teodoros Pangallos në Tiranë në 21 mars 1996, theksohet se fuqia e kësaj marrëveshje do të ripërtërihet automatikisht për një periudhë prej pesë vjetësh, me përjashtim kur njera palë kontraktuese i komunikon me shkrim palës tjetër vendimin e vet për ta denoncuar. Neni 20 i Traktatit nuk thotë se ai shtyhet pambarimisht çdo pesë vjet. Pra shtyrja e dytë e tanishme, që ka pranuar qeveria e Tiranës, nuk ka bazë ligjore dhe është jashtë autoritetit të Traktatit të nënshkruar në vitin 1996.
Qeveria e tanishme e Shqipërisë, duke shtyrë pambarimisht fuqishmërinë e Traktatit të vitit 1996 faktikisht miraton motivet e dobta të qeverisë së vitit 1996 për nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë me Greqinë. Shqipëria nuk duhet të kishte pranuar shtyrjen e dytë të Traktatit të Miqësisë, e cila nuk parashikohet nga ai Traktat.
Së pari, ai Traktat është frut i lëshimeve të mëdha strategjike nga Shqipëria dhe i duhej qeverisë së asaj kohe për përkrahje elektorale nga qeveria dhe nga lobi grek. Traktati nga pikëpamja zyrtare varrosi çeshtjen çame. U pranua të nënshkruhej Traktat Miqësie me një shtet që mbante në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë.
Së dyti, kushtet dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare kanë ndryshuar rrënjësisht nga koha kur u nënshkrua Traktati i vitit 1996. Shqipëria është anëtare e NATO-s barabar me Greqinë, është shtet kandidat i BE dhe ndodhet në një pozitë rajonale dhe ndërkombëtare më të favorshme se qeveria e vitit 1996. Traktati i Miqësisë me Greqinë nuk mund të shtyhet dhe as të qendrojë në fuqi edhe pesë vjet të dyta deri në vitin 2028, kur Greqia në mënyrën më absurde dhe natyrisht antishqiptare, mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë dhe nuk njeh çështjen çame, që është përbërësja e pazgjidhur e çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare. Kanë 35 vjet qeveritë e Greqisë, nga viti 1987 e deri tani, që e rrejnë Shqipërinë se do ta heqin ligjin e luftës. Dhe për çudi shtetërore dhe njerëzore qeveritë e Shqipërisë në formën më të mjerë poshtëruese e kapërdijnë rrenën diplomatike greke dhe vazhdojnë të pranojnë apriori çdo kërkesë që Athina i bën Tiranës. Ligji i luftës është në fuqi shëndetplotë në Greqi dhe ministri i jashtëm grek Dendias në Tiranë në muajin maj u tall përsëri, duke premtuar se Athina do ta heqë në të ardhmen. Ka një sanksionim zyrtar të asimetrisë në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Mjafton vetëm një element: Ministri i jashtëm grek Dendias i zhvillon bisedimet për çështjet dhe marrëveshjet konkrete dypalëshe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Edhe kur u kthye në Greqi pas vizitës në 23 maj deklaroi se zhvilloi bisedime me kryministrin Rama. Ç’punë ka ministri i jashtëm i Greqisë, që është nivel më i ulët zyrtar, të zhvillojë bisedimet konkrete diplomatike me kryeministrin e Shqipërisë, kur Shqipëria ka ministër të jashtëm dhe ministri të jashtme.
Nëse Dendias vjen si mëkëmbës i kryeministrit Micotaqis në bisedime zyrtare diplomatike me kryeministrin e Shqipërisë, kjo i jep atij statusin e një guvernatori të Shqipërisë. Fakti që kryeministri shqiptar e ka legalizuar këtë asimetri dhe absurditet protokollar tregon se gjatësia e narcisizmit të tij uluritës brenda vendit, bëhet xhuxh jashtë vendit me Greqinë. Kërkesa e diplomacisë greke, e pranuar nga qeveria e Shqipërisë, për shtyrjen për herë të dytë pesë vjet të Traktatit të Miqësisë dhe të Sigurisë, përbën një komplikim të ri të marrëdhënieve midis dy shteteve nga ana e diplomacisë greke. Komplikimi tjetër në marrëdhëniet, që po bën diplomacia greke, është për çeshtjen e errët të marrëveshjes për të cilën kryeministri Edi Rama, dhe ministri grek Dendias ranë dakord në bisedimet e tyre në Tiranë në tetor 2020 për të dërguar debatin për detin sëbashku të dy shtetet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Dendias kur u kthye në Athinë pas bisedimeve me Ramën paraqiti si sukses të tij faktin që së shpejti përfundon marrëveshja dypalëshe për të shkuar sëbashku për detin në Hagë, pasi të zgjidhet presidenti i ri i Shqipërisë. Ai fliste me sigurinë, që i kishte dhënë kryeministri i Shqipërisë. Në datën 5 qershor në fjalimin e mbajtur në një Asamble biznesmenësh Dendias deklaroi: “Ne kemi zgjidhur çështjen me Shqipërinë në parim dhe unë besoj që ne do të jemi në gjendje të procedojmë me nënshkrimin e një marrëveshje me Shqipërinë dhe të referojmë debatin tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, pas zgjedhjes së presidentit të ri shqiptar dje, të cilin unë e urova”. Zyrtarët e lartë të diplomacisë dhe të qeverisë shqiptare nuk e zunë fare me gojë në publik këtë marrëveshje të sigurt dypalëshe për të cilën Dendias foli kudo nëpër Athinë. Në ethen e reklamimit të suksesit të tij shqiptar Dendias zbuloi disa elemente, që tregojnë se qeveria shqiptare ka pranuar kushtet greke për këtë marrëveshje dypalëshe për Hagën. Në një intervistë në 4 qershor me gazetën greke “Parapolitika” Dendias deklaroi se “paraqitja e nje marrëveshje speciale me Shqipërinë për në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përbën pjesën legale të marrëveshjes ekzistuese politike midis Greqisë dhe Shqipërisë. Hartimi i këtij teksti po kryhet në kuadër të konsultimeve direkte midis shërbimeve kompetente të të dy vendeve”. Ministri i jashtëm grek zbulon disa të vërteta, që kryeministri shqiptar ia mban të fshehura opinionit publik.
Së pari, që qenka arritur një marrëveshje politike midis dy shteteve.
Së dyti, që po zhvillohen bisedime midis dy ministrive të jashtëme për marrëveshje juridike midis dy shteteve lidhur me Hagën. Sipas Dendiasit, kryeministri shqiptar i është ankuar atij se presidenti i tanishëm i Shqipërisë ka qenë pengesë e përfundimit të marrëveshjes, sese nuk i ka dhënë autorizimin kryeministrit Rama për bisedimet me Greqinë. Mirpo Dendias zbulon një prapaskenë interesante. Shqipëria dhe Greqia kane arritur një marrëveshje politike pa patur autorizimin e presidentit të Republikës, dhe Shqipëria dhe Greqia po zhvillojnë bisedime për pjesën juridke të marrëveshjes midis dy shteteve pa marrë autorizimin e presidentit të Shqipërisë. Zhvillimi dhe mbajtja fshehur e gjithë këtyre tratativave dhe marrëveshjeve të fshehta dhe të dyshimta midis Shqipërisë dhe Greqisë, pa autorizimin e presidentit dhe pa miratimin e parlamentit, përbëjnë shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë duket ka arsye të forta që i mban fort të fshehta se çfarë diskuton në prapaskenë dhe çfarë lëshon në bisedimet me Greqinë. Sepse ka dy vjet që nga tetori i vitit 2020 kur ra dakord me ministrin e jashtëm grek Dendias në Tiranë për të dërguar sebashku në Hagë debatin për detin, dhe ende as parlamenti, as institucionet zyrtare dhe as opinioni publik shqiptar nuk e dinë, sepse nuk iu është thënë nga kryeministri se për çfarë do të shkojë Shqipëria në Gjykatën e Hagës.
Ai ka frikë të tregojë të vërtetën e hidhur se ai ka pranuar kërkesën greke për të çuar në Hagë çeshtjen e kufi jve detarë shtetërorë të Shqipërisë. Gazeta e mirëinformuar greke “Ekathimerini” shkruante në 6 qershor pas brifi ngut në ministrinë e jashtëm greke se “të dy vendet kanë rënë dakord që ta çojnë debatin për kufi jtë detarë në detin Jon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”. Kemi vazhdimin e linjës se dëmshme të ndjekur nga kjo qeveri në bisedimet e MPJ të Shqipërisë në vitet 2017-2018, ku u rinegociua me Greqinë marrëveshja e zezë e detit e vitit 2009, e cila cënonte kufi jtë shtetërorë detarë të Shqipërisë. Kryeministri Rama ka frikë që të tregojë se për çfarë do të shkojë Shqipëria në Hagë, sepse ai po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të vitit 2010, e cila rrëzoi dhe e klasifi koi nul marrëveshjen e dëmshme të detit të vitit 2009, dhe dha verdiktin se është e paligjëshme dhe antikushtetuese çdo tratativë për kufi jtë shtetërorë detarë me Greqinë. Kryeministri Edi Rama po shkel mbi kryetarin e PS, Edi Rama, i cili në padinë e vet në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e detit të vitit 2009 shkruan me dorën e vet se kufi jtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë janë të përcaktuar historikisht. Në Hagë do të shkohet për të mohuar tapitë e kufi jve të Shqipërisë, të cilat fuqitë e mëdha i kanë zyrtarizuar përfundimisht me traktat që në 30 korrik 1926. A e dini se origjinali i kësaj tapie ndërkombëtare të kufi jve të Shqipërisë, e firmosur edhe nga qeveritë e Greqisë dhe të Jugosllavisë, dhe që është dokumenti më i rëndësishëm shtetëror pas aktit të pavarësisë së Shqipërisë, është zhdukur nga arkivat e institucioneve shtetërore? Duke përfituar nga torba e sukseseve me të cilën Dendias u kthye pas vizitës në Tiranë në 23 maj, ai po përpiqet të shesë si sukses edhe qendrimin e tij absurd për mosekzistencën e çeshtjes çame. Por vetë fakti që ai ngeli duke thënë se “çeshtja çame nuk ekziston”, tregon se atij i djeg miza nën kësulë dhe e di se ajo çeshtje jo vetëmh ekziston, por po pret për zgjidhje në bisedime serioze midis dy diplomacive dhe dy qeverive.
Në intervistën për gazetën “Parapolitika” në 4 qershor Dendias flet prapë për çeshtjen çame, pas pyetjes së gazetarit se si e shikon faktin që homologia shqiptare papritur ngriti çeshtjen e pronave të çamëve. Deklarata e Dendiasit: ”Është një qendrim i vendosur i politikës së jashtëme të Greqisë që të diskutojë vetëm çeshtje që ekzistojnë. Ne nuk diskutojmë çeshtje që nuk ekzistojnë”. Natyrisht Dendias dhe diplomacia greke mund të mbyllin sytë sa të duan, por çeshtja çame ekziston si mal i rëndë në dosjen e problemeve të mëdha të pazgjidhura midis dy shteteve. Çeshtja çame mbetet një nga kryesoret në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe pa trajtimin dhe zgjidhjen e saj është naive të flasësh për normalizim real të marrëdhënieve midis dy shteteve. Diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë nuk duhet të pranojnë në bisedimet me palën greke të ashtuquajturën çeshtje të minoritetit grek në Shqipëri pa pranuar pala greke diskutimin për zgjidhjen e çeshtjes çame. Diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë bëjnë një gabim të madh diplomatik, shtetëror dhe kombëtar, që nuk i kujtojnë vazhdimisht Dendiasit dhe diplomacisë greke se çeshtjen çame e ka njohur Komisioni Europian i BE. Në shtator të vitit 2016 Komisioneri i Lartë i BE për zgjerimin, Johannes Hahn, paraqiti në parlamentin europian qendrimin zyrtar në emer të Komisionit Europian, sipas të cilit në çeshtjet kryesore për t’u biseduar dhe zgjidhur midis Shqipërisë dhe Greqisë përcakton tekstualisht çeshtjen çame. Në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare” kam theksuar për këtë zhvillim: “Çështja çame shndrrohet kështu në një problem ndërkombëtar. Zgjidhjen e tij e kërkon faktori ndërkombëtar perëndimor”.(Tiranë 2018, fq.211).
Pra Komisioni Europian e ka shprehur qendrimin e vet zyrtar për çeshtjen çame, e cila duhet të vihet në rendin e ditës të bisedimeve midis dy shteteve. Çfarë e pengon Shqipërinë të zbatojë porosinë e Komisionit Europian për çeshtjen çame, çfarë e pengoi qeverinë e shqiptare të Ramës që nuk e për shëndeti këtë qendrim gurthemeli nga ana e Komisionit Europian, çfarë e pengon qeverinë e kryeministrit Rama që nuk ia kërkon dhe nuk e fut çeshtjen çame në rendin e ditës së bisedimeve me palën greke… Impostimin absurd të diplomacisë greke në qendrimin e drujtë se çeshtja çame nuk ekston e ka favorizuar kompleksi i inferioritetit dhe lëshimet e njëpasnjëshme të diplomacisë dhe të qeverisë shqiptare në bisedimet me Greqinë. Është faqe turpi në historinë e diplomacisë shqiptare që në bisedimet e zhvilluara me ish-ministrin e jashtëm grek Kocias pranoi kërkesën greke që të përjashtohej çeshtja çame nga rendi i ditës, kur ishte hedhur për trajtim thesi i të ashtuquajturës paketë e të gjitha problemeve të hapura midis dy vendeve. Athina imponoi heqjen dorë nga pala shqiptare të së drejtës sovrane të diplomacisë dhe të qeverisë shqiptare për të diskutuar të gjitha çeshtjet e hapura, ku çeshtja çame është ndër kryesoret. Kompleksi i inferioritetit dhe servilizmi historik, që ka karakterizuar diplomacinë tonë në raportet me fqinjët, ka krijuar situatën absurde, ku Shqipëria nuk demostron sovranitet dhe nuk e shtron zyrtarisht në bisedimet me palën greke çeshtjen e drejtë kombëtare çame. Diplomacisë dhe qeverisë se Shqipërisë duhet t’i tërheqë vëmendjen fakti se angazhimi i tanishëm intensiv i Dendiasit në “çeshtjet shqiptare” është pjesë e një ofensive greke për ndikim dhe zonë influence në Ballkan.
E thotë në ligjëratë të drejtë vetë ministri i jashtëm grek në fjalimin e tij në datën 5 qershor: “Tani ne kthehemi në Ballkan, duke ripohuar ndikimin tonë dhe rolin tone. Ne po përpiqemi të luajmë rolin që historikisht na është caktuar në gadishullin ballkanik”. A ka ndonjë vesh të lartë zyrtar, që e dëgjon këtë këmbanë të madhe alarmi, sepse Shqipëria është për Greqinë objektivi i parë i ndikimit? Dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë po shkon drejt bjerrjes së interesave shtetërore dhe kombëtare. Diplomacia greke e ka kuptuar se në marrëdhëniet me Shqipërinë ajo duhet vetëm të kërkojë dhe Tirana duhet vetëm të pranojë. Ndaj diplomacia greke po komplikon situatat, sepse e di që në ujra të turbullta peshqit zyrtarë të Shqipërisë bien më lehtë në grepin diplomatik grek./gazeta dita