Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: RRËFIME NGA JETA PAS KRAHËVE

Parathënie

Ende pa u avulluar vlaga e librit të parë “Mbresa të një projektuesi”, inxhinieri arkitekt, Ibrahim Emiri, brenda një kohe të shkurtër, paraqitet përpara lexuesit me vëllimin tjetër “Mozaik” (mbresa e kujtime).

Ndryshe nga libri i parë, ku ai rrëfen kënaqësinë profesionale, si dhe shqetësimet në projektimin dhe realizimin e ndërtimeve gjatë regjimit diktatorial, këtë radhë, në pjesën më të madhe, përcjell të kaluarën totalitare me nota të zymta apo humori, ngjarje të jetuara dhe personazhe realë. Ai ka punuar e jetuar për një kohë të gjatë në një rreth të vogël, siç është Përmeti. Në vitet “socialiste”, të mbijetoje në mjedise të tilla, ishte shumë e vështirë, ngaqë mungonte liria, indoktrinimi ishte lemeritës, por edhe se intelektualët përgjithësisht shiheshin me dyshim, sidomos ata të ardhur nga rrethet e tjera. Shpesh, “të zellshmit”, duke qenë tepër të përkushtuar për të mbrojtur vijën e Partisë nga ndikimet dhe influencat perëndimore, bëheshin qesharakë, duke përgjuar e survejuar vend e pa vend, duke u nxirë jetën intelektualëve të ndershëm. Sot i kujtojmë me buzë në gaz, por të qeshje e të talleshe me ta për akuzat dhe qëndrimet e tyre në ato vite ishte e rrezikshme. Ata quheshin “syri dhe veshi i Partisë, besnikë deri në vdekje”. Madje një pjesë e madhe e tyre merrnin rroga të fshehta, veç pagesave, apo rrogës sipas punës së dukshme. Në këtë vëllim, inxhinier Ibrahimi Emiri, duke treguar “bëmat e gjëmat” e tyre, shkakton në mënyrë të natyrshme të qeshura dhe humor, por nuk ndodhte tamam kështu në kohën kur këto episode kanë ngjarë.

Në një nga tregimet autori na rrëfen pretendimin e një batakçiu komunist i cili nën petkun e vijës së Partisë, maskon interesin e tij privat dhe kërkon të shtrembërojë vendimet e zyrës së urbanistikës, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij me sloganet: “Unë nuk do pranoj kurrë ta hap dritaren nga perëndimi, siç më thotë inxhua (inxhinieri), por dua ta hap vetëm nga lindja, që të më hyjë në shtëpi e të më ndriçojë dielli i kuq i Partisë!” Sesi do të hynte “dielli i Partisë” nga dritarja që ai pretendon të hapë, një Zot e di! Ky është një shembull ilustrues, sesi spekulonin e përfitonin maskarenjtë nën petkun e komunistit për të thyer rregullat, duke kanosur e frikësuar kuadrot pa parti, në këtë rast autorin e këtyre kujtimeve.

Sarkastik është porosia e një tjetër komunisti kur i biri “arratiset” në Perëndim nëpërmjet ambasadave dhe i ati në telefon e porosit që atje ku ka shkuar të nderojë Partinë. E bën nga frika e persekutimit, nga injoranca apo indoktrinimi?! Ec e gjeje!

Akoma më flagrant është vendimi për të lyer me bojë të kuqe çatitë e pallateve dhe të shtëpive të vjetra përballë tribunës që ishte vendosur në hyrje të hotelit të qytetit me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Një rrugë e dy punë; maskoheshin tjegullat e vjetra që kishin zënë myk dhe i bëhej qejfi udhëheqjes nga lart që çatitë e maskuara do t’u dukeshin si flamur i kuq. Për një inxhinier të ri që ishte diplomuar shkëlqyeshëm, këto veprime ishin jo vetëm qesharake, por edhe hipokrizi e pastër, dukje e fasadë. Në përgjithësi kjo praktikë ndiqej në ato vite, fshehje e së vërtetës, mashtrime dhe gënjeshtra pa fund, ashtu siç ndodhi me çimenton “Made in Përmeti”. Drejtuesit nuk morën parasysh mendimin e specialistëve, por i hynë aventurës duke u përpjekur të prodhojnë çimento me mjete rrethanore “për të çuar përpara direktivën e Partisë”.

Në rreshtat e këtij libri parakalojnë servilë, burokratë, spiunë, mburravecë, hipokritë, mashtrues e deri personazhe butaforikë,si Rakua fodull që mbante me vete çelësin e vendstrehimit.

Libri është i mbushur plot me ngjarje qesharake, disa herë humor i zi, që nxjerrin zbuluar një sistem të dështuar, ku duhet të rrije në radhë, në errësirën e natës, në shi apo në të ftohtë, për një litër qumësht. Kujtojmë këtu episodin e dajës mysafir nga Gjirokastra që këmbëngul të shkojë në radhë, sepse “I qe bërë ves, zakon nga radha që mbante në qytetin e tij. I dilte gjithmonë gjumi në tre pas mesnate”. Këmbëngulja e tij për të dalë vullnetarisht në radhë krijon situata komike.

Ngjethëse ishte frika e kuadrove të qytetit, të cilët, kur gjenin dy apo tri kilogram mish viçi nën dorë, edhe pse e paguanin me çmim të kripur, po të merrej vesh, mund të pushoheshin nga puna. Brezit të ri, të lindur pas viteve ’90-të, kjo u duket paradoksale dhe e pabesueshme, por ja që faktet janë kokëforta dhe të pakundërshtueshme. Kudo në Shqipëri e njëjta situatë. Të gjithë ishim të barabartë në varfëri. Mjafton të kujtojmë se për festën e 5 Majit familjeve të dëshmorëve u jepeshin me listë vetëm nga 5 kg mollë.

Pavarësisht se varfëria ishte ulur këmbëkryq në çdo vatër, kurrsesi nuk duhej të ngrije zërin; duhet të ishe gojëkyçur nëse doje të mbijetoje. I tillë ishte sistemi “që hidhte valle në gojë të ujkut dhe e kishte zili bota”. Heshtazi e nën zë qytetarët porositin njëri-tjetrin me pëshpërima: “Po vuri kyç të shkretës, nuk e sheh se çfarë bëhet?! Edhe muret kanë veshë”. Sepse e pësoje si fotografi minoritar, thuhet në rrëfimin “Fotografi i qytetit”. Kristua shkoi me këmbët e tij në Degën e Punëve të Brendshme, duke denoncuar një foto të vetën ku dukej cepi i një reparti ushtarak në fund të kuadrit. Për ironi të tij i sekuestrohet i gjithë arkivi. I mjeri Kristo, e pësoi si cjapi tek kasapi.

Në lumin e informatorëve të degës kishte edhe intrigantë që sajonin prova të rreme, ashtu siç ndodhi me “Çorrësin” njeriun që incizoi zërin e tij në vend të “armikut të klasës” dhe e denoncoi për agjitacion e propagandë kundër Partisë. Duhet të mos ankoheshe, duhet vetëm të duartrokitje e të lëvdoje Partinë, “sepse pa parti nuk kishe as diell e as ajër, as jetë”. Po sjell një dialog brenda mureve të shtëpisë:

– Ku ishe që erdhe kaq vonë?

– Isha në mbledhjen e organizatës bazë, – u përgjigj i mërzitur, duke hyrë në dhomë.

– U djegtë organizata bazë! – klithi ajo. – Foshnja po më përvëlon me temperaturë mbi dyzetë gradë e ti më thua organizata …

– Mos, … se na vure zjarrin! – pëshpëriti ai gjithë shqetësim, duke parë me inat nga gruaja që stërmundohej me fëmijën e sëmurë. Ç’ishte kjo rrufe përvëluese që lëshoi?! Në mos plumbin, “Spaçin” nuk ta kursente Partia, për këtë mallkim ulëritës! Mos u çmend kjo që po i thotë burgut hapu?!

Të mos harrojmë, kjo ndodhte brenda mureve të shtëpisë; autokontrolli dhe autocensura ekzistonte, edhe sikur të ndodheshe në majë të malit e në mes të pyllit. Vazhdimisht përsëritej: “Muret kanë veshë”. Mbi të gjitha ishte Partia, edhe mbi njerëzit e dashur, edhe mbi fëmijën e sëmurë; mbi të gjitha “interesi i përgjithshëm”. Personaliteti asgjësohej dhe nuk përfillej. Njeriu i ri i socializmit, duhet të ishte robot. Ja këtë model mundohej të krijonte Partia-shtet. Ky ishte realiteti i hidhur.

Autori, shumë situata i ka kapërcyer me humor si episodet në zborin ushtarak, komunikimin në zyrë me drejtorin karagjoz, që vjen nga klasa punëtore, i cili i thoshte këmbës dorë, duke krijuar situata qesharake me injorancën e tij perfide etj. Po aq komike ishte edhe pritja e delegacionit grek në tregimin “Për hatër të grekut”.

Vëllimi çelet me kujtime nga fëmijëria në lagjen Palorto të Gjirokastrës, shkruar mjaft bukur, me ëmbëlsi dhe dashuri, duke kujtuar kalldrëmet, shokët e shkollës fillore, mësuesit, lodrat etj. Është koha kur atij (autorit) dhe shokëve të tij u vendosin në qafë shallin e kuq të pionierit, ashtu si në Bashkimin Sovjetik dhe u mësojnë të thërrasin: “Për çështjen e Partisë gjithmonë gati!”. Ishte fillimi i doktrinimit me teorinë staliniste dhe mësimet e luftës së klasave, luftë e cila i qëndroi autorit të librit gjithë jetën mbi kokë si shpata e Demokleut.

Të ndalem tek triptiku “Hasmi”, “Kaos e pasiguri”, “Miq të mirë”, i cili më ka pëlqyer më shumë. Dhe ja sepse. Ngjarjet janë reale, gati tragjike, ashtu si fati i gjithë popullit shqiptar pas revoltës popullore ndaj firmave piramidale dhe shkoqjes së shtetit. Ngjarjet zhvillohen në hapësirën Fier-Vlorë, në qendër të vullkanit. Ato janë përshkruar me gjakftohtësi dhe vërtetësi, me një gjuhë të bukur dhe koncize.

Inxhinieri i gëzohej punës së vinçit të ri modern, kullë, tip “Potain”, por një kriminel i sapodalë nga burgu, nën kërcënim, e detyron vinçierin të punojë për llogari të tij. Të gjithë punëtorët stepen, kur marrin vesh rrezikshmërinë e kriminelit, megjithatë inxhinieri, autori në këtë rast, urdhëron që vinçi t’i kthehet punës në kantier. Krimineli e kërcënon me jetë, por nuk mjaftohet me kaq. Inxhinieri tronditet, kur mëson se ky biçimsëz kishte bërë një plan edhe me ogurzi. Fati e shpëtoi nga një krim monstruoz në familje.

Në njërën nga ditët e revoltave të 97-ës, një i lajthitur, me siguri i dalë nga psikiatria, kërcënon ekipin ndërtues me një granatë në dorë me siguresë të hequr. U desh zgjuarsia e punëtorëve që ta shmangin me lezet e marifet të çmendurin. Granada ishte e vërtetë, luftarake, kjo u vërtetua kur pas pak, pasi i çmenduri u largua, u dëgjua fare afër një gjëmim shurdhues.

Ndërtuesit u befasuan e u revoltuan me të drejtë, kur konstatuan se 30 ton hekur betoni, i lidhur lart në soletë, ishte vjedhur brenda natës. Ishte koha kur duhet të arratiseshe nga sytë-këmbët dhe pushtetin t’ua lije në dorë të çmendurve dhe hajdutëve.

Po kaq bukur është përshkruar edhe një udhëtim përmes dëborës në një nga fshatrat e krahinës së Dangëllisë në janarin e vitit 1987, kur ing. Ibrahimi dhe një koleg i tij udhëtojnë natën për shtatë orë rresht në dëborë dhe të ftohtë. “Ishte detyrë Partie”. Pavarësisht nga ngjyrat e humorit që shkëndijojnë herë pas here në rrëfim, mendoj se ky është një reportazh i gjallë, qëndisur me dashuri e pasion. Përshkrimi të rrëmben e duket sikur edhe ne udhëtojmë së bashku me dy inxhinierët.

“Udhëtimi” në libër vazhdon me ardhjen e demokracisë dhe së pari hapjen e kufirit me fqinjët. Shteti i parë që viziton autori i librit ishte Greqia. Përshkrimi nga dalja e kufirit është emocionues. Ballafaqohen dy botë; jona dhe ajo kapitaliste. Sado të kishe dëgjuar nga të tjerët, apo të shikoje në televizione, duke e parë me sy dhe duke prekur me dorë realitetin e fqinjëve, kuptoje se ne si shoqëri vinim nga mizerja dhe nëndheu. Qytetarët shqiptarë udhëtonim me makina të vjetra publike dhe punëtorët grekë mbanin nga dy e tri makina personale. Prekëse është përshkrimi i lumit të makinave në hyrje të Athinës.

Interesat intelektuale të Ibrahim Emirit janë ndërtimet, të vjetra e të reja dhe ai aty përqendrohet në mbresat e veta. Nuk harron të përmendë miqtë e tij në Itali dhe Francë, në Belgjikë e Zvicër, por më shumë zënë vend përshkrimet dhe vizitat në monumentet e kulturës e të arkitekturës, sidomos në Itali dhe Paris.

Në kryeqytetin francez autori nuk harron të vizitojë kafenenë “Rostand”, ku shkrimtari i madh Ismail Kadare shkonte çdo ditë për të bërë ritualin. Aty bëhet një nga bisedat më të ngrohta dhe emocionuese, ku Ismaili kujton Gjirokastrën dhe babanë e Ibrahimit, librarin emblemë, Alizot Emiri.

Mjaft bukur mbyllet vëllimi me inkursionin në Suza, Piemonte, Itali, ku ai vizitoi tunelin 13 km të gjatë që çan Alpet mespërmes, duke lidhur Italinë me Francën, i shoqëruar nga një mik italian. Së bashku qëndruan për drekë në një restorant midis dy kufijve, në Suza, ku u befasuan nga gjesti fisnik e patriotik i pronares së lokalit, që qëlloi të ishte shqiptare.

 

Please follow and like us: