Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Historia gjykon drejt

Është një fakt i pamohueshëm se gjykimet historike nuk mund të manipulohen as nga propaganda më dinake dhe as nga ndjenjat e pasionet partiake sepse gjykimi i historisë vjen pasi ngjarjet kanë ndodhur, pasi fara e mbjellë ka dhënë frytet e saja dhe në kohën kur pasojat e vendimeve të mira ose të këqia kanë vepruar plotësisht duke sjellë bekimin ose mallkimin e tyre.Le të marrim për shembull Partinë Demokratike të Shqipërisë. Është fakt se kjo parti pati rolin e saj në çlirimin nga diktatura komuniste, është fakt të cilin nuk mund të mohoet se në kohën kur Partia Demokratike ish në pushtet u bënë hapa të rëndësishëm si antarësimi në NATO, u bënë hapa të rëndësishëm për çlirimin e Sqipërisë nga izolacioni i shkaktuar nga diktatura komuniste etj, etj. Kur përmendim këto fakte komentatorët e të dyja kampeve tani me siguri do të ngrihen në këmbë e do të mundohen të japin komentet e interpretimet e tyre emocionale, po historia është matematike dhe nuk i përfill ato: Bazohet në faktet dhe vlerëson sidomos pasojat që ato sollën. Dhe pasojat i analizon dhe i emërton në bazën e të vërtetës. Për shembull: Është fakt gjithashtu se në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike u ngritën firmat piramidale. Në këtë kohë Sali Berisha dhe Partia Demokratike që ish në pushtet nuk e kryen funksionin e tyre të hetonin dhe të parandalonin vjedhjen e popullit. Pasojat dihen, gjykimi i historisë është i qartë dhe nuk do të ndryshojë, pavarësisht nga komentet e emocionet e simpatizantëve më të flaktë të Partisë Demokratike . Që të mund të largonte njollën e zezë që do të rëndojë gjithmonë mbi Sali Berishën e mbi gjithë Partinë Demokratike si pasojë  të “firmave piramidale” dhe të ngjarjeve që pasuan Partia Demokratike e Sali Berisha duhet të kishin vepruar në kohën e duhur, tani është tepër vonë: E bëra nuk mund të ç’bëhet, viktimat nuk mund të kthehen në jetë dhe gjykimi i historisë nuk mund të ndryshohet. Më kujtohet koha kur “firmat piramidale” ishin në lulëzimin e tyre. U befasova kur dëgjonja Xhaferrin të dilte e të bënte deklarata të tilla donkishoteske “kur të mbarohet ujët e detit, vatëm atëhere do të mbarohen paratë e Xhaferrit”. Ajo që më çuditi më tepër ishte heshtja e disa personave të cilët i njhja se kishin inteligjencën të mos e hanin një mashtrim të tillë kaq të trashë. Këta persona tani kishin marrë pozita e privilegje nga Partia Dmokratike. Shkova dhe i takova: “Këto lloj firmash janë mashtrim, kudo që janë krijuar, në Amerikën Latine e kudo kanë qënë mashtrim e gjithmonë kanë dështuar” po, pas jo më shumë se gjysmë ore argumentash të zjarrta nga ana ime, e kuptova se ata jo vetëm që nuk do t’i kundërviheshin “firmave piramidale”, po do të bënin gjithçka që ish e mundur që zëri i arsyetimeve kundër tyre të mos dëgjohej. A nuk e kuptonin se këto “firma piramidale” ishin një mashtrim? Sigurisht që e kuptonin, ata ishin njerës tepër inteligjentë e me njohuri të mjaftueshme që të mundnin të dallonin një mashtrim kaq të trashë; po nga ana tjetër shihnin gjithashtu se Sali Berisha nuk desh tu kundërvihej këtyre firmave, dhe ata nuk deshin të thonë asnjë fjalë që mund ti prishte qefin e rehatinë Saliut, pasi kjo nuk do të kish ndikim pozitiv në karrierën e tyre. Kur u thashë: “Çdo të bëni kur këto firma të falimentojnë e të vijë katastrofa”?  “Po mbase edhe gjithshka nuk shkon deri në ekstremet që na thua ti, mbase këtu te ne me menaxhim më të mirë se në vendet e tjera, gjithshka na del për mirë”. Atëhere shkova në Pogradec dhe bisedova me disa pjestarë të familjes time që kishin vendosur shuma të mëdha duke ju besuar premtimeve e garancive që ju jepte Xhaferri. Ata mu përgjigjën dhe më ashpër: “Ti ende nuk qënke çliruar ende nga fobitë e Komunizmit! Gjërat kanë ndryshuar tani”! Pastaj argumentonin: “Shumë vetë kanë fituar e kanë marrë shuhmë para nga këto “firma piramidale” që ti po na i shake tani. Kanë vënë pasuri, kanë blerë shtëpi, etj. Përse të mos fitojmë edhe ne?! A mos ne jemi më të këqinj se ata që u pasuruan nëpërmjet tyre”?

Sot ish pushtetarët e Saliut ende mundohen të justifikojnë e të argumentojnë, të lajnë disi njollën që u është vënë si pasojë e mosveprimit të tyre atëherë, kurse pjestarët e familjes sime heshtin e nuk duan t’ua përmendish “firmat piramidale”. Megjithat faktet qëndrojnë: Pjestarët e familjes sime i humbën paratë, kurse ish pushtetarët e asjaj kohe nuk mund as t’i ndryshojnë e as nuk mund t’i zbukurojnë ato që ndodhën. Po të ishin ngritur e të kishin folur e vepruar në kohën e duhur, e kishin potencialin të ndryshonin e të parandalonin. Tani është tepër vonë.

Tani le të flasim për Partinë Socialiste, le ta fillojmë nga rrënjët e saj: Që në fillim, kur u krijuan grupet e para komuniste, propaganda dhe një nga argumentat kryesore që kundërshtarët e tyre politikë përdornin kundër komunistëve ishte: “Komunistët nuk kanë atdhe, ata të gjithë janë antishqiptarë, shërbëtorë të bindur dhe vegla të Serbisë e të Rusisë”! Kjo propagandë bëhej kundër komunistëve shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për t’iu qëndruar besnikë fakteve duhet të themi se kjo nuk e vërtetë. Të paktën për shumicën e tyre. Fakt është se shumica e atyre që fillimisht ishin pjestarë të grupeve komuniste ishin fëmijë të familjeve intelektuale e patriotike dhe ishin edhe vetë intelektualë e patriotë. Por fatkeqësisht udhëheqja e Partisë Komuniste ish në duart e Jugosllavëve, më saktë në duart e Serbëve dhe ata vendosën në krye ata që zbatonin urdhërat e tyre, eliminuan të gjithë ata komunistë që e ngrinin zërin për patriotizmin, shqiptarinë e drejtësinë. Pavarësisht nga fakti që shumica e komunistëve ishin patriotë e atdhetarë politika e Partisë Komunste si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, veprimet që u kryen, vërtetuan akuzat e kundërshtarëve politikë të komunistëve, vërtetuan ato akuza që u bënë në fillim të luftës, pavarësisht nga fakti që shumica e komunistëve ishin vërtet patriotë dhe atdhetarë. Tani është fakt se kjo njollosi emrin dhe imazhin e komunistëve shqiptarë. Kur filloi lufta në Kosovë dhe kryeministër ishte Pandeli Majko, në diasporë dhe jo vetëm në diasporë, shumë vetë trembeshin se mos ai ish agjent i Sërbisë. Ish një diçka e mrekullueshme që Pandeli Majko i tregoi shqiptarëve dhe gjithë botës, se ka persona të Partisë Socialiste, persona të lindur nga prindër ish pjestarë të Partisë Komuniste dhe pjesë të ish elitës udhëheqëse dhe megjithatë po këta persona të jenë atdhetarë të vërtetë. Kjo hoqi një njollë të rëndë nga Partia Socialiste e nga imazhi i ish-komunistëve. Kjo ishte një fitore e madhe jo vetëm për ish-komunistët e për Partinë Socialiste, po për gjithë kombin shqiptar. Dogji farën e paragjykimeve të rënda, farën e përçarjes. Në një kuptim kur u çlirua Kosova për Kommbin Shqiptar ndodhi një çlirim i dyfishtë: Kosova u çlirua nga skllavëria sërbe, u çliruam edhe nga njolla që i kish vënë komunistëve shqiptarë Dushan Mogusha dhe agjentët e tij. Po për fat të keq Pandeli Majko nuk ndenji gjatë në pushtet dhe sot Partia Socialiste përfaqësohet nga Edvin Rama.Dhe Edvin Rama me sa duket i ka caktuar si mision vetvetes që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jep pozita e Kryeministrit të Shqipërisë për tu bërë avokat mbrojtës i Sërbisë, politikës së saj. Edvin Rama është gjithmonë gati të dalë në mbrojtje të presidentit Aleksander Vuçiç, do të na bindë për qëllimet e tija të mira e zemrën e tij të pastër ndaj shqiptarëve kudo që janë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Cili është Aleksandër Vuçiç?

Aleksander Vuçiç, biri i Adelenko Vuçiçit dhe Angelina Milanov. Ritur në Beograd ku përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Beogradit. Mësoi dhe përfeksionoi anglishten në Brighton, Angli dhe punoi si tregëtar në Londër për një kohë të shkurtër. U rikthye në Jugosllavi ku e filloi karrierën e tij si gazetar në qytetin Pale të Bosnjë-Herzegovinës, sot kryeqyteti i Republikës Sërbska. Si gazetar u bë i njohur me intervistat dhe shkrimet e tjera të tija të cilat justifikonin e u thurnin lavdi  Radovan Karxhiçit dhe Ratko Mlladiçit, për për shkrimet që propagandonin idenë e “Serbisë së madhe”. Në vitin 1993 bëhet anëtar i Partisë Radikale Sërbe SRS. Kjo parti ish një parti e ekstremit të djathtë dhe kish si synim të saj krijimin  e “Serbisë së madhe”. Po në vitin 1993 bëhet anëtar i këshillit drejtues të SRS dhe 2 vjet më vonë kryetar i SRS. Aleksandër Vuçiç ish një nga vulletarët e SRS që u bashkuan me ushtrinë sërbe që mbante të rrethuar Sarajevon.

Në mars të vitit 1998 Sllobodan Millosheviçi e emëron Ministër të Informacionit në qeverinë e tij.  (të njëjtin pozicion që i kish dhënë Adolf Hitleri Joseph Goebbels). Aleksander Vuçiçi e justifikoi plotësisht besimin e madh që Sllobodan Millosheviçi kish tek ai, njësoj si Joseph Goebbels për Hitlerin. Studiuesit e cilësojnë Aleksandër Vuçiçin si personin që e transformoi dhe formësoi sistemin mediatik të Serbisë krejtësisht sipas konceptit të Milosheviçit, krejtësisht në shërbim të idesë së “Serbisë së madhe”. Ai persekutonte ashpër e me vendosmëri fanatike çdo gazetar e shkrim shprehte sadopak dyshim për idenë e “Sërbisë së madhe” e për idetë e Millosheviçit. Gjatë kësaj kohe sistemi mediatik i sërbisë demonizonte kombet e tjera dhe justifikonte e quante akte legjitime masakrat kundër tyre. Shqiptarët veçanërisht, krejt si komb, i quante “terroristë”. Kur filluan sulmet e NATO-s për ndaljen e terrorit në Kosovë Aleksander Vuçiç mblodhi në Beograd të gjithë përfaqësuesit e sistemit mediatik dhe u dha urdhër ultimativ të transmetonin vetëm materialet dhe të jepnin vetëm komentet që i drejtonte ai. Në këtë kohë ai dëboi nga territori i Sërbisë të gjithë gazetarët e përfaqësuesit e mediave perëndimore që gjendeshin atje.

Aleksander Vuçiçi ka mbetur ai që ka qënë. Qëllimi i tij politik mbetet ai që ka qënë: krijimi i “Serbisë së madhe”, me çdo mjet, me çdo mënyrë.Këtë ai e shprehu edhe vetë hapur me betimin në Kuvendin Kombëtar, pas fitores së mandatit të dytë, në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit.Me këtë betim si dhe në gjithshka që ai planifikon e zbaton Aleksander Vuçiç tregon qartë se ai gjithmonë vepron i shtytur impulset ultranacionaliste të amplifikuara nga idetë e kishave Ortodokse Sërbe e Pansllave të cilat jo vetëmlegjijtimojnë po madje i japin vulën e shenjtërisë çdo mjeti e çdo metode të përdorur mjafton që të arrihet piksynimi që ata e quajnë të shenjtë: Krijimi i “Serbisë të madhe”. Për këtë qëllim u ideua dhe u krijua nga ai dhe Rusia, ose u ideua nga Rusia dhe u përkrah nga Vuçiçi projekti i “Minishengenit” ose “Ballkani i hapur”. Edvin Rama na thotë se ky projekt, tashmë është transformuar krejt dhe është bërë një projekt në dobi të shqiptarëve. Nëpërmjet projektit Ruso-Sërb të “Ballkanit të hapur”, do të na bindë Rama, shqiptarët në Shqipëri do të fitojnë begatinë, shqiptarët e kosovës do të arrijnë më në fund qëllimin e luftës dhe përpjekjeve të tyre: Pavarësinë nga Sërbia. Aq mirë do të bëhet Ballkani sa do të çuditet Bashkimi Evropian dhe do të sulen s do të pranojnë të gjithë pjestarët e “ballkanit të hapur” që të mësojnë prej tyre. Edvin Rama na quan paranoikë po të besojmë se Aleksander Vuçiçi nuk ka ndryshuar, po të besojmë se hapja ndaj Sërbisë së Vuçiçit do të na sjellë të njëjtat pasoja që na ka sjellë e njëjta politikë në të kaluarën.Nuk është hera e parë që Shqipëria i hap dyert e besimit Sërbisë. Kjo hapje u bë historikisht u bë nga Partia Komuniste dhe nga shqiptarë që e quanin vetveten komunistë. Cilat ishin pasojat: Tradhëti, mashtrim dhe vrasje mbas shpine, humbje dhe shkatërrim ekonomik për të gjithë shqiptarët, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Historia na tregon gjithshtu se asnjë nga kombet fqinje nuk mundi të bashkëjetojë me sërbët në një bashkësi ekonomike. U krijua Jugosllavia, një shtet i krijuar sipas orekseve Ruse dhe Sërbe, u mundua ta mbante gjallë e ta shpëtonte Titua po më në fund të gjithë morrën armët që të çlirohen nga “bekimi e avantazhet e mëdha” që ju sillte bashkimi ekonomik e politik me sërbët. Me të ardhur Millosheviçi në fuqi të gjithë u detyruan të marrin armët të ndahen. Sot Sërbia ka një sundimtar që nuk bie më poshtë nga fanatizmi se Millosheviçi, madje sot ka një “avantazh” nga Sërbia e kohës së Millosheviçit. Sërbët, brezi i ri i Sërbisë në kohën e Millosheviçit ish lindur e rritur nën propagandën shtetërore të vllazërim-bashkimit të Titos. Sot ne kemi një Sërbi që ka një brez të ri që është lindur e rritur nën propagandën shtetërore të “Sërbisë së madhe”. Natyrisht kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama ka të drejtë të besojë se “Ballkani i hapur” do të na sjellë begatinë, ai ka të drejtë të besojë ashtu si besonte dikur Saliu se “firmat piramidale” që kudo kishin dështuar, do të kishin sukses në Shqipëri. Po pyetja sot nuk shtrohet më për Edvin Ramën, ai e ka zënë pozitën e Kryeminstrit dhe sot për sot nuk ka kush tia ndalë dorën: fut Shqipërinë në  “Ballkanin e hapur,” bën si do vetë në gjithshka.Edhe kur bën takime ndërkombëtare askush nuk ja ze gojën dhe mund të thotë para Kancelarit Olaf Scholtz se nuk kemi se të trembemi nga armatimi i Serbisë, ata të shkretët sërbë vetëm për qëllime mbrojtëse armatosen! Kurrë nuk do ti bëjnë keq dikujt tjetër, aq më pak ne shqiptarëve, prandaj ne si shqiptarë hiç nuk shqetësohemi! Edvin Ramën për momentin nuk e ndal dot kush të bëhet kudo që shkon avokati i Vuçiçit dhe i Serbisë, të deklarojë se Serbia nuk ka lidhje me Rusinë, është në anën e SHBA, i takon antarësimi në Bashkimin Evropian, etj, etj.

Pyetja shtrohet tani për ata socialistë që nuk besojnë si Edvin Rama, që nuk mendojnë si ai. A do të heshin ata si demokratët në kohën e “firmave piramidale”?! Po sikur, larg qoftë, po sikur, sikur të na ndodhë me “Ballkanin e hapur” ajo që na ka ndodhur ne dhe ju ka ndodhur të gjithë popujve të Ballkanit kur janë hapur e i kanë besuar Serbisë e serbëve. Çfarë epiteti do të marrë Partia Socialiste e gjithë socialistët? Sa kohë do të duhet që të vijë një Pandeli Majko i dytë që ta heqë këtë epitet?

Fjalët e Urta 25:

19 Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.

26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

Please follow and like us: