Albspirit

Media/News/Publishing

Gresë J. Krasniqi: Sot është dita e çlirimit babi, a të festojmë?!

Sot është dita e çlirimit babi, a të festojmë?!
Ka shumë njerëz që mendojnë se komandat i mirë, është komandati i vdekur dhe urrejnë deri në palcë çdo të gjallë që luftoi për këtë tokë e këtë ditë. Përsërisin të njëjtën frazë si Serbia një kohë “Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”.
Nga kush u çliruam babi?
Nga Serbia mbase u çliruam, por jo nga vetvetja!
Shoh se si e gëzojnë lirinë ata që asnjëherë nuk deshën të largoheshin nga robëria dhe vuajnë ata që i dhanë fund Serbisë fashiste.
Shoh fëmijë të dëshmorëve të harruar e veteranë të një lufte të egër, të poshtëruar nga institucionet e shtetit, të cilit i falën gjithçka!
Dita e çlirimit sot, por a jemi vërtet të çliruar?
Me çlirimtarët që mbahen padrejtësisht në qendër të paraburgimit, ndërsa gjykimi zvarritet. Dhe kemi një gjykatë raciste, e cila u themelua nga injoranca e shumëkujt e shumëkush po i vuan pasojat e saj!
U formua nga deputetë të padijshëm, por rrënjët i ka thellë në Beograd!
Dita e çlirimit sot, por ndihemi të dënuar e të harruar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës në mes të SHBA-së amniston krahun e djatht të Millosheviçit, Vuçiçin, ndërsa për homologun e atëhershëm të tij në Kosovë, Jakup Krasniqin, asnjë fjalë!
Kush është më i pafajshëm se Jakup Krasniqi?!
Dita e çlirimit sot, por a jemi vërtet të çliruar?
Dy nga drejtuesit e OVL-së së UÇK-së në emër të popullit të Kosovës u dënuan, ndërsa ende nuk ka asnjë hetim të brendshëm se si dolën dokumentet nga zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë dhe arritën deri tek zyra e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë.
Dita e çlirimit sot, por seancën gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt që e ndoqën shumë shqiptarë kudo nëpër botë, nuk e ndoqi ministrja e Drejtësisë.
Heshtje nga institucionet e Kosovës të cilët, megjithatë, nuk heshtën për luftën e Ukrainës ani pse asnjëherë nuk e lartësuan luftën e UÇK-së.
Babi, lufta e Ukrainës më bëri të kuptoj se tek ne nuk ka pacifistë, nuk mund të përkrahësh luftën e një populli tjetër e të kundërshtosh luftën e popullit tënd. Kjo s’të bën pacifist, kjo të bënë hipokrit.
Babi, kuptova se nuk urryen luftën por guximin e juaj për të luftuar!
Dita e çlirimit sot, por kush ka të drejtë ta festoj?
Institucionet shtetërore që dhunuan veteranët në protestën e organizuar ditë më parë? Apo veteranët që nuk gëzojnë pensionin që meritojnë?
Fëmijët e dëshmorëve? Apo ata që ishin mirë atëherë e mirë sot?
Ata që s’vuajtën atëherë e s’vuajnë as sot, ama babi, bashkë me lirinë gëzojnë të drejtën të shpifin dhe të shkruajn plot vrer e mllef për ne, për ju dhe për shumë që sot nuk janë në mesin tonë.
Nga kush u çliruam?
U çliruam nga një pushtues i egër, por mbesim frikacakë; dikush frikësohet nga lideri suprem, dikush nga gjykata speciale e shumë kush nga vetvetja!
U çliruam nga pushtuesi serb, por robëruam vetveten!
Lavdi të rënëve që dhanë gjithçka për lirinë që sot gëzojmë dhe nderime deri në përulje juve pak të gjallëve që i dhatë shumçka këtij vendi!
Babi uroj dhe shpresoj që shumë shpejt, bashkë ta gëzojmë lirinë!
Please follow and like us: