“Ëndrra e një kapeleje”, aksesori që nuk duhet t’i mungojë verës suaj
Ambra Hysa
Të gjitha ëndrrat buzë detit, me një rose lemonadë në dorë nisin me atë vajzën e bukur, që era ia përkëdhel flokët e mëndafshtë dhe mbi kokë mban një kapele aq të veçantë e të bukur sa sytë e të gjithëve mbeten mbi të.
Magnet për ëndrrat janë kapelet… për jetën e bukur, për anën plot shkëlqim të jetës, atë plot ngjyra që i përket këmbëngulësve të cilët besojnë në fuqinë e dëshirave të tyre.
Është një dëshirë e vogël verore, një fllad i çastit mund ta shkëpusë atë nga koka juaj dhe ju vraponi pas saj buzë detit, derisa ajo vendos të ndalet dhe ju pikërisht në atë moment takoni dashurinë e jetës tuaj.
Kapelet ju dhurojnë çaste romantike, copëza jete si në filma… sepse shpirti artistik fle në materialin e tyre prej kashte dhe ai mund të krijojë atmosferë pozitive rreth vetes, energji solare dhe një jetë plot surpriza e të papritura.
Si dallgët e detit, kapelet janë të ndryshme nga njëra-tjetra, po aq sa të ngjashme… por janë magjike.
Nuk duhet t’i mungojnë verës tuaj sepse janë lozonjare dhe krijojnë një pamje magnetike rreth jush. Një zonjushe me shije të sofistikuar i mjafton shumë pak për t’u dukur bukur këtë verë.
Një fustan i lehtë veror, ngjyra të ndezura dhe një kapele kashte me elementin e guackave apo yjeve të detit.
Kapelja është mistike, streha e saj krijon privatësi për pamjen tuaj përveçse ju mbron nga rrezet e dëmshme të diellit.
Për mua është aksesori i zemrës. Dhe ka një kapele të bukur për çdo grua! Nuk njoh ende një grua që nuk i shkojnë kapelet, ajo thjesht nuk e ka gjetur kapelen e saj.
Janë shoqërueset tona më të ëmbla gjatë kësaj vere. Sa herë shoh një vajzë me kapele mendoj sa e bukur mund të jetë bota e saj e brëndshme, një copëz kashte e thurur bukur ndonjëherë reflekton dhe flet shumë…
Dhe unë mezi pres të ju shoh të mbani kapelet tuaja të preferuara këtë verë dhe të shijoni stinën e bukur që na dhuron të gjithëve mundësi për të pushuar, relaksuar dhe menduar projekte të reja, ëndrra të tjera edhe më të bukura…
Please follow and like us: