Albspirit

Media/News/Publishing

Silvana Begaj: Open me Serbinë apo bashkimin me Kosovën?

Anëtarësimi në Bashkimin Europian ishte dhe është një ëndërr për shqiptarët. Një ëndërr që kërkon energji dhe punë reale për t’u arritur.
Por pse anëtarësimi në BE është kaq i dëshiruar për ne?
Treg i përbashkët, monedhë e përbashkët, interesat e bankave të kontrolluara nga Banka Qëndrore e BE, ligje të imponuara nga Komisioni Europian dhe parlamenti, lëvizje e lirë për punësim, shkëmbim studentësh pa tarifa marramendëse etj.
E përkthyer për veshët e një qytetari të thjeshtë shqiptar: Mund të depërtojë më lehtësisht në tregun europian të punës, remitancat do të kenë kosto më të ulët, produktet e prodhuesve dhe bujqëve shqiptarë do të depërtojne në tregjet e Europës me shijen dhe cilësinë e prodhimeve tona, ligjet dhe rregullat do të jenë më transparente dhe jo që të përmbushin vetëm nevojat e individëve të caktuar etj.
‘Open Balkan’ duket sikur ka të njëjtën logjikë, pra, dikush që jeton në Shqipëri mund të aplikojë dhe mund të punësohet psh në Serbi me të njëjtat kushte si një qytetar serb.
Duke qënë se kjo është një iniciativë e re besoj se kemi të drejtë dhe meritojmë një shpjegim të hollësishëm se cfarë pasojash qoftë pozitive apo negative do të sjellë kjo iniciativë.
A ka një studim se ç’pasoja do të kemi dhe se si do të preken sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë? Mbi cilat baza është bërë ky studim? A janë pyetur apo përfshirë grupet e interesit? Kush vendos për ne? Ne jemi vendi me standartet më të ulëta të jetesës në Ballkan dhe ‘Open Balkan’ mund të fuqizojë të fuqishmit dhe të varfërojë Shqipërinë.
Por dhe kjo iniciativë që po çon në një anëtarësim të shpejtë do shumë punë që të arrihet, ndryshime, diskutime të gjata, studime etj., që duket sikur: Ose ‘Open Balkan’ po na mban me hatër dhe Europa nuk na do, ose se Europa e di shumë mirë që ne nuk kemi plotësuar asnjë kusht që të na afrojë në sofrën Europiane për arsyet e mëposhtme dhe në ‘Open Balkan’ kjo nuk ka rëndësi sepse i fuqishmi do të fuqizohet më shumë duke shfrytëzuar pozicionin tonë gjeografik, tokat tona, fuqinë tonë punëtore etj. Në mos gaboj një ëndërr e vjetër e ish Jugosllavisë kjo.
Por, anëtarësimi i shpejtë sjell pasoja negative në ekonominë mikro dhe makro e këto pasoja janë më të dukshme tek vendet me të ardhura të ulëta krahasuar me vendet e tjera pjesëmarrëse.
Ne kemi një sistem fiskal të paqëndrueshëm dhe rregulla të paqarta, kemi një ekonomi jostabël, kemi rrogat më të ulëta në rajon, nuk kemi sindikata të fuqishme. Kemi probleme të pazgjidhura me pronësitë. Kush do vijë të investojë në Shqipëri kur sistemi i drejtësisë po ecën me hapa të ngadalta dhe kur vepron nuk prish ekuilibrat e vjetra? Kush do vijë të punësohet në Shqipëri me rrogat ekzistuese kur vetë shqiptarët po ikin? Çfarë sigurie jete i japim ne dikujt të jetojë në Shqipëri kur po gurgullon media për vrasjet që bëhen në dritën e diellit? Europa këto e shumë të tjera i di mirë!
Por të kalojmë tek një prej sektorëve që mund të japi një kthesë në ekonomi: Bujqësia. Vërtet ‘Open Balkan’ do të thotë një treg më të madh dhe rrjedhimisht prodhon një numër më të lartë konsumatorësh, por a mund të konkurojmë ne dot me Serbinë apo qoftë dhe me Maqedoninë e Veriut?
Në çfarë kushtesh punon një bujk shqiptar? Çfarë ndihme i jep shteti shqiptar bujqësisë? Sa vende kanë infrastrukturën e duhur për të punuar me rendiment të lartë? Ku shkon prodhimi i tyre? Pse importojmë produkte të huaja kur prodhimet tona përfundojnë në kanal? Në Shqipëri bujqësia ka kosto më të lartë, kushte më të vështira, cilësi më të mirë dhe ëmimet më qesharake në treg.
Me këtë kosto të lartë dhe kapacitet të vogël do bëjë që Serbia të mbulojë gjithë tregun e Ballkanit sepse ka kapacitetin e duhur.
Si shqiptare do të dëshiroja që ne të bënim ‘Open Albania’ me Kosovën në krye dhe me vendet shqiptare të rajonit.
Sepse Kosova është Shqipëri dhe ne duam një hapësirë të përbashkët ekonomike, pa dogana dhe kufij.
Please follow and like us: