CLE kundër hartës së re gjyqësore
CENTRE FOR LEGAL EMPOWERMENT – www.cle.al
Centre for Legal Empowerment është vendosur në dijeni nëpërmjet njoftimit të datës 10 Qershor 2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e hartës së re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë. Nga përmbajtja e këtij njoftimi rezulton se riorganizimi i sistemit gjyqësor do të realizohet nëpërmjet uljes së numrit të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit.
Organizatat e Shoqërisë Civile dhe Dhomat Vendore të Avokatisë paraqitën gjatë procesit të konsultimit të draftit të hartës së re gjyqësore shqetësimet se reduktimi i numrit të gjykatave dhe vendosja e tyre larg qytetarëve shoqërohet me rrezikun e kufizimit të mundësisë së tyre për t’iu drejtuar gjykatave dhe për të ndjekur proceset e gjyqësore për shkak të rritjes së shpenzimeve për shërbimet ligjore, dhe nga ana tjetër nuk përbën një mjet efektiv për zgjidhjen e problemit të shqyrtimit të çështjeve të prapambetura brenda një afati të arsyeshëm.
Në informacionin e publikuar lidhur me hartën e re gjyqësore nga Këshilli i Lartë Gjyqësor konstatojmë se rekomandimet e përcjella në procesin e konsultimit nga aktorët e interesuar nuk janë reflektuar, duke e bërë jo efektiv procesin e konsultimit dhe më e rëndësishmja, duke miratuar një hartë gjyqësore e cila rrezikon të cënojë aksesin në drejtësi të qytetarëve. Harta e re gjyqësore duhet të ketë si qëllim kryesor garantimin e aksesit të padiskutueshëm të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe rritjen e efektivitetit të sistemit gjyqësor në drejtim të qytetarëve.
Miratimi i hartës gjyqësore është një prioritet kombëtar në kuadër zgjidhjes së problematikës së shqyrtimit të mosmarrëveshjeve të mbartura në gjykata dhe krijimit të parakushteve që qytetarët të aksesojnë më lehtë juridiksionin gjyqësor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njohura në Kushtetutë dhe ligj, dhe çdo nismë e ndërmarrë duhet të ketë si qëllim të sjellë drejtësinë sa më afër qytetarëve dhe jo ta largojë e vështirësojë atë.
Centre for Legal Empowerment rithekson domosdoshmërinë dhe mbetet besimplotë për reflektimin e nevojshëm të gjitha organeve publike e angazhuara në proces përpara miratimit përfundimtar të hartës së re gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.