Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria duhej këtë veto t’ia vendoste Maqedonisë, sot po ia vë Bullgaria?! / E kujt është etnogjeneza maqedonase?!

IDRIZ MORINA

Kur Maqedonia u mbajt peng për vite të tëra, asnjëherë nuk reaguan shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, por as partitë politike shqiptare në Maqedoni, që të kërkonin nga Greqia të mos përzihej për emrin.

Maqedonasit e lashtë, edhe sipas historianëve të antikitetit konsideroheshin si një popull ilir ose i dalluar nga i njëjti trung, por asnjëherë në asnjë rast, nuk janë konsideruar grek.

Origjina

Sipas historianit të njohur Arif Mati, citon autorët antikë që vërtetojnë që Maqedonia kurrë s’kanë bërë pjesë me Greqinë – Straboni (VII 7/1, VII 7/8, VII fr.11); Appiani (Historia, Iliri II, Maqedonia II) dhe Teokriti (Idylls VI , XI ); Cf., Eskili (Lutësit, 250-277 ); (Homeri/ Iliada XVI, 233 , 234) etj.

Edhe historiografët modernë si Gustavë Glotz, thonë se Maqedonia kurrë s’ka qenë pjesë e Greqisë.

Edhe njëri nga strategët më të çmuar në botë, madje që konsiderohet edhe më i madhi, Aleksandri i Madh, ishte ilir, madje, derisa babai ishte nga fisi maqedon, nëna e tij, ishte ilire.

Të gjitha argumentet historike e deri tek ato gjenetike janë në anën e shqiptarëve. Maqedonia përfshin edhe Selanikun në Greqi, Pra, në këtë rast Maqedoninë jugore, për shkak të së cilës, Greqia kërkonte me çdo kusht që shteti fqinjë ta ndryshonte emrin, që të mund të ecte në proceset integruese, si në NATO dhe në BE.

Por, Shqipëria nuk bëzajti kurrë, as faktoi shqiptar, që para ndërkombëtarëve, të paraqiteshin si palë autentike, si autoktonët e vetëm të dy territoreve të njohura gjeografikisht si Maqedoni, asaj në Greqi, dhe në shtetin fqinjë.

Në atë mënyrë jo vetëm se mund të neutralizohej Greqia, por do të mund të bëheshin faktor të vërtetë shqiptarët, dhe që ta kthenin në tavolinë çështjen e realizimit të të gjitha të drejtave që u takojnë, si popull autokton dhe si shumica kryesore de fakto në këtë shtet.

Por, Shqipëria nuk mund t’i kundërvihej Greqisë, sepse shërbimet greke të sigurisë, si thuhet, livadhisin, nëpër institucionet e Tiranës.

Shqipëria ishte pjesë e NATO-s, por Rama, që mashtronte për bashkim kombëtar, vetëm për ta rritur popullaritetin e tij, nuk guxonte të bënte asnjë hap kushtëzimi.

Strukturat udhëheqëse të shtetit të krimbura nga krimi i organizuar

Në anën tjetër në Kosovë strukturat udhëheqëse të shtetit të krimbura nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, as që guxonin ta mendonin. Që të mos e dinin nuk mund të thotë askush, sepse të paktën ne kemi shkruar, që shqiptarët janë të vetmit, që duhet të pyeten se a duhet të ndryshohet apo jo emri i Maqedonisë.

Deri në Luftën e Parë Botërore, Selaniku ishte një nga qendrat kryesore të shqiptarëve, veçanërisht të tregtimit. Pra, ai nuk mund të shihej veçse si një pjesë e arealit të gjeografisë shqiptare. Madje edhe brenda Greqisë –shtetit të ri grek, deri në Luftën e Parë Botërore, sipas historianëve diku 600 fshatra rreth Athinës ishin të banuara me shqiptarë arvanitas.

Pra, askush më shumë se shqiptarët nuk kishte të drejtë të fliste për emrin e Maqedonisë. Kuptohet që ndikimi i Greqisë është shumë i madh në Perëndim, dhe në botën ortodokse po ashtu, pasi e ka pasur gjithherë përkrahjen e Rusisë dhe kishës së saj.

Kështu që e papenguar nga faktori shqiptar, ajo ia doli, që ta detyrojë Maqedoninë ta ndryshojë emrin, në Maqedonia Veriore. Më pas iu hapën dyert për të hyrë në NATO, sërish pa asnjë kërkesë nga Shqipëria, qeveritë Rama, që ajo t’i plotësonte të drejtat e shqiptarëve të definuara me diskriminim në Marrëveshjen e Ohrit, të paktën mund ta detyronte, që ta pranonte praninë shqiptare, si shumicë kushtetuese, siç e kanë pasur gjatë komunizmit, e jo të mbetej si një shtet kushtetues sllavomaqedonas, ose mund ta detyronte gjithsesi ta bënte një kushtetutë qytetare siç e ka Kosova.

U shpërdoruan nga klikat proserbe e progreke

Ndërsa, këto raste u lëshuan apo u shpërdoruan nga klikat proserbe e progreke në Tiranë, Maqedonisë V. I ka dalur përballë Bullgaria, që po e kushtëzon tashmë edhe ecjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë për në BE, nëpërmjet bllokimit të procesit për Maqedoninë. Bullgaria, e cila nuk ka asnjë kontest për Shqipërinë, është kthyer në pengesë pasi BE-ja, ka vendosur që t’i procedojë kërkesat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë V. së bashku. Shqipëria, disa herë e ka problematizuar këtë çështje që të mos mbahet e bllokuar nga kjo situatë, por ende nuk e ka gjetur përkrahjen e duhur apo të mjaftueshme.

Bullgaria me të drejtë po këmbëngulë, se shteti fqinj, nuk i ka regjistruar si bullgarë pakicën e konsiderueshme në Maqedoni, e cila as në regjistrimin e fundit thuajse nuk e ka përfshirë fare. Shteti bullgar, i ka regjistruar afër 100 mijë bullgarë, pasi ua ka dhënë shtetësinë dhe pasaportën bullgare. Por, pavarësisht këtyre të dhënave, atyre ua ka mohuar etninë.

Për dallim nga shqiptarët, që nuk ka askush kush t’i mbrojë, madje edhe reagimi i partive politike shqiptare ishte thuajse cinik, madje triumfues kur u paraqiten rezultatet e regjistrimit, se me diasporën përbënin mbi 29% të popullsisë.

Mbi 40 % shqiptarë

Sipas të gjitha të dhënave në kohë, shqiptarët në Maqedoni me diasporën, kurrë nuk kanë qenë më pak se 40 %.

Presidenti Rugova, gjithmonë kur fliste për Maqedoninë i referohej, si çështje që duhej zgjidhur, ku së paku përbëjnë 40 % të popullsisë, pavarësisht të dhënave zyrtare.

Ndërsa, sipas burimeve të shqiptarëve, të dhëna këto të NATO-s, sipas publicistit Nijazi Muhamedi, shqiptarët janë së paku 45% të popullsisë.

Por, siç kemi theksuar në shumë shkrime, nëse lejohet që shqiptarët ortodoks ta deklarojnë identitetin e tyre etnik, atëherë, sigurisht se numri prej rreth 50 % do të ishte i pakontestueshëm, ndërsa me regjistrimin e saktë të popullsisë bullgare, atëherë shumica e quajtur maqedonase do të binte dukshëm nën 40% të popullsisë së përgjithshme, dhe Kushtetuta e Maqedonisë, domosdoshmërisht do të duhej të ndryshohej.

Kjo e zbulon, se ka një përpjekje të madhe, në dëm të shqiptarëve në Maqedonia, nga vetë shteti me institucione të dominuara nga sllavo-maqedonasit, nga përkrahja që e marrin nga Greqia kundër shqiptarëve, nga Serbia, që i ka dominuar institucionet e saj të sigurisë, si dhe nga vende të tjera me ndikim.

Kryeministri bullgar Petkov, i ka deklaruar kancelarit të Gjermanisë Olaf Sholc, që Maqedonia e Veriut, duhet të garantojë se do ta zbatojë Marrëveshjen e Fqinjësisë dhe se bullgarët të jenë komb shtetformues. “Pozicioni i Bullgarisë në këtë fazë është se vetoja për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE në Maqedoninë e Veriut mund të hiqet vetëm nëse Shkupi jep garanci se do të zbatojë Marrëveshjen e Fqinjësisë dhe do të përfshijë bullgarët si një nga kombet shtetformuese në kushtetutën e tij”, i tha Petkov javën që shkoi kancelarit Schoc në Sofje.

Kancelari gjerman e ka pranuar se heqja e vetos së Bullgarisë për Maqedoninë V., deri në fund të qershorit, ka pak gjasa të ndodhë.

Pra, Bullgaria me rreth 7-8 % të popullsisë në Maqedoni, po kërkon që të jenë shtetformues, ndërsa Shqipëria, nuk deshi të dëgjonte fare, që shqiptarët zyrtarisht me 30 % të popullsisë dhe jozyrtarisht 40-50%, nuk kanë më asnjë derë se si të bëhen shtetformues.

Por, nëse bullgarët janë vetëm 7-8 % në Maqedoni, kush janë këta të tjerët që kanë dalur mbi 50%, çfarë origjine kanë këta? Serbë jo se jo, sepse ata janë regjistruar nuk janë as 2%.

Sigurisht se studimet e sakta gjenetike në të ardhmen do ta dëshmojnë përkatësinë e njëjtë me shqiptarët apo të afërt, pasi afërsia thrake dhe ilire, ishte e madhe, si gjuhësore etj., dhe pikërisht në këtë zonë, këmbeheshin dy popujt e mëdhenj të antikitetit. Por, edhe bullgarët në masën më të madhe, mbi 40 % rezultojnë të kenë përkatësi thrakase.

Sipas regjistrimit në Maqedoni, të shpallur në fund të muajit mars, rezulton se ky shtet me gjithë popullatën jorezidente (diasporën) ka 2.097.319 veta, prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar si maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1825953/shqiperia-duhej-kete-veto-tia-vendoste-maqedonise-sot-po-ia-ve-bullgaria-e-kujt-eshte-etnogjeneza-maqedonase/?fbclid=IwAR1RoTwO1ZO3dOvzP57KItfQNhgbpyjKpOUXJvsMyoLBJVYwO33TnP3ctK0

 

Please follow and like us: