Ruben Avxhiu: Festivali Sunny Hill më shumë i duhet Prishtinës sesa Tiranës
Festivali Sunny Hill më shumë i duhet Prishtinës e Kosovës sesa Tiranës.
Nuk i di detajet dhe nuk kam dyshim që të japësh një hapësire toke për 99 vjet në përdorim nuk është vendim i lehtë, por të them të drejtën, shpresoj që drejtuesit e Kosovës të dëshmojnë më shumë pragmatizëm dhe prakticitet në situata të tilla.
Nuk ka marrëveshje biznesi ideale, por çdo propozim duhet peshuar duke e krahasuar me alternativat. Nuk është se po vërshon biznesi në Kosovë e as nuk ka Kosova produkte masivisht konkurruese në tregjet rajonale e ndërkombëtare.
Një festival si Sunny Hill pavarësisht nga fitimet direkte për buxhetin e shtetit dhe të komunës, ka potencialin të sjellë biznese paralele, është një reklamë e madhe ndërkombëtare falas, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe nga ana politike për Kosovën.
Një festival i përvitshëm është një ngjarje ekonomike e garantuar, që nuk varet nga faktorë të tjerë që tërheqin apo trembin biznesin. Kosova duhej ta mbante dhe nëse është e mundur të gjejë mënyra për ta kthyer në Prishtinë.
Historia botërore është e mbushur me idealistë që rrëzohen pikërisht për shkak të kryeneçësisë së ekonomisë. Të jesh i ndershëm e i drejtë është një fillim i mirë, por garanton suksesin ekonomik. Forcat e Kosovës janë ato që janë.
Mllefet kundër organizatorëve të festivalit e përplasjet partiake janë të parëndësishme. Në fund, një festival, pavarisht nga motivet patriotike e personale, është edhe një sipërmarrje ekonomike. Të parat të çojnë vetëm deri diku. Sot, çdo investues e si shihet edhe çdo organizator ngjarjesh kulturore do të krahasojë kushtet konkurruese në rajon. Kosova është e bekuar me epërsi të mëdha, por ka nevojë edhe për shpirt nismëtar, praktik, e krijues për të dalë fituese.
Mbase ka gjëra që nuk i di në këtë rast, por asgjë nuk është përfundimtare. Inati e fyrjet janë të lehta për t’u bërë e shkruar, por ideale do të ishte që drejtuesit e Prishtinës dhe Kosovës të gjenin mënyrën dhe rrugën për ta tërhequr përsëri festivalin e njohur në vendlindje.
Please follow and like us: