Cikël poetik nga Selaudin R. Guma
Për ty
Një natë të tërë kalova
Dhe s’vura gjumë në sy
Për ty aq shumë mendova
Që ndjell vetëm magji.
Nuk di ku kam gabuar
Dhe pyeta zemrën time
Çfarë pati Beatriçja
Që iku nga jeta ime?
Të drojtur unë të gjeta
Në t’bukurin divan
Dhe iku brenga ime
Kur ty të ndjeva pranë.
Xhelozia
Mos u bëj xheloze, mikja ime
Nga shtazania a bjondia sykaltër
Në shpirt kam të bukurën time
Që befas më kthen në flatër.
Ika shpejt nga tavolina jote
Se s’doja të trembja zytë e zinj
E ëmbla gjithmonë kështu ka shije
Ari duhet fshehur, askush të mos e di.
Mesazh të kam nisur në një natë me yje
Që poshtë jastëkut të vësh me kujdes
Të ndjesh gjithë shpirtin tim
Dhe në qiellin e shtatë të jesh.
Mbaje aty poshtë këtë letër
Ca fjalë të thjeshta aty mbaj
Dhe kur të vijnë nimfat e natës
Kujto dashurinë time pa skaj.
Telefonata
Në telefon të mora
Me ndrojtje, me mundim
Nëse do më përgjigjesh
Apo t’më lije në harrim.
Kush shpiku këtë lajmës
Ka me siguri bekim prej Zotit
Të Zeusit hijerëndë
Dhe t’bukurit Apollon.
Të falenderoj shumë
Që hape telefonin
Të dy u ndjemë më afër
Dhe ngrohëm kraharorin.
Të premtoj në heshtje
Të premtoj pa fjalë
Jan gjithmonë prej teje
I vdekur apo i gjallë.
Vetëm sëmurë të mos jesh
As ty, as djali yt simpatik
Telefon të bëra dy-tri herë
Pa drojë dhe aspak frikë.
Në punë erdha me vonesë
Dhe pashë që s’ishit aty
Uroj që djali të jetë mirë
Mirë të jesh edhe ty.
Çdo lule ka ngjyrën e saj
Të bardhë, të kuqe a lejla
Ndryshe kanë joshësen aromë
Që shpirtin e ngre në hava.
Në livadh tërfili dua të prehem
Dhe gonxhet t’i kap me gishtrinj
Ato janë lulet më të bukura
Në fusha e kodra për karshi.
Dy fjalë për autorin
Selaudin Reis Guma u lind më 10 Qershor 1951 në Luzat të Tepelenës. Mësimin fillor e kreu vendlindje në shkollën “Nimete Progonati”, ndërsa të mesmen në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë. Studimet e larta i përfundoi me rezultate të larta në 1973 në Fakultetin Xhenjo-Autotransport. Për 20 vjet punoi në repartin special të Xhenjos. Ka punuar si specialist në ndërtimin e urave tip “Beli” dhe rrugëve dhe urave të varura e ato druri në të gjithë hapësirën e vendit, është njohës i mirë i gjithë relievit shqiptar. Me njohje të gjerë në çdo rreth të Shqipërisë, me miq e dashamirës brenda dhe jashtë atdheut, ai ka marrë mirënjohjen e qindra njerëzve të të gjitha moshave. Shpesh në biseda thuhet “Ura e Selos” sepse anjë prej tyre nuk është rrëzuar dhe të gjitha janë funksionale edhe sot.
Përveç profesionit, një pasion i veçantë ka qenë letërsia dhe ai ka bashkëpunuar me shtypin e asaj kohe dhe ka botuar në gazetat e revistat “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari”, “Hosteni” si dhe në mediat që lindës me ardhjen e demokracisë. Është njohës i disa gjuhëve të huaja, mes të cilave anglisht, frëngjisht, rusisht dhe greqisht. Ka qenë emigrant në Greqi e Francë, por edhe ka vizituar si turist Italinë, Rumaninë, Bullgarinë, Çekinë, Hungarinë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjen, Malin e Zi, Serbinë, Sllovakinë, Turqinë, Anglinë, etj.
Ka studjuar për një kohë në Budapest të Hungarisë duke mbrojtur anglishten dhe frëngjishten, në kuadër të Shoqatës së Atlantikut të Veriut ku aderon edhe sot.
Ka mbajtur vazhdimisht lidhje me vendlindjen e tij dhe së bashku me dr. Isuf Kalo ka bërë të mundur rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugës së Luzatit. Mban gjithmonë lidhje me shokët e fëmijërsië, mes të cilëve Bashkim e Hysen Shatrafili, Mehmet Çako, Veli Gaxhi, Sefer, Milo e Demir Guma, Aleks Rodi, Hamza Karafili, Qamil Bodeci, Çerçiz Dena, Bektash e Paro Koçi, Platon Kopelli, Mitat dhe Asllan Boni, Muharrem Gjyli, Dasho Kamberi, Hasan e Kasem Xhima, Selfo dhe Selam Muça, Abaz Progonati dhe shumë të tjerë.
Është i martuar me Tatjana Pogaçin nga Plesati i Gjirokastrës dhe kanë dy djem, Sokolin e Marlenin, të dy të martuar.
Në luftën e Kosovës u aktivizua duke ndihmua e strehuar për tre muaj tre familje nga Peja, Sulejman e Senabije Grabovcki si dhe 14-vjeçarin Memli Besnik Preluci. Së bashku me bashkëfshatarin oficer Hysen Ymeri ndihmoi në përgatitjen e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në atë kohë, bashkë me Besa Çekun dhe gazetarin Asllan Bajrami, ka shkruar mjaft artikuj për “Kosova Press” si dhe në 4 Shkurt 1999, si përfaqësues i partisë “Beslidhja Kombëtare Demokratike e Kosovës” ka përkrahur të gjitha veprimet e UÇK, përfshi edhe marrëveshjen e Rambujesë në Francë.