Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama përplaset me Perëndimin dhe kërcënon, në mbrojtje të Serbisë/ Kulmi i hipokrizisë dhe propagandës pro serbe

Edi Rama më nuk po i habit as më skeptikët. Përkundrazi, po vazhdon t’i bindë se ai është në rrugën e duhur të mbrojtjes së interesit të Serbisë, veçanërisht kur është në pyetje Kosova.

Së fundi bëri bujë, pasi Rama, e përsëriti qëndrimin e tij mbrojtës për Serbinë, në raport me Perëndimin dhe Rusinë, mossanksionimin e kësaj.

Në fakt, në disa analiza e kemi theksuar, se që nga shkurti kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, ka filluar një mbrojtje të hapur deri agresive të Serbisë, nga akuzat faktike se ajo është vendosur strategjikisht kundër Perëndimit, dhe në mbështetje të Rusisë. Ajo nuk e ka ndryshuar asnjë raport me Rusinë. Përkundrazi po vazhdon të përfitojë nga kriza dhe ai raport, duke bërë marrëveshja të reja për import të gazit me çmime të volitshme, krejtësisht jashtë çmimeve aktuale në tregun europian.

Perëndimi, dhe veçanërisht SHBA-ja e Gjermania është duke i kërkuar qartazi që të shkëputet nga Rusia, nëse dëshiron të integrohet në BE.

Por, për shumë intelektualë, publicistë dhe analistë, u deshtë që ta dëgjojnë edhe njëherë, teksa në një intervistë e merr në mbrojtje Serbinë.

Rama në sulm kundër Perëndimit, për Serbinë

 Në fakt, sipas analizave të bëra nga unë, rezulton që Rama më nuk po e mbron vetëm Serbinë, por indirekt edhe Rusinë. Duke e mbrojtur një Serbi që është në anën e Rusisë, si nuk po e mbrojtka edhe vetë Rusinë, derisa e mbron raportin e të parës, ndaj të dytës.

Kjo mbrojtje tashmë ka dalur për shesh të botës dhe është bërë e padurueshme për shqiptarët kudo jetojnë, përveç për mbështetësit e tij dhe të partisë së tij në Shqipëri.

Sipas veprimeve të tij politike për gati 20 vjet, Edi Rama, duket hapur se ka rol misionari në mbrojtje të ortodoksisë sllavo-greke (dhe as që merret me autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare), e dokumentuar kjo me urdhrin kalorësiak, të pranuar në Jerusalem nga Kisha Ortodokse, e dominuar nga ajo greke! Në vitin 2015 ai e mori dekoratën nga Patrikana e Kishës Ortodokse Greke, duke u betuar para saj, “Kalorës i Kryqit të Madh, të Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë”.

Prandaj, nisur nga kjo nuk është e habitshme se si e merr në mbrojtje Serbinë, duke e arsyetuar kinse me raportin historik me Rusinë. “Duhet ta kuptoni se Serbia është në një pozitë shumë të ndryshme se shumë të tjerë për shkak të historisë së saj, dhe për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, ka deklaruar Rama në një intervistë për politico.eu/…/edi-rama-albania-eu…

Madje ai thuajse është ministri i jashtëm i Serbisë apo zëdhënësi i qeverisë apo i vetë Vuçiqit, premton se Serbia do ta bëjë këtë me kohë.

Ai ka shkuar aq larg, sa kësaj here ka kërkuar nga Perëndimi, që të mos i bëjnë presion Serbisë, sepse sipas tij, Serbia u varka nga gazi rus.

Madje, në një mënyrë Edi Rama e kërcënon Perëndimin, se nëse Serbia vihet nën trysni, qëndrueshmëria në Ballkan do të shkatërrohet. “Nëse Perëndimi e tepron me presionin e tij ndaj Serbisë, kjo mund të jetë shkatërruese për qëndrueshmërinë në Ballkan”, citohet Rama.

Ky është kulmi i hipokrizisë dhe propagandës pro serbe, dhe duke e vënë në këtë mënyrë Shqipërinë, jo vetëm në rol mbrojtës ndaj Serbisë, por edhe sulmues ndaj Perëndimit. Në këtë mënyrë ai po i rrezikon raportet e shkëlqyeshme me Perëndimin për hir të interesave të tij, dhe të rrjetit serb që gjendet në Shqipëri, tepër i fuqishëm.

Premtimi i rrejshëm

Për ti vënë vulën të gjithë kësaj, Edi Rama, e mbyll çështjen, duke thënë: “Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur”.

Si qenka në rrugën e duhur Serbia, kur nuk e njeh Kosovën dhe vazhdon ta shantazhojë, vazhdon me të gjitha mjetet me serbët në Kosovë, të organizuar rreth Listës serbe, në grupime të tjera jo politike e politike, dhe nëpërmjet agjentëve të saj në partitë politike shqiptare dhe në vetë institucionet, ta sfidojë shtet-bërjen e Kosovës.

 Madje, ai gjatë gjithë intervistës nuk e kishte përmendur fare Kosovën, siç e thonë edhe publicistë të tjerë, që e kritikojnë për qëndrimet jo vetëm në këtë intervistë, por në vazhdimësi.

Ai nuk guxon t’i kërkojë asgjë për Kosovën Vuçiqit, sepse ka të gjitha dosjet e tij, përveç se ai është i rreshtuar dhe betuar për të mbrojtur interesat e ortodoksisë sllavo-greke, ku padyshim në këtë rast po i mbron edhe ato ruse!

Shqipëria është një shtet laik, dhe ajo ka instrumentet e mjaftueshme shtetërore dhe ligj-zbatuese, që ta shkarkonte me kohë, vetëm për atë urdhër që ka marrë. Kjo është një shkelje kushtetuese në vazhdimësi tashmë shtatëvjeçare. Presidenti, kryeministri dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve qendrore mund të betohen në një shtet laik, vetëm në Kushtetutë dhe në mbrojtje të saj.

Shkelje e Kushtetutës së Shqipërisë

Ndërsa, Rama të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë është duke e bërë shkeljen e saj, duke e mbrojtur Serbinë, ndërsa nuk i ka kursyer sulmet ndaj Kosovës, që është shkelje kushtetuese, sepse sipas saj, Shqipëria kujdeset për shqiptarët kudo që jetojnë, jashtë kufijve të saj.

Kushtetuta e Shqipërisë e thotë hapur në preambulë: “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Pra, Edi Rama, edhe kur pohonte se e mbështeste bashkimin e shqiptarëve në një shtet, ai donte me Hashim Thaçin ta copëtonte Kosovën, por për interesa të Serbisë, duke ia dhënë një pjesë, veriun. Ndërsa, në asnjë rast, me asnjë projekt serioz, dhe me asnjë deklaratë nuk është deklaruar dhe nuk ka vepruar në mbrojtje të identitetit të shqiptarëve. Madje kurrë nuk është ndalur, së quajturi neve ‘kosovar’, emërtim tipik antikushtetues dhe shkelje e obligimeve kushtetuese.

 Po ashtu ai është në shkelje të plotë të nenit të 8 të Kushtetutës, i cili e obligon atë dhe të gjitha institucionet e Shqipërisë, që t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve kudo ndodhen: “Neni 8

Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.

Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”.

Ai nuk është duke e respektuar këtë nen, as ndaj shqiptarëve në Kosovë, as ndaj atyre në Maqedoni, as ndaj atyre në Greqi, e as ndaj atyre në Mal të Zi dhe Serbi.

Me veprimet e tij ai po ashtu e ka dëshmuar se nuk e zbaton dhe nuk e përmbush nenin 6 të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas të cilit është “e ndaluar zgjedhja … apo ushtrimi i një funksioni publik, nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin e funksionarit publik”.

“Neni 6/12

Ndalohet zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e

parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra

në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin

e funksionarit publik”.

Pra, Rama në disa rrethana dhe në vazhdimësi e ka shkelur këtë nen, kjo e verifikueshme nëpërmjet deklaratave publike, me qëndrimet e hapura proSerbisë, dhe po ashtu me të tjera në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve, si dhe me aktin e betimit solemn në Patrikanën e Kishës Ortodokse Greke në Jerusalem, si “Kalorës i Kryqit të Madh, të Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë”!/bota sot

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1826883/edi-rama-perplaset-me-perendimin-dhe-kercenon-ne-mbrojtje-te-serbise-kulmi-i-hipokrizise-dhe-propagandes-pro-serbe/?fbclid=IwAR3l1QbXaw2BgZHgPl2th0nuJaD27gdjgyi6ZJL3o3EqtjVR0vQO_b_jocw

Please follow and like us: