Miho Gjini: AT VASIL XHANI!
AT VASIL XHANI (1889-1966)
Edhe pse nuk kan qënur kurrë ndonjë “besimtar i thekur”, nëna ime, Aleksandra, sa herë që shkonte në kishë në ditët e shënuara, për t’u lutur për të vdekurit e të gjallët,- njëfarë ndjesie mistike, qiellore, më krijohej për figurën e priftit të fshatit, që ne të vegjëlit e thërrisnim “Toti i Xhane” e i puthnim dotën, sa herë që ai shpërndante naforën atje, në Kishën e “Shën Thanasit” apo lart në Manastirin e Kremesovës, ku ne çiliminjtë venim të zbathur, me opingat e gomës ndër duar, që të mos na gërryheshin nga gurët e zhavori i bardhë, në atë të përpjetë të lemerishme. Atje bëhej festë dy herë në vit, në të hyrë të Prillit, kur qe përkujtimorja e gozhdimit dhe e ringjalljes së Krishtit dhe ajo e 15 gushtit, ditës së Shën Marisë. Veçe, si të vegjël që ishim, i vidheshim meshës e rendnim nga mbrapa manastirit, për të ngrën mana të kuq në prill a në maj, kur binte pashka, si edhe në sheshin me pllaka guri , përpara manastirit, ku në Qershor shtypeshin me kuaj kallzat e grurit e në festën e Perëndisë, më 15 të Gushtit kërciste kënga e hidhej vallja e burrave, sa tundej dheu… E në gjithë këto festa fetare, “mbillej” e mblidhej edhe i gjithë gëzimi ynë fëminor, që-dashur e pa dashur-, lidhej edhe me figurën e priftit të Xhane, që nëna ime e qunte si “të dërguarin e Perëndisë”,-edhe pse nuk qe pa huqe njerëzore,-shtonte ajo,- që duhej edhe ta besonim e t’i puthnim dorën, për të marrë prej tij “bekimin e Perëndisë”. Kurse “Arëza ime” më rrëfen se, kur na shpinte nëna e Lazëre në kishë a në manastir të djelave, na mbushte duart, me tufa vasiliko, që t’i vinim nëpër kondizmat e shënjtorëve…
Me këtë rit fetar edhe do të rriteshim. Po edhe plakat e fshatit qenë mësuar t’i shpinin uratës në kishë mëlatën dhe qindaren e vajit të ullirit, edhe kur kishim edhe kur s’kishim, se ndryshe,-thoshte ajo, prifti nuk e jepte bekimin a “mirësinë e perëndisë” ndajë të vobektit. Bile, edhe kur do të rriteshim një çikë më shumë e ne djemuria bëheshim vëllemër, d.m.th më shumë se shokë e do të quheshim paskëtaj si “vëllezër të një gjjaku”, nuk “bekoheshim” nga prifti, pa paguar kishën, qoftë edhe disa qindarka,-gjë që do të na ndodhte, sidomos, kur do të bëheshim “vëllemër” me Thanas e Gogo Xhanin, si edhe me Milo Qesarin e Petro Memin, tek urata, i cili, pasi na hoqi “rason e argjendtë”nga koka e na kërkoi të paguanim, ndërkohë që ne nuk kishim asnjë dhekare në xhep e prifti u zemërua kaq shumë me ne, sa zuri me gojë edhe “shejtanin me brirë” që na yshti,-sipas tij-,në paudhësi të tilla, për të “mashtruar të dërguarin e Perëndisë”! Dhe, pasi do të kryeja edhe shkollën e lartë, atë universitaren, besimi im do të zhbëhej ndjeshëm, aq më tepër, tek kujtoja se “njeriu i perëndisë”, nuk duhej të shante kështu e të mos e përfillte varfërinë e asaj kohe. Mirëpo, ai na donte përsëri e na thoshte me zë të ëmbël, se kishte bërë shaka, po edhe sepse, donte që të mos merrnim “udhët e shejtanëve të përroit”, duke bërë “karagjozllëke” të tilla,-shtonte ai duke na i tërhequr veshët llastikë! Po edhe ne e donim me shpirt Totin e Xhane, ngaqë liturgjia që ai bënte në kishë e në manastir, të krijonte njëfarë atmosferë hyjnore, aq më shumë, kur mesha bëhej në gjuhën shqipe e zëri i tij prej tenori e me plot vibracione, do të harmonizohej ëmbël dhe me atë të psalltit, që bëheshin nga Koço Prifti e nga Llukë Koçiu, me zërat e tyre të përvuajtur, prej tenorësh gjithashtu. Kishte mësuar që të këndonte, bashkë me ta edhe i biri, Manthoja… Ndërsa dy fëmijët e tjerë të uratës, Aretia me Markon, jo vetëm që e dëgjonin me respekt babanë e tyre, po edhe kryenin ndonjë shërbesë fetare… Më mbrapa, kur unë do të ndiqja meshën edhe në Villa Badessa, tek vëllezërit tanë të Italisë, ku besimi ortodoks qe “shartuar” edhe me besimin katolik, do të merrte pjesë edhe kori i kishës e do të krijohej një hymn i vërtetë, drejtuar Perëndisë që ështe në qiell… Si njeri i teatrit, më ngjante ngaherë e më tepër, si të isha përsëri në një “Teatër Dhome” të mistikës, ashtu sikundër bëhej mijëra vite më përpara, në teatrot e para të Antikitetit Grek, ku sapo kishte lindur edhe teatri si gjini më vehte, bashkë me perënditë pagane. E ku, gjithsesi do të kishte një aktor kryesor, sikundër qe edhe tek ne një Korife: TOTI I XHANE. Që patjetër duhej të kishte edhe talent, një zë të bukur dhe aftësi komunikuese të përkryer. Si Ai!
Meshat në Piqeras do të ishin të përditshme e, kur vente ora 12 e drekës, urata do të mbyllte derën e kishës e do të varej mëtëposhtë “Rimit të Kujthe”, nga e kishte shtëpinë. Vetëm atëhera plakat do të delnin nga dera që t’i puthnin dorën uratës e të merrnin vesh se tashmë kishte arrdhur edhe vakti i drekës! Dhe trokëllima e bastunit të tij me dorezë floriri do të ndjehej sapo ai kthehej e hynte në “Rimin e Xhane”. E para që e ndjente këtë qe e shoqja e priftit, Urania e Vranare që kishte një jetë të tërë me të dhe i dukej si një ritmikë e ëmbël, që e qetësonte thellë në shpirt. Ndofta edhe ngaqë figura e tij e kishte hijeshinë, mirësinë e fisnikërinë që kanë përgjithësisht shënjtorët. Qe edhe elgant në veshje e kishte një ecje të tillë, ku krenaria qiellore harmonizohej edhe me thjeshtësinë njerëzore. Rrezatonte Urata! Po “Toti i Xhane” se ç’kishte edhe një sjellje prej tokësori, me atë humorin e tij befasues e, kur ne nuk rrinim pa i bërë edhe prapësitë e moshës, ai të qortonte e të thoshte “i biri i djallit!”, sidomos kur nuk i donte zhurmat e bisedat e kota në kishë, që ai e quante një “vend të shenjtëruar”… Por unë atëhere, si ateist që isha, jo pak edhe i infektuar nga propoganda partiake, që e anatemonte fenë dhe besimin fetar, do ta shikoja si me dyshim figurën e tij, nga që, jo të gjitha festat fetare u përgjigjeshin edhe shenjtorëve të veçantë, ndërkohë që viheshin në jetën reale edhe emra që nuk u përgjigjeshiin alternativës së shënjtorëve respektivë dhe urata thoshte se, edhe për ata duhej shpënë në kishë, mëlata e qindarja me vaj. Dhe nëna ime, fetare gjer në palcë, edhe pse atëhere kalonim edhe “zinë e bukës”, qe e detyruar të bënte kryqin tri herë ne gjoks e të thoshte “Fale , o ZOT, të dërguarin tënd, që e solle midis nesh,tok me vuajtjet e tua që janë dhe tonat”! E megjithatë ne do të venim në kishë e në manastir, me një mirësi kristiane, që e vishte me petka hyjnore edhe figurën e tij, por dhe me njerën këmbë në tokë, për të na i lehtësuar vuajtjet e sëmundjet, me lutjet që bënte, me duart lartë nga qielli i gjithësisë. Besimi ynë kishte, më së shumti një karakter iluminist, të një dritësimi që duhej të binte me domosdo mbi çdo të keqe mbi tokë! Dhe kur do të mësonim se Vasil Xhani,-sepse keshtu e quanin,- dikur kishte qënur marinar në një anije greke dhe prift qe shungulluar në Janinë a në Korfuz, pasi kishte kryer edhe një shkollë a kurs orthodhoksie, do na bëhej ca më i afërt akoma, më tokësor e njerëzor! Gjithsesi ai kishte hyrë, për të gjithë ne, në “Hierarkinë e Zotit” që ishte dhe nuk ishte në qiell, po kudo ku ndodhej, si mbrojtës i yni, kur mbi tokë “luheshin” edhe mizori të tilla si luftërat vëllavrasëse, sëmundjet shfarrosëse, mandeje edhe futjet nëpër burgje e vrasje njerëzish të pafajshëm, si edhe “fërtuna” si ajo që erdhi gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, kur shembën kishat e manastiret dhe priftërinjëve u rruan mjekërat e u hoqën rasot e kandillanafet në vitin e tmerrshëm të 1967-ës! Kishin kaluar, gjeri atëhere 360 vite, qysh kur u vendos guri i parë i kësaj kishe, që do të rrëzohej tani brenda pak orësh nga të rinjtë e “verbëruar” të shkollës së Piqerasit.
“Gojët e fshatit” rrëfejnë tani njëfarë legjende për këtë ndodhi të jashtëzakonëshme, të pangjarë në çdo skajë të rruzullit tokësor, sikur atë udhëheqësin e turmës së të rrinjëve të “verbër”që shembën kishën e fshatit, e ndëshkoi vetë Perëndia, me një kusur fare “të vogël”: i preu vetëm atë gishtin që u rrëfeu atyre se ç’do të bënin në drejtim të tempullit të shenjtë! Dhe kur ai vajti e u ul në zyrën e tij, duke mbyllur mirë derën e dritaren, ndodhi një plasje minash atje poshtë në gurore, afro 100 metra larg dhe një cifël e mprehtë guri e shkëputur, mori trajektoren e rrufeshme, theu xhamin e dritares e u përplas vrullshëm mbi duart e tij të “zeza”, duke i prerë vetëm gishtin që u rrëfeu tempullin e Zotit atyre të rinjëve pa noimën e duhur! Nje rastësi e sajuar doemos, si në ato legjendat e lashta, që tregon për zemërimin e Perëndisë ndaj tokësorëve të papërgjegjshëm!
Po ama besimi në popull nuk shuhet kollaj. Aq sa plakat e fshatit, sa moren vesh këtë gjëmë, u ngrenë natën e vajtën morën gjithë ikonat në kishë e në manastir dhe i fshehën në bodrumet e shtëpive, për të ndezur edhe qirinjtë fshehurazi a ndonjë kandile vaji, kur vinin ditët e shënuara… Qe koha kur unë do të dënohesha edhe për një dramë që nuk i pëlqeu Enverit e do ta vuaja ndëshkimin në Burgun e Ballshit, ku përbri kapanonit tim qe edhe një kapanon tjetër i tejmbushur me klerikë të të gjitha feve e besimeve së bashku, me mjekëra të rruara e kokë të qethura, si delet. Po Toti i Xhane nuk i arriti këtij poshtërrimi! Po ç’bëhej vallë me Totin e Xhane? Ai kishte ndërruar jetë, dy muaj para kësaj gjëme, sikur ta dinte se ç’do bënin mëkatarët, si të ishte një ëngjëll i bekuar nga vetë Perëndia. Ra për të fjetur në mbrëmje, i qetë si zakonisht e në sabah nuk u ngrit më, ashtu i pazëshëm, me “flatrat” për të shkuar tek ZOTI I GJITHËSISË, ku e kishte vendin. Dhe, kur plakat e fshatit, i shpunë përsëri ikonat në manastir e në kishën e sajuar midis dy pallateve, duke i rënë në zi edhe asaj kambane të gjetur, nuk do të dëgjohej më zëri i tij i bukur në meshën e fundit, të asaj meshe në gjuhën shqipe, që dinte ta bënte vetëm ai, Toti i Xhane, që gjithsesi mbeti në zemrat e fshatarëve, si nje njeri i mirë, i dashur e ortodoks i besimeve të shënjta që nuk vinin më… As bastuni i tij nuk do të trokëllinte më në “Rimin e Xhane”, për të dalur edhe Urania tek porta…
Athinë, qershor 2022.
Please follow and like us: