Albspirit

Media/News/Publishing

Fan Noli: Ne jemi shqiptarë, e kemi për detyrë të mbetemi të tillë!

 

 

Prof. Ksenofon Krisafi

 

Nuk është e lehtë të guxosh të flasësh për figura madhore si Fan Noli, sepse për të është shkruar pafundësisht nga studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit, siç janë Nasho Jorgaqi, Arben Puto, Vehbi Bala, Behar Shtylla etj.

Por, kjo nuk mund të invokohet si motiv për të paragjykuar cilindo që, sipas fushës së vet të studimeve, si edhe të dhënave dhe fakteve burimore, bibliografike dhe arkivore, që ka në dispozicion, mendon dhe tenton të japë diçka ndryshe, qoftë edhe duke e parë dhe vlerësuar figurën e tij nga një këndvështrim tjetër.

Pa pretenduar për zbulime të bujshme rreth jetës dhe veprës së shquar të tij, në këtë kumtesë  trajtohet veprimtaria dhe kontributi i Nolit në diplomacinë shqiptare, në disa momente të veçanta të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në vijim, të shtetit shqiptar.

Siç dihet mirëfilli Noli kishte profilin e spikatur të një poliedriku. Ai ishte politikan, diplomat, filozof, sociolog, publicist, gazetar, gojtar, ligjerues, krijues, letrar, poet, kompozitor, muzikolog, shqipërues, studiues, historian, enciklopedist, erudit i klasit të parë, teolog, klerik e predikues etj. Ishte ndërkohë edhe një personalitet i mbrujtur me ideale të thella e të pastra kombëtare.

Por, siç thotë biografi i tij, Nasho Jorgaqi, përfaqësonte tipin e një politikani ndryshe, që rrezatonte kulturë, njeriun me horizont të gjerë dhe me koncepte demokratike, udhëheqësin e hapur e të sinqertë. Kishte shpirt dinamik, i pëlqenin sfidat, synonte drejt shtigjeve të pashkelura dhe kjo ndodhte brenda një natyre artistike dhe ëndërrimtare, një natyre të gatuar me shumë ndjenja dhe me vizione të bukura.

Ky ishte Noli që u përfshi gjallërisht në veprimtaritë e Levizjes Kombëtare Shqiptare, madje si personazh i rëndësishëm i saj. Fillimisht kontribuoi me mendime në shtyp duke u shprehur për drejtimet kryesore të politikës që shqiptarët duhet të adoptonin në raportet me Turqinë, pjesë e së cilës ishin dhe me fqinjët, të cilët, duke përfituar nga situatat e Perandorisë Osmane, në shpërbërje e sipër, përpiqeshin ta zhduknin krejt Shqipërinë.

Për të frymëzuar vendosmërinë dhe besimin e shqiptarëve në arritjen e lirisë së atdheut, në një shkrim të botuar me 4 korrik 1906, deklaronte se “ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe të qiellit… të vrapojmë… të shkruajmë me shkronja të zjarrta “Rroftë Shqipëria e liruar…”

Lufta për lirinë e vendit të vet do të ravijëzonte tërë jetën e Nolit.

Një rast fatlum për të marrë përsipër përmbushjen e detyrave ndaj atdheut i erdhi kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë e vendit. Lajmi e gjeti në udhëtim për në Europë, drejt të cilës ishte nisur më 27 nentor 1912, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe ndërgjegjësimin e faktorit politik europian në perkrahje të çështjes shqiptare.

Me marrjen e njoftimit, shpejtoi dhe, më 6 dhjetor 1912, nga Londra, ku ndodhej, i dërgoi Ismail Qemalit një leter, në të cilën i shprehu dëshirën që të vihej në dispozicion të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

“S’pres veçse të më urdhëroni, shkruante, … do ta kem për nder dhe do t’ua di për mirë që t’i shërbenj vendit tim në një luftë për jetë dhe vdekje. Në është nevojë të ndodhem në Shqipëri, ju lutem shumë epmëni zë, që të nisem menjëherë. Do të pres deri sa të më thotë guverna e atdheut ç’udhë të marr”.

Përfundonte me fjalët: “Ju përgëzoj për veprën tuaj patriotike. Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i ri!”.

Por, ndërsa Noli ishte kapluar nga entusiazmi, Ismail Qemali e gjykonte  çështjen në një optike tjetër, më racionale. I bllokuar në Vlorë nga anijet e fqinjëve, dërgoi në Londër një delegacion të pajisur me plotfuqi, me përbërje domethënëse multifetare, të përbërë nga myslimani Rasih Dino, katoliku Filip Noga dhe i ortodoksi Sotir Kolea, të cilët jetonin jashtë Shqipërisë.

Në mungesë të reagimit nga Vlora dhe meqenëse situatat po precipitonin me shpejtesi, Noli vendosi të vepronte në shërbim të qeverisë së vet dhe kauzës së atdheut.

Diplomat “i pajisur me plotfuqi” virtuale nga ideali dhe ndërgjegjja e tij kombëtare, trokiti në dyert e disa ambasadave me seli në Londër. Përfaqesuesve diplomatikë, me të cilët u takua përpiqej, t’iu mbushte mendjen se “Një Shqipëri e lirë është nevojë absolute për paqen në Ballkan”.

Iu kërkonte që të ushtronin ndikimin e tyre te përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, pjesëmarrëse në Konferencën e ambasadorëve në Londër, si dhe te parlamentarët dhe qeveria britanike, te diplomatët dhe sidomos në shtypin influent britanik.

Nga interlokutorët nuk mori përgjigje shpresëdhënëse.

Megjithatë, nuk u ndal, iu drejtua shtypit, duke marre kontakte me gazeta të njohura si “The Daily Graphic”, “Evening News”, “Times”, “The Catholic World”. Iu kërkoi ta pasqyronin pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë.

Pak më vonë avancoi me shkrime të vetat si dhe me intervista në gazeta, të cilave iu dërgoi për publikim edhe dy memorandume për çështjen shqiptare.

Nxiti krijimin e “Albanian Committee”, me kryetar shqiptarofilin Obrey Herbert.

***

Pas Luftës së Parë Botërore, kur shteti shqiptar u ringrit, Noli u bë zyrtarisht pjesë e politikës së jashtme dhe veprimtarisë diplomatike.

Tashmë ai kontribuoi ne diplomacine shqiptare jo vetëm si diplomat në kuptimin e ngushtë të fjalës, por edhe si ideator dhe realizues i politikës së jashtme të shtetit shqiptar, së paku në katër pozicione.

Së pari, në atë të kryetarit të delegacionit shqiptar në Gjenevë, gjatë përpjekjeve për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Së dyti, si deputet në Parlamentin shqiptar dhe kryetar i opozitës.

Së treti, si ministër i Punëve të Jashtme.

Së katërti, si Kryeministër.

Pas përmbysjes nga pushteti në dhjetorin e 1924 dhe largimit nga Shqipëria, ai mbeti politikan i paangazhuar formalisht, por gjithmonë aktiv në dobi të vendit të vet dhe si diplomat, politikan etj, ka dhënë kontribute të çmuara në afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare dhe të shtetit shqiptar, në ruajtjen e pavarësisë, sigurisë kombëtare, paprekshmërisë së kufijve të vendit si dhe për prosperitetin ekonomik të vendit.

Roli dhe aftësitë e tij si diplomat u dëshmuan veçanërisht në Lidhjen e Kombeve. Talenti, erudicioni dhe njohuritë e gjera në shumë fusha të dijes, përkushtimi dhe pathosi patriotik, spikatën dukshëm si gjatë përpjekjeve për pranimin e Shqipërisë në organizatën e Gjenevës.

Qeveria shqiptare në Tiranë, Noli dhe bashkëpunëtorët e tij, në Gjenevë, në Paris dhe pranë kancelerive të tjera të diplomacisë botërore, përpiqeshin të sensibilizonin qarqet më të larta të politikës ndërkombëtare, për të marë votën pro të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve të tjerë, për anëtarësimin e Shqipërisë. Kjo u sigurua falë një pune të jashtëzakonshme, por edhe shfrytëzimit të konjukturave nga ana e disa shteteve, që e shihnin Shqipërinë e ardhshme, anëtare të Lidhjes së Kombeve edhe si sferë të interesave të tyre politike dhe ekonomike.

Asamblea e saj pasi e kishte shqyrtuar dhe rishqyrtuar disa herë kërkesën shqiptare, atëhere kur shpresat dukeshin të zbehta, e miratoi atë më 17 dhjetor 1920. Rol pozitiv të pamohueshëm luajtën anglezët Robert Sesil, Neëton Rowell, përfaqësues zyrtarë të Afrikës së Jugut dhe Kanadasë. Ata dhe Noli, si kryetar i delegacionit shqiptar, skualifikuan me argumente juridike tërë pretendimet negativiste që vinin nga fqinjët.

Në mbështetje të arsyetimeve të veta Sesil tha diçka që ka mbetur aktuale edhe në ditët tona. “Territori i Shqipërisë ndodhet në një pjesë të botës që është vatra e turbullirave për Europën. Asgjë nuk është më thelbësore për paqen europiane se sa një rregullim i çështjes së Ballkanit. Të gjithë ata që e shohin të vërtetën në fytyrë do të bashkohen me këtë mendim. Sa më shumë vonojmë për rregullimin e çështjeve nacionale në Ballkan aq më shumë do të konservoheshin kërcënimet dhe rreziqet për paqen europiane.”

Ai theksoi gjithashtu se populli shqiptar, ashtu si dhe mjaft popuj të tjerë e kanë treguar patriotizmin e vet nëpërmjet luftrave për liri dhe ekzistencë. Patriotizmi shqiptar është po aq i fortë sa ai i zviceranëve apo francezëve. Shqiptarët e dëshirojnë me zjarr pavarësinë e tyre dhe këtë e kanë mbrojtur me luftë.

Duke abstraguar për mungesë kohe, nga shkaqet e zhvillimeve disi të çuditshme, që u shfaqën gjatë anëtarësimit të Shqipërisë, gjerësisht të kontestuar nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha, deri më 17 dhjetor 1920, por çuditërisht të pranuar pa asnjë votë kundër, duhet të theksoj se të nesërmen, Noli, ambasadori i parë shqiptar në Lidhjen e Kombeve, së bashku me delegacionin e tij zunë vendin e vet në sallën e Asamblesë së saj.

Pranimi i shërbeu forcimit të pozitave ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Veprimtaria e Nolit, qëndrimi, aksionet e ndërmarra prej tij në Gjenevë në raportet me organet e Lidhjes së Kombeve, me shtetet fqinjë dhe shtetet e tjerë anëtarë, tregojnë vlerat e tij si një diplomat i kultivuar edhe pse nuk kishte as shkollimin dhe as kualifikimin e posaçëm si i tillë.

I ndërgjegjshëm se fare pak nga ato që do të deklaronte meritonin përfaqësuesit e tyre, për të mos thënë aspak, më 18 dhjetor 1920, në seancën plenare të Lidhjes, i shprehu mirënjohje të thellë Italisë, Greqisë dhe Serbisë, sjellja e të cilave, sipas tij, paskëshin prekur popullin shqiptar, si dhe Fuqive të Mëdha dhe shteteve të tjerë. Nuk harroi të thoshte edhe se “pranimi ynë nderon Lidhjen”.

Këto ishin shprehje dhe veprime që vetëm një diplomat me dhunti të holla si Fan Noli mund t’i bënte.

***

Në ditët dhe vitet që do të vinin Noli dhe përfaqësues të tjerë me vlera profesionale e kulturore, por edhe me atdhetarizëm të spikatur do të angazhoheshin për sigurimin e kufijve dhe të tërësisë territoriale të vendit. Ai dhe kolegët e tij përballuan përpjekjet e pandërprera të serbëve në verë për të marrë Shën Naumin dhe Vermoshin dhe të grekëve në jug për zotërimin e 26 fshatrave në jug. Noli i cilësonte ato si veprime që jo vetëm dëmtonin Shqipërinë, por vinin në rrezik paqen në krejt gadishullin e Ballkanit, prandaj  Lidhja e Kombeve duhet të ndërhynte sa më parë për shuarjen e konfliktit.

“Unë, deklaroi Noli, jam thellësisht i prekur nga këto deklarata dashurie nga të gjithë fqinjët tanë… Ne i duam serbët po aq sa ata na duan. Nuk kërkojmë më shumë prej tyre, kërkojmë vetëm të na lënë të qetë.

Kërkesa e Nolit, e përkrahur edhe nga përfaqësues të disa shteteve, bëri që konflikti shqiptaro-serb të shqyrtohej nga Këshilli i Lidhjes, që vendosi në favor të Shqipërisë.

Pretendimi i Greqisë për 26 fshatrat të zgjidhej me një lloj kompromisi të imponuar.

Noli u shqua fuqishëm edhe si kryetar i delegacionit shqiptar në sesionin V të Lidhjes së Kombeve, të vitit 1924, kur ai ishte edhe kryeministër i Shqipërisë. Megjithë ndonjë ekces të komentuar dhe vlerësuar me doza ekzagjerimi, veprimtaria dhe qëndrimi i tij në Gjeneveë në vjeshtën e atij viti, bëri përshtypje të mira dhe u vlerësua pozitivisht nga shtypi i kohës.

Noli, me zhdërvjelltësinë e tij të jashtëzakonshme kuptoi se vendi nuk mund të kishte të ardhmen e dëshiruar pa relaksuar dhe zhvilluar normalisht marrëdhëniet me vendet fqinjë, për çka ai punoi me sa mundi, si dhe pa u lidhur me një aleat të fuqishëm.

Përsa i përket përzgjedhjes së partnerit strategjik, ai e kishte ndarë mendjen me kohë. Ai do të ishte vendi të cilin e konsideronte si atdheun e tij të dytë, SHBA.

Kjo është edhe arsyeja pse në një nga fjalimet më panegjirike dhe më elokuente të tij, mbajtur në Parlamentin shqiptar, si homazh për vdekjen e Presidentit Uillson, e cilësoi atë si amerikan të madh, idealist, kalorës të paqes, të vëllazërimit dhe të mirëdashjes ndërkombëtare, luan e titan.

***

Duke e përmbledhur mendimin e tij, me një simetri gati të plotë me zhvillimet e ditëve tona, tha se do të mjaftonte vetëm epiteti amerikan që t’u ngjallte shqiptarëve respekt e t’u kujtonte se emri i tij ishte i lidhur me shtetin që i kish sjellë aq të mira dhe dobi Shqipërisë.

Por nuk mund të lihet pa përmendur edhe akti për të vendosur marëdhënie diplomatike me ish Bashkimin Sovjetik, të parin shtet socialist. Mund të ishte ndoshta edhe rrjedhojë karakterit të tij që synonte drejt shtigjeve të pashkelura, por ai përfundoi ashtu siç nisi, pa rezultat.

Parë në tërësinë e tij, Noli mbetet shëmbëlltyra e një diplomati ekselent, klasik dhe modern njëkohësisht, që e deshi shumë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe që vuri në shërbim të tyre gjithçka, përfshirë edhe aftësitë e jashtëzakonshme në fushën e diplomacisë.

Ai mbetet model i përkryer për t’u ndjekur nga diplomatët e sotëm shqiptarë, si përsa i përket përkushtimit për vendin ashtu edhe profesionalizmit dhe vlerave që demonstroi.

 

*****

Kumtesë në 140-vjetorin e lindjes së Fan Nolit, në Akademinë e Shkencave, Tiranë, 17 qershor 2022.

Please follow and like us: