Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Qeni, himnet kombëtare dhe propaganda!

 

 

Sipas Edi Ramës ata që e kundërshtojnë nuk janë asgjë tjetër por qentë që lehin. Kjo gjegje i erdhi ndërmend fal ndonjë qeni të rastësishëm diku aty në Prishtinë, në kohën kur ai po fliste krahas Albin Kurtit. Midis të tjerave ai pretendon se nuk ka asgjë mes atij dhe Albinit. Se nuk është ai që e rrëzon Albin etj., por vet Albini. Dhe si bohem endacak që është u kërkoj llogari dy ministrave të qeverisë së Albinit për mos përmbushjen në afat të disa marrëveshjeve. Ajo çfarë është e trishtueshme është fakti që Edi Rama reklamon tek shqiptarët raportet e komunikimit që duhet të ekzistojnë mes dy vendeve tona, apo mes dy shteteve të shqiptarëve. Kjo në optikën e atij që kërkon të imponohet. Se në aspektin normal duhej ta mbylli gojën. Për më tepër që vjen nga një background si gjeneral i bastardimit të komunikimit me faktorin politik në shtetin e tij. Ai është publikisht i deklaruar në investime kolosale në shkatërrimin e opozitarizmit, madje e vazhdon këtë retorikë edhe sot e kësaj dite nga foltorja e kuvendit, duke u imponuar kudo se kë njeh dhe kë nuk njeh ai opozitë.

Tani u kthye në Prishtinë menjëherë. Opinioni mbarë shqiptarë kishte një indinjatë me kollajllëkun e mendësisë Edi Rama me genocidin serb në Kosovë? Me atë kërkesën absurde karshi Kosovës për t’u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur etj. Aq sa të ishte krijuar përshtypja që shumë shpejtë Edi Rama do e kishte të pamundur të vizitonte një ditë Prishtinën. Kjo e bëri ta nisi me ca spote televizive sa nga Haga aq edhe në shtëpinë e prindërve të ish Presidentit Hashim Thaçi. Me Behxhet Paçollin por edhe me dyshekët e Devollit, autobuzin e qeverisë së tij e cila gjoja po kursente karburantin etj. Për të përfundur tek show i imponuar publik me qeverinë e Albin Kurtit. Të gjitha janë të panevojshme, qyteari i Prishtinës nuk do ta refuzonte kurrë një shtetar shqiptar. I vetmi refuzim që do bënte dhe me sa duket e bëri, është kalimi në heshtje i sojit politik Rama. Qytetari i Prishtinës në raport me atë Tiranës është më i mbushur me ndjenjën e atdheut. Kësisoj mund t’ia fali mëkatet komsolasve të Tiranës. Madje edhe ndonjë avokati qeveritar kokëbosh që thotë se Prishtina duhet ta kuptojë se qëndra e shqiptarisë është Tirana.

Nga sa informohemi nga shtypi janë plot 19 marrëveshje që u firmosën dhe po t’i futesh historikut kaq vjeçar të gjitha janë një vërr në ujë. Ajo më e rëndësishmja, e hekurudhës mes Durrësit dhe Prishtinës është diku e kamufluar ndër disa dikastere që nuk kanë lidhje fare apo marrëveshjet me protokollet në pikat doganore etj. Marrëveshje të tilla quhen teknike dhe mund të përpilohen mes ekspertëve, pa bujë televizive. Po të hap doganën tani në sezonin e palzhit, por trarin në Kukës nuk po ta heq. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për marrëveshje me investime strategjike. Madje ajo e linjës hekurudhore duhej të ishte e para dhe vetmja publike. Rrezik nuk ka shqiptar në botë që nuk do dali vullnetar të nguli kazmën aty. Për më tepër që damari është…, por transeve të vjetra a linjave ekzistuese në Shqipërinë e Edi Ramës u kanë mbetur vetëm kockat.

Por Edi Rama nuk do t’ia dijë për këtë fare. Nëse hap doganat tani për shqiptarët e Kosovës dhe ato biznese që ai vizitoi e bën për shpëtuar veten. Shqiptarët e Kosovës janë një aset i madh ekonomik për plazhet e Shkodrës, Lezhës e Durrësit. Kthejeni nga të doni, edhe kjo e sotmja ishte një vizitë e imponuar, jo për të fuqizuar raportet ndërshqiptare, por kultin e tij të individit.

Please follow and like us: