Poezia e Kipling vjen në shqip nga Arqile Garo
Nëse ja del të ruash gjakftohtësinë kur njerëzit rreth teje
të shkalafitur janë, e ty të fajësojnë për këtë rrënim beter,
nëse ja del të kesh besim tek vetja, kur askush në këtë farë feje
nuk të beson, por ti ja del që t’ua falësh mosbesimin tmerr,
nëse ja del të presësh pa e humbur për asnjë moment durimin,
dhe kur të tjerët shpifin, ti mashtrimin kurrë mos ta pranosh,
dhe po të urryen, tek hakmarrja shtazarake mos e shkosh mendimin,
por dhe si filozof mos t’iu përgjigjesh, të mos shfaqesh si mirosh,
nëse ja del të ëndërrosh, por pa u bërë ëndërrimtar i rrjedhur,
nëse ja del që të mendosh, veç pa u bërë një leshko mendimtar,
nëse triumfi edhe humbja po të njëjtën ngjyrë tek ti kanë derdhur,
dhe nëse po njëlloj i përballon të dy tiranët mashtrimtarë
e nëse shpirti yt duron që, të vërtetat që ke thënë me ëndje,
të përçudnuara nga dashakeqtë, në kurthe të jenë shndërruar, për idiotë,
apo gërmadha t’i shikosh ato, që për një jetë të thithën shpirt e mendje
dhe nga e para të fillosh t’i ngresh, me vegla, që veç vegla s’quhen dot,
nëse ja del që gjithë ato që ke fituar t’i bësh tok, të tëra,
dhe pa ngurruar, si lojtar, në një të vetëm shans t’i rrezikosh
dhe t’i humbasësh: dhe të nisesh, pa e kthyer kokën, pa thënë: ç’bëra,
që kurrë njeri të mos mësojë për humbjen, e prapë t’i rifitosh,
nëse ja del që nerv e muskuj, trup e mend t’i ngresh edhe t’i shtrosh
që të punojnë sërish, e le të jenë prej kohësh konsumuar,
e drejt në këmbë, kur gjë nuk të ka mbetur, të qëndrosh,
veç me vullnetin që kushtrimin “mbahuni!” mbi to ka të drejtuar,
nëse ja del që në mes turmash dallkaukësh të mbash lart virtytin,
me mbretër në mësallë të kuvendosh e koka “mos të t’ marri erë”,
nëse armiq por edhe miq që të rrethojnë s’ta çthurrin dot ty mitin,
nëse gjithë botën dashuron, gjithmonë duke e çmuar veç, çdo vlerë,
nëse ja del që çdo minutë të pamëshirshme të një ore,
ta përjetosh në çdo sekondë si një të fundëm rrugëtim,
gjithë botën tënden do ta kesh, në pëllëmbën e një dore,
po dhe më shumë: Si burrë i shquar do nderohesh, biri im.
Shqipëroi: Arqile Garo.