Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: ATJE KU JAM RRITUR

 

Atje ku jam rritur unë,
të quajnë të lojtur, po të shkruash.
Fjala ‘poet’, është si pistoletë pa fishekë.
Për njerëzit je një dele e humbur rrugës,
më së shumti, je dikush që kështjella prej letre ngre.
Ku jam rritur, ujërat e lumit të thërrasin poet!
Ndryshe prej njerëzve, loja e rrjedhës të thërret.
Si një perëndi e pavdekshme ndjehesh atje,
dhe hëna syrin e fshehur përmes drurëve të shkel.
Atje ku jam rritur, njerëzit jane të vrazhdë.
Si kurvë që të merr në qafë u ngjan poezia…
Më shumë vlerësojnë harbutët e djajtë,
nga poeti largohen si t’u ketë rënë mbi kokë çatia.
Ku jam rritur unë,
dhe pulat në kotec e përqeshin poetin;
“Po çi duhet, të uruarit, thonë, poezia…
Ajo në shtatë qiej me ëndrra të ngre,
po kur zbret në tokë është zbrazur kusia…”.
Po vjeshta e ndjell në mbretërinë e saj poetin.
Si murg gjuhëprerë që s’ mund të thotë të vërtetën!
E mbulon me fletë të rëna si të qenë monedha,
dhe e deh me kupat mbushur me mjegull.
Por dhe dimri plak e fton në oxhak,
me erëra dhe stuhi i përgatit një darkë.
Në fund e gostit dhe me petulla resh,
pastaj e përcjell në udhën e tij të shenjtë.
Shumë e duan dhe shumë se duan poetin…
Atje ku unë u rrita,
të jesh poet është fjalë e mbrapshtë.
Më shumë se lugati tremben prej tij njerëzit;
“Nga na mbiu, i thonë vetes, kjo farë”…
Atje ku u rrita, nuk ka vend për poetin,
në sofër se ulin, me qenin e lënë jashtë.
E mendojnë nje gjëmëprurës, të shenjuar nga mallkimet,
një orakull që do sheshojë Trojën e tyre të artë.
Atje ku unë linda, si duan poetët!
Hiqen sikur i duan, vetëm kur s janë më gjallë.
31. 10. 2020.
Please follow and like us: