Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Pak fjalë për qënien njerëzore…

Kur dëgjojmë të flitet për shpirtin, mendja na shkon tek mirësitë ose tek ligësitë e njeriut dhe menjëherë themi: “e ka shpirtin e mirë, e ka shpirtin e madh”, ose e kundërta, “shpirtlig, shpirtvogël”. Këto përfundime na ofrojnë mundësinë të gjykojmë sipas veprës së njeriut, duke vënë edhe këto epitete të përmendura më sipër.
Të ndërtosh një shpirt të mirë, nuk do të thotë se të duhen tulla apo llaç, është krejt e kundërta, vepra e njeriut personifikon edhe shpirtin e tij, por veprën e prodhuar me zemër të bardhë dhe mendje të kthjellët. Kur themi shpirtmadh, nuk kuptojmë madhësinë apo gjerësinë e shpirtit, pasi shpirti nuk matet me metër, por nënkuptojmë sa e madhe është dashuria brenda shpirtit të njeriut të mirë, i cili realizon në jetën e tij, vepra me shpirt të madh dashurie.
E kundërta është personifikimi i njeriut me shpirt të vogël dhe të lig, ku dallojmë përmes veprës që ai realizon punë të kota, prodhuar nga mendje e çalë që nuk kujdeset për punët e shpirtit, por i shërben kotësisë dhe varfërisë, ndaj edhe vepra e këtij shpirti të vogël del e padobi.
Nuk anashkalojmë traditën e besimit, i cili ndan mendësinë e njeriut, se cilës udhe i përket, asaj të dashurisë, apo asaj tjetrës, që e lufton dashurinë.
Në besim rritet feja, në besim rrënjoset dashuria, në besim çimentohet ndjenja e përvujtërisë ndaj Atij që i përket, i cili është Zoti yt që duhet t’i shërbesh me besnikëri absolute e jo të lëkundur. Lëkundja në besim, është shenjë e paqartësisë së ndjenjës që i dhurohet vullnetit të Tejetlartit.
Vullneti nuk dorëzohet në fushë dominoje ku hidhen gurë dhe luhet për të fituar. Besimi nuk është si zari që hidhet e nuk e dihet se ku do të bjerë. Njeriu është i aftë të kuptojë sasinë e besimit që i dhurohet dhe që dhuron. Si zbërthehet kjo dije? Na dhurohet besim dhe dhurojmë besim. Por sa i madh është besimi që na dhurohet për të kuptuar, se kjo është dhuratë të cilën nuk mund ta nëpërkëmbësh e ta hedhësh si short në lojë për të fituar.
Ndjenja njerëzore luhatet nga vështirësitë, të cilat montojnë besimin në trungun e së vërtetës, e cila hedh rrënjë e çel filiza shprese se po shijon atë dhuratë, e cila të ka munguar në ditët e jetës tënde. Por sa besim dhurojmë për të merituar atë vlerë që na bën të pasur dhe trashëgimtarë në ekzistencë?
Ndjenja është e lidhur fort me besimin, e që të ecin bashkë me njera-tjetrën pa patur frikë se shkëputen nga efektet e kohës, duhet që shpirti të stërvitet si në mot të mirë, ashtu edhe kur moti është i vështirë. Stërvitja nuk e lodh shpirtin por e forcon atë. Lodhet ai që besimin e ka si ujin e vakët, të cilin nuk e kapërdin dot kur kërkon të freskosh shpirtin.
T’i shërbesh Zotit krijues në besim, vullnet dhe dashuri, është koha më e bukur dhe e përplotë e asaj që jemi dhe që përfaqësojmë. Muri i paqartësive është i lartë për trupin e njeriut, e për ta kapërcyer atë, nuk duhet forcë trupi, por shtjellim mendimi dhe mençurie, të cilat e ndihmojnë shpirtin të kapërcejë çdo vështirësi, sado të mëdha qofshin ato. Nëpërmjet vështirësive matet edhe fuqia që e furnizon shpirtin njerëzor, i cili vihet në provë pendese dhe besimi.
Të braktisësh udhën e provës kur je i thirrur të përballesh me të, do të thotë se besimi brenda shpirtit nuk ka hedhur rrënjë, të cilat ushqejnë ndjenjën që furnizon mendimin duke dhuruar shpresën e jetës dhe të bashkimit me Zotin, i cili na do ushtarë të përvujtë, besnikë të përvujtë, duke mos menduar se sa të zotë jemi, por sa të gatshëm jemi për t’i shërbyer të vërtetës, e cila nuk na zhgënjen me bukuritë e saj, përkundrazi, bën që të ndërtojmë me hiret e saj ato mrekulli, të cilat i shërbejnë vetëm një qëllimi, atë të fitimit të çdo shpirti që udhëton pa e njohur dritën.
Rrezja e shpresës ndriçon për këdo që sheh dritë në fund të tunelit. Kjo dritë është drita e amshuar, e cila dhurohet e nuk dëmton.
Të mposhtësh frikën e humbjes, do të thotë se jeton në kohën ku betejat zhvillohen nga drita e jetës, e cila u buzëqesh të gjitha krijesave duke dhuruar atë dashuri, ku çelin lulet e shpresës që lulëzojnë mbarë krijimin!
22 Qershor 2022
Please follow and like us: