Epigrame nga Viron Kona
Një poçe dritë
Kjo erësirë e madhe,
Kudo përhap frikë,
Menjëherë dorëzohet,
Nga një poçe dritë!
Ke para, s`ke para
Ke para, je dijetar,
Ke para, gjithnjë fiton,
Ke para, të drejta ke,
Ke para botën sundon.
S`ke para, je budalla,
S`ke para, asgjë ti s`di,
S`ke para, kot ekziston,
S`ke para, s`ta var njëri!
Një ditë
Sado dinak të jesh,
Të keqen ta mbulosh,
Një ditë ç`ke bërë do dalë,
S`mbulohet dielli me shoshë!
Kameleon
Miku ka një hall, ndihmë po të kërkon,
Ti dredh muhabetin, fjalët i ngatërron,
Duket s`qenke mik, çdokush e kupton,
Miku hallexhi, ti kameleon.
Mosmirënjohës
U mësove keq,
Me ndihmat e tij,
S`ka si ai thoshje:
Iu bëftë dita një mijë!
Një ditë ai s`mundi,
S`dërgoi para`,
Gjithçka e harrove,
The: ish maskara!
Kushedi pse?
U kujdes për ty,
Si edhe për veten,
Kur ra nga pushteti,
I vare “teneqen!”.
Dredharak
Dridh andej e dridh këndej,
Shkon e vjen si pehlivan,
Por befas mashtrimi del,
Se dritën asgjë s`e ndalë.
Hero!
Erdhën kohë të tjera,
Hidhu edhe ti,
Rregullo biografinë,
Ke pare, flori.
Fillo shpejt lëviz,
Krimet i mbulo,
Me “faktet” e reja,
Ti dole hero!