Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (10)
Nexhat Halimi filloi të shkruaj vargje poetike në vitet e hershme të jetës, ndërsa ende ishte nxënës i shkollës fillore. Këtë e dëshmojnë shumë detaje, shumë gjurmë që janë ruajtur me përkushtim të madh. E cekim njërin ndër aktivitetet e tij në shkollën fillore të Dumnicës, ku te mësuesi dhe te patrioti i shquar Azem Beqiraj mësoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe nisi vargnimet e para poetike, pastaj në shkollën fillore “Vuk Karaxhiq” të Prishtinës dhe në “Branislav Nushiq”, para se të regjistrohej në gjimnazin “Sami Frashëri” – atëherë “Ivolola Ribar”, udhëtoi ndërmjet stacionesh të jetës mes mjegullash të errëta e të ashpra. Në kohën sa ndiqte mësimet në shkollën fillore “Gjergj Fishta”, siç shkruan gazeta “Rilindja”, me përpjekjet e vazhdueshme të arsimtarit Rrustem Berisha, poet, i cili vendosi dhe gazetën e murit, në të cilën gjendeshin dhe vargjet e Nexht Halimit, tregimet e Nerimine Zajmit e me radhë. Mbaheshin orë letrare, njëra pas tjetrës. Në orën e dytë letrare përveç poetëve të vegjël mori pjesë dhe poeti për fëmijë Vehbi Kikaj, atëherë redaktor i “Rilindjes për fëmijë”. Me atë rast, – lajmëroi Nexhat Halimi, për gazetën “Rilindja, – të kishte ënda të shihje vocërrakë të të gjitha klasave të cilët ishin tubuar me ndëgjuar fjalën e shkrueme të shokëve të tyre. Mbasi i lexuan shkrimet e veta, nxënësit zhvilluan diskutime të gjana në të dy gjuhët për romanin “Dielli lind në jug”.
Fotoreporteri pas orës letrare i bëri disa fotografi me nxënësit poetë, njërën nga të cilat Vehbi Kikaj e botoi në faqet e ‘Rilindjes’, aty shihen Nermine Zajmi, Nerimane Spahiu, Nexhat Halimi e me radhë.
“Më kujtohet mirë… ende herët shpirti më qe pajisur me zgjedhën e robërisë, e cila rëndonte mbi mua. Më vlonte gjaku, i nxitur nga rrëfimet e nënës për çaste të rënda, të cilat populli i përjetonte nën pushtetin e huaj. Mbrëmjeve të dimrit sidomos e dëgjoja me përqendrim nga rrëfen ngjarje tronditëse nga e kaluara shqiptare, për disa nga trimëritë e shumta, të cilat sot këndohen në ndeja me çifteli, siç është ajo për Demë Ahmetin nga fshati Mavriq, të cilit ditën e festës së bajramit ndërsa burrat kanë vajtur në xhami shërbëtori- rrogëtari i tij serb, ia robëron familjen dhe e nis thellë në Serbi, për t’u argëtuar me femrat. Me t’u kthyer në shtëpi, Demë Ahmeti e kupton çfarë ka ngjarë dhe mësyn me disa trima për t’i shpëtuar gratë e vashat e reja… Me atë rast, ndërsa serbët gjenden të dehur në aheng, ai me trimat e vet i vret një nga një dhe e kthen në shtëpi familjen e vet”.
Nexhat Halimi, publicist, poet, prozator e dramaturg, shkollën fillore, gjimnazin dhe Fakultetin Filozofik – Gjuhë e Letërsi Shqiptare i mbaroi në Prishtinë.
Është nga një familje, e cila – para thikës serbe, iku nga viset e Toplicës më 1878, nga fshati Tullar dhe u strehua në Kosovë. Gjatë shkollimit fillor vjen e është gjithnjë e më aktiv në shkrimin e letërsisë. Në vitet e fundit të shkollës fillore dhe në vitet e para të shkollës së mesme ai shkroi një dramë për fëmijë me të cilën fitoi shpërblimi e vetëm të Qendrës për Kulturë të Kosovës, pastaj shkroi një roman Deri në kryq të cili e botoi në gazetën Flaka e Vëllazërimit të Shkupit. Atëherë shkroi dhe romanin e dytë, i cili mbeti në sirtarët e redaksisë së Plejadës dhe humbi për kundër paralajmërimit të redaksisë se do të botohej në vazhdime në këtë revistë. Revista Letrare Plejada do të mbyllej po atë vit dhe romani humbi. Nga romani arriti të shpëtonte vetëm një tregim, të cilin e përktheu në gjuhën serbokroate HasanMekuli dhe e përfshiu në antologjinë e tregimit shqiptar “Stablo”, botuar në Novi Sad.
Në fund të viteve të `60-ta dhe në fillim të viteve të `70-ta qe bashkë-nismëtar për botimin e revistës letrare “Plejada”, të cilën, përkrye kureshtjes dhe suksesit që arriti ndër lexues, regjimi i atëhershëm e ndaloi.
Për një kohë qe kryetar i Rinisë Letrare të Kosovës.
Vite me radhë qe gazetar, reporter dhe redaktor në gazetën e përditshme “Rilindja”; qe redaktor në rubrikën e brendshme, në rubrikën e korrespodentëve, redaktor i shtojcës javore për radio, televizion, teatër dhe film, redaktor i shtojcave të së njëjtës gazetë, redaktor i faqeve për kulturë, si dhe redaktor i shtojcës për kulturë, letërsi dhe art. Për punën e zellshme u nderua me mirënjohje.
Për një kohë redaktoi edhe faqet e kulturës e të letërsisë në javoren “Zëri i rinisë”, pastaj në gazetën e përditshme “Yliria post” redaktoi shtojcën javore për kulturë, letërsi dhe art.
Qe redaktor përgjegjës në gazetën “Pavarësia News”, në të cilën njëkohësisht redaktoi edhe shtojcën për kulturë, letërsi e art.
Disa vite me radhë redaktoi revistat për fëmijë “Zog mëngjesi” dhe “Mollëkuqja”,
Në revistën letrare “Verbi’ qe redaktor për poezi.
Shkruan për të rritur dhe për fëmijë: tregim, roman, dramë dhe poezi. Deri me tash botoi afër pesëdhjetë libra.
Është përkthyer dhe përfaqësuar me poezi dhe prozë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të botës.
Poet, prozator e dramaturg, Nexhat Halimi me profesion është gazetar-reporter. Shkruan poezi tregime, roman dhe reportazhe me preokupime letrare. Lindi me 16 maj 1949 në Prishtinë, – shkruan Vehap Shita në Leksikonin e shkrimtarëve tanë, më 1986, – I ati, Haliti, është punëtor i tregtisë, ndërsa e ëma, Hatixheja, amvise. Shkollën fillore e gjimnazin e kreu në Prishtinë, ku ndoqi edhe studimet në Fakultetin Filozofik – Degën Gjuhës e të Letërsisë Shqipe. Ende student hyri në punë gazetar i së përditshmes «Rilindja» ku punon edhe sot. Për letërsi filloi te interesohet që sa ishte nxënës I fillores dhe vjershën e parë e botoi në të përditshmen «Rilindja» (1964), kurse në revistën letrare «Jeta e re» për herë të parë u paraqit në vitin 1967 me vjershat «Mallkimi», «Kur vjen» dhe «Trimi i arbrit». Tregimin e parë «Duke ruajtur kufomën» e botoi në këtë revistë në numrin 1/1973. Prej atëherë poezi e tregime boton mjaft shpesh pothuaj në të gjitha të përkohshmet shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, e mjaft shpesh është përkthyer në gjuhën serbokroate.
Poezi e tregime të tij të përkthyera në serbokroatisht janë botuar ne «Knjizhevnenovine», «Mostovi», «Knjizhevnarec” «Tio», «Jedinstvo», «Shkolskenovine», «Odjek», pastaj të përkthyera në rumanisht «Lumina», në turqisht «Tan» (1973) etj. Poezitë e tij janë botuar edhe në antologjinë e lirikës së re shqipe në Kosovë «Shi në një legjendë», («Kisa u jednojlegendi»., «Prosveta», Beograd, 1973 në serbokroatisht dhe «Regen in einerLegende», Heiligenhof, 1977 në germanisht), pastaj në antologjinë e botuar në sllovenisht( e botoi “CankarjevaZallozhba” në Lubljan 1979), në «Dega e pikëlluar» (frëngjisht «La solituded’unebranch», germanisht «Derbekümmertezweig», italisht «Ramosofferente», 1979 dhe anglisht «The sadbranch», 1984) të gjitha në botim të «Rilindjes»; «Etje për diell» («Sla po çardash arnavutshiiri», «Tan, Prishtinë 1979) dhe «Një grusht kaltëri» («Bir avuç mavi», antologji e poezisë së Kosovës në turqisht, «Yalçinyayinlari», Stamboll, 1985).
Përveç kësaj, Nexhat Halimi ka botuar librat: «Parakalimi i etjeve», poezi («Jeta e re», 1969), «Deri në kryq», roman («Flaka e vëllazërimit», Shkup, 1970), «Afërsia e largësisë», poezi (1971), «Hark», poezi (1973), «Vapë», tregime (1974), «Dita e daljes», poezi (1978), «Unë me unë», tregime (1983), «Truphija», poezi (1984) – të gjitha në botim te Redaksisë së Botimeve të «Rilindjes» dhe «Prania e së dielës» («Prisustvonedelje » 1983) në përkthim të Ismet Markoviqit në serbokroatisht dhe në botim të «Jedinstvos» së Prishtinës. Për poezinë e Nexhat Halimit, Jusuf Buxhovi shkruante se është komunikative dhe se ka «temperaturën e duhur shprehëse», ndërsa tregimet e tij në përmbledhjen e parë «Vapë» i quante përpjekje të frytshme që «të orientohet përfundimisht kah një kaheje e re që ka sot gjetkë». Këtë të renë në shprehje e subjekt Nexhat Halimi sikur e kërkon gjithnjë edhe në prozë edhe në poezi atëherë dhe tash. Kjo u pa sidomos në përmbledhjet e fundit të poezive «Truphija» dhe të tregimeve «Unë me unë», kurse përmbledhja e poezive të tij të përkthyera në serbokroatisht u çmua si «e shkruar dhe e themeluar në modernitetin». Për poezinë e prozën e tij kanë shkruar edhe Hasan Mekuli, Mensur Raifi, Ali D. Jasiqi, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Ismet Markoviq, Slobodan Kostiq, Ramadan Musliu, Xhemai lMustafa e me radhë.
Udhëtimin në vete
Poeti Nexhat Halimi në përmbledhjen me poezi “Udhëtimi në vete” vazhdon me kultivimin e sonetit, si formë e të shprehurit poetik, rrugë të cilën e ka filluar më herët e që tani po e kultivon me sukses të plotë. Nexhat Halimi është poet specifik, që ka botën e vet poetike, që e dallon nga të tjerët, qoftë nga mënyra e të shprehurit artistik, qoftë edhe për gjetjen e temave, frymëzimeve të veçanta. Sonetet e kësaj përmbledhje i kushtohen kryesisht Zanës. Andaj edhe “Lilak për Zanën” është titulli i sonetit të parë, emër ky që na del edhe në magjistralin e kurorës sonetike, mandej vijnë kurorat sonatike “Dashuri për Zanën”, “Hëna e deltinës”, “Mimoza për Zanën kurse dy kurorat sonetike të fundit ndërrojnë nga të parat, “Qielli i fluturës”, dhe në tjetrin, “Trungu i Fajkoit”.
Kurorat sonetike në këtë përmbledhje janë shkruar sipas normave të përcaktuara. Autori i tyre shkruan sipas shemës ABAB e nganjëherë edhe sipas AABB, – potencon Ali Demë Jasiqi, ndërsa flet për librin “Udhëtimi në vete”.
*
Po deshëm ta shqyrtojmë motivin jetësor të poezive dhe trupëzimin e tyre artistik të tij, duhet të nisemi vetëm një rruge, – shkruan Sabri Hamiti në vështrimin “Vizioni etik i njeriut tonë”, për librin “Afërsia e largësisë” më 28 prill 1971,- Pikë nisje në këtë rrugë është poezia “Ditët”, e cila është më e mira e vëllimit. E vënë diku në mesin e librit dhe në të përmbahet thelbi i të gjitha hartimeve poetike, vërehet mirë motivi i vjershërimit të NexhatHalimit i marrë nga jeta e njeriut tonë dhe vizioni etik i këtij njeriu në të ardhmen. Poezia “Ditët” i ka dymbëdhjetë vargje, dhe secili nga tre vargjet e saj paraqesin përkufizimet kryesore teorike dhe artistike të poezive të këtij vëllimi. Poezinë nuk po e vërejmë tash për tash më hollësisht, pasi në vazhdim do të analizohet plotësohet dhe do të konkretizohet me poezitë tjera të librit…
Ditët e ngjyera në duart e ikura lartë
Kanë dashuritë e luleve fletë artë
Kanë dashuritë e vashave flokëgjata
Ditët e ngjyera dritëhijes së epshit
Kanë dallgët e detit tërbuar në brendësi
Kanë fatin e prerë në vetmi
Ditët e ngjyera në afërsinë e largësisë
Kanë zjarrin e ashtit thyer në mes
Kanë ardhje ikjen jetës me një thes
Ditët e ngjyera në sytë e përlotur aty
Kanë dilemën e ndarjes me ty
Kanë dhembjen e mitin për ‘i dashuri
Nexhat Halimi ka bërë një hap të madh para në krijimin e poezisë, edhe për kah gjerësia e motiveve dhe përkah shprehja artistike e tyre. Ai është kthyer me plot përkushtim njeriut të kësaj toke dhe të jetës së tij dhe indirekt kujtimit të jetës së paraardhësit të tij, i bindur se vetëm nëse ecet kësaj rruge mund të dihet qenia e vërtet e njeriu të sotëm.
TRUNGJET
Antologji e përpiluar nga kritiku i shquar Hasan Mekuli. Në këtë përzgjedhje është prezantuar në mesin e të tjerëve edhe Nexhat Halimi me tregimin “Toka pa ujë”. Ky tregim, është i vetmi i mbetur nga romani i humbur “Pullazet e përhimta”në redaksinë e revistës letrare “Plejada”. Hasan Mekuli e radhiti në antologjinë e tregimeve të shqiptarëve në Jugosllavi, të përkthyer në serbokroatisht «Trungu» («Stabla», «Bratvsto-Jedinstvo», Novi-Sad, 1976).
POEZIA SHQIPE NË JUGOSLLAVI
Deri tash Hasan Mekuli përgatiti antologjinë e tregimit shqip me tregime “Stabla”, më pastaj përpiloi në gjuhët e kombeve dhe të kombësive në vend, poezinë e zgjedhur shqipe që krijohet në Jugosllavi. Pos përmes librave të veçantë ky autor u prezantua dhe përmes panoramave të ndryshme: Mirëpo ky prezantim i poezisë sonë tash del më i plotë, të paktën si kuantitet, në saje të antologjisë që e përgatiti dhe që botua në gjuhën sllovene. Në këtë antologji janë prezantuar poetët: Esad Mekuli, Mark Krasniqi, Enver Gjergeku, Murat Isaku, Rexhep Hoxha, Besim Bokshi, Latif Berisha, Abdylaziz Islami, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Muhamed Kerveshi, Azem Shkreli. Qerim Ujkani, Fahredin Gunga, Mirko Gashi, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Musa Ramadani, Bedri Hysa, Zuvdi Hoxhiq Berisha, Beqir Musliu, Ibrahim Kadriu, Eqrem Basha, Nexhat Halimi dhe Sabri Hamiti. Antologjisë i prin parathënia e gjerë e Hasan Mekulit, kurse për poetët e prezantuar këtu, janë dhënë edhe shënime bibliografike. Sipas përkthimit në serbokroatishte poezitë në sllovenishte i përkthyen Janez Minart, Ivan Minatti, Tone Pavcek, Severin Shali dhe Ciril Zilobec. Antologjia shquhet edhe për përgatitje të mirë teknike. E botoi «Cankarjeva Zallozhba», Lubjanë, 1979, faqe 390.
ANTOLOGJI E POEZISË SHQIPE TË SHEKULLIT XX
Antologjinë e poezisë shqipe të shekullit XX, e hartuan Bashkim Kuçuku, Basri Çapriqi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota.
Në këtë antologji janë përfshi poezitë e 70 poetëve shqiptarë të shekullit njëzet; duke filluar nga më i vjetri Çajupi (1866-1930) e deri te më e reja Ledia Dushi (1978). Prej 70 poetëve, poezitë e të cilëve janë prezantuar në antologji. Në këtë libër poetët kanë më së paku me 3 poezi dhe më së shumti me 7 poezi, janë prezantuar poetët: Fan S. Noli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Martin Camaj, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Frederik Rreshpja, Ali Podrimja dhe Sabri Hamiti, Asdreni, Ali Asllani, Esad Mekuli, Vorea Ujko, Lluka Perone, Zef Zorba, Enver Gjerqeku, Mihal Hanxhari, Din Mehmeti, Dhori Qiriazi, Fahredin Gunga, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Sadik Bejko, Ndoc Gjetja, Zef Skiro Di Maxho, Xhevahir Spahiu, Beqir Musliu, Anton Papleka, Primo Shllaku, Natasha Lako, Eqrem Basha, Moikom Zeqo, Visar Zhiti, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Mario Bellizi, Abdullah Konushevci, Sali Bashota, Basri Çapriq, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Ilir Belliu, Lindita Ahmeti, ErvinHatibi, Gjergj Fishta, Bilal Xhaferi, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Muhamed Kërveshi, Koçi Petriti, Resul Shabani, Bardhyl Londo, Nexhat Halimi, Flora Brovina, Edi Shukriu, Skënder Rusi, Rudolf Marku, Adem Gashi, Shaip Beqiri, Ramadan Musliu, Halil Matoshi, Arian Leka, Salajdin Salihu, Gentian Çoçolli dhe Ledia Dushi.
ANTOGJI NË GJUHËN GJERMANE
Në rubrikën e tij Letër nga Boni, – shkruan korresondeti i “Rilindjes”, Jusuf Buxhovi, lidhur me botimin e antologjisë “Shi në një legjendë”. Ky është libri i parë i poezisë shqipe nga Kosova i botuar në gjermanisht”,- thatë ai. Në Hailigenof u botua në gjuhën gjermane përmbledhja me poezi “Shi në një legjendë”, të cilën e përktheu dr. RudolfGrulih. Prezantohen njëmbëdhjetë poetë tanë bashkëkohës me dyzetë e dy poezi. Nexhat Halimi prezantohet me dhjetë poezi, të cilat do të vlerësohen mjaft mirë. Është libri i parë me poezi i botuar në gjuhën gjermane (gazeta “Rilindja”, e diel, 4. IX 1977).
SHKËLQIMI I PASIONIT
Panoramë e letërsisë shqiptare në Jugosllavi “Shkëlqimi i pasionit”, në përzgjedhje dhe prezantim të kritikut të shquar dr. Ibrahim Rugova. Panoramë e bashkëpunëtoreve të shumtë të jetës së re e cila e mbajti gjallë vite me radhë fjalën artistike ndërmjet nesh, poezinë, prozën, dramën dhe kritikën letrare e cila gjeti vend në faqet e revistës letrare, të cilën e redaktoi nga fillimi EsatMekuli. Në këtë radhë mes bashkëpunëtorëve të shumtë prezantohet dhe NexhatHalimi me disa poezi.
Edicioni special i revistës letrare “Jeta e re”.
POEZIA E KOSOVËS NË MBRËMJET E POEZISË NË STRUGË
Pjesë nga parathënia e panoramës “Fjala jonë”, botuar e përkthyer në maqedonisht me rastin e prezantimit të poezisë kosovare, në këtë manifestim ndërkombëtarë. Vehap Shita përpiluesi i panoramës ndër të tjerë prezanton poetët: E. Mekuli, E. Gjerqeku, M. Shehu. I. Berisha, B. Bokshi, D. Mehmeti, M. Kerveshi, B. Hysa, F. Gunga, Q. Ujkani, A. Shkreli, Rr. Dedaj, M. Gashi, A. Podrimja, M. Ramadani, B. Musliu, E. Basha, N. Halimi, F. Brovina, E. Shukriu, S. Hamiti, A, Mala, R. Musliu, M. Krasniqi, A. Konushevci dhe B. Çapriqi. Për disa nga poetët Vehap Shita i jap karakteristikat që e shquajnë krijimtarinë e tij, ndërsa për Nexhat Halimin thekson se është poet me frymëzime mitike, i cili, duke shfrytëzuar simbolet tradicionale e ndërton në shumë raste botën e vet poetike duke i ndërthurur observimet e veta me njohjet kolektive. Kur u paraqit shumë i ri në poezinë shqipe në Kosovë, Nexhat Halimi, solli ca tone të reja, të freskëta, pikërisht duke kënduar për tëhuajsësimet dhe vetminë e njeriut në tollovinë edhe që e përfshin jetën bashkëkohëse edhe në hapësirat tona.
POEZIA E PASTËR SHQIPE
Në antologjinë e poetit, prozatorit dhe studiuesit Nehas Sopaj kanë hyrë njëzet e shtatë poetë, mes të cilëve: Lasgush Poradeci, Zef Zorba, Martin Camaj, Pano Toçi, Dritëro Agolli, Adem Gajtani, Ismail Kadare, Fahredin Gunga, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Frederik Reshpja, Ali Podrimja, Teki Dervishi, Musa Ramadani, Resul Shabani, Xhevahir Spahiu, Beqir Musliu, Jusuf Gërvalla, Eqrem Basha, Nexhat Halimi, Sabri Hamiti, Bejtush Mehmeti, Visar Zhiti, Shazim Mehmeti, Dhimitër Pojanaku, Lindita Ahmeti dhe Ledia Dushi.
Autori në parathënien e këtij libri shkruan se përveç guximit që të paraqes poezinë shqipe në këtë mënyrë edhe me këtë emërtim (ndryshe nga A. Aliu, R. Qosja, A. Zoto etj.), kjo antologji niset nga një mori krijimesh poetike të poezisë sonë dhe prezanton një tip të saj, që gjithsesi do të ngjallë interes për shumë arsye.
pëlcet vetmi shiu
kafka zbret në frëngji qet syrin
njëqind vjet e pret udhëtarin
Autori Nehat Sopaj thotë për vargjet e Nexhat Halimit, se është flakës i shenjave të interpunksionit, dhe në përgjithësi, ithtar i gdhendjes maksimale të vargut, e me këtë, luftëtar për formalizim të poezisë, N. Halimi megjithatë nuk e bjerr tërësisht përmbajtjen, rrëfimin, kallëzimin poetik.
Lexuesi me shije të ndërtuar mirë, do të hetojë se nëpër figurat e tij, nëpër metaforat abstrakte dhe në përgjithësi nëpër ritmin e matur, “noton” një qellim i mësyrë mirë, të shqiptuar bukur, ku duhet dhe si duhet. Në fund të parathënies ai thekson se sidomos poezia e Kosovës posaçërisht ajo e viteve ’70-të me përfaqësuesit tipik T. Dervishi, B. Musliu, Nexhat Halimi etj, vjen duke u kurorëzuar me emërat e më të rinjve.
ÇELËSAT
Në antologjinë e poezisë së re jugosllave “Çelësat” (“Kljuçevi”), Nexhat Halimi prezantohet bashkë me Sabri Hamitin, më l984, të hartuar nga Jovica Acin, i cili shkruan, se nëse shprehja “poetika më e re jugosllave në këtë moment apo në cilin do çast mund të ketë një domethënie teknike dhe konvencionale, është e vërtetë që autorët të prezantuar në zgjedhjen, të lindur nga viti 1946 siç mund të shihet kjo gjë në shikim të parë, është thjesht një e ardhme për autorët më të vjetër që të ripërcaktojnë deri diku shënimet e tyre, në “Çelësat” e të fillojnë të shkruajnë dhe të mbulojnë poezitë dhe koleksionet hapësirat rreth vitit 1968“.
Në antologji prezantohen 43 poetë dhe për se cilin jepen të dhënat bibliografike, secili autor prezantohet me nga tri poezi.
LULET NË BALLKON
Këtë libër me karakter antologjik hartuar me qëllim t’i jepet hov poezisë shqipe në Kosovë. Dhe, “Po ta vështrojmë poezinë bashkëkohëse shqipe në Jugosllavi, mund të konstatojmë se ajo ka pasur një zhvillim të hovshëm dhe një pasurim të vazhdueshëm e njaftkulitativ në shumë plane”,- thotë njëri ndër përpiluesit e librit, Ibrahim Rugova, duke vështruar në shumë rrjedha poezinë e brezit të ri të poezisë te ne. “Një fakt tjetër konkretizues, të gjithë këta poetë të paraqitur me këtë rast, kanë lindur rreth dhe brenda viteve pesëdhjetë, në ç’ kohë disa janë vërtetuar si poetë…”. Libri “Lulet në ballkon” përbëhet nga poetët shqiptarë të Kosovës, nga ata që shkruajnë në gjuhën serbokroate dhe nga ata që kanë bërë emër në gjuhën turke. Kjo antologji fillon me Eqrem Bashën dhe përfundon me Abdullah Konushevecin. Nexhat Halimiprezentohet mes tyre me katër poezi.
ULQIN, TI KALA
Antologjia “Ulqin, ti kala” e përpiluar nga Hajro Ulqinaku për qytetin dymijë vjeçar, këtë perlë të bregdetit të jugut, përfshin një mozaik, që lëshon dritë në shpirtin shqiptar, përmes prozave të zgjedhura për qytetin –kala, të shqiptuar përmes kujtesës, frymës, përmes universales, përmes individualitetit dhe përmes bukurisë së faktit real dhe përmes hirit dhe artikulimit të fjalës artistike të shfaqur përmes trgimeve të Ramiz Kelmndit, Jovan e Andrej Nikolaidisit, Fadil Krajës, MoikomZeqos, Hajro Ulqinakut, Mehmet Krajës, Nexhat Halimit, Vehbi Kikajt, Zuvdija Hoxhiqit- Berishës, Musa Ramadanit, e me radhë, për t’u radhitur në afro pesëqind faqet e antologjisë së punuar me përkushtim të veçantë.
NJË GRUSHT KALTËRSI
Antologji e poezisë kosovare botuar në Stamboll më 1985 në përpilim të Hasan Merxhan. Në bazë të shkrimeve të shtypit turk, poezia kosovare është poezi e mrekullueshme, siç thotë Refik Durbash “Cumhurjet”13.2.1986 Stamboll. Ai thotë “E kemi në duar poezinë e poetëve kosovarë ;Një grusht kaltërsi; (botues- ;Jalqin;, Stamboll) të poetit e përkthyesit të njohur Hasan Merxhan. Antologjia e shkëlqyer dhe lirike ka katër kapituj të veçantë (poezia shqiptare, serbe, malaziase, myslimane, turke dhe rome) dhe na sjell 42 poetë të rinj, të dashur, lirikë nga vendi mik. Përmbledhësi e përkthyesi me sukses kreu punën e vet dhe ne I jemi mirënjohës për ndihmën që na dha për të njohur këtë poezi të mirë. “Një grusht kaltërsi” është simbol i llojit të këtillë të antologjisë, madje edhe urë e parrënueshme e poezisë. Lexuesit kanë çka të lexojnë në këtë antologji. Përgëzojmë….”. Poezia shqipe prezantohet me E. Mekuli, E. Gjerqeku, M. Shehu. B.Bokshi, D. Mehmeti, M. Kerveshi, B. Hysa, F. Gunga, Q. Ujkani, A. Shkreli, Rr. Dedaj, M. Gashi, A. Podrimja, M. Ramadani, B. Musliu, I. Kadriu,A. Vinca, E. Basha, N. Halimi, F. Brovina, S. Hamiti, A, Mala, në mesin e poetëve të prezantuar në këtë antologji është dhe Nexhat Halimi.
BUQETË POETIKE
Në sprovën për antologji poetike të një treve të thellë në hapësirë dhe kohë nga fillimet e para të shkrimit letrar e deri në ditët e sotme paraqet libri “Buqetë poetike”, të përzgjedhësit- poetit e profesorit Shaban Pllana. Këtë përzgjedhje të krijimeve poetike shqipe shkruar nga poetët e trevës së Llapit, disa nga poetët kanë mbetur jashtë panoramës pa meritë. Përzgjedhësi, nis nga shkrimet e para që ka hulumtuar e deri ato në kohë të më pastajme, pa dalluar shumë emrat dhe vlerat e poezive të tyre. Kjo ka bërë të mos e bëj përzgjedhjen e vet dhe t’i dalloj disa nga emrat me nam, që tashmë kanë lënë gjurmë me krijimtarinë letrare. Letrarët më të shquar të letërsisë shqipe gjithëkombtare, janë barazuar me autorë fillestarë, siç janë Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti e ndonjë tjetër. Është e qartë se një gjë e tillë nuk ka qenë motiv i hartuesit, por vetëm t’i shënojë xixat e para të shkrimit letrar shqip dhe kështu ta bëj një Buqetë poetike-të suksesshme, ta bëj një rrjedhë të natyrshme, prej një përroske tashmë të bërë lumë! Do përmendur ata që kanë lënë gjurmë, veç janë Rrahman Dedajt, Sabri Hamitit, Nexhat Halimit, Rrustem Berishës, Shaip Beqiri e me radhë dhe atyre që mungojë fare në këtë “Buqetë poetike” siç është Azem Beqiraj, Ejup Beqiraj, Erina Rrahmani etj.
POEZIA BASHKËKOHORE SHQIPE
Antologji e përpiluar nga kritiku i njohur Ibrahim Rugova dhe përkthyer në gjuhën turke nga Hasan Merxhan. Ky libër i përpiluar me poetët e shquar të letërsisë shqipe që krijohet në Kosovë siç janë: Esat Mekuli, Enver Gjergjeku, Din Mehmeti, Besim Bokshi, Musa Ramadani, Beqir Musliu, Ibrahim Kadriu, Eqrem Basha, Nexht Halimi dhe Sabri Hamiti. Këtë antologji e botoi Shtëpia Botuese “TAN”, 1979. Antologjia u mirëprit nga kritika letrare e cila e vlerësoi lartë poezinë që krijohet në Kosovë. “Kosova ka poezi të mrekullueshme”, u tha, ose siç thotë Hasan Mekuli “E tërë poezia kosovare është poezi e fytyrës së bardhë…”.
ULQIN, TI DET
Antologjia poetike “Ulqin, ti det” me strukturën e shumëllojshme poetike: poezi të gjata e të shkurtra , me varg të rregullt klasik apo me vargje të lira, sontet , haiku etj., si dhe me gjuhë poetike të përzgjedhur e mjaft komunikative, na bëhet vetvetiu një burim i domosdoshëm informacioni poetik, na përvijon portretin e një qyteti ndër më të rrallët që ende që gjallon e bëhet qendër rrezatimi për inspirim, duke na ngjallur kënaqësi estetike dhe duke firmosur artistikisht me krahë pulëbardhe ngjyer në blunë e detit identitetin e tij të pastër shqiptarë.
Hajro Ulqinaku e përpiloi antologjinë dhe zgjodhi poetët të cilët i kënduan Ulqinit dymijë vjeçar. Libri fillon me Naim Frashërin dhe vazhdon me këngë popullore, I ra mjegulla Bujens, Ag Ymeri Ulqini, Kanga e Lika Cenit, Haxhi Alija me të birin, e me radhë më pastaj vazhdon me disa poezi të Miguel De Cervantes, për t’u radhitur poezitë e Avdullah Konushevcit, Abdurrahman Thaçit, Agim Devës, Agim Gjakovës, Ali Podrimjes, Arben Kondit, Arjan Lekës, Avdush Canajt, Basri Çapriqit, Bedri Hysës, Din Mehmetit, Enver Eno Mollabeqirit, Fatmire Durakut, Hajro Ulqinakut, Hasan Hasanit, Ibrahim Berjashit, Jaho Kollarit, Martin Camajt, Mehmet Hazirit, Milianov Kallupit, Moikom Zeqos, Muhamrd Kërveshit, Naime Beqirajt, Namik Selmanit, Nexhip Bashllarit, Nezir Sefajt, Qerim Ujkanit, Rexhep Ferrit, Rifat Kukajt, Rrustem Berishës, Salajdin Krasniqit, Sali Bashotës, Vehbi Kikajt, Visar Zhitit, Vorea Ujkos, Xhevahir Spahiut, e me radhë. Nexhat Halimit në këtë amtologji prezentohet me dy kurora sonetike dhe me një poezi për Ulqinin.
SHI NË NJË LEGJENDË
Lirika më e re shqiptare në Kosovë, e përgatitur nga poeti i njohur Ali Podrimja. Kjo antologji, e botuar nga Prosveta e Beogradit, përfshin poetët e rinj të Kosovës dhe disa nga pikturat e autorëve më të spikatur. Përzgjedhjen dhe përshtatjen , si dhe përkthimin në gjuhën serbokroate e bëri Ali Podrimja.
Në vend të parathënies është vënë një poezi e Besim Bokshit, në përkthim të Esad Mekulit, më pastaj radhiten me nga disa poezi poetët Mirko Gashi, Ali Podrimja, Musa Ramadani, Beqir Musliu, Ymer Shkreli, Ibrahim Kadriu, Qerim Arifi, Isak Ahmeti, Eqrem Basha, Nexhat Halimi, Sabri Hamiti dhe në fund në një cikël të veçantë, në atë përmbyllës,“Pas udhëtimit” radhitet poezia e Enver Gjerqekut “Dilemat e poezisë”.
DRITË MBI PLAGË
Krimet serbe janë shtetërore, të strukturuara, të paramenduara qartësisht dhe të kryera qartësisht nga institucionet shtetërore të Serbisë. Duke mos përmendur spastrimin etnik në vetvete, shkatërrimi i vendbanimeve, objekteve kulturore, dëmet e mëdha materiale në përgjithësi nëpërmjet rreth 400 akteve gjenocidare, krimet shtetërore serbe paraqesin qartazi gjenocidin kundër kombit shqiptar në Kosovë, pa përjashtuar edhe krimet serbe ndaj etnive të tjera në të njëjtën kohë. Në qeniet njerëzore të goditura bëjnë pjesë jo vetëm të vrarët fizikisht, të gjetur e të varrosur ose të rrëmbyer nga shteti serb e të pa gjetur ende, por edhe të gjallët, në radhë të parë mijëra gra të dhunuara seksualisht. Spastrimi etnik u dokumentua ndërkombëtarësh, shteti serb duhet dënuar për këtë gjenocid vetëm atëherë mund të ketë paq afatgjatë në Evropë. Ky tekst i shkëputur nga parathënia të sprovës për antologji “Dritë mbi plagë” në të cilën prezantohen 51 poetë, në mesin e të cilëve është edhe Nexhat Halimi me poezinë “Shënime të ushtarit të UÇK-së”
Vetëtima të ngrira kaq vjet gjarpërojnë
Larg nga një dritare e mbetur hapur në kohë
Dëgjohet një poezi dëgjohet një lirë
Kush kënd e varros kush kënd e qan.
KU JANË ËNDRRAT
Në antologjinë “Ku janë ëndrrat” përfshihen poezi dhe tregime nga dymbdhjetë autorë, të cilët tërë krijimtarinë e tyre, ose një pjesë të mirë të saj, ua kanë dedikuar fëmijëve. Shikuar në aspektin e shtrirjes kohore, kjo antologji përfshin krijime të botuara që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar (XX), e deri në fund të dhjetë vjetshit të parë të shekullit tonë. Marrë në tërësi, kjo përmbledhje sjell poezi dhe tregime të krijuara përgjatë pesë dekadave nga autorët më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë në Kosovë. Secilit autor i është dhënë një hapësirë e veçantë brenda librit. Për këtë libër, Hajro Ulqinaku përzgjodhi këta autorë: Adem Gajtani, Ali Huruglica, Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Rrahman Dedaj, Nexhat Halimi, Ymer Shkreli, Gani Xhafilli, Dije Demiri-Feangu, Liri Loshi, Rizah Sheqiri dhe Hajro Ulqinaku.
*
Është fitues i disa shpërblimeve letrare:
Për dramën “I plagosuri” fitoi shpërblimin e vetëm të “Qendrës për Kulturë të Kosovës”, (1966).Drama zgjoi interesim të madh dhe piktori i shquar SalihLutolli e shndërroi në një film vizatimor, me vizatime, të cilat u botuan në gazetën GEP
Fitoi plaketën e KK e LRS të Kosovës, “Boro e Ramizi” për kontribut në kulturë dhe letërsi, (1974).
Fitoi shpërblimin vjetor Pena e Artë të revistës “Fjala” për poezinë “Gur i moçëm në Llap”.
Fitoi shpërblimin për tregim të gazetës “Rilindja”, 1977.
Fitoi shpërblimin vjetor për poezinë “ Shalesh me u drevnushumu” të revistës “Stremlenja”.
Fitoi shpërblimin e parë për poezi të revistës “Zëri i rinisë”, në këtë revistë në vite të ndryshme fitoi disa herë shpërblimin e parë, 1978, 1982, 1985, të dytë , 1967, 1971, 1976, 1982 dhe të tretë, 1973,1981,1986.
Fitoi shpërblimin e revistës për fëmijë “Pionieri”, për poezinë më të mirë, 1980
Fitoi shpërblimin e gazetës “Bota e Re” për poezinë më të mirë, 1975.
Nga OPGBF “RILINDJA” mori “Mirënjohje publike – Gazetar i dalluar” me rastin e 35vjetorit të “Rilindjes” me 12.02.1980.
Fitoi shpërblimin e Karvanit për fëmijë “Agim Deva”, për librin me të mirë me poezi “Zogu fle në çinar”.
Fitoi shpërblimin “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Republikës Kosovës, për librin me të mirë vjetor me poezi, “Kaq vetëm Fedorë” (2014)
U shpërblye në konkursin letrare për roman “Alter Ego” të Shtëpisë Botuese “Buzuku”, (2016).
Fitoi shpërblimin “Vehbi Kikaj” të Ministrisë së Kulturës së Republikës Kosovës, për librin më të mirë me tregime për fëmijë, “I vetëm në mal” (2020).
*
Ibrahim Rugova, më 12 prill 1985, në fjalën e vet në tribunin e shkrimtarëve të Kosovës, qe shprehur dhe lidhur me poezinë e Nexhat Halimit. Ai foli për ngritjen e hetueshme në librin më të ri “Truphija”, pas bredhjeve që i pat në librat e përparshëm dhe pastaj u ndal afër te poezitë e librit, që promovohej…
Riza Bicaj, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në kohën e hershme në gjimnaz. “E gjithë krijimtaria në poezi e Nexhat Halimit është një lirikë e këndshme, ku inpresionimi i një epiko-lirike i shtrinë krahët e shumëngjyrët mbi problemet e botës objektive”.
EsadMekuli, kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”
NexhatHalimi boton nga vitet e gjashtëdhjeta. Shumë shpejt depërton në radhët e krijuesve, të cilët me talentin e jashtëzakonshëm dhe me produktivitin e madh paraqesin shpresën e re të letërsisë në Kosovë.
Dea Halimi
Poezia e NexhatHalimit është lirikë, e cila me sukses të veçantë në aspekte të ndryshme shpreh artin letrar. Ajo lidh përjetimet, mallëngjimet me vetëtimat që shkrpin larg brendësisë dhe i prekin lulet e gjakut, i prekin mitet dhe kujtimet e afërta dhe të largëta, i shtojnë dëshirat për afrime e dashuri të pambarim.
Sabri Hamiti
Gjithë tragjiciteti i situatës shqiptohet me vargjet e dhembjes, tmerrit e rezignimit, dhe ngrihet shkallë – shkallë në mundimin e qenies: … mesnata me damarë të prerë… Lakimi i shpirtit nëpër këto valë të tragjicitetit vetëm shqipton edhe një herë fuqishëm njërën nga veçoritë më themelore të poezisë së NexhatHalimit, që dhembjen kolektive gjithmonë e gjithnjë e shqipton duke e subjektivizuar në lirikë të veçantë personale, duke ia dhënë asaj në këtë proces krijues edhe nuancën e dhembjes personale. Një lirikë par exellence.
Duhet përmendur vetëm me emra disa vjersha që me fuqinë e tmerrin e vet të thonë gjithnjë diçka, mbas secilit lexim, siç janë: Jeta digjet vdekja kurrë, Emrin përsëri ta fsheh, Të jetojmë lulen, Në udhën e pafundme të lumit, Teatri. Kudo këtu shqiptohet vështirësia e ekzistencës, mundimi i rrnimit, mësimi i rëndë për jetën, në të shkuarën dhe në përgjasimin e saj me aktualitetin kur,
ti drejtpeshimin e mban në majë të gjilpërës
apo
me maje të gishtit ende tehut të shpatës kalon
prandaj, ky udhëtim, ky kujtim personal dhe kolektiv, si histori dhe kërkim si realitet nganjëherë mbaron me një rezignim të shkallës më të lartë, me kuptimin më të rëndë:
zot
tregohu më
a vdis.
NexhatHalimi ka krijuar stilin e vetë të veçantëve një artikulim poetik të njënjëshëm, unik. Një ankth personal që shqiptohet nëpërmjet shenjave të ankthit kolektiv, herë si dëshmi e herë si retishencë. Ligjërimi i tij është i ashpër dhe i dhembshëm në të njëjtën kohë, kapur për ashtin e fjalës e të ligjërimit. Poezi që përmban në vete ethet e kohës.
Anila Xhekaliu, revista “Obelisk” Tiranë
Nexhat Halimi, 1949, është njëri nga zërat e fuqishëm të poezisë moderne në Kosovë, krijimtaria e të cilit ka ngacmuar vetëdijen kritike me veçantinë e saj unike të ligjërimit poetik, thotë Anila Xhekaliu n粒shkrimin e saj të botuar në revistën “Obelisk” të Shqipërisë. Ky autor paraqet një mozaik perlash që daton në vitin 1969 me “Parakalimi i etjeve” gjer te libri i fundit i publikuar më 2012 “Dritarja me pamje në lumë”. – Si mundet poetin t`ia fshehësh, heshtësh e ndalosh kombit të vet për kaq shumë kohë të gjatë?! Është klithma që më gjëmon ndër vete. Lëvrues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë 100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”. Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të NexhatHalimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë
Vehap Shita, thotë në antologjinë “Fjala jonë”, duke e prezentuar poezinë shipe të Kosovës në Strugë të Maqedonisë. Për Nexhat Halimin është thënë se është poet me frymëzime mitike, i cili, duke shfrytëzuar “simbolet tradicionale” e ndërton në shumë shtresa botën e vet poetike duke i ndërthurur observimet e veta me njohjet kolektive. Me paraqitjen e vet në moshë shumë të re në poezinë shqipe në Kosovë, ai solli ca tone të reja, të freskëta, pikërisht duke kënduar për tëhuajsësimet dhe vetminë e njeriut në vorbullën e jetës bashkëkohore
Rrustem Berisha
Nexhat Halimi është krijues me stil të veçantë dhe krejt origjinal për çka vepra e tij do analizë serioze. Këto vepra i shquajnë karakteristikat e tyre specifike: zgjedhja e tematikës, format e reja shprehëse, zgjedhja dhe krijimi i figurave stilistike, tërë leksiku poetik i freskuar me fjalë e krijime të reja.
Sllobodan Kostiq, “Zëri i rinisë”
Nexhat Halimi është poet i frymëzimit mitologjik, i cili, duke u shërbyer me simbolet tradicionale, ndërton botën e vet poetike shumështresore, duke e gërshetuar nëpër vepër edhe gjykimin e vet me njohurit kolektive. Me librin “Prania e së dielës” ai ka siguruar një vend të dukshëm në thesarin poetik të përkthyer në gjuhën serbokroate.
Zoran Jevtoviq
Duke shkruar për librin “Prania e së dieles” zbulon një poet me kulturë të padyshimtë dhe me preokupime të ndryshme poetike. Bota e tij pitoreske e shprehur në poezi është krijuar si nevojë kumtimi përjetimesh sublime. Me këtë përmbledhje Halimi tregon se është poet meditativ. “Gjarpri në gjak” paraqet dy simbole të qëndrueshme të cilësive njerëzore dhe me këto fjalë magjike shkrimtari i përkushton vargjet e veta. Me to poeti krijon një botë relacionesh psikologjike, një botë me kuptim mashtrisht të thyer dhe një preokupimi të pathënë.
Xhemajl Mustafa
Raporti kreativ midis subjektit krijues dhe objektit të këndimit te teksti poetik i Nexhat Halimit është ndërtuar mbi parimin: “S` dua të ligjëroj për botën, idetë dhe format e ndryshme, por synoj t`i krijoj ato në vetë ligjërimet, të marrin shpirt në fjalë dhe njëkohësisht ta shpirtëzojnë fjalën.”
Viçence Santagjello, poet e studiues italian
Ajo që krijon NexhatHalimi gjendet vetëm në rrethana personale, siç është poezia “Vdekja në verë” (ka dhe ndonjë tjetër), që duket është bërë në mënyrën krepuskolare, përsa i përket pjesës së parë. Mirëpo, shpejt e gjen shprehjen e kërkuar dhe refleksin, që e vejnë këtë poezi në mesin e teksteve më të zgjedhura të radhës intime.
MensurRaifi
Vjershat e Nexhat Halimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta, si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.
…Krijimet poetike Nexhat Halimi i realizon me frymëzim individual, pa përsëritje dhe pa imitime.
Poezia e NexhatHalimit është fyell i gjallë… Ai në tekstin poetik kultivon shijen e masës, përpiqet ta bëjë shprehjen sa më koncize, sa më të mprehtë e sa më të përmbledhur në kuptimin e saj qoftë simbolik, qoftë metaforik.
Teki Dërvishi
Nexhat Halimi, me talent e kreativitet të gufueshëm, që me librin e parë premtonte një poet të rrallë te ne… Poezinë e tij – një sintetizim i përvojës krijuese bukur të çuditshme, e mban tërësia si element mjaft funksional dhe i harmonizuar.
BeqirMusliu
Nexhat Halimi, është njëri ndër përfaqësuesit më të spikatur të brezit të ri të letrarëve në Kosovë.
HasanMekuli
Nexhat Halimi është poet specifik, bota poetike e të cilit dallon nga të tjerët, qoftë për mënyrën e të shprehurit artistik, qoftë për gjetjen e temës, të frymëzimit të veçantë. Ai përdor me mjeshtri shprehjet poetike, të cilat i pasuron me metafora e figura në konstrukte të ndryshme artistike.
Ali D. Jasiqi
Pa dyshim, njëri ndër krijuesit më interesant në poezinë e re të Kosovës është Nexhat Halimi. Poezia e tij në antologjinë “Kisha u jednojlegendi” ngreh ekuacione me poezinë e mirë e të veçantë…
SlobodanPeroviq
Vargjet e poetit Nexhat Halimi janë të forta dhe me plot emocione. Ato asnjëherë nuk të lënë vetëm, të shoqërojnë zëshëm; shpërthejnë në shkulma, rrjedha e valëzime të jashtme e të brendshëm, janë lëvizje çapkëne… personazhe dhe metafora me plot ngjyra, që të marrin me vete dhe të shpien nëpër buzëqeshje të mendimit artistik.
Rrustem Geci
Romani i Nexhat Halimit (i treti me radhë) dëshmon po ato vlera dhe rrjedha mjaft të veçanta, me të cilat qe cilësuar “Vigma e fajkoit” dhe “E çara në zotin”. Njësoj sikurse dhe në dy romanet e para, shfaqet i njëjti persona- reporteri i gazetës “Rilindja”, i cili merr për detyrë të hulumtojë një rast në një fashat, i cili në të vërtetë e ka vetëm një shtëpi. Pse ka ardhur deri te kjo situatë e çuditshme, deri te kjo vetmi, reporteri përmes një shkrimi të afërt dhe mjaft poetik do të krijojë një prozë – mozaik, që herë të mbush mllef për dhembjet që përjetojnë njerëzit e kombit të tij e herë tjetër të bën krenar po për ata njerëz.
Saranda Selimi
Libri i Nexhat Halimit, “Gjeli i dylltë”, para lexuesit shtron domosdonë e nevojës për identifikimin e poezisë si paraqitje subjektive kuptimore e shënjuese të poetit për jetën dhe artin, apo për gjërat, sendet, gjendjet e situatat që identifikohen në varg si njësi më e vogël e rrafshit kuptimor, ose në vjershë – si njësi e rrumbullakësuar e rrafshit kuptimor. Shprehja simbolike po edhe shprehja poetike në përgjithësi e poetit NexhatHalimi, mbështetet nga përvoja subjektive poetike si pjesë e përvojës objektive poetike, ose e ngritur mbi të. Përvoja subjektive sajohet nga konotacionet jetësore e poetike bashkë dhe realizohet në varg e në vjershë me motive, tema e ide, figura e simbole të shumta që rrallë herë hasen në letërsinë shqipe.
Skënder Gurguri
Nexhat Halimi, i dëshmuar deri më tani si një nga poetët më të spikatur dhe të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, ka krijuar stilin e tij të veçantë, lojën, qasjen dhe artikulimin në zhanre të ndryshme letrare, e me fokus dhe në mënyrë shumë specifike në idetë, imazhet dhe artin e tematikës së poezisë shqipe.
Florim Shatrolli
Kjo është kredoja poetike e Nexhat Halimit në librin “Iluzioni i fluturimit”, që marr guximin ta quaj veprën më të mirë të autorit dhe nga më të mirat e poezisë bashkëkohore shqipe të Kosovës.
SkënderZogaj
Libri “Truphija” i N. Halimit i parë në prizmin e tij të gjithanshëm , paraqet një pasurim të këndshëm të poezisë sonë të sotme, duke u dalluar si me figurëshmëri të pasur ideo-artistike, ashtu dhe me procedim të përgjithshëm, të kënaqshëm, libror.
Nazif Fejzullahu
Gjatë leximit të ‘Demit të tërbuar’, ndërsa ndjekim fatin e dy të rinjve, mund të na ik mendja te vepra e madhe e Hemingvejit: Lamtumirë armë, ku dy të rinj: “para kohe” u kanë thënë armëve Lamtumirë! Po ja, këtu kemi të bëjmë me dy të rinj të cilët armëve nuk u kanë thënë: Lamtumirë, por me to në duar kanë rënë në fushën e betejës për ta lagur tokën e Spanjës me gjakun e tyre rinor!
Shaip Grabovci: Poezia për fëmijë e Nexhat Halimit
Autori ka shfrytëzuar përvojën e tij të gjatë krijuese dhe e ka ndërthurë në vepër ngritjen e njohurive për teknikat e vargut, të strofave e të tërësive poetike… Idetë vluese që thuren me figura të bukura e të plotkuptimta, me epitete, krahasime, simbole, metafora, refrene e me figura përsëritëse, që e fuqizojnë dinamikën e ligjërimit dhe e thellojnë ndjeshmërinë, zgjojnë përjetime të thella, të rralla e të veçanta. Nexhat Halimi është krijues që kompleton intelektualitetin me vetëngritje në aspektin e diturive. Ai zgjedh e ndërton fjalë, e gdhend vargun me shije e mjeshtri për kuptimin që i jep, zgjedh strofa me të cilat plotëson ligjërimin më bukur, krijon harmoninë e rrjedhës së narracionit në kompleksitetin e tërësisë së poezisë dhe të tërësisë së veprës. Kështu veprat me poezi të tij shpesh të duken se janë poema e jo poezi të veçanta…
…Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër, thekson dr. Rrustem Berisha.
*
Gjithkush mund të shkruajë për fëmijë, por të shkruajë bukur poezi, prozë nuk është aspak lehtë. Këtë mund ta bëjnë vetëm të rrallët, vetëm poetë të rrallë. Në letërsinë tonë për fëmijë veprat më të mira i shkruan Adem Gajtani “Lule më lule”, Shkup 1972, Vehbi Kikaj “Shtëpia ime ka sy”, Prishtinë 1972, Nexhat Halimi “Molla e fshehur”, Prishtinë 1989. Kjo vepër e shkruar gjatë viteve të `60-ta dhe e dorëzuar për botim më 1969, do të botohet njëzet vjet më vonë, për shkak të dorës së censurës, e cila bënte përpjekje t`i ndalte rrjedhat më të suksesshme në krijimtarinë letrare shqiptare, thotë Hajro Ulqinaku
Poezia për fëmijë e Nexhat Halimit është realizuar me një lirizëm të rrallë, në varg të matur dhe të lirë. Këtë formë autori e aplikon dendur me shumë sukses; është ndër të parët që shkroi kurorë sonetike për fëmijë. Në përgjithësi, krijimet e Halimit, njërit ndër lirikët më të shquar ndër ne, sa janë të qarta po aq dhe të cytin të mendosh, të preokupojnë për gjëra dhe dukuri të ndryshme; ato janë plot ritëm, por edhe mendim dhe mbahen mend për kohë të gjatë, pohon Kaltërina Meka.
*
Poeti AvdushCanaj në emision televiziv të RTK-së “Lirbri i hapur” poezinë e Nexhat Halimit për fëmijë të librit “Lulja që qan” e barasvlerëson me perla. Meshtëria në vargnim e NexhatHalimit ka të bëjë me skalitjen e vargjeve në formën e sonetit, formë kjo e cila kërkon njohuri estetike dhe disiplinë rrokjesh, rimash dhe vargjesh. Ky libër është i rrallë, që zakonisht shkruhet nga krijues të rrallë, nga të tillë të cilët letërsisë ia kushtojnë tërë qenien. Libri “Zogu fle në çinar” , me vlerën artistike që ka, arrin të fluturoj lart dhe të të jap mundësi që, gjatë leximit, të relaksosh shpirtin me imazhe që dalin herë drejtpërdrejt, herë përmes kuptimeve aforistike dhe metaforave të qëlluara.
– Ibrahim Kadriu.
*
Te NexhatHalimi, si rrallë te ndonjë poet tjetër, mbase vetëm te Adem Gajtani, ndeshim një lirizëm të semantizuar… Pjesa më e madhe dhe më e suksesshme e poezisë janë të këtij tipi, disa prej të cilave edhe mund të sistemohen si ekzemplarë antologjik, pohon Ramadan Musliu.
*
Hëna është kryefigura e këtij libri… herë si shenjë bukurie, herë përmallimi e shprese, herën tjetër. Ky trup qiellor, që “me argjendin e vet ëndrrën ndrit”, ndez fantazinë e poetit e nëpërmjet tij edhe të lexuesit qoftë i vogël a i rritur që të bëhen përsiatje e lojëra të çuditshme. Është njëherësh diçka si ëndërr e si lodër… Libri “Vjedhësit e hënës” është i pasur edhe me figura të tjera stilistike dhe me funksion të caktuar në vargun poetik. Ato janë mbrujtur mjeshtërisht bashkë me sensibilitin lirik dhe notat e lehta meditative… Kjo poezi, si çdo poezi e mirë, duhet të lexohet me përqendrim në mënyrë që të arrihet kënaqësia estetike që e ofron ajo, thotë Ragip Sylaj.
*
Vëllimi për fëmijë “Lulja që qan” i NexhatHalimit shquhet për një formë fare të re të shkrimit, të kulturës së shkrimit; ka një tematikë bosht dhe një stil tepër të veçantë. Kjo tematikë është dashuria, dashuria për njeriun që mungon, për lirinë e përgjysmuar dhe kohën e pakohë… Rrjedhja e valëve të kësaj poezie vjen si valët e një lumi të qetë e brenda kësaj qetësie ka një rrëmbim të furishëm, thotë Tahir Desku.
*
“Fyelli i gjallë”, përmbledhje prej pesë pjesësh dramatike për fëmijë, e shkrimtarit të sprovuar NexhatHalimi, është një kumt i mirë që tregon se shkrimtarët tanë përballë frymëzimeve të shumta, nuk lënë anash as botën fëmijërore. Para lexuesve të vegjël dhe jo vetëm atyre, shkrimtari i më shumë se 20 veprave, kryesisht në poezi, sjell pjesë dramatike që ndryjnë në vete ngjarje e veprime, të cilat ngjallin kërshërinë, jo vetëm për t’ u lexuar, por edhe për t’ u vënë në skenë, shkruan Shefqet Rexhepi.
*
“Dega e pikëlluar” është emërtimi i poezive të poetëve shqiptar në ish-Jugosllavi.Me këtë rast për botimin në gjuhën franceze për poetët e poezitë veç e veç shkruan kritiku letrar Andre DOMOS, i cili i lexon vargjet e NexhatHalimit , si një zë dhe aspiratë për lirinë në një botë padrejtësish që klithë vazhdimit.
Marrë ngagGazeta “Rilindja” 29.3,1980 e cila kishte huazuar tekstin e “Le jaurnaldes poetes”.
*
Në pjesën e dytë të viteve ‘60 dhe fillimin e viteve ‘70 në poezinë e Kosovës do të shfaqen me dhjeta emra të rinj. Por, emrat që do të shquhen janë: Beqir Musliu, TekiDërvishi, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Ymer Shkreli, Nexhat Halimi, Jusuf Gërvalla, Agim Mala, Shaip Beqiri, Edi Shukriu, Musa Ramadani, Nehat Sopaj, Resul Shabani, shkruan –Ali Aliu , në Kënaqësia e Leximit.
*
Albanologu i shquar Robert Elsie: “Poezia lirike popullore e të cilit mbështetet fort në tokën e vendlindjes e në vitet e fëmijërisë së NexhatHalimi (1949) nga Podujeva;Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare”.
*
“Dritë mbi plagë”, (sprovë për antologji “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”
Shefqet Dibrani shkruan: Për NexhatHalimin, “Dumnica fle përpëlitet udhës së kuçedrës” kurse “hëna mbi kullën e Gjergj ElezAlisë”, është lajtmotiv i poezisë “Shënime të ushtarit të UÇK-së”, e shkruar “tek ura e Cenë Korjelit, në muajin maj ’99”, f. 72, mjaft mirë ka prezantuar një formë të dramës e të tragjikes së atyre viteve.