Ibrahim Emiri: Mbresat e mia në librin publicistik “Mozaik”
Është shumë e gjetur shprehja “Rinia ëndërron me shpresa, kurse pleqëria jeton me kujtime”! Në moshën e tretë, apo të thyer, vendosa të shkruaj disa kujtime e mbresa jetësore, të cilat mund të jenë me interes, jo vetëm për familjarët e mi, por edhe për miqtë e shoqërinë.
Nëpërmjet këtyre shkrimeve, mundësohet njohja me momente të veçanta të jetës, jo vetëm me vështirësitë e shumta e pretendimet minimale, por edhe me kënaqësitë njerëzore në marrëdhëniet shoqërore, sidomos në gjysmëshekullin e jetuar në sistemin socialist.
Koha e jetuar nuk mund të jetë ajo pjesë e jetës e mbushur rëndom me ditë, por janë të gjitha ato ditë të mbushura me jetë. Askush nuk ka mundësinë të përcaktojë vitet e jetës së tij, por është mundësi e secilit t’u japë jetë atyre viteve që i ka dhënë Zoti…! “Jeta e vërtetë nuk janë vitet që ke kaluar, por vetëm ajo kohë, që kujtohet për ta treguar”, ka shkruar Fyodor Dostojevsky. Ta jetosh jetën, do të thotë të jesh i lirë, t’i japësh kuptim asaj, përndryshe nuk mund të quhet jetë, por thjesht ekzistencë. Fatkeqësisht, jeta në diktaturë s’ishte tjetër, veçse një formë e ekzistencës. Mjaft kohë nga jeta konsumohej individualisht në radhët e përditshme, të lodhshme e të mërzitshme për ushqimet, apo në mënyrë të organizuar në zboret ushtarake, në aksionet e ndryshme, në format e edukimit komunist, apo në mbledhjet pa fund, të kolektivit, të frontit etj. “Që do vdes në mbledhje, për këtë nuk kam asnjë dyshim, por ishalla vdeksha në presidium”! ironizonte një miku im humorist.
Jeta e vështirë nuk të mëson të jesh i fortë, por të detyron të jesh, ndonëse jeta është dhënë për t’u jetuar e jo për t’u duruar! Përvoja jetësore të mëson kë të duash, ndërsa vështirësitë në jetë të provojnë kush të do. Fatmirësisht, jeta më ka lidhur me mjaft shokë e miq të mirë, të cilët më kanë mbështetur me dashamirësi, me të cilët kam ndarë si gëzimet, ashtu edhe shqetësimet, prandaj për ta ruaj vetëm respekt e mirënjohje pa fund. Sa konçize aq domethënëse është shprehja e filozofit Immanuel Kant:”Mosmirënjohja është esenca e paturpësisë”. Për fat të keq, sidomos pas përmbysjes së diktaturës dhe ardhjes së “demokraturës”, kjo esencë paturpësie u shfaq me tepri në shoqërinë shqiptare. Por, fatkeqësisht, në jetë jam ndeshur edhe me disa njerëz që mund të tronditeshin, nëse do të shihnin në pasqyrë karakterin e tyre në vend të fytyrës. Përvoja jetësore ka provuar se më tepër dhembin ledhatimet e miqve të rremë, sesa plagët e armiqve të vërtetë. Ata “miq”, ndonëse në jetën time ishin të paktë në sasi, ishin të bollshëm në ligësi. Të eliminosh nga jeta jote të tillë “miq” nuk do të thotë thjesht t’i urresh ata, por do të thotë të kesh për veten respektin që meriton. Kam menduar disa herë të mbaja ditar, që do të më ndihmonte shumë për këto shkrime. Mbajtjen e një ditari gjithmonë e kam vlerësuar si shenjë emancipimi qytetar, kurse mosmbajtjen e tij e kam konsideruar si një mangësi, ose si një humbje të arkivës së jetës. Arsyeja e vetme e mosmbajtjes së ditarit ka qenë autocensura. Sepse në kohën e egër që lamë pas nuk mund të shkruaje çdo gjë që mendoje, ndërsa duhet të mendoje mirë për çdo gjë, para se ta shkruaje. Mbajtja e ditarit, sipas kësaj logjike, në mos kërkonte trimëri, kërkonte padyshim budallallëk. Me sa duket mua më kanë munguar të dyja këto “cilësi”. Edhe sikur t’ia jepja vetes të drejtën për të mbajtur ditar, jeta ime në provincë, për fat të keq, ishte aq e thjeshtë e monotone, sa që kjo mjaftonte për të menduar se “s’kishte asgjë të re për t’u shënuar”.
Për pasojë, me kalimin e viteve, janë fshirë nga kujtesa shumë ndodhi, mbresa e kujtime të jetës, të cilat, të hedhura në ditar, do të qenë të dokumentuara përgjithmonë. Jeta ime gati gjysmëshekullore në sistemin socialist ishte si jeta e shumicës së popullit, me mundësitë dhe privacionet që kishte ai sistem. Shkollimi dhe diplomimi si inxhinier ishte padyshim realizimi i një aspirate prioritare e vendimtare për jetën. Puna në ndërtim apo projektim në Përmet pati jo vetëm satisfaksione profesionale, por edhe shqetësime të ndryshme. Refuzimi nga drejtuesit e rrethit të Përmetit i disa kërkesave të Ministrisë së Ndërtimit për të më transferuar në Tiranë, si projektues në Institutin e Projektimit, natyrisht që më ka dëshpëruar atëherë. Me punësimin në Tiranë jeta ime sigurisht që do të kishte marrë tjetër rrjedhë, sidomos në progresin profesional. Megjithatë, edhe në Përmet, pavarësisht vështirësive të asaj kohe, unë përgjithësisht e kam ndjerë veten të respektuar për hir të ndershmërisë e korrektësisë në shoqëri, si dhe për hir të profesionalizmit e përkushtimit në punë. Dihet se ndërtimi është sektor mjaft i vështirë dhe vështirësitë kapërcehen jo vetëm me punë e sakrifica, por edhe me bashkëpunim të sinqertë shoqëror e marrëdhënie të mira njerëzore. Nuk mund të mohohet kurrsesi mundi, djersa e sakrificat e panumërta të popullit tonë në sistemin socialist, si rezultat i të cilave u realizuan mjaft vepra të rëndësishme, si në bujqësi, industri, energjitikë, shëndetësi, apo arsim e kulturë. Por fatkeqësisht, pas shembjes së regjimit komunist, u propaganduan teoritë “terapia shock” dhe “ekonomia zero”, që frymëzuan disa forca të errëta për grabitjen e shkatërrimin e shumë prej atyre veprave të realizuara me aq mund e djersë, duke dëmtuar rëndë ekonominë e duke varfëruar me tej vendin e rraskapitur. Kjo ishte një fatkeqësi kombëtare e pashembullt, e shkaktuar jo nga forcat madhore të natyrës, as nga ndonjë luftë shkatërrimtare, por nga një çmenduri kolektive, që nuk mund të ishte tjetër veçse antishqiptare.
Nga përvoja e tij jetësore, shkencëtari i shquar Albert Einstein ka konkluduar se “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar”. Brezi ynë pati fatkeqësinë ta provonte vërtetësinë e këtij konkluzioni, jo vetëm në kohën e diktaturës komuniste, me famëkeqen “luftë e klasave”, por edhe gjatë tranzicionit të stërzgjatur të demokraturës, me shkatërrimin fatal të ekonomisë e sidomos me shembjen totale të shtetit në trazirat e vitit të mbrapshtë 1997. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, e provoi edhe me “luftën” kundër flamës Covid-19, apo së fundmi me shqetësimet nga tensionet e luftës mjaft të rrezikshme në Europë, të plasur në Ukrainë nga çmenduria Putiniane. Uroj e lutem që kjo çmenduri çnjerëzore të përfundojë sa më parë dhe me sa më pak viktima e shkatërrime!
Në fillim të vitit 2020, kur u shfaq virusi i rrezikshëm në Kinë, mijëra kilometra larg nesh, lajmin e konsideronim thjesht një informacion për fatkeqësinë e kinezëve, pa imagjinuar se ky virus vdekjeprurës shumë shpejt do të gjunjëzonte gjithë botën. Kur befas mbërriti tek ne, fillimisht humbjet e jetëve i konsideronim vetëm si numra e statistikë, pastaj, shumë shpejt, numrat nisën të zëvendësoheshin me emra, fillimisht të panjohur e pastaj të njohur e mjaft të njohur. Informacionet e para na transmetonin thjesht shqetësim, pastaj më shumë merak e ankth për të njohurit e më pas trishtim dhe dhimbje pa fund për miqtë e të afërmit. Në periudhën e karantinës, që zgjati shumë e që lusja të përfundonte sa më shpejt, në mungesë të kontakteve njerëzore jetonim një kohë virtuale edhe me njerëzit që i kishim fare pranë. Megjithëse po ndaheshim për së gjalli fizikisht e po bënim një jetë “fshehtazi”, fatmirësisht kishim mundësinë e komunikimit virtual. Është shumë e vërtetë thënia se njeriu tre gjëra të shtrenjta në jete i vlerëson më shumë atëherë kur i ka humbur: shëndetin, rininë dhe lirinë. Për hir të shëndetit të rrezikuar kemi qenë të detyruar të humbisnim diçka nga liria, nga kontaktet njerëzore, që janë domosdoshmëri jetësore, që i japin bukurinë dhe shijen e natyrshmërinë jetës.
“Në mes të vështirësisë gjendet mundësia”,– ka thënë i madhi Einstein. Pra në çdo të keqe gjendet edhe ndonjë e mirë. Në kushtet e karantinës pandemike, për të plotësuar kohën në izolim, ose në “arrest shtëpiak”, kam shkruar disa nga kujtimet e mbresat jetësore. Shkrimet që kanë pasur lidhje specifikisht me punën projektuese janë përfshirë në librin e botuar me titullin “Mbresa të një projektuesi”, ndërsa shkrimet me mbresa të ndryshme jetësore po i përmbledh në këtë libër. Shkrimet, pavarësisht se janë kujtime e mbresa individuale, për të evituar monotoninë në ndonjë rast janë trajtuar në vetën e tretë, ku unë jam personifikuar me figurën e inxhinierit. Emrat e disa personazheve, sidomos të atyre që nuk përcjellin pozitivitet, nuk janë realë. Kujtimet e mbresat jetësore, ndonëse janë shkruar pa ndonjë lidhje organike midis tyre, përbëjnë një larmi ndodhish e personazhesh, prandaj gjykova që të redaktohen për botim si një mozaik, duke i grupuar në tre kapituj:
- Kohë e absurditeteve– Mbresa nga koha e regjimit të egër diktatorial, me të dyja anët e medaljes: dramën dhe komedinë, nëpërmjet paradokseve të asaj kohe, apo ndodhive me buzë në gaz;
- Kohë e çmendur – Mbresa nga çmenduritë e vitit të mbrapshtë 1997;
- Jashtë shtetit –Mbresa te veçanta nga disa vizita në Europë.
Uroj që lexuesi të më mirëkuptojë për shkrimet, të cilat janë thjesht mbresa e kujtime jetësore të një inxhinieri, trajtuar modestisht, pa pretendimin që të jenë letërsi e mirëfilltë.