Poezia e Edgar Allan Poe vjen në shqip nga Arqile Garo
Edgar Allan Poe: ËNDËRR BRENDA ËNDRRËS
Të fal një puthje në qerpik,
tani që po më thua – Ik!
Po dale! Do t’ ta them açik:
Paske të drejtë, mike, kur thua,
se ish kjo jetë ëndërr për mua.
Derisa shpresa u venit,
e s’ ka të bëjë ish natë a ditë,
u bë vegim dhe hiçasgjë,
mos kjo na qënkej tjetër gjë?
Tani po ia rrëfej dhe zemrës:
ti ishe ëndërr brenda ëndrrës.
Qëndroj i vetëm mes rrëmetit,
ku rreh furishëm shkulmë e detit
dhe mbaj në dorë atë pak rërë,
në ngjyrë floriri. E shoh me tmerr!
Sa pak! por nis edhe më shket,
përmes gishtërinve rrjedh në det,
në thellësi dallga ma tret.
Si t’ ishin lot – njëlloj si lot!
Oh, më ndihmo, të lutem Zot!
që t’ i mbaj fort e t’ i shtrëngoj,
qoftë dhe një grimcëz të shpëtoj,
ta mbaj me mall këtu pranë zemrës,
pse ish një ëndërr brenda ëndrrës.
Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: