Prof. Emil Lafe: Një sqarim për shqipen letrare
Në “Open” (News 24) të mbrëmjes së 20 qershorit publicisti i njohur Fatos Lubonja u shpreh se Kosova më mirë të kishte mbajtur gegërishten si gjuhë letrare, se kjo do të ishte pasuri: këndej toskërishtja, andej gegërishtja! Me një fjalë shqipja letrare do të frymonte me dy palë mushkëri e jo me një palë, siç është shprehur vite më parë edhe një publicist tjetër. Lidhur me këtë e quaj të nevojshëm një sqarim miqësor për z. F. Lubonja (po edhe për të tjerë që ndajnë e shtjellojnë të njëjtën pikëpamje).
Si do ta marrë vesh shqiptari i Filatit dhe shqiptari i Pejës që janë një komb, po të mos kenë një gjuhë letrare të përbashkët?
Është për t’u habitur që një njeri i letrave si z. Fatos Lubonja gjykon sot se do të kishte qenë më mirë që kosovarët të kishin mbajtur si gjuhë letrare gegërishten, sepse do të ishte një pasuri: Shqipëria me toskërishten, Kosova me gegërishten!
Për ata që mendojnë në këtë mënyrë, vraja që ka lënë Mbretëria Jugosllave dhe Jugosllavia Federative në Kosovë dhe te shqiptarët në Maqedoni ngjan ta ketë tjetërsuar shqiptarin e atjeshëm, duke e bërë të ndryshëm nga shqiptari i këtushëm. Kështu edhe formimi i synuar i një “shteti kulturor shqiptar” me kufijtë e gjuhës shqipe, me një gjuhë të vetme standarde, del mision jo vetëm i pamundur, por edhe i padobishëm e i panevojshëm.
Për ata që mendojnë në këtë mënyrë, historia e përbashkët e shqiptarëve shkon deri më 1913, kur u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar në Konferencën e Londrës. Pas asaj shqiptarët në ish Mbretërinë Jugosllave, që u luftuan me të gjitha mënyrat të mos nënshtroheshin, që i sfiduan Shtatë Krajlat e Konferencës së Londrës, u shndërruan dalëngadalë në një lloj popullsie tjetër, në shiptarë ose shiftarë (sipas shqiptimit dialektor të Kosovës) dhe me një gjuhë të quajtur shiptarski jezik nga Serbia, për dallim nga emërtimet albanci dhe albanski jezik, që përdoreshin për shtetin shqiptar dhe popullsinë e tij.
Për ata që mendojnë në këtë mënyrë, gjithë historia e mëparshme e përbashkët e shqiptarëve, Lidhja e Prizrenit, kryengritjet e fuqishme kundërosmane të viteve 1910–1912, Kuvendi i Vlorës me përfaqësues të gjithë trojeve shqiptare, janë tashmë të arkivuara dhe nuk mund të shërbejnë për zbutur e për të fshirë atë vrajë të dhunshme, ende të dukshme, por që nuk arriti kurrë deri të depërtojë dhe të ndryshojë strukturat e thella të ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Më kujtohet se si raportuesit e rrjeteve të huaja televizive në ngjarjet e vitit 1999, kur përshkruanin me tone dramatike ardhjen e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet pikës kufitare të Morinit, theksonin se janë i njëjti popull, kanë të njëjtën histori, gjuhë dhe kulturë. Prandaj ata u pritën dhe qëndruan këtu si shqiptarë e jo ndryshe.
Për sa i përket gjuhës së përbashkët e të njësishme letrare për gjithë shqiptarët kudo që janë, ose shqipes standarde, dua t’i kujtoj z. F. Lubonja dhe të tjerëve që nuk e dinë (ose bëjnë sikur), se atë e vendosën me vullnetin e tyre të lirë vetë shqiptarët në ish Jugosllavinë Federative në Konsultën gjuhësore të Prishtinës në prill 1968, sipas parimit “një komb – një gjuhë letrare kombëtare” (formulim i historianit Ali Hadri).
Dhe kështu edhe Jugosllavia e bota i njohu që prej atëherë si shqiptarë e jo më si shiptarë a shiftarë. Për hir të së vërtetës duhet përmendur se shqiptarët në Republikën e atëhershme jugosllave të Maqedonisë e kishin marrë këtë vendim një vit më parë dhe gazeta kryesore e tyre “Flaka e vllaznimit” e kishte ndryshuar që më 1967 titullin në “Flaka e vëllazërimit”.
Atë që arritën shqiptarët në gjysmën e dytë të shek. XX, gjashtëdhjetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë, popujt e tjerë të kontinentit tonë e kishin arritur shekuj më parë. Për fat të keq pikëpamja se Shqipëria dhe shqipja janë “rast i veçantë”, se ne kemi rrethanat tona të veçanta, nuk është fashitur. Është më mirë të shohim si i ka zgjidhur bota këto çështje, të ndjekim shembujt e përshtatshëm, dhe jo të mburremi se jemi ndryshe nga bota ose “veç dynjasë”, siç thuhet popullorçe.
Deri më 1968 në Shqipëri shkrimtarë dhe punonjës shkencorë nga krahinat e veriut, shkruanin dhe botonin sipas dëshirës në gegërishten letrare të kohës artikuj, libra e disertacione, madje kështu vepronin edhe gjuhëtarë të Institutit të Gjuhësisë në revistën e tyre “Studime filologjike”. Këngët më të njohura për Partinë e Punës, siç dihet mirë, kanë qenë gegërisht (Moj parti ta lumsha synin, s’guxon kush me të prekë kufinin … etj.) dhe kjo ishte mjaft e pëlqyeshme për autoritetet e kohës.
Ndoshta vijonte të ndikonte edhe parimi i zbatuar në Bashkimin Sovjetik: “Kultura të jetë socialiste nga përmbajtja, kombëtare nga forma”, d.m.th. popujt e Bashkimit Sovjetik le ta zhvillonin kulturën e tyre sipas traditave kombëtare, por me përmbajtje socialiste. Në rastin e Shqipërisë kjo mund të përkthehej: le të shkruhen vepra dhe le të thuren këngë me përmbajtje socialiste, dialekti, toskërisht a gegërisht, nuk ka rëndësi.
Ishte pikërisht vendimi i Konsultës gjuhësore të Prishtinës, që solli një kthesë edhe në Shqipëri: kur në Kosovë e në Maqedoni, sipas vendimit të Konsultës së Prishtinës shkrimtarët dhe dijetarët filluan të shkruajnë e të shprehen sipas projektit të drejtshkrimit që kishte botuar Instituti i Gjuhësisë i Tiranës, si mund të vepronin ndryshe kolegët e tyre në Shqipëri? Dhe ata, për hir të njësimit e të bashkimit, hoqën dorë vetvetiu nga tradita e mëparshme.
Shkrimtari i mirënjohur Kolë Jakova, që kishte shkruar deri atëherë vetëm gegërisht (“Halili dhe Hajrija”, “Toka jonë”, “Herojt e Vigut” e shumë të tjera), dhe kishte botuar dy vëllime të romanit “Fshati midis ujnave”, vëllimin e tretë e quajti “Fshati midis ujërave”. Sot forma gjuhësore e një vepre letrare gjykohet si zgjedhje e vetë autorit. Është dhënë para disa vitesh një çmim për një vëllim poetik duke marrë parasysh edhe se autorja e kishte shkruar gegërisht.
Por ka edhe një shembull tjetër më domethënës: poeti Zef Zorba (1920–1993), shkodran, i përndjekur i regjimit të kaluar, kishte lënë në dorëshkrim një përmbledhje poetike “Buzë të ngrira në gaz” (botuar më 1994), që i jep një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Siç kuptohet edhe nga titulli, ai iu drejtua gjuhës së përbashkët letrare, ndonëse krijoi në vetmi dhe për veten.
Vendimi i Konsultës gjuhësore të Prishtinës i hapi rrugën zhvillimit të Kongresit të Drejtshkrimit pesëdhjetë vjet më parë (nëntor 1972). Ky Kongres ishte kuvendi i dytë kombëtar pas atij të Vlorës (nëntor 1912), ku delegatë nga të gjitha trojet shqiptare mblidheshin dhe vendosnin për një çështje madhore, siç është gjuha e përbashkët letrare. Kongresi i Drejtshkrimit me Rezolutën e tij ravijëzoi dhe ripohoi hartën e gjuhës shqipe e të kulturës kombëtare shqiptare në Ballkan si një e të pandarë.
Në këta 50 vjet shqipja standarde është ngritur në një shkallë ku e ku më të lartë se variantet letrare të mëparshme. Ajo është bërë faktor vendimtar i zhvillimit konvergjent të shoqërisë shqiptare, me gjithë orvatjet e vajtueshme të disa intelektualëve non grata në opinionin popullor për t’i futur shkopinj ndër rrota këtij zhvillimi. Vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe praktika 50-vjeçare e zbatimit të shqipes standarde janë të pakthyeshme, sepse mbështeten në zhvillimin objektiv të procesit letrar.
Gjuhëtarët në këtë mes kanë kodifikuar dhe rregulluar atë që ishte arritur nga zhvillimi i vetë gjuhës. Prandaj duhet ditur mirë që Kongresi i Drejtshkrimit nuk krijoi ndonjë standard, por ngriti dhe sanksionoi si standard atë gjendje gjuhësore që ishte arritur dhe kristalizuar deri atëherë. Dhe standardi i shqipes, ashtu si çdo standard, në fushën e drejtshkrimi, të drejtshqiptimit dhe të formave gramatikore ndërtohet si pas parimit ose … ose, pra ose Shqipëria ose Shqipnia a Shqypnia; ose grue ose grua; ose kam bërë, ose kam ba a kam bamë. Përndryshe nuk ka standard.
Mushkëritë e standardit në të vërtetë janë fjalët, frazeologjia, shprehjet nga të katra anët e hartës gjuhësore të shqipes. Ato vijnë në gjuhën e përbashkët, ashtu siç kanë ardhur edhe më parë, nga lëvruesit e gjuhës, sidomos shkrimtarët dhe njerëzit e letrave, të artit, të jetës mendore në përgjithësi, ndër të cilët, në rastin e shqipes, një rol të veçantë kanë përkthyesit.
Sot nuk është më e nevojshme që institucionet e gjuhësisë shqiptare t’u kthehen rregullave të drejtshkrimit, lakimit të emrave e zgjedhimit të foljeve me pretendimin se kanë kaluar 50 vjet dhe gjuha ka ndryshuar, prandaj këto fusha duhen rishikuar (ose reviduar, siç thonë disa).
Në të vërtetë në këto fusha ka gjëra të vogla që mund të rregullohen pa bujë e zhurmë dhe pa shpenzime të tepërta. Sot është e nevojshme që autoritetet shtetërore në Shqipëri e në Kosovë të njohin dhe të bëhen të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e përafrimit dhe të njësimit të terminologjive: juridike, administrative, shkencore, teknike, ushtarake, sportive etj. Kjo duhet të jetë edhe një detyrë themelore për gjuhësinë tonë.
Dhe kjo nuk është as e thjeshtë e as e lehtë, si puna e drejtshkrimit dhe e formave gramatikore. Prandaj nuk i tërheq ithtarët e politikave të reja gjuhësore. Gjuhësia jonë ka detyrë gjithashtu të japë një ndihmesë sistematike e të organizuar për të mbrojtur gjuhën shqipe nga gjithfarë shtrembërimesh gramatikore dhe nga fjalët e huaja të panevojshme dhe mënyrat e të shprehurit të gjuhëve të tjera, që nuk pajtohen me natyrën dhe veçoritë e gjuhës sonë.
Në këtë mënyrë standardi gjuhësor i shqipes do të përmirësohet e do të plotësohet, do të ngrihet në një shkallë më të lartë e më cilësore dhe do të bëhet më i përshtatshëm për të sjellë shqip hpraktikën gjuhësore të Bashkimit Europian, ku synojmë të vemi.