Albspirit

Media/News/Publishing

Aristotel Spiro: CILI GJUHËTAR DO TË BËJË OPONENCËN E AGRON DALIPAJT?

 

I dashur Agron,

Më duhet t’i përgjigjem me një tekst të veçantë dhe ekskluziv komentit tuaj në postimin «Jan Baudouin de Courtenay (1845-1929), Shpallja e parimeve gjuhësore», të cilin pata kënaqësinë ta përkthej nga versioni anglisht.
Ju shpallni se jeni autor i një teorie që e keni emërtuar «teoria e embriomorfemave» dhe se jeni «autor i shtatë fjalorëve etimologjikë».
Nga postimi juaj njoftohem se keni kontaktuar edhe me kreun e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ju është dhënë një përgjigje se pse nuk po merren me oponencën e shkrimeve tuaja. Nëse është vërtet kështu, unë shpreh keqardhjen time që ju keni qenë pa fat në gjetjen e një oponenti. Gjithashtu, shpreh habinë time që, megjithëse i jeni nënshtruar autoritetit akademik të asaj që ju e quani «gjuhësia zyrtare», askush nuk ka denjuar që t’ju kthejë të paktën një përgjigje të shkruar zyrtare.
Ju jeni tashmë një person mediatik dhe keni një njohje që nuk e kanë shumë gjuhëtare dhe gjuhëtarë të përgatitur e të specializuar brenda dhe jashtë shtetit, botimet e të cilëve mbajnë në krye emërtimet e institucioneve akademike më prestigjioze të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kështu, më duket pak e habitshme deri në guxim që ju këmbëngulni për t’u certifikuar në një kontekst akademik, ku objektivisht në plan vetjak nuk keni për të përfituar ndonjë mediatizim më të madh. Nga ana tjetër, më duket pa kuptim që nuk ju kanë dhënë një përgjigje. Me atë paraqitje dhe njohje mediatike që keni, e quaj të domosdoshme që institucionet akademike zyrtare t’ju japin një përgjigje dinjitoze.
Ju më drejtoheni mua publikisht që t’ju bëj një oponencë për një nga fjalorët tuaj etimologjikë me cilësinë e përfaqësuesit të «gjuhësisë zyrtare».
Por në mënyrën e shprehjes suaj ka disa gjëra që unë nuk i kuptoj dhe duhen sqaruar që në fillim. «Gjuhësi zyrtare»? Cila «gjuhësi zyrtare»? Ka vetëm një shkencë të gjuhësisë, e cila nuk ndahet në zyrtare dhe jozyrtare. Është e vërtetë që gjuhësia tradicionale dhe moderne kanë shumë rryma (historiko-krahasuese, strukturaliste, funksionale, gjenerativiste), shkolla dhe disiplina (gjuhësia e përgjithshme dhe teoria gjuhësore, filozofia e gjuhës, sintaksa, morfologjia, morfosintaksa, fonetika, fonologjia, morfonologjia, semantika/semasiologjia, leksikologjia, sociolinguistika, planifikimi gjuhësor, kontakti gjuhësor, gjuhësia e trupave gjuhësorë, gjuhësia e zbatuar, dygjuhësia / shumëgjuhësia, gjuhësia kognitive, antropologjia gjuhësore, ekologjia gjuhësore, gjuhësia ligjore, gjuhësia gjinore, stilistika, tipologjia gjuhësore, psikologjia gjuhësore, gjuha e fëmijëve, gjuha kompjuterike, sistemet e shkrimit/ gramatologjia, etimologjia etj.), dhe teori më të përimtuara si, për shembull, leksikografia, teoria e gramatikalizimit, teoria minimaliste, metafora, grafematika etj.
Nëse ju me «gjuhësi zyrtare» nënkuptoni ato disiplina gjuhësore që ndjekin parime shkencore të sprovuara dhe të miratuara nga bashkësia akademike ndërkombëtare, unë këtë e pranoj me kënaqësi dhe si vlerësim.
Nëse ju me «gjuhësi zyrtare» nënkuptoni një vend që mund të kem në organikën arsimore ose akademike, për fat të keq, kjo nuk vlen për mua. Për arsye vetjake (studime doktorate jashtë shtetit dhe veprimtari biznesi përkthimesh zyrtare) që prej 30 vjetësh unë nuk kam marrë asnjë rrogë nga shteti shqiptar. Megjithëkëtë, unë nuk hoqa dorë kurrë nga studimet e shqipes. Kam drejtuar botimin e një reviste ndërkombëtare me kontribute studiuesish nga disa vende të botës, kam botuar libra me studime, ndërsa kohët e fundit Akademia e Shkencave e Shqipërisë mori përsipër botimin e veprës sime të jetës «Nyjat në gjuhën shqipe» (2021).
Veprat shkencore, për nga natyra e tyre, lexohen nga një numër i vogël njerëzish specialistë të fushës. Edhe unë do të dëshiroja që njerëzit të rrinin në radhë për të blerë librat e mi, të lexonin e të klithnin nga habia «Ç’mrekulli!», kolegët gjuhëtarë të mbushnin gazetat dhe revistat shkencore me recensione për «bëmat e mia» shkencore. Mirëpo, jo gjithmonë ndodh ajo që presim. Të rejat shkencore nuk përqafohen menjëherë nga bashkësia akademike.           Madje, ato zakonisht nuk janë fare të mirëseardhura. Ka shumë arsye që ndodh kjo. Njerëzit janë mësuar me një lloj shpjegimi dhe e kanë të vështirë ta përmbysin atë. Një arsye tjetër është, edhe pse kemi investuar mjaft kohë për të ofruar një shpjegim të ri, mund të mos jetë krejt ose aspak ashtu siç kemi menduar unë dhe ti për një dukuri të gjuhës a për çfarëdo dukurie.
Unë nuk mund t’i detyroj kolegët e mi të merren me çka shkruaj. Nuk mund të detyroj asnjë institucion akademik. Shkrimet dhe veprat e mia janë të botuara. Unë kam një mendim të caktuar për to, për çfarë kam shkruar. Por ky mendim nuk përputhet me atë që të tjerët mendojnë për shkrimet dhe veprat e mia. Mund t’i lutesha dikujt që të shkruajë për studimet e mia. Por nuk e kam bërë këtë kurrë. Dhe nuk kam për ta bërë. Aq më pak më shkon mendja t’i drejtohem një personi apo institucioni duke i detyruar që të shkruajnë pro ose kundër teorive të mia.
Mjaft teza dhe teori të miat bien ndesh me atë që ju mund ta konsideroni «gjuhësi zyrtare» (teoria e paravendosjes binare të nyjave, teoria e sintagmave emfatike, parimi fonologjik i drejtshkrimit, mohimi i parimit morfologjik të drejtshkrimit, përbërja grafematike prej 27 shkronjash në sistemin shkrimor shqip etj.). Nga kjo pikëpamje, unë nuk i përkas «gjuhësisë zyrtare» por jam besnik vetëm i gjuhësisë. Nuk kam padurimin që të më miratojnë. Unë jam i sigurt se, megjithatë, koha do ta tregojë drejtësinë e atyre që unë mendoj. Por kjo kohë mund të jetë aq e largët, sa unë mund të mos kem fatin ta shoh.
Tani, të vijmë tek rasti juaj. Ju i keni botuar librat tuaj. Aty keni shpallur teoritë tuaja. Dhe tani i drejtoheni Akademisë së Shkencave apo Qendrës së Studimeve Albanologjike. Kam përshtypjen që keni ngatërruar radhën. Ju duhet t’u ishit drejtuar atyre institucioneve para botimit të librave tuaj. Ka një procedurë të caktuar dhe politika të caktuara botimi. Institucioni vendos nëse ka interes të botohet një vepër apo të mos botohet.
Tani që ju i keni botuar librat tuaj, duhet thjesht të prisni. Nuk është tani radha e oponencës. Nëse ka vërtet ndonjë interes për çka shkruani, do të gjendet dikush, diku, që të shkruajë për ju. Por këtë nuk mund ta vendosni ju.
Unë nuk i kam lexuar librat tuaj. Dhe ka më shumë gjasë që kurrë të mos i lexoj. Shkaku për këtë jeni ju. Unë kam parë në televizion se ju i keni prirë një proteste përpara Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku akuzonit këtë institucion për veprimtari antishqiptare, meqenëse Akademia e Studimeve Albanologjike ka botuar «Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe» të Kolec Topallit, i cili vërteton një fakt mjaft të njohur, që shumica e fjalëve të shqipes kanë etimologji të huaj. Për gjuhëtarët dhe studentët mesatarë të gjuhës shqipe ky është një fakt shumë i njohur dhe normal. Nëse ju mendoni ndryshe, kjo do të thotë se ju nuk dini aksiomat e kontaktit gjuhësor, domethënë, që popujt marrin e japin nga njëri-tjetri, se huazimi gjuhësor është gjëja më normale tek gjuhët dhe popujt që i flasin ato, se gjuhë pa huazime nuk ka në botë, se gjasa që një gjuhë të jetë e pastër do të dëshmonte për një popull kulturalisht të sëmurë dhe të paaftë për të hyrë në kontakt me popuj të tjerë. Po ky nuk është rasti për popullin shqiptar, një popull vital, i cili në rrjedhë të shekujve pati aftësinë dhe dinamizmin që të thithë nga kontakti me popujt e tjerë elemente kulturore që e kanë inkuadruar atë në familjen evropiane duke ruajtur gjithsesi identitetin e vet kulturor dhe gjuhësor, i cili vërtetohet në radhë të parë nga gramatika dhe shumë më pak nga fjalët. Ky është edhe thelbi i të thënave të gjuhëtarit të madh Baudouin de Courtenay: «Secili prej nesh e ka për detyrë të shikojë me sytë e vet. Dhe nëse e shqyrtojmë me sytë tanë çështjen e përzierjes ose mospërzierjes së gjuhëve, do të duhet të pranojmë se asnjë gjuhë nuk është e pastër apo e papërzier» (shih «Mbi karakterin e përzier të të gjitha gjuhëve»).
Në qoftë se ju nuk i merrni parasysh këto gjëra të thjeshta, atëherë mos prisni njeri nga bota akademike që t’ju marrë seriozisht.
Në protestën para Akademisë së Shkencave ju keni përdorur një fjalor denigrues për figura studiuesish të shqipes si, për Eqrem Çabejn, Kolec Topallin etj. Kjo gjë më ka tronditur jashtëzakonisht, sepse këta i konsideroj figura të padiskutueshme të shkencës albanologjike. Më ka tronditur gjithashtu, më shumë sesa pjesëmarrja juaj, sidomos mediatizimi i kësaj «proteste». Kjo do të thotë se disa medie të Shqipërisë së sotme po luajnë një lojë shumë të ndyrë duke stimuluar një frymë të sëmurë vetizolimi kulturor dhe etnocentrizmi banal.
Por pjesa tragjike e kësaj historie është se institucionet akademike të Shqipërisë dhe Kosovës, edhe pse profesorati i aftë nuk u mungon, janë të paafta për të imponuar standarde emancipuese dhe linja të kuqe të mendimit intelektual në median publike. Po ashtu, mungon ose nuk zbatohet ndonjë kod standardi shkencor në mediet publike shqiptare. Janë tronditëse emisionet ku përballë një gjuhëtari të njohur qëndron një amator entuziast, ndërsa moderatori manipulon biseda përballë një audience që helmohet nga banaliteti.
Nëse ju shani gjuhëtarë të tillë, si Eqrem Çabejn apo Kolec Topallin, atëherë ju nuk keni kryer një akt shkencor, por një akt politik, me të cilin unë nuk jam aspak dakord. Dhe do të jem kundër çdo publiciteti vetjak që do të ketë si kusht sharjet dhe denigrimet e figurave të tilla.
Prandaj, habitem se si ju kanë pritur në Akademinë e Shkencave, kur ju jeni shprehur publikisht kundër kësaj akademie.
Rasti juaj më kujton një «episod» në katedrën e gjuhës shqipe të Universitetit të Elbasanit para më se 30 vjetësh. Një «shok armësh» i juaji, një mësues pensionist kishte paraqitur tek katedra një material të daktilografuar në të cilin «vërtetonte» se gjuha shqipe është më e lashta në botë dhe e aftë të shpjegojë çdo fjalë të çdo gjuhe në botë! Shefi i katedrës më ngarkoi mua, si pedagogun e «Gramatikës historike të shqipes», që ta lexoja dhe t’i ktheja përgjigje. Sigurisht, i ktheva një përgjigje dashamirëse, duke i shpjeguar se këto gjëra nuk ndodhin në gjuhë, sepse etimologjitë kryhen në bazë të disa rregullave fonetike, dhe ndryshimet e fjalëve diktohen përveç fonetikës, edhe nga shkaqe historike, etnografike, kulturore, administrative dhe sidomos nga kontakti gjuhësor dhe ndërgjuhësor.
Siç mund ta kuptoni, rasti juaj nuk është dhe aq origjinal. Sikundër nuk janë aspak origjinalë kolegët tuaj në Greqi, që mendojnë se greqishtja është nëna e të gjitha gjuhëve të botës dhe çdo gjë shpjegohet nëpërmjet greqishtes, apo disa «etimologë» popullorë serbë që mendonin se serbishtja është nëna e të gjitha gjuhëve të botës dhe çdo gjë shpjegohet nëpërmjet serbishtes.
Në momentet pa shpresë kam dëgjuar se edhe ateisti më i thekur i drejtohet Zotit për një mrekulli. Unë këtë po e bëj tani: Fort i lutem Zotit që t’ju ndriçojë udhën dhe mendjen.
Sigurisht, nëse doni të arrini tek e vërteta. Sigurisht, nëse doni të siguroni ndonjë lexues gjuhëtar. Përndryshe, do të keni gjithmonë po atë ankth dhe po atë pakënaqësi nga vetja se lexuesit tuaj do të mbeten po ata njerëz që duan të besojnë se gjuha shqipe është gjuha më e lashtë në botë dhe se fjalët e gjithë gjuhëve të botës shpjegohen me anë të shqipes.

Me dashamirësi,
Aristotel Spiro
Please follow and like us: