Albspirit

Media/News/Publishing

Arrestimi i rreth 100 ish-zyrtarëve të lartë shtetëror dhe udhëheqësve të bandave, i liberalizon vizat!

NGA IDRIZ MORINA
 

Foto ilustrim nga operacione të arrestimeve

 Shkoi edhe një shans për vendim pozitiv për heqjen e vizave. Në fakt Qeveria nuk e ka lënë përshtypjen asnjëherë se e kishte vërtetë vëmendjen aty.

Në fakt, edhe sikur dje apo sot në samitin e BE-së, të vendosej për liberalizimin e vizave apo të përkrahej kjo çështje, liberalizimi nuk do të mund të ndodhte, në bazë të pritjeve para 3 apo 6 muajve të ardhshëm, pasi data e liberalizimit mund të caktohet sipas vlerësimit të vendimmarrësve, në këtë rast të Këshillit Evropian. Në rastin më të mirë ajo do të fillonte të zbatohej, pas tre apo gjashtë muajve!

Pra, në aspektin kohor, ne ende mund të arrijmë tek liberalizimi i vizave në fillim të vitit 2023.

Pa arrestime të ish-zyrtarëve të lartë dhe të dyshuarve të gjykatës speciale, s’ka përparim

Këto ndryshime, dhe vetë Qeveria duhet të përcaktohet qartazi, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin më të lartë. Ajo që kemi parë deri më tash nuk është bërë asnjë betejë as në nivelin e mesëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Listat me njerëzit e padëshiruar për sistemin, përveçse ekzistojnë në polici, prokurori, gjyqësi dhe media, pjesërisht ekzistojnë edhe si histori në vetë denoncimet e bëra nga Vetëvendosja.

Pra, duhet ta ketë të qartë, edhe kjo Qeveria, sikurse të shkuarat, pavarësisht një gjysmëpremtimi, të vitit 2016 (por, jo si shans i 100%), kërkesa themelore ka qenë dhe mbetet arrestimi i krerëve, ‘peshqve të mëdhenj’ të krimit dhe korrupsionit. Arrestimi i tyre nuk mund të ndodhë pa arrestimin, e ish zyrtarëve të lartë të shtetit, për të cilët ekzistojnë prova të mjaftueshme.

Nuk mund t’i lejohet lëvizja e lirë, atyre udhëheqësve të bandave dhe krimit, që janë fshehur në Kosovë!

Dhe një faktor kyç në këtë proces, edhe pse duket si paralel, por që është i gërshetuar thellësisht me krimin e organizuar, është krijimi i kushteve për arrestimin e të dyshuarve të gjykatës speciale. Duket se intensiteti i bashkëpunimit të institucioneve në këtë pikë ka rënë. Shenjë e qartë, e mungesës së vullnetit të qartë, është vizita në Hagë e të dyshuarve që organizuan dhe porositën vrasjet politike, dhe deklarimet e Glauk Konjufcës për këtë!

Qeveria duhet t’ia ndërpresë burimet financiare të ‘krimit të organizuar’

Nëse ndodhë kjo, pra ky paqetim me arrestime, atëherë, krijohen dy shtigje të reja:

1. I pari është shumë me rëndësi për qeverisjen e vendit, sepse ata nuk do të mund ta pengojnë apo ta mbajnë peng as këtë qeveri, dhe cilëndo që të vie në të ardhmen.

2. Duke e paqtuar vendin nga krimi i lartë i organizuar, do të evitohet edhe ndikimi në drejtësi. Gjykatat, prokuroritë dhe policët hetues do të jenë më të lirë e më të pavarur. Po ashtu edhe organet kushtetuese, Këshilli Gjyqësor, ai prokurorial e deri tek Gjykata Kushtetuese.

4. Të gjitha këto së bashku ia mbyllin rrugët e veprimit Serbisë dhe sistemeve të veprimeve hibride të krijuara nga inteligjenca e sigurisë ruse etj.

Pa, një qeverisje efikase, dhe pa krijuar një sistem të sigurtë të drejtësisë, nuk ka investime të jashtme. Edhe kur ndodhin disa, përsëritet e kaluara jonë, apo edhe fati i Shqipërisë, ku investitorët marrin çfarë të duan (si KEDS-i, Aeroporti, Ferronikeli etj.), dhe shteti thuajse nuk përfiton asgjë, apo vetëm një minimum!

Gjermania bashkë me ne nuk ia doli?!

Gjermania nuk ia doli bashkë me ne, që t’i heqim vizat. A nuk është ironike dhe mbase qesharake të mendosh apo të arrish në një përfundim të këtillë!?

Sigurisht se është e vështirë të quhet dështim gjerman, por edhe dështim thjesht shqiptar, nuk është, pasi është një proces absolutisht jashtë kontrollit dhe ndikimit tonë në vendimmarrje.

Duket se nëse nuk ka pasur vërtetë pengesa teknike, që nuk lidhen me gjykatën speciale dhe luftimin e krimit të organizuar, atëherë është vërtetë vendim subjektiv, që çon tek ajo që shumë analistë dhe të tjerë e thonë, se liberalizimi i vizave, po mbahet, si presion i vetëm, madje kryesor ndaj institucioneve të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Kjo ka logjikë, nëse e shikojmë pak në retrospektivë zhvillimin e ngjarjeve për vizat.

Kur në vitin 2015 protestohej kundër demarkacionit (edhe asociacionit), betejën me opinionin publik e fituan Thaçi dhe të tjerët, kur e ofruan, demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave. Presioni mbi politikën ra. Më vonë ai u votua pa shumë vështirësi, edhe për shkak se njëri nga liderët dhe partia kundërshtuese erdhën në krye të Qeverisë (Ramush Haradinaj me AAK-në).

Por, mesazhi i kësaj sjelljes sonë psikosociale, ishte i qartë për perëndimorët: Shqiptarët nuk kanë atdhedashuri të mirëfilltë, dhe për viza e bëjnë çdo kompromis. Për ata që e kundërshtojnë vlerësimin e mëparshëm se nuk jemi atdhetarë, ia kujtojmë se esenca e kuptimit të liberalizimit të vizave është: se heqja e tyre është mjet për braktisjen e atdheut. Ashtu siç kanë bërë në mënyra të tjera duke e braktisur atdheun miliona shqiptarë!

Nëse ‘vizat’ po përdoret si atu politike, atëherë Gjermania nuk ishte e informuar për qëllimin, nëse nuk na futi në grackë vetë, duke na dërguar deri buzë liberalizimit të vizave, dhe aty na dorëzoi, tek ‘vendimmarrësit’, që duan dorëzimin tonë politik!/bota sot

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1830993/arrestimi-i-rreth-100-ish-zyrtareve-te-larte-shteteror-dhe-udheheqesve-te-bandave-i-liberalizon-vizat/?fbclid=IwAR0n1EqmlsRt0yDs18dpW30EpCVRFpsYShgxFcbYm21hPFxt8Jlf3YlvqRI

Please follow and like us: