Cikël poetik nga Luljeta Lleshanaku
GJËJA QË MË PËLQENTE TEK AI
Ishte mënyra se si iu afrua shtratit të parën herë,
gati me përtesë, pa i hedhur sytë jashtë
ku mesdita e korrikut ngrinte leqe të pambukta shprese.
Fikjen e llambës me një prekje të vetme.
Dhe thyerjen e ҫarҫafit me atë siguri
sikur e bënte prej njëmijë vjetësh
Si një anije e madhe që po kthehej në port
me ngarkesën e saj të fundit; e gatshme për skrab.
E ҫ’rëndësi ka se ҫ’ndodhej në hangar
thasë kafeje, porcelan apo ethe tropikale!
METAMORFOZË
Vera po afron,
me një mall dëshpërues për jetën
duke qenë akoma gjallë. Një tjetër mundësi po të jepet
për t’iu afruar…
Për t’iu afruar kujt, cilës gjëje?
Nuk e gjen dot fjalën e saktë.
Kur ishe fëmijë, vizatoje një katror
me një oxhak që nxirrte tym të kaltër, dhe e quaje shtëpi;
një lëmsh të verdhë, diell; një rreth të kuq me bisht e quaje mollë.
dhe një mollë të shtypur,
zemër.
Gjithçka ishte fare e thjeshtë.
Objektet mbetën po ato; u shtuan veç fjalët, emërtimet
si nofkat intime që u vëmë rrugëve dhe qosheve
të qytetit ku jetojmë prej vitesh,
pa mundur ta bëjmë tonin.
Dhe më pas, kur nuk ka më shpresë
i abstragojmë sërish, i kthejmë ashtu siç ishin,
në gjendjen fillestare:
një shtëpi që nxjerr tym të kaltër, një lëmsh verbues portokalli,
një mollë dhe një zemër.
Kur e humbim mundësinë për t’i pasur,
i kthejmë në art,
duke lënë së paku një predikim,
për brezin që vjen pas.
ATA PO NXITOJNË TË VDESIN
Ata po vdesin njëri mbas tjetrit;
të hedhësh dhe mbi ta, u bë krejt e zakonshme
si t’i hedhësh kripën gjellës.
Janë të gjithë në një brezi, të afërmit e mi
ose më mirë të një epoke,
e fëmijët e epokës janë si qentë e lidhur me një slitë,
në kërkim të arit:
duhet të vrapojnë, ose të rrëzohen njëherazi. Epokat s’janë matematikë
por, krehra, krehra që rrafshojnë ҫdo rebelim floku,
epokat lënë pas vetëm silueta:
të zeza, gri, të bardha arktike.
NË IKJE
Me diellin në shpinë, pa kthyer kokën pas,
në hyrje të metrosë, sa nuk i thyejmë këmbët njëri-tjetrit.
Për ku po nxitojmë kaq fort,
prej s’gjeje po ia mbathim?
Ai shkollar gjysmë i përgjumur, mezi pret t’i ikë fëmijërisë;
qimet e sapodirsura në trup dhe zëri i trashur,
e përgatisin për dimër.
Vajza aziatike, me një palë kufje në vesh po i ikën karmës.
Djaloshi me kitarë në dysheme, me siguri biri i një pastori a avokati,
po ia mbath prej gjeneve. Dhe gruaja shtatzënë – prej lëkurës së saj.
Ajo madje as që e vë re vrimën,
që konduktori gjysmë i përgjumur i shtyp në biletë.
Ai burrë i rruar taze, me jakë të kollarisur e kravatë,
duket si një shtrat i rregulluar me kujdes,
për të maskuar makthet e natës.
Të gjithë po ikim prej diçkaje. Pa u ndalur asnjë sekondë.
Duke kërkuar me sy një ishull, si zogjtë në mes të oqeanit.
Prej kujt po ia mbath kjo zonjë e moshuar?
A nuk duhet të ishte duke vjelë kajsi në kopshtin pas shtëpisë tani?
Kurse në krah të saj, ai djalosh me uniformë shërbimi,
me emrin dhe stampën e hotelit në gjoks,
punon recepsionist apo përgjegjës ashensori,
merret vesh qartë.
Të gjithë sytë prehen lirshëm përmbi të
si mbi një statujë lakuriqe të mes të parkut.