Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam AT KARLO SERREQI!

 

AT KARLO SERREQI O.F.M. (1911 – 1954)

 

“Dënohet me vdekje me pushkatim, se nuk tregon Rrëfimin”.

 

Arrestohet me 9 Tetor 1946, kur sherbente në Dukagjin se, nuk tregoi që ka rrëfye një të plagosun t’ arratisun nder male. Me vendimin e gjykatës atje të dates 18 Janar 1947 At Karlo Serreqi, dënohet me vdekje me pushkatim.

Mbas disa kohe dënimi me vdekje i kthehet në burgim të përjetshëm.

Shpjegimet e sakta të Dosjes 1268 i jep studjuesi Dr. Pjeter Pepa, ku na i  shpjegon dredhitë e Sigurimit shtetit, si e si me e zhdukë këte klerik.

At Karlo asht le në Shkoder me 26 Shkurt 1911 nga prindët Kol Serreqi dhe Maria Guga. Asht pagzue me emnin Ndue. Mori mësimet e para në shkollë Françeskane ndersa të naltat në Brescia Itali. Shugurohet në Torricchio të Italisë, me 29 Qershor 1936. U kthye n’ Atdhe dhe shkon me sherbye nder disa famulli si Curraj t’ Eperm, Raje e Berishë dhe Nikaj – Mertur. Nder ato Malësi nuk ishte aspak e vështirë akuza e Sigurimit kriminal të shtetit: Se, ke strehue të arratisun apo ke bashkëpunue me ata nder male, sepse kudo e kurdo, ata ishin në të gjitha krahinat malore e fushore të Shqipnisë, po edhe të njoftun si antikomunista e Atdhetarë të vendosun me vdekë per liri.

Sigurimi i Shtetit gjeti shkak per arrestimin e At Karlo Serreqit, me daten 11 Tetor 1946, kur u ba ndrrimi i kartmonellave, se kishte shpernda në njerzë të holla të disa arratisunve me i shkembye në besim, tue mos tregue se të kujt ishin tue fillue nga Pashuk Biba, Frano Sokoli, Mark Tugji etj.

E randonte ngjarjen edhe permbajtja e disa letrave që At Karlo i ka shkrue disa fshatarve per me ndihmue të arratisunit tue i strehue në shtëpija.

Dihej se gjoja At Karlo kishte strehue edhe Nik Sokolin e ndihmue me bukë.

Pranon se me familjen e Kol Bib Mirakaj ka ruejt miqësinë ata pak muej që ata ishin pa u interrnue në fillim të vitit 1945. Mjaftonte edhe vetem një ditë per me t’ akuzue si “armik i popullit”. Shpjegon edhe ardhjen atje t’ Osman Gazepit, që i kishte lanë një mitraloz. Pranon nga torturat se ka Rrëfye atje  Lush Martinin që asht plagosë në perpjekje me forcat e Ndjekjes. Tregon se atje ka Rrëfye edhe një t’ arratisun tjeter, po nuk mund të tregojnë njeriun dhe Rrëfimin e tij, mbasi asht “çeshtje Fetare dhe nuk mund të flasin.”

Tregon që ka rrëfye t’ arratisun, por lidhje nuk ka pasë me asnjenin. Nga të arratisunit nuk kam marrë as të holla kur asht ba ndrrimi i tyne. Hetimet i ka vazhdue me Xhemal Selimin që njihej si torturues i sigurimit shtetit. Ky hetues e akuzon per bashkpunim me fashizmin dhe At Anton Harapin. Per lidhje me t’ arratisun dhe ndihma në të holla, si dhe rrezikshmeni tue i kerkue trupit gjykues pushkatimin e At Karlo Serreqit, si armik i Popullit.

Me 17 Janar 1947, Prokurori Namik Qemali e akuzon edhe per shkembim të një sasije monellash, gja të cilen avokat Ferdi Kumbaro nuk e pranon, tue i kerkue gjykatës: “Pafajsinë e At Karlo Serreqit i ngarkuem n’hetuesi pafaj”.

Këte pafajsi At Karlo e argumenton edhe Ai vetë me daten 16 Janar 1947, para Kryetarit gjyqit Misto Bllaci, Antarë Loni Dimishi e Anastas Koroveshi dhe ripersëritjes së akuzave fallco. Tregon se asnjëherë nuk ka pasë asnjë lidhje me t’ arratisun dhe as njohje personale me shumicen e tyne. Kur ju lexuen thanjet e të tjervet At Karlo i pranoi pjesërisht ato që s’ishin shpifje.

Megjithate, gjykata persëriti edhe njëherë dënimin e At Karlos me vdekje.

Atëherë pritej apeli nga Kuvendi Popullor i Shqipnisë. At Karlo Serreqi, ishte i njohun si qytetar i panjollosun me fajet që akuzohej, po edhe fajet per të cilat Ai akuzohej nuk kishin asnjë bazë vertetsije, gja që vertetohet.

Në Dosjen personale të At Karlo Serreqit, lutja per rishqyrtimin e dënimit të Tij asht ba dhe nenshkrue nga vllau i Tij Angjelin Serreqi, banues i qytetit të Shkodres, i njoftun nder qytetarët e nderuem dhe me prejardhje shumë të paster si dhe, me kontribut Atdhetar të vazhdueshëm edhe si Fis.

Në lutjen që i drejton Kuvendit Popullor, Angjelini shpreh edhe besimin e vet per pafajsinë e vllaut At Karlos, per të cilin ka bindje të plotë se Ai jo vetem asht i pafajshem, po as nuk e perpjekë asgja me akuzat ndaj Tij.

Me daten 21 Nandor 1947, Këshilli i Gjykatës së Naltë Tiranë, me kryetar Niko Çeta, mbasi mori në shqyrtim vendimin e gjykatës së dhanun per At Karlo Serreqin, dhe mbasi shqyrtoi akuzat e bame ndaj tij, ajo e ndryshoi Vendimin, tue e kthye në “dënim të Perjetshem”. Ndoshta, një rast i rrallë po, i pranueshem mbasi At Karlo Serreqi njifej si i këtillë edhe nder fshatrat ku ka sherbye që në moshen e Tij të re po, gjithmonë tue veprue me pjekuni, pasterti dhe perkushtim në detyren e Tij Fetare dhe Atdhetare.

Per vazhdimin e dënimit të Perjetshëm Ai dergohet në Burgun e Burrelit.

Këthimet e dënimit me vdekje me pushkatim, në dënime të “Perjetëshme” e që janë të shpeshta dhe të shumta, kerkojnë një sudim të veçantë, mbasi ata shpesh kanë pasë qellime të njajta me vendimet “me vdekje me pushkatim”, po, per mos me shtue shifrat e të vramve, i kthenin “dënim i perjetshëm”!

Nga disa emna të njohun që mund të pushkatoheshin, shohim kalimin e tyne nder burgjet e “perjetëshme” të Burrelit, Gjinokastres etj. Atje Ata kanë kalue pak vite dhe aty Ata kanë vdekë, tue ju humbë edhe kufomat.

Këte fat të zi pat edhe At Karlo Serreqi me 4 Prill 1954, nga ifrakti i zemres.

Rastet si ky i At Karlos, janë jo të pakta se pjesa ma e madhe janë arkivue në “dosje t’harresës” dhe, as nuk zehen me gojë se Ju humben kufomat e Tyne.

Pjesa e madhe që ishin n’ ata burgje gati asnjëherë nuk asht pranue si “e pafajshme”, po me rrugen e terthortë të zhdukjes në heshtje, ata hyjnë në të vdekunit e burgosun. E kjo vdekje asnjëherë nuk ka njohë “pafajsi” per ta.

E pse Trupat e Tyne të vdekun nuk ju dhane familjeve të tyne per vorrosje?

Jo, jo, në asnjë mënyrë, se kishin me plotsue dënimin e “përjetshëm”, tue ia tretë kufomat, të cilat mund të kerkoheshin edhe mbas 25 ose 30 vjetësh!!

E sot, asnjë gati nuk dihet as ku asht tretë Trupi i Tij, mbasi ishte “armik”, po i kujt nuk thohet, se ata që i tretshin kufomat ishin të “zgjedhunit”!

Dihet vetem një fakt: Se kush ka vdekë në Burgun e Burrelit, hidhej nga dy ose tre polic tek “qerrshija”, ku kalbeshin dhjetra kufoma të zhdukuna.

Këta vertetë nuk u pushkatuene, por Trupat e Tyne psuen të njajtin fat.

U zhdukën pa asnjë Shenjë tek koka dhe pa asnjë pikë lot nga trashiguesit.

Ajo që bije në sy nga këto vdekje të mnershme nder burgjet komuniste asht edhe fakti që nder ata burgje ishin të gjetun per zhdukje të perjetëshme edhe policët, të cilët merreshin me zhdukjet e kufomave të tyne. Duhet me thanë të verteten se pak ose aspak polic kanë tregue vendvorrosjet ose ma mirë me thanë: “Ku u tretëshin kufomat e të burgosunve që vdisnin nder ata burgje shfarosje të Atdhetarve tanë, si dhe të Klerikëve katolik.”

Kryesisht, ajo që veprohej me kujdes nga agjentët e Sigurimit të shtetit në raste vdekjesh nder burgje ishte “diagnoza e percaktueme nga mjeku”, që asnjëherë mos me u krijue dyshim nga familjarët e viktimës se, “vdekja ka qenë pasojë e ndonjë veprimi nga oficerat e sigurimit.” E raste të këtilla jo vetem që njihen të shumta, po njihen shumë pak raste vdekjesh natyrale.

Ndersa, nuk perjashtohen edhe rastet e kerkesave të hetuesve per me hapë edhe njëherë Dosjet “me shtesa emnash të rinjë”, tue i akuzue gjoja per ato akuza që janë lanë me qellim, pa u zanë me gojë në hetuesinë e kalueme.

Kjo rrugë ishte aq e shpeshtë sa zhdukte kushedi sa persona mbas sa kohe kur, “Dosja” mendohej e mbyllun dhe një personit i ishte falë jeta. Ndoshta, edhe pse kishin kalue vite, veç kur hapej fjala se “x person vdiq nga zemra” dhe, mbyllej “Dosja” me një dokument fallco të firmosun nga një mjek.

Asnjëherë nuk kanë me u dijtë të vertetat e vdekjeve nder burgje komuniste, mbasi “faktin e vertetë”, viktimat e kanë marrë me vete në Gropa pa emen!

Sot perkujtojmë një prej këtyne viktimave të Burgut Burrelit, i cili nuk la asnjë gjurmë mbas dënimit të “Perjetshëm”, edhe pse ishte shumë i rinj, i paster, Atdhetar dhe Klerik i Perkushtuem, që Rinia Shqiptare do t’a ruej perjetë në kujtesen e vet si: Zamak i Flamurit Kastriotit – Skendrerbeut!

Melbourne, 24 Qershor 2022.

Please follow and like us: