Përse Beogradit i intereson acarimi i marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut
Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Në qarqet diplomatike europiane dhe ballkanike u shokuan nga shpërthimi i histerisë antibullgare të kryeministrit shqiptar. Histeri, që kulmoi në mes të Brukselit në 23 qershor me klithmën antidiplomatike dhe antietike kur në konferencë shtypi iu hakërrua gazetarëve bullgarë për atdheun e tyre: “Ju jeni një turp!”.
Diplomatët po qëmtojnë të gjejnë arsyet personale të këtij shpërthimi kolerik, sepse arsye shtetërore nuk ka. Sepse edhe po të kishte, kryeministri i një shteti nuk mund të flasë në publik me gjuhën e vulgut.
Bullgaria, si anëtare e BE, e ka deklaruar qysh në ditën e parë të vetos ndaj Shkupit se është për hapjen e bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë. Është zgjedhje e BE, që nuk don t’ia hapë bisedimet Shqipërisë për arsyet e saj, dhe jo për fajin e Bullgarisë. Veto bullgare për Shkupin është për BE thjesht një pretekst.
Edhe Serbisë, që ka bërë katër agresione të përgjakëshme kundër shteteve fqinjë, BE ia dha statusin e shtetit kandidat disa vjet para Shqipërisë. Nuk kishte veto bullgare në atë kohë.
Kryeministri shqiptar shpërtheu një histeri personale kundër Bullgarisë, e cila nuk ka asnjë lidhje me veton bullgare ndaj Shkupit. Inati kryeministror shqiptar lidhet me shqetësimin e madh të Serbisë për efektet e vetos bullgare në raportet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një plotësim i kërkesave historike, linguistike dhe identitare të Bullgarisë nga ana e Shkupit do të rrëzonte gjithë narrativën artificiale të krijimit të republikës virtuale të Maqedonisë nga Serbia në vitin 1945 si kundërvënie ndaj Bullgarisë.
Me plotësimin e kërkesave bullgare nga Maqedonia e Veriut Serbia do të humbte pozitat e forta të influencës, që gëzon nëpërmjet lobit dominant serb në Shkup. Për këtë arsye Beogradi ka nxitur intransigjencën e Shkupit ndaj Bullgarisë dhe acarimin e marrëdhënieve midis tyre.
Lobi serb në Shkup ka bllokuar çdo tentativë të diplomacisë së Maqedonisë për fleksibilitet ndaj kërkesave bullgare. Kryeministri shqiptar ka hyrë si zhol në këto raporte bullgaro-maqedonase, duke mbrojtur interesin strategjik të Serbisë dhe duke sulmuar Bullgarinë. Pra kryeministri shqiptar i ka hipur kalit antibullgar të Serbisë për arsyet e aleancës së tij të fshehtë personale me presidentin e Serbisë Vuçiç.
Naivët e Tiranës duhet ta dinë se edhe në kërcënimin e bojkotit për samitin BE-Ballkani Perëndimor të 23 qershorit, që ishte ide e Vuçiçit, kryeministri shqiptar u bashkua për Vuçiçin, dhe jo për Kovaçevskin.
E keqja është se pasojat e kësaj sjellje skandaloze diplomatike ndaj një aleati atlantik dhe pozitiv ndaj çeshtjes kombëtare shqiptare, i paguan shteti shqiptar, sepse dëmtohen marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë për hatrin e Serbisë.
Kryeministri nuk e njeh memorien diplomatike shtetërore shqiptare, por dikush mund t’ia mësojë atij se në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kur u dha në 22 korrik 2010 verdikti i ligjëshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS OKB, zemërimi më i madh i Serbisë nuk ishte me delegacionin e MPJ të Shqipërisë atje, por me delegacionin e MPJ të Bullgarisë, i cili në paraqitjen e qendrimit zyrtar bullgar i bëri një mbrojtje të jashtëzakonëshme juridike të drejtës së Kosovës për pavarësi.
Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç mbajti një konferencë shtypi atë ditë në Hagë dhe sulmoi ashpër Bullgarinë “pse e mbrojti Kosovën më shumë se Shqipëria”.
Në qeverinë aktuale nuk punon memoria historike. Të paktën kryeministri shqiptar të mbajë kalin e histerisë antibullgare dhe le të vazhdojë në mediat europiane me mercenarizmin apologjetik ndaj Serbisë. Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar nuk kanë nevojë të bëjnë armiq të rij në Ballkan.
Na mjaftojnë armiqtë e vjetër të pakoregjueshëm si Serbia, e cila mban rekordin e borxhit të papaguar të gjakut, që i ka kombit shqiptar./gazeta dita