Albspirit

Media/News/Publishing

Tërbohet Putin, 40 raketa mbi Ukrainë

Ukrainë- Një ‘shi’ raketash është lëshuar nga Rusia drejt Ukrainës në një sulm të gjërë.

Duke përdorur hapësirën ajrore mbi Bjellorusi në veri dhe ujërat e Detit të Zi në jug, forcat ruse lëshuan një breshëri raketash në të gjithë Ukrainën të shtunën, në një nga sulmet ajrore më të gjera dhe të koordinuara të javëve të fundit. Lajmi u njoftua nga zyrtarë ukrainas.

Ushtria ukrainase tha se gjithashtu se avionët luftarakë rusë kishin sulmuar pozicionet ukrainase pranë qytetit lindor të Lysychansk-ut, bastioni i fundit urban ende nën kontrollin e Ukrainës në provincën lindore Luhansk.

Të shtunën, kryebashkiaku i Sievierodonetsk-ut, Oleksandr Stryuk, një qytet që ndahet me një lum nga Lysychansk-u, tha se forcat ruse e kishin pushtuar qytetin. Sulmet me raketa të shtunën erdhën disa orë përpara se Presidenti rus Vladimir Putin të takohej me Presidentin bjellorus Aleksandr Lukashenko në Shën Petersburg.

Forcat bjelloruse po kryenin sërish stërvitje ushtarake pranë kufirit me rajonin e Kievit, në veri të Ukrainës, duke rritur tensionet dhe duke i vënë autoritetet atje në gatishmëri të lartë.

Agjencia e zbulimit ushtarak të Ukrainës i quajti sulmet “një provokim në shkallë të gjerë të Rusisë, me qëllim tërheqjen e mëtejshme të Bjellorusisë në luftë kundër Ukrainës”. Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se nuk ka gjasa që Bjellorusia t’i bashkohet përpjekjeve ruse, por qëndrimi në pushtet i zotit Lukashenko në Bjellorusi varet nga mbështetja e Kremlinit, çka kufizon hapësirën e tij për manovra politike.

Të shtunën Presidenti Biden u nis drejt Gjermanisë, ku do t’i bashkohet udhëheqësve të Grupit të Shtatëshes, në një takim të nivelit të lartë që synon të forcojë vendosmërinë perëndimore në mbështetje të Ukrainës përballë rritjes së kostos ekonomike që po krijon lufta për këto vende.

Tupat ukrainase tërhiqen nga Sievierodonetsk-u

Trupat ukrainase njoftuan se po tërhiqen nga qyteti lindor i Sievierodonetskut pas disa javë luftimesh të ashpra me forcat ruse.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut Serhiy Haidai tha se trupat kishin marrë urdhër për t’u zhvendosur në pozicione të reja.

Ukraina tha se forcat ruse kishin pushtuar plotësisht qytetin fqinj Lysychanskun që gjithashtu shtrihet në rajonin lindor të Luhanskut. Moska pretendoi se ka rrethuar rreth 2,000 trupa ukrainase në këtë zonë.

Gjasat janë që Kremlini të marrë kontrollin e plotë të provincës Luhansk, një nga objektivat e shpallura të Moskës.

Për të stabilizuar situatën në Luhansk, Ukrainës i duhet armë i tha gjenerali më i lartë ukrainas, homologut të tij amerikan të premten.

“Diskutuam mbi situatën operacionale dhe rrjedhën e ndihmës teknike ndërkombëtare“, shkruante gjenerali ukrainas Valeriy Zaluzhniy në aplikacionin Telegram pas një telefonate me gjeneralin Mark Milley, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-ve.

Ukraina ka thënë se avantazhi që ka Rusia në artileri, në vijën e frontit të Donbasit, po u kushton shumë trupave ukrainase, ndaj Kievi u ka bërë bërë thirrje partnerëve perëndimorë që ta furnizojnë me më shumë armë.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes vlerësoi të premten vendimin e Ukrainës për t’u tërhequr nga Sievierodonetsku, duke e cilësuar atë si masë “profesionale” e “taktike”.

Zyrtari që foli në kushte anonimiteti tha se forcat ruse kanë qenë në gjendje të përparojnë rreth Sievierodonetsk, por me kosto të konsiderueshme sikurse shtoi ai.

“Rusët kanë pësuar viktima të shumtë e humbje në armatime të rënda”, tha zyrtari. “Forcat ruse po japin shenja të konsumimit dhe të moralit të dobësuar dhe kjo po ndikon në aftësinë e tyre për të përparuar me shpejtësi”.

SHBA-të premtuan këtë javë 450 milionë dollarë më shumë në ndihmë ushtarake për Ukrainën, përfshirë sisteme të tjera raketash me rreze të gjatë veprimi, krahas një ndihme prej 1 miliard dollarësh që u njoftua rreth një javë më parë.

Zyrtari i lartë amerikan i mbrojtjes tha të premten se forcat ukrainase po stërviten me katër sisteme të tjera raketash të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) pjesë e paketës së sapo shpallur. Sistemet amerikane do të vihen në përdorim në luftë, brenda disa javësh./VOA

Please follow and like us: