Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Selaudin R. Guma

Shpirt i trazuar

C’t’i këndoj vallë të djeshmes
Ajo iku s’kthehet më
Shpirtit thellë gjurmët mbeten
Janë memece, krej pa zë.

ç’më vjedh gjumin që kaq herët
Hëna këmbët lag me vesë
S’më lë mua si të tjerët
Të fle qetë der në mëngjes.

Pse kërkon të më mbash zgjuar
Telat e shpirtit m’i tund qetë
Unë në jetë s’kam ëndërruar
Që të isha dhe pak poet.

Unë nuk jam prej atij dylli
Prej këmbë blete gatuar
Ndodhitë e jetës simë
Në letër t’i lë të shkruar.

Demon pse s’erdhe më herët
Dhe ju muza një nga një
Që të shkruaja më parë
Modestisht, heshtur, pa zë.

O këngë malli që më zgjon
Ritme zemre për çdo natë
Jam pak vonë dhe pak i plakur
Trup e shpirt brenda sëmbon.

 

Dhurata më e bukur

Librin tënd dhuratë, në dorë kam tani
Si shoqe e kolektivit ku ne punuam bashkë
Të sjell ndër mend, si një vajzë perri
E mençur, e zgjuar, me shtatin si selvi.

Dhuratë shumë të bukur ti më dhe
Librin e fashmëm të një autori të madh
S’pata mundësi të të takoja kur u ndamë
Dhe dorën njeri-tjetrit nuk ia dhamë.

Isha shumë i lumtur kur ne punonim bashkë
Të vjetër e të rinj, të gjithë zemërbardhë
Në kokën time mbushur plot me thinja
Më zgjoheshin agime, me trokthe, tingëllima.

Në jetëm time, të gjatë e me derte
Zë vend mirësia, atë e mbaj me vete
Mirënjohjen e kam mal, si diçka hyjnore
Bëhem prapë i ri, me jetën kapur dore.

 

Sozia

 

Te pameba shkova sot
Të kërkova në çdo sheg
Rëra ishte e tejnxehur
Tabanin e këmbës djeg.

Kaloja si për shëtitje
Me ngadalë e vigjilent
Sytë kërkonin pa pushim
Nëpër çadra me klientë.

Po diku pakëz më larg
Pashë tek uji një hyjneshë
Ish e hollë e shtatëlartë
E bukur si perëndeshë.

Me flokë si platini i bardhë
Të lidhur lart si krifë
Zemra u shkund si rrebesh
Desh ngriva, luajturmendsh.

U afrova dalë ngadalë
Ta shikoja me qetësi
Ajo s’ishte një hyjneshë
Ishte thjesht një sozi.

Desh t’i flisja, belbëzoja
Shtanga befas mu në vend
Gjithë mendimet mu ronitën
Fluturan porsi shpendë.

Për një kohë qëndrova drojtur
Për sozinë si një vegim
Dallgët më erdhën te këmbët
Më zgjuan nga një tërbim.

S’kam merak për sozitë
Shpesh ato shfaqen në jetë
Ngjashmëritë sipërfaqësore
S’janë siç duken në t’vërtetë.

Kjo që pashë pak më parë
Nuk ishte sozia ime
Ish sozia e një të dashure
Që la plagë dashurie.

Dhe tani që po shkruaj
Kam dalë jashtë në ballkon
Lutem e falem në qiell
Atë që shpirti im kërkon.

 

Mesnatë

Eshtë mesnatë tani që shkruaj
Flladi i detit më ndihmon
Bashkë me të vjen dhe aroma
Shpirti im dikë kërkon.

Dil vështro edhe ti qiellin
Vështro yjet, ndihu femër
Ata janë për ne të dy
Vijnë e godasin në zemër.

 

Dorinës

Po largohemi së fundi me dhimbje
Për dashuri zemra jote s’ka vend
Për gjithçka thashë më fal në ikje
Për lumturinë dhe shqetësimin tënd.

I ndamë rrugët aty pa fjalë
Koha le të ndalet, të heshtë
Ndonjëherë si erën do të kujtoj
Që gjethet rrëzon me inat në Vjeshtë

Zemra mundimin mban me vete
Zhubrosur keq si gazetë e vjetër
S’dua të të gënjej tani në ikje
Të kam dashur si askënd tjetër.

Do më kujtosh ndonjëherë, s’di se si
Po ç’rëndësi ka, një tjetër do duash
Tashmë gjithçka mbaroi si me magji
Për njeri-tjetrin mbetemi të huaj.

S’dihet koha do na takojë sërish
Do na kujtojë brengën e vjetër
Ti me një tjetër do të jesh përkrah
Dhe unë me disa vargje në letër.

Lamtumirë ti, ëndërr e bukur
Para se zemrën ta kem humbur
Se s’dua të zgjohem në mëngjes
Me muzën time të përgjumur.

Please follow and like us: