Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mulliri i padukshëm

Sepse ne nuk kemi këtu një qytet të përjetshëm…
e kërkojmë atë, mbase dhe ka për të mbërritur…
Duhet, duhet ta shtrëngojmë fort në nofulla
këtë arrë, këtë domosdoshmëri prej guri.
Ja, tej të rinjtë në moskokëçarje lepurushësh
ecin, lodrojnë fushës me lakra, pa gardhe,
e ti je i tejpërshkuar nga dritat e një tjetër bote.
Rrezja e syve prek ajrin, i prek ata
në vesën e dritës që shpërndahet
aq bujarisht shkrifët.
I prek drita me sytë e tu, dhe kaq.
Hiri, ajo foshnjëri, lirshmëri të janë
marrë.
Se ne nuk jemi në një qytet të
përjetshëm…
Ti ke mbetur në anën tjetër të rrezes,
në skajin e fundmë të qytetit.
Ndihen mbi ty hijet mbrëmësore.
Ke lejen të jesh pak,
fare pak,
qoftë dhe bar i kositur.
Nga cepi i fushës ti i lutesh Zotit
si një plepi të lartë.
Lëkura jote si xham i thyer
në trungun e tij të ashpër zhvoshket e,
ndërsa plepi përhidhet lart,
ti në zalisje me mish e kocka,
thërrmohesh në teposhtë.
Ti lutesh që të të pranojë ky ajër,
kjo dritë rreth teje…
sepse ne nuk e kemi këtu një qytet të përjetshëm.
Atje përtej,
padukshëm një mulli vërtitet,
bluan jetët.
Bluan jo drithë,
por gogla sa një arrë, gogla guri.
Please follow and like us: