Miho Gjini: JETË FËMIJËSH NGA NJERIU I PA FAT, MËMË SHULLA
Në librin e parë “PIQERASIOTËT” kam shkruar edhe disa rreshta për këtë grua të jashtzakonshme, e cila kishte sjellur në jetën e fshatit me qindra fëmijë dhe që prej saj do të mësoja edhe “misterin e jetës”… Ngaqë nuk e dija se si kisha ardhur në këtë BOTË dhe se, nëna më thoshtë që “ti binadalë ke lindur nga nënë sqetulla ime”! Për të shuar kështu kërshërinë fëminore që më kaplloi befas! Kur në shkollën fillore, nuk na flisnin asnjëherë për këtë “temë tabu”… Dhe qëlloi që ajo ra lehonë përsëri me ulërima që të gremisnin shpirtin e, në shtëpinë tonë që e kishim në fundin e fshatit, u mblodhën të gjitha gratë e rimit! Erdhi me të shpejtë dhe gjyshja Vathi e Qendrothanase, nga “Maja e Hasit”… Ç’bëhej kështu?! Aty dëgjova për herë të parë emrin e kësaj gruaje, të MËMË SHULLËS që erdhi edhe ajo me nxitim, veshur në të zeza e paksa e kërrusur nga vitet e pleqërisë. Ajo u kërkoi grave një tenxhere me ujë të ngrohtë dhe u futën në thollo, siçi i thonin ne atë kohë bodrumit, me dy kandile të ndezura e me një llambë qelqi me vajguri, ndërsa mua më dhanë një të shtyrë e mbyllën derën nga brënda. Kurioziteti i një fëmije dhe ulërimat e nënës, më shtynë që të vështroja nga vrima e çelësit, gjithë këtë “proçesion misteri” të panjohur e të vështirë, të lindjes së një jete prej ulërimave të një gruaje, që ishte nëna ime dhe të një plake tjetër më llërë të përveshura që jepte e merrte gjithë siklet, gjersa e priti fëmijën nga nënbarku!
Kaq dija e po kaq gjë kisha shkruar për mëmë Shullën, e cila mu bë më pastaj, si një grua e shenjtëruar, që sjell në jetë fëmijët nga barku i grave dhe që më kishte pritur edhe mua afro dhjetë vite më përpara. Dhe që nuk dija kurgjë fare, për “fatin e saj të mbrapsht”, gati tragjik, se asaj vetë nuk do t’i rronin nga lindjet e vështira katër fëmijë, ndërsa të shoqin do t’ia vrisnin gjermanët kot së koti, në bregun e detit, për të mbjellur lemeri në fshatin ku ata i kishin “pritur” me disa krisma armësh. Ndërkohë që Mëmë Shulla qe një grua e përkushtuar, humane, që kishte lindur edhe ajo prej një nëne, që ulërinte po kështu, sa të dëgjonte bregu i detit dhe mali përmbi manastirin tonë, lartë në qiellin e pa anë dhe që,-megjithatë,-kishte vëzhguar e regjistruar në vetëdijen e saj, përmes dhimbjeve të forta, gjithë këtë “akt-torturë” e transformues, nga jeta në jetë, për t’ua bërë lindjet ca më të lehta grave të tjera. Pra, e kishte përvetësuar këtë profesion të bekuar nga ZOTI, kur i erdhi edhe asaj ora për të lindur për herën e parë dhe kur s’kishte asnjë mjek, mami a grua aty pranë, që të dinte t’i priste fëmijën kësaj 17-vjeçareje vajzë, po duhej që patjetër të vinte dikush prej tyre nga Himara… Afro 30 km. larg, ku kishin vajtur me një mushkë, për të thirrur dikë prej tyre, që t’i vinte lehonës në ndihme e të mos vdiste as ajo e as fëmija e saj!
Vajza e sapo martuar me Josif Qëndrin dhe që e kishte , emrin Krisulla Qëndri, e bija e Polo Gjiçalit dhe e Margaritës e Qesare, ndjente se do të vdiste me siguri, ngaqë fëmija që kishte në bark nuk qe në pozicionin normal, prej “shqelmave” që hidhte mbyturazi krijesa njerëzore, ndërkohë që britmat e saj arrinin qiellin e lebetisnin grarinë e mjerë, që s’dinin ç’të bënin përreth saj, që ishin në pritje të ethshme prej këtij udhëtmi jetë-vdekjeje i sigurt. Dhe që fati i saj, po edhe fati i qindra grave të tjera, po kështu do të ishte. Se edhe ajo kishte marrë emrrin e Jezu Krishtit, e quanin Kristulla dhe do të qe një shpëtimtare e bekuar jetë-fëmijësh, që ishim ne aty, pa vdekur asnjë prej nesh, prej duarve të saj… Prandaj do të shpëtonte edhe ajo, për të sjellë në jetë të tjera jetë! Ndërkohë që u dëgjuan edhe hingëllimat e largëta të mushkës e troku që po afronte në oborrin e lehonës që i jepte kurajë vetes dhe njëheresh të luftonte me jetën e saj. Dhe, e donte Ai Lartë që, jo vetëm ajo të lindte, po edhe të shpëtonin kështu dy jetë. Po që, edhe vetë të mësonte të bëhej mamia pritëse e dhjetra-qindra fëmijëve që do t’i prekte e para, po me duart e saj të arta. Shprehja e popullit “thirri nevojës që të të vijë” do të realizohej mrekullisht, në udhën e mëpastajme të kësaj gruaje të jashtëzakonshme, që vetmësoi se si vjen fëmija në jetë, bashkë me të qarat e të qeshurat e para të lindjeve, si një përshëndetje që bënë vetë natyra e ripërtëritejs së jetës njerëzore… Po dhe instikti që vjen nga vëzhgimi i hollë i një përvoje shekullore. Edhe si talent që jo shumëkush e ka të fshehur, brenda vehtes…
Tashmë fshati Piqeras do të kishte një mjeke gjinokologe autodikdakte, për 50 vite me rradhë, tek e cila do të vinin gratë e fshatit të konsultoheshin, gjersa t’u vinte dita e ora e lindjeve, po nuk qe aspak për t’u habitur që, kur u hap edhe “Shtëpia e Lindjes” e Sarandës ajo u thirrë aty, për t’u mësuar mamive të reja se si duheshin pritur fëmijët e grave lehona, mundësisht pa dhimbje të forta, në një normalitet e rregullsi higjenike, si praktikë e shkencë bashkë. E papërtuar Mëmë Shulla, edhe kur e thërrisnin për lindje edhe në fshatra të tjera të Bregut, kur vinin dhe e merrnin me kuaj, ndër shtigje malesh, rrugë pa rrugë dhe, vetëm e vetëm që t’u vinte lehonave në kohën e duhur e të shpëtonte jetë të tjera që vinin e shtoheshin në këtë realitet kohë pa kohë! Jo pak herë, edhe shtëpia e saj kthehej në një klinikë gjinokologjike, kur proceset e lindjeve vështirësoheshin nga dhimbjet e forta e lehona duhej të qe nën kujdesin e saj të rreptë, ashtu buzagaz sikundër edhe ishte.
Ndër të fundit që do të vinte në jetë nëpërmjet duarve të saj qe ime shoqe, e mbiquajtur pej meje “ARËZA”, kur mëmë Shulla kishte zën krevatin e nuk ngrihej më, për të pritur jetë të tjera… “Mirëpo britmat e mamasë sime, prej shqelmave të mia, arrinin më përtej qiellit dhe papu im nopran i tha së bijës, Melpomenit, që kishte shtangur aty, me duart në kokë: “Ik menjëherë e merrë Mëmë Shullën”! Po ajo kishte ulur kokën e frikësuar e i tha gjyshit se ajo kishte zënë shtratin e nuk ngrihej dot më! Atëhere ai ngrriti mashanin përpjetë e klithi sa ta dëgjonte edhe “fqinja e përtejme”në detin e paanë, nga e cila shihej dhe Korfuzi në pëllëmbën e dorës, që e bija të shkonte e ta merrte atë mbi shpinë, kaçi, se “po na vjen DJALI në konak që mezi e kemi pritur”,-shtoi ai,-pasi tha që të vinin edhe tiganin në zjarr për petullat e mirëseardhjes së tij”… E kështu do të bëhej, pa një e pa dy. E sollën edhe Mëmë Shullën “kalapiç”,unë kreva në fillim këmbën e majtë dhe, pasi më pështollën mirë, nuk ma kishin vën re “shënjën” e Babja,-si e thëriste i gjithë fshati,- u ngre edhe një herë përpjetë,- këtë herë i papërmbajtur që fëmija i parë i nuses së djalit, nga Kudhësi, ishte këmbëmbarë, djalë edhe ai. Po kur panë se qe ndryshe, ai nuk e donte më veten dhe Mëma Shulla, gojëmbla si ajo, i qe afruar dhe i tha: “Me këmbë të mbarë vajza, se djemtë vijnë më mbrapa”! Po shiko ti i marrosur, se mos i shkruan dhe këto që sapo të thashë,-brriti ajo,-ndërkohë që gjithçka e kishte regjistruar “shiriti i trurit” tim!…
Po, siç edhe e thonë që “i miri nuk ka fat në jetë”, edhe ajo nuk e kishte. Në 44-ën asaj i vrasin burrin gjermanët, që e detyruan t’i kalojë vitet e fundit tek e bija, Aleksandra, bashkëshorte e Grigor Konomit (Plakut). E as që më shkonte nëpër mendje se dy javë më përpara, do na ftonte i nipi i saj Grigor Konomi (i riu), për të pirë një gotë verë në tavernat e Kalivjes (Greqi, në afërsi të Athinës), me të, me Spiro Kondin e me të tria “Arëzat” tona, pa u kujtuar fare që,- gjithë sa ishim aty,- na kishin pritur duart e saj! Thjesht si një falenderim ndaj meje, pasi unë pata shkruar e hedhur në internet artikullin “Kur do t’ia jepni bunkerin Grigor Konomit”, për ato prona të dikurshme që nuk shkuan kurrë tek të zotët e tyre të ligjshëm, as si rrypa toke e as nëpër letra!? Nuk qe fjala për asnjë “bunker”, po për disa metra toke në bregdet që kishin përfunduar në duar të tjera, që ky i gjori djalë nga Piqerasi, i nipi i Mëmë Shullës, i kishte “rifituar” dy herë gjyqet në Sarandë dhe “ku je, hiç gjëkundi”(?!).O PERËNDI E MADHE! Këtij njeriu që quhej Grigor Konomi i kishin hedhur tre herë bomba në atë “bunker të madh”, që dikur qe ngritur me porosi të Enverit, në tokën e tij, për t’u “mbrojtur nga ata të përteja detit” dje e, në të sotmen, për t’ia marrë atë dikush tjetër (?!), ndërkohë që pak me tej, te “Guri i Plakës” që e rrahin dallgët e detit dimër e behar, gjermanët kishin pushkatuar dhe gjyshin e tij! Dhe kështu mbaron edhe kjo histori e dhimbshme e një gruaje të mirë e të pa fat që bënte vetëm të mira, që mbijetoi në mjerimin e asaj kohe të zymtë dhe që nuk kërkoi kurrë shpërblim për punën e saj jetëdhënëse, gjatë një gjysmë shekulli, që solli në jetë dhjetra-qindra fëmijë e nuk qe e thënë që t’i rronin që të gjithë fëmijët e saj, duke e prekur tragjikisht edhe fundin e saj, për të mbaruar ciklin e kësaj jete dramatike, në “banesën e përjetshme” një javë më përpara se të hynte viti i ri 1962 dhe pas një viti nga lindja e të nipit, Grigor Konomit të ri. Në një heshtje paqeje, kur nuk pipëtinin as zogjtë mbi qepariza! Mbuluar nga mermeri i bardhë, ashtu si e kishte edhe ajo zemrën, të bardhë si mermeri, nga më të thjeshtët në botë, pa asnjë fotografi mbi të, a thua që kjo grua e shenjtë meritonte dhe harresën njerëzore, kur bënte një punë të bekuar, fare pa para, në gjysmën e “shekullit të vullnetarizmës” e që ishte e para që dëgjonte të qeshurat e një fëmije, si këngën e zogjëve, të qindra-mijëra njerëzve që sot nuk dihet se ku janë, po kanë braktisur fshanë, kanë mbyllur dyert e shtëpive, ndërkohë që edhe qirinjtë e këtij varroshi, nuk ndizen më e “banesa e saj e përjetshme” ngjan kaq e paqme, qiellore, ku ende duken gjurmët e qiriut të bardhë, Llambadhës që i ndezi i nipi, muajin e kaluar, shuar nga era e një “dimri të gjatë”! A thua se ky është fati i gjithkujt… Dhe pa asnjë fotografi të saj, sikundër nuk i pati ato, as Jezu Krishti, që u shenjtërua nga përfytyrimi njerëzor, në qindra-mijëra portrete të pangjara me njera-tjetrën e përsëri, po aq të shënjtëruara, nga mirësia e mbijetesa e përjetshme….
Please follow and like us: