Zhdukja e fiqve të Beratit trondit konspiracionistët
Si po zhduken fiqte e Beratit!
Blloku më i madh i fikut në rajon, Uznovë, po shkon drejt zhdukjes. Fermerët janë duke e zëvendësuar në masë kulturën e fikut me ullinj, si një mundësi e vetme për të përfituar të ardhura. Sipas një studimi të kryer nga Dega Rajonale Bujqësore e qytetit të Beratit, rezulton se ish-blloku më i madh i fikut në Shqipëri, por edhe në rajon, ka degraduar në masën mbi 50 për qind. Mungesa e tregut, konkurrencës së pandershme, cilësisë së prodhimit jo të mirë, sëmundjeve të ndryshme të fikut dhe mungesa e mjeteve teknologjike të përshtatshme për vjeljen e tij, janë disa nga problemet me të cilat hasen fermerët në këto vitet e fundit.
ZËVENDËSIMI
Para pesë vitesh Lina Sollaku nga Uznova e Beratit kishte 160 rrënjë fiq. Por sot në hapësirën prej 5 dynymësh tokë, fiqtë janë zëvendësuar me ullinj. “I ktheva të 160 rrënjët, në ullinj. Nuk kisha asnjë leverdi nga fiku. Më shumë shpenzoja, sesa fitoja. Kujdesi për këtë pemë duhet të jetë i vazhdueshëm nga sëmundjet që mund t’i bien, plehërimi i tokës është shpenzim më vete. Të paktën nga ullinjtë do përfitoj vajin, edhe nëse nuk e shes të gjithin”, thotë ajo, pa pikën e mëdyshjes për veprimin e bërë. Lina nuk është e vetmja. Një e nga një, fermerët e Uznovës po i zëvendësojnë rrënjët e fikut me ullinj, duke shpresuar se përfitimet do të jenë më të mëdha. Nxitja kryesore është se përfitojnë subvencionimin nga shteti për rrënjët e ullirit që mbjellin. E kundërta ndodh me kulturën e fikut. Që prej privatizimit fermerët nuk kanë asnjë ndihmë shtetërore për të përballuar shpenzimet, dhe sot ky bllok masiv po shkon drejt zhdukjes. Nga ana tjetër, problemi kryesor që ngrenë fermerët e Uznovës është tregu. Ata kujtojnë kohën para privatizimit dhe theksojnë se asnjë pjesë e prodhimit nuk ngelej pa shitur, sepse për tregun kujdesej shteti. Sot mbledhësit më të mëdhenj të fikut të Uznovës vijnë nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi. Sipas fermerëve, ka treg, por çmimi i shitjes është i ulët, aq sa nuk e përballon koston e shpenzimeve. Gati një mendësi që po prek të gjithë fermerët. Pjesa më e madhe e këtij blloku po zëvendësohet me ullinj. Degradimi ka kapur masën mbi 50 për qind dhe problemet që numërohen janë të shumta. Çmimi i ulët, mungesa e orientimit nga ana e agronomëve, prodhimi jo cilësor dhe kërkesa për t’u përfshirë në skemat mbështetëse të financimit të shtetit, janë disa nga kërkesat që vetë fermerët kanë. Asnjë ndihmë për të përballuar shpenzimet po zhduk kulturën karakteristike të kësaj zone, por edhe prodhuesin më të madh të fikut, i cili më parë ka plotësuar nevojat e industrisë ushqimore lokale me fiq të njomë, por edhe sasi të konsiderueshme të fikut të thatë për eksport. Pas privatizimit në vitin 1993 në bllokun e Uznovës të rrethit Berat përfituan rreth 1100 familje dhe numri i rrënjëve numërohej në të paktën 130 000. Familjet në Uznovë përfituan të paktën nga 22 rrënjë/frymë dhe e gjithë sipërfaqja që përfituan ndodhet në një parcelë. Duke iu referuar studimit të vitit 2012 nga Dega Rajonale Bujqësore e Beratit, të dhënat e fundit për bllokun e Uznovës numërojnë rreth 700 000 rrënjë, ku jo më shumë se 40 për qind e numrit të tyre janë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ndërkohë që në qarkun e Beratit operojnë 7 qendra informacioni bujqësore, fermerët sqarojnë se nuk këshillohen dhe orientohen me agronomët. Kjo vjen si pasojë se këto qendra nuk kanë plane konkrete për t’i ndihmuar ata në rritjen e cilësisë së prodhimit, thonë fermerët. Këshilla që vjen nga agronomët është: Nëse do të përfitosh nga subvencionet, zëvendësoi fiqtë me ullinj. “Ka qendra, por këshillohemi shumë pak. Takohemi shumë pak me agronomët. Kemi nevojë për plane konkrete dhe ndihmë, sepse sado që të dimë ne, nuk jemi agronomë dhe një ndihmë profesionale nga ana e tyre, do të çojë në rritjen e cilësisë së prodhimit”, thotë xha Suloja. Ai ka 7 dynymë tokë dhe 300 rrënjë fiq. Njëqind prej tyre i ka zëvendësuar me ullinj, sepse sipas tij, nuk ia del dot me shpenzimet. “Të paktën nga ullinjtë më ndihmon dhe shteti”, shton Xha Suloja.
POLITIKAT E QEVERISË
Përgjegjësi i shërbimit këshillimor në Degën Rajonale Bujqësore Berat, Enver Brahushi, u bën thirrje fermerëve për të mos shfarosur bimën e fikut. “Unë kam bërë studime të herëpashershme të fikut në këtë zonë dhe takime me fermerët. Kërkohet një sensibilizim nga ana e tyre për të vlerësuar bimën e fikut dhe moslënien e tij në mëshirë të fatit”, sqaron Brahushi. Sipas tij, fermerët janë ndihmuar me forma të ndryshme komunikimi dhe fletë-palosje për proceset teknologjike. Ndërsa fermerët pohojnë se orientimi nga kjo degë rajonale bujqësore mungon, punonjësit e kësaj dege tregojnë të kundërtën. Në një situatë ku askush nuk e mban “fajin” për këtë fenomen, degradimi me të cilën po haset sot kultura e fikut duhet të jetë e menjëhershme ndërhyrja. Agronomi Brahushaj, një njohës i mirë i problemeve, në studimin e tij thekson se problemet kryesore, përveç sigurimit të tregut të shitjes dhe rritjes së cilësisë, është edhe kryerja e analizave higjieno-sanitare. “Çdo vit janë përcjellë kërkesa në Ministrinë e Bujqësisë që dhe kultura e fikut, sidomos në rrethin e Beratit, që përfshihet në skemat mbështetëse të financimit nga shteti. Nxitja e stimulimit me subvencione do të ndikojë pozitivisht në rimbjelljen e dhjetëra hektarëve që sot aktualisht janë të degraduara”, sqaron Brahushaj. Sipas tij, kërkesat në Ministrinë e Bujqësisë nuk janë marrë parasysh, duke mos kthyer asnjë përgjigje zyrtare.
TË DHËNAT
. 1993 ishte viti kur u privatizua blloku i fiqve në Uznovë të rrethit Berat
. 1100 familje përfituan nga privatizimi i bllokut të fiqve
. 130 000 rrënjë fiq gjithsej u numëruan
në kohën e privatizimit
. 22 rrënjë/frymë përfituan mesatarisht familjet në Uznovë
. 50% ka degraduar ish-blloku më i madh i fikut në Shqipëri, por edhe në rajon
. 400 tonë fiq të thatë prodhohen në Uznovë
. 300 tonë fiq të thatë eksportohen në shtetet si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë, Sllovaki, Kosovë
. 180 lekë/kg është aktualisht çmimi i fikut për eksport . 150 lekë/kg është çmimi i fikut në tregun e brendshëm
Grumbulluesit e fikut: Kërkohet cilësi, dhe jo sasi prodhimi
Pronari i një fabrike të prodhimit të reçelit në Uznovë, Kristaq Gallani, thekson se ekzistenca e tregut pirat të shitjes së fikut është një konkurrencë e pandershme, e cila të pengon në blerjen e prodhimit të fikut dhe të bën të hezitosh të shtosh prodhimin, madje dhe investimet mbi teknologjinë. “Ka një konkurrencë të pandershme dhe për këtë shteti duhet të marrë masa. Kjo konkurrencë e padrejtë sjell një disnivel çmimesh. Por mbi të gjitha fermerët nuk kanë kulturën e prodhimit cilësor. Ka treg, por nuk ka cilësi”, thekson Gallani. Sipas tij, një prej grumbulluesve të fikut në zonën e Uznovës, ajo që po e çon fikun drejt tharjes, është mosshërbimi nga ana e fermerëve dhe mospërfshirja në skemat financuese nga shteti. Blloku i fiqve të Uznovës ka sipërfaqe totale 1200 ha. Mesatarisht, sipas statistikave, para privatizimit prodhoheshin 25000-35000 kuintalë fiq të njomë në vit dhe rreth 70-75 për qind e kësaj sasie tregtohej i thatë. Në zonën e Uznovës ritmi i mbjelljeve në këto vitet e fundit ka qenë i ulët, që është në nivelin e 1000 rrënjëve. Berati, i njohur në Shqipëri si prodhuesi më i madh i fikut, i vlerësuar nga studime të shumta si blloku më i madh i kësaj kulture në rajon, me vlera të larta ushqimore, sot po shkon drejt zhdukjes.
Kronike e vitit 2013.
Please follow and like us: