Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ME SHOKUN E KLASËS ALBERT VERRIA!

ALBERT VERRIA! (1936-2015)
Kur xhirohej fimi “Kapedani” në fshatin tim Piqeras, gjatë verës së vitit 1972, të gjithë banorët mblidheshin përreth kineastëve e bënin sehir shndërrimin e këtyre aktorëve, jo vetëm në moshë, po edhe në bëmat e tyre të lezetshme dhe sjelljen ndaj grave të asaj kohe… Mirë që Nikolin Xhoja ishte me të vërtetë një burr i vjetër, i moshuar dhe i bëshëm, me mustaqe reale, po Alberti që lozte Xha Sulon,-mikun e tij moshatar,-qe fare i ri atëhere, një burr 30-vjeçar, pa mjekër e mustaqe, që gjatë xhirimeve grindej me Xha Beqon e Xhojës, gjatë gjithë kohës, për “mustaqet e Çelos”, rreth çështjes së pjesëmarrjes (ose jo) të grave në drejtimin familjar e shoqëror. Se Suloja i Albertit ishte apriori kundër tyre, ndërsa Xha Bequa kishte një frrymë më “liberale”, më të “përparuar” ndaj këtij problemi, që në atë kohë diskutohej me “forcë të madhe”… Dhe nëna ime, Aleksandra, kur i pa ata në sheshin e xhirimit dhe mori vesh prej meje se Xha Sulon e kisha shokun tim të shkollës së aktorëve në Tiranë dhe ata të dy i kisha miqtë e mi që të dy, më tha që t’i ftojë në shtëpinë tonë, së toku edhe me të tjerët… E kështu do të bëhej, tek i mblodha në dhomën e mirë, me dërrasa të katit të dytë, me dritaret nga ana e detit. U tha që të gjithëve “mirëse kini ardhur” dhe kërkonte me sy Xha Sulon, ashtu siç e kishte parë në sheshin e xhirimit… Dhe pastaj i hodhi sytë nga unë… E kuptova menjëherë… Mirëpo, tek e hoqa mënjanë Albertin, ajo nuk do ta besonte që pikërisht ai ishte njëherësh edhe “Xha Sulua i filmit!”,-armiku i betuar i grave dhe do te na përfshinte kështu edhe e qeshura me lotë… Në këto e sipër ndeza kasetofonin e plasi muzika. Ata nisën të kërcenin, ndërse nëna nisi të dridhej nga frika, kur pa që edhe dyshemeja po dridhej edhe ajo, tek artistët u bënë çakërqejf e as që donin t’ia dinin më…
Dhe tani, kur Albert Verria, shoku i bangës e fqinji im i krevatit dy katësh (marinarësh) në Konviktin e Studentëve, nuk është më, qysh prej shtatë vitesh, ndërsa unë, përgatitem që të vete e ta gjejë atje ku ka shkuar, rri e numëroj 110 rolet që ka interpretuar në film e në skenë dhe përulem para vitalitetit të këtij artisti që transformohej vazhdimisht në dhjetra figura njerëzore e karaktere të mëvetshme…
Kishte lindur në Fier më 3 shtator 1936. I ati i tij ishte një tregëtar,-dikur i pasur,-i shpërngulur nga Voskopoja, pas djegies së saj të vitit 1797. Dhe Alberti ishte gjithë frikë për të ardhmen e tij, tek shikonte e besonte që ish-tregëtarët, sido që kishin kaluar vite e shekuj, i shihnin shtrembër e i quanin “borgjezë të fëlliqur”! Dhe akoma, i duhej të kujtonte me frikë në zemër “pozicionin e të deklasuarit, prej familjesh të pasura”që errdhën e u ngulën në Myzeqenë e atëhershme. Prandaj edhe i ati, i kujtonte të birit, që të “mos binte shumë në sy”, që më e mira ishte të merrej me bujqësi e blegtori dhe kështu e dërgon të mësojë për Zooteknik në një Shkollë të Mesme Bujqësore… Duke jetuar gjithheri me “lepurin në bark”, me këto kërkesa e, ai del edhe në skenën amatore me pjesën teatrale “Miçurini i Vogël”, ku interpeton djalin Shulke, të magjepsur pas botanistit të madh rus Miçurin, në gjirin e natyrës, që qeveria jonë e respektonte shumë. Kjo ndjesi rreth natyrës, që e qarkonte në Fier, e shpie atë gjer në Apolloni, ku nisi të vejë pas arkeologut Hasan Ceka, si një kureshtar i apasionuar. Ndërkohë zooteknikun Verria, me ta mbaruar këtë shkollë, e transferojnë në Kukës, ku do të punojë dy vjet. Më pas rikthehet në Fier, si kuadro i bujqësisë tashmë, me cilësinë e instruktorit në shkollën e ciklit të ulët të kuadrove bujqësore. Dh kjo “odise” e tij do të mbaronte fill me çeljen e një konkursi që mblidhte elementë për shkollën e Lartë të Aktorëve, të sapo hapur në Tiranë në vitin 1959, ku Albert Verria paraqitet e fiton. Për të qënur aty, së bashku me mua, për katër vitet e ardhshme, me shokun e bangës dhe të “krevatit të marinarëve” në Konviktin e Studentëve. Pa u ndarë me njëri-tjetrin në shëtitjet nga liqeni ,-ku bënim edhe aty etydet e “Mjeshtërisë së Aktorit”, bile as në ndeshjet sportive në stadium, ku do të hynim “me marifet” nga një derë e dytë a e tretë, vjedhurazi… Por që këtë gjë nuk do ta bëja kurrë më, thjeshtë ngaqë Albeti,- si një tifoz i çmëndur,- do të më “mbyste me grushta” sa herë që skuadra e tij bënte gola e vetëm gola, ndërsa unë prisja mbi shpinë e në gjoks breshërinë e grushteve të tij!
Gjatë këtyre katër viteve e pata Albertin si shokun më të afërt, bile edhe ndër etyde e rolet e para të fragmenteve nga dramaturgjia. Në vitin e dytë, përgatitëm së bashku etydin “Dosja 333”, ku mua më kërkohej kjo dosje e nuk po e gjeja dot, në morinë e dosjeve të shumta dhe bëhej aty një katrahurë e vërtetë, në një kërkim të padërprerë e të rrëmujshëm, që Berti ma bënte akoma më të rrëmujshëm… Në vitin e tretë, kur unë sapo kisha mësuar të lexoja edhe në gjuhën ruse dhe mundja të komunikoja lirshëm edhe me pedagogen Nina Viktorovna Çefranova, udhëheqësen artistike të shkollës, e cila kishte ardhur nga Instituti Teatral i Moskës, përktheva nga rusishtja një tregim të Çehovit dhe pastaj e dramatizova, me dy role të karakterit të komedisë, ku unë interpretoja mjekun sharlatan të dhëmbëve në provincën ruse e Alberti pacientin fatkeq, të cilit, bashkë me dhëmballën e kalbur, i nxjerrë edhe dhëmbin e shëndetshëm! Në vitin e tretë interpetuam që të dy rolet e “shejtanëve”, nga pjesa -përrallë e Andon Panos “Ylli i Alpve”, me regjinë e pedagogut Andrea Malo, ku na kërkohej një plasikë prej akrobatësh, ndërsa në komedinë e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”, Albertit i besoi pedagogu ynë Kujtim Spahivogli, një figure oborrtari të moshuar, ku “thyente” bukur dhe moshën tij të re, ndërsa mua të një rojtari çakërqejf, në një duet me Robert Ndrenikën, ku na duhej t’i jepnim “udhë fantazisë së lirë” dhe humorit “pa dorashka”! Në këto etyde, role episodike e personazhesh të plotë, studenti Albert Verria e jepte tërësisht veten e tij, me një energji të dukshme, duke theksuar karakterin komik të figurave që i interpretonte me gjithë shpirt. Superior!
Ato 110 role në skenat profesioniste, sidomos në filmat shqiptarë, janë kryesisht role të karakterit të dytë dhe të tretë, po gjithsesi të interpetuara me energji të brendshme, duke patur edhe profilizime të veçanta e të individualizuara. Po gjithsesi, do të evindentohej me personazhin e Kapedanit, me “armikun e grave”, që ishte edhe kryeroli i tij, më i godituri e më i ploti. Duke “thyer moshën” e re dhe imcake që kishte! Këtu ai shquhet për “skalitjen” që i bëri personazhit të Xha Sulos, si një figurë delirante, që e dëften madhështinë e superioritetin e vet absolut me Xha Beqon, duke nënvizuar prapambetjen e tij andollake, konservatorizmin tradicional, si edhe falcitetin e tij në mjediset “e reja”, që kishin lindur befas, kur gruaja vlerësohej ngado e kudo si “figurë rëndësishme shoqëroro -politike” në jetën e vendit. Ana komike e kësaj figure satirike, që Alberti e ngrë deri në grosesk, qëndronte pikërisht në këtë mospërputhje, ku shtirja bëhet edhe e qëllimshme, enkas për ta vendosur në shënjestër,bsi figurë prapanike, patriarkale, që shkonte atëhere “kundër rrymës”, në kundërshtim me sloganet partiake të asaj kohe. Personalisht, si kritik i teatrit, po edhe si miku i tij më i afërt,- i thoja se duhej t’i kishte ca më të natyrshme këto marrëdhënie, maniera e shtirje, për një afrim të aktrimit, sado të paktë, me organicitetin e mikut të tij, të pandarë të filmit, të Xha Beqos së aktorit Nikolin Xhoja, i cili shquhej edhe për një vërtetësi ca më të madhe në interpretimin e tij. Se dualiteti i tij, po edhe pamja ndërvepruese, sikur “kërciste në rol!” e se duhej evituar njëfarë shtirje e jashtme… “Aktori e di sa e lehtë është të gënjesh, të shtiresh,-thotë pedagogia teatrologe amerikane Stella Adler. -Ajo që duhet të bëjë ai, është ta rrethojë veten me gjëra, që janë të vërteta. Përsa kohë mund të fokusohet në këto, ai nuk do të tundohet të gënjejë”. Në këtë “grackë” nuk binte as Sër Xhon Fallstafi i Mihal Popit që u turrej grave që e rrethonin si një derr i egër (“Gratë gazmore të Uindstorit”) e as Prefekti i Robert Ndrenikës, që besonte katërcipërisht se vetëm ai ishte i pari i atij qyteti provincial, më i drejti e më i bukuri (Filmi “Koncert në Vitin 36”). Me plotë vërtetësi e pa kurfarë shtirjesh!
Por aktorit Albert Verria i parapëlqenin më tepër figurat njerëzore, jo të zakonshme, sureale, jashtë së zakonshmes dhe me tipare groteske. Që në vitin e parë të shkollës së aktrimit ai krijoi një etyd për njeriun e egër, që jetonte i vetëm në një ishull të shkretë, duke befasuar kështu, jo vetëm neve, studentëve të tjerë-kolegë të tij, po edhe pedagogët, të cilët e vlerësuan këtë si një përpjekje të jashtzakonshme të tij, për të dalë nga vetja… Edhe duke parë filmin e regjisorit Saimir Kumbaro, “Historiani e Kameleoni”, ne kemi rastin të shohim në ekran një tip historiani që duket sikur vjen nga pyjet e jo nga “Mbretëria e Bashkuar”, për të lartësuar në “faqet e historisë” Naltmadhninë e tij, Mbretin Zog, me pretendimin për t’i thënë botës, se në Shqipërinë feudale ështe vendosur një mbret nga “dyer fisnikësh” e nje mbretëri oksidentale, si ato të mbarë Europës! Ndërkohë që ishte një realitet i kundërt, primitiv, me atmosferë anadollake. Një mjedis province tërësisht i vjetëruar, “brejtur” nga një tufë injorantësh, ku pëllet edhe gomari përbri njerëzve që brohorasin për mbretin e tyre, tek shohin lëvizjen e shkopit të gomës! E ky historian i interpetuar nga Albert Verria nuk është gjë tjetër, veçse një plakush i rrjedhur e i trembur, që krijon imazhin e një të sëmuri epileptik. Regjia krijon përreth tij një përkujdesje teatrale servile, si ndaj një personi të “rëndësishëm” e anormal, që i bën ata akoma më injorantë, me atë ethe të pazakontë që bëhet enkas për “të hyrë e mbetur në histori, përbri Naltmadhëris së tij”…
Në të 14 filmat e tij, ka role të spikatur, por funksioni i tyre është gati periferik, që afrojnë me “rolet e vogëla”. Por ai i interpreton ato me të njëjtin seriozitet si edhe për rolet e mëdha, të cilat i ka me pakicë dhe janë më tepër në repertorin skenik të tij, ku më i ploti e më i rëndësishmi është ai i Xha Halilit në dramën-satirë “Fytyra e dytë” të Dritëro Agollit. Veçanërisht në këtë shfaqje, figura e krijuar prej tij vihet në epiqendër, jo vetëm nga autori, po edhe nga vetë aktori, si një karakter i mëvetshëm, popullor, që di të thumbojë këndshëm të tjerët që vërtiten rreth tij. Kurse në rolet e kinemasë, atë e sfidojnë të tjerët, bile edhe e tallin dhunshëm, si në filmin “Trapi i vjetër”, ku atë nuk e “marrin nëpër këmbë” vetëm njerëzit e tij që kanë hapur një lokal korruptiv, po edhe personeli i këtij lokali droge, si edhe policët,-të degraduar dhe ata pjesëtarë të ngjarjeve korruptive e të ushtrimit të prostitucionit. Midis këtyre njerëzve të “epokës së re”, Alberti nuk është gjë tjetër veçse një leshko, i trembur, i përbuzur, që mezi flet,- ngaqë i bien shpesh edhe protezat e dhëmbëve! Mirëpo Soll Lili i tij në filmin televiziv “Agimet e stinës së madhe”, është një figurë artistike më e ndërlikuar, ku Alberti përdor natyrshëm edhe “planin e dytë” të personazhit të rafinuar, me dy faqe: edhe me keqbërësit e pushtetit të ri, edhe si “sahan lëpirës” i këtij pushteti që në atë kohe mezi mbahej në këmbë. Këtë figurë Verria e realizon pa tepërimet e tij të zakonshme, me realizëm e me qetësinë e shprehjes, psikologjikisht, pa e tradhtuar veten aspak. Por, jo në pak filma, ku së pari kërkohet qetësia filmike, neutraliteti i fytyrës dhe pasqyra e syve si pasqyrë e shpirtit të njeriut, në interpretimet e personazheve të tij do të gjeje edhe një “frymë anekdotike”, si edhe tepërime artificiale, ca prej tij e ca prej regjisorëve përkatës.bSe Alberti e kishte “defektin teatral”, me një lojë si në teatër, ku gjithçka zmadhohet për hir të largësisë së skenës me sallën e spektatorëve… Vetëm se këtu qëndron më së tepërmi edhe “faji” i regjisorëve, të cilët, shpesh, u japin aktorëve edhe role të së njejtës natyrë, apo role të përafërta, -të cilat ky aktor nuk ka mundur t’i shmangë, nga vetë natyra e padrejtë planifikuse që bënte administrata e djeshme partiake, për t’i përdorur aktorët e teatrit edhe si aktorë të filmit, në të njëjtën kohë, jo vetëm me detyrim, po edhe pa i paguar aspak. Dhe ishte e pamundur që aktorët të mos e përsërisnin veten e tyre. Kjo binte në sy edhe tek aktori në fjalë, miku im i respektuar, të cilin e ledhatuan, jo vetëm me titullin “Artist i Popullit”, po edhe si Deputet në Kuvendin Popullor!
Dhe erdhi rasti që, pas daljes time nga burgu, fund e krye i pafajshëm, një ditë prej ditësh më del përpara, miku im i shkollës, tashmë Artisti i Popullit dhe Deputeti i Partisë së Punës, i cili stepet si para një “fantazme që del nga varri”, në një ditë me Diell e që i duhej të ndërronte edhe trotuarin! Rrugët tona qenë të ndara tashmë. Qenë kohë të tmerrshme! Po, prej asaj kohe, kanë kaluar katër dekada, qiejtë kanë shkrepur mijëra herë dhe lumenjtë kanë rrjedhur e shkuar në detin e gjërë, bashkë me “trugjet” që sillte moti… Disa vite më parë, mua me thërrasin në Vlorë, si Kryetar i një Jurie Festivali Teatror Ballkanik, ku do të ulesha në të njejtën tryezë me mikun tim të dikurshëm, sikur asgjë nuk kishte ndodhur!… Po tashmë ishim mplakur që të dy shokët e klasës… Vetëm se unë nuk isha më një “armik” e Alberti nuk ishte më një “deputet” i atyre që i mënjanoi HISTORIA… Ulur në të njejtën tryezë, ku ish shoku im i klasës, i bankës e i krevatit me dy kate, do të më dhuronte edhe albumin e tij fotografik të roleve të tij, gjatë asaj kohe të mallkuar, kur unë ndodheha në qeli e gërvishja murin e betonit me lugën e aluminit për ditët, muajt e vitet që mos të kalonin pa u numëruar…
Athinë, 28 qershor 2022.
Please follow and like us: