Samiti i Brukselit dhe Ballkani i Hapur, që për herë të parë doli zyrtarisht hapur si projekt politik
Nga Shaban Murati
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në 23 qershor 2022 në Bruksel mori një rëndësi të veçantë për Ballkanin Perëndimor, sepse për herë të parë u afishua zyrtarisht që “Ballkani i hapur” i presidentit serb është një projekt politik. Dëshmia e parë politike publike është dalja e pazakontë e tre krerëve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel në 23 qershor pas samitit BE-Ballkani Perëndimor. Siç shkruante në 23 qershor portali serb “europeanwesternbalkans” tre liderët dolën në cilësinë “të bashkuar rreth nismës “Ballkan i hapur”. Tre krerët e tre shteteve të projektit “Ballkan i hapur” dolën sëbashku në një kryeqytet jashtëballkanik dhe në një forum ndërkombëtar sikur të ishin një aleancë apo një grup i përbashkët politik. Në samitin e mësipërm morën pjesë si gjithmonë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, por shfaqjen e përbashkët si një aleancë politike përpara publikut e bënë vetëm tre krerët e tre shteteve të ”Ballkanit të hapur”. Formalisht aleanca apo organizata subrajonale e “Ballkanit të hapur” është krijuar në Serbi në 10 tetor 2019 dhe çdo vit janë organizuar samite të BE me Ballkanin Perëndimor. Por vetëm tani për herë të parë në 23 qershor 2022 tre krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor dolën së bashku si përfaqësues të një grupimi politik apo të një aleance politike. Për herë të parë tre krerët e tre shteteve të “Ballkanit të hapur” dolën hapur në një kryeqytet të BE si një organizatë e veçantë politike rajonale. Të tre krerët në koordinim organizativ shpallën të njejtat qendrime politike.
Veçimi që tre krerët e “Ballkanit të hapur” i bënë aleancës së tyre trepalëshe politike nga tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, udhëheqësit e të cilëve ishin gjithashtu në samit në Bruksel, ka dy motive. Së pari, ka motivin politik dhe motivin diplomatik, që i bashkon të tre shtetet në projektin federativ serb të “Ballkanit të hapur”. Së dyti, ka objektivin dhe ambicjen e aleancës politike të “Ballkanit të hapur” për të dominuar tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në datën 22 qershor presidenti i Serbisë Vuçiç lëshoi një komunikatë të habitëshme, ku pretendon hapur se tre shtetet e “Ballkanit të hapur” “përfaqësojnë interesat e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në të gjitha forumet e rëndësishme ndërkombëtare”. (“Tanjug”, 22 qershor 2022). Është një pretendim sa hegjemonist, aq edhe i rrezikshëm për rajonin, që nënvleftëson sovranitetin, integritetin dhe dinjitetin e tre shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor: të Malit të Zi, të Kosovës dhe të Bosnje-Hercegovinës. Kemi një objektiv dhe strategji të qartë politike të aleancës së “Ballkanit të hapur” për të dalë si përfaqësuese e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo ka qenë strategjia finale e presidentit serb, kur propozoi dhe ndërmori nismën e tij të “Ballkanit të hapur”. Qysh ditën e parë, që u nënshkrua në tetor 2019 në Novi Sad marrëveshja politike trepalëshe për nismën presidentit Vuçiç, kam theksuar “thelbin e projektit gjeopolitik serb të të ashtuquajturës “zonë ekonomike ballkaniko-perëndimore“. (Libri “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, 2021, fq.154).
Skandaloz është pranimi nga Shqipëria i këtij statusi apo mandati kolonial të “Ballkanit të hapur”, sipas të cilit Serbia përfaqësoka edhe Kosovën në forumet e rëndësishme ndërkombëtare. Kjo megallomani politike dhe diplomatike shtyu tre krerët e tre shteteve të aleancës së “Ballkanit të hapur” të bënin sëbashku përurimin publik të aleancës së tyre trepalëshe politike në Bruksel në 23 qershor. Ishte një shfaqje e shëmtuar diplomatike, sepse samiti në Bruksel ishte BE-Ballkani Perëndimor dhe në samit ishin edhe presidentët e tre shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Samiti i BE nuk ishte për “Ballkanin e hapur” dhe në konkluzionet e samitit të BE të publikuara në 24 qershor nuk e zë njeri me gojë në asnjë rresht termin “Ballkan i hapur”, siç nuk ka një dokument zyrtar të BE gjatë tre viteve që ta përmendë këtë term. Është vërtetë paradoksal pretendimi që mikroaleanca e tre shteteve të “Ballkanit të hapur” paska të drejtën të jetë përfaqësuesja e interesave të të gjithë shteteve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor, dhe madje të drejtën e përfaqësimit shtetëror dhe diplomatik të gjithë rajonit në forumet ndërkombëtare. Vetëm në Ballkan mund të dëgjosh idiotizma të tilla diplomatike. Askush nuk i ka dhënë mandat “Ballkanit të hapur” serb që të përfaqësojë interesat e tre shteteve të tjera, që kanë refuzuar deri tani të hyjnë në projektin serb. Kemi manifestimin e tendencës së rrezikëshme hegjemoniste serbe me projektin e “Ballkanit të hapur” për të dominuar diplomatikisht dhe forcërisht tërë Ballkanin Perëndimor.
Dëshmia e dytë e karakterit politik të projektit serb të “Ballkanit të hapur” është aksioni i bojkotit politik, që Serbia tentoi të ndërmerrte ndaj samitit BE-Ballkani Perëndimor të 23 qershorit në Bruksel. Në 20 qershor presidenti i Serbisë Vuçiç shpalli se ai planifikonte të bojkotonte samitin e BE-Ballkani Perëndimor të 23 qershorit. Presidenti serb nuk dha as arsye serbe dhe as arsye bullgare për këtë bojkot. Mediat serbe zbuluan me këtë rast se arsyeja reale është fakti që presidenti Vuçiç e kishte jashtëzakonisht të vështirë të përballonte presionin e fortë kolektiv të udhëheqësve të BE mbi të që Serbia të përcaktonte zyrtarisht se me cilën anë është në agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe që duhet të bashkohet me linjën e politikës së jashtëme të BE për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Për ta mbuluar arsyen e vërtetë të planit të bojkotit, presidenti serb vuri në lëvizje dhe implikoi kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut që t’i bashkohen bojkotit serb si aksion i përbashkët politik i “Ballkanit të hapur”. Burime diplomatike bëjnë të ditur se presidenti serb u kërcënua nga presidentja e rradhës e BE, Franca, që të mos bëjë gabimin e bojkotit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, sepse Franca nuk mund të lejonte që tre krerë spurdhjakë nga Ballkani Perëndimor t’i prishnin asaj protokollin diplomatik të Francës si kryesuese e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Natyrisht kërcënimi francez pati efektin e duhur dhe presidenti Vuçiç u dorëzua duke hequr dorë nga bojkoti. Por për të shpëtuar fytyrën e tij ai stisi një të ashtuquajtur konsultim telefonik me dy aleatët e “Ballkanit të hapur” sikur ranë dakord që të mos bojkotonin të tre. Arsyet idiote, që shpikën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, se gjoja do ta bojkotonin për shkak se nuk do të merrnin datë të hapjes së bisedimeve të pranimit nga BE, janë për naivët ose për trutharët e partive të tyre qeveritare në shtetet përkatëse. Sepse Shqipëria ka tetë vjet që nuk merr datë të hapjes së bisedimeve të pranimit në BE, Maqedonia ka shtatëmbëdhjetë vjet, që nuk merr datë të hapjes së bisedimeve. Veto bullgare për Shkupin nuk ka as dy vjet që ka dalë. Nuk ka ndodhur ndonjëhere që t’i shkojë ndërmend as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut që të bojktojnë samitet e BE me Ballkanin Perëndimor. Idea e bojkotit doli tani nga Serbia, vetëm pse i duhej Serbisë. Trimërimi i tanishëm politik shqiptar apo maqedonoverior për një bojkotim politik ndaj samitit BE-Ballkani Perëndimor është akt i një nënshtrimi politik dhe diplomatik ndaj Serbisë. Një humbje e sovranitetit dhe e dinjitetit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut si kosto e pjesëmarrjes në “Ballkanin e hapur” të Serbisë.
Dëshmia e tretë e karakterit politik të projektit serb të “Ballkanit të hapur” është përkrahja diplomatike e përbashkët e tre krerëve të tre shteteve të kësaj nisme në daljen trepalëshe publike në 23 qershor për idenë e presidentit francez Makron të “komunitetit politik apo gjeopolitik europian”. Idea e presidentit fracez, siç e vlerësjnë diplomatët dhe analistët seriozë, doli si alternativë e zgjerimit të BE. Por kjo ide ende nuk ka fituar mbështetje nga vetë shtetet anëtare të BE dhe as është shtruar për diskutim brenda institucioneve të BE. Nisma e presidentit francez ende nuk është bërë dokument zyrtar dhe qendrim zyrtar i vetë BE. Kjo shpjegohet me faktin se ka qendrime të kundërta brenda BE midis qendrimit francez kundër zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor dhe qendrimit gjerman në favor të zgjerimit të BE në Ballkanin Perëdimor. Tre krerët e tre shteteve të “Ballkanit të hapur” shprehën përkahje kolektivedhe entuziaste për idenë e presidentit francez, sepse duke qenë një alternativë e zgjerimit të BE, favorizon objektivin e “Ballkanit të hapur” për integrimin serb. Bllokimi i zgjerimit të BE përbën një rrethanë favorizuese për dominimin serb në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet aleancës së “Ballkanit të hapur”. Analisti serb Nikola Mikoviç shkruante në 28 qershor në “Asiatimes” se “nismën “Ballkan i hapur” shumë udhëheqës të rajonit e shohin si zëvendësim i anëtarësimit në BE”.
Aleanca politike e “Ballkanit të hapur” favorizon në mënyrë të veçantë Rusinë, së cilës i intereson distancimi dhe largimi i Ballkanit Perëndimor nga integrimi europian dhe vendosja e kontrollit të rajonit nga Serbia. I vetmi ministër i jashtëm në Europë dhe në botë, që ka shprehur publikisht përkrahjen zyrtare për “Ballkanin e hapur” është ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov. Këtë karakter të projektit të “Ballkanit të hapur” e theksonte në 26 qershor edhe gazeta e mirëinformuar ruse “Kommersant”, e cila shkruante: “Disa shtete ballkanike kanë filluar të krijojnë vetë bashkime rajonale, të cilat vetëm i dublifikojnë mekanizmat ekzistues të integrimit europian dhe ngadalësojnë procesin. Të tillë e klasifikojnë shumë vetë në rajon nismën “Ballkan i hapur” të paraqitur nga Serbia. Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova, refuzojnë të bashkohen me të, duke e parë atë nismë jo vetëm si zëvendësim të integrimit në BE, por edhe si krijim i strukturave me dominim të Serbisë”.
Nuk është rastësi që personalitetet më të larta në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen se “Ballkani i hapur” është mbulesa serbe për realizimine projektit të madh nacionalist të Beogradit me emrin “bota serbe”, që e kishte edhe Millosheviçi, për të mbledhur të gjithë serbët e rajonit në një shtet të madh dhe të vetëm serb. Duke qenë që Serbia nuk mund ta realizojë kët projekt nacionalist duke pushtuar shtetet e tjera ballkaniko- perëndimore, po zbaton projektin e Vuçiçit për “Ballkanin e hapur” që në fund të fundit është krijimi i një federate të Jugosllavisë në kufijtë e Ballkanit Perëndimor, ku të bashkohen të gjithë serbët e rajonit në federatën e drejtuar nga Serbia. Deputeti i parlamenti të Malit të Zi dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve, Jevto Erakoviç, deklaronte në 27 qershor: “Nga pikëpamja e Malit të Zi “Ballkani i hapur” dhe “Bota serbe” janë sinonime, pra të njejta”. Ministri i brendshëm serb, A.Vulin, një nga aleatët më të ngushtë të presidentit Vuçiç, deklaroi në 26 qershor se “krijimi i “botës serbe” është një proces që nuk mund të ndalohet. “Bota serbe” don të thotë që serbët janë një popull politik”.
Serbia e krijoi dhe po i jep çdo ditë e më tepër projektit të saj “Ballkan i hapur” një karakter politik. Etiketat dhe retorikat për gjoja arritjen e katër lirive jugosllave të qarkullimit të lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve, janë dokrra hini për fanatikët agitpropit, që akoma nuk e dinë se produkti i përgjithshëm kombëtar i Serbisë është dy herë më i madh se sa produkti i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut të marra sëbashku. Serbia nuk e ka hallin tek integrimi ekonomik, por tek integrimi politik i vendeve të “Ballkanit të hapur”. Juristi Relja Radoviç, ekspert i njohur i ligjit ekonomik ndërkombëtar, në një analizë të tij për “Ballkanin e hapur” botuar në portalin e mirënjohur “Balkaninsight” në 16 qershor, shkruante: “Megjithë proklamimin për integrimin ekonomik dhe formimin e një tregu unik, asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim. Nisma bën premtime false. Marrëveshjet e nënshkruara nuk kanë të bëjnë aspak me krijimin e një tregu unik dhe as me lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerzve”.
Karakteri politik i projektit serb të “Ballkanit të hapur” paraqet një zhvillim të rrezikshëm për interesat e shteteve dhe popujve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila po neglizhon në mënyrën më të papërgjegjëshme kurthin e federatës politike serbe të “Ballkanit të hapur”. Qeveria shqiptare mund të vazhdojë me hosanarat infantile për Serbinë dhe për Ballkanin e saj të kapur, por e vërteta e hidhur është se Serbia vetëm në vitin 2022 pranoi që të nënshkruante në 8 qershor marrëveshjen trepalëshe për njohjen e diplomave. Shqipëria ia ka propozuar Serbisë këtë marrëveshje që në vitin 2002 dhe presidenti Vuçiç ia premtoi me solemnitet kryeministrit Rama në vizitën e tij në Beograd në vitin 2014 se do ta nënshkruante atë marrëveshje. Serbia e gënjeu Shqipërinë 20 vjet dhe kryeministrin Rama e gënjeu 8 vjet. Nuk është nevoja të jesh diplomat për të konstatuar qendrimin përbuzës shtetëror me të cilin Serbia trajton marrëdhëniet me Shqipërinë dhe është mjerim qeveritar që t’ia paraqesësh popullit si sukses madhështor të “Ballkanit të hapur” marrëveshjen e diplomave, që u nënshkrua në 8 qershor në Ohër.
Dalja e mikroaleancës së “Ballkanit të hapur” si projekt politik është së pari një kundërvënie e qartë ndaj integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Së dyti, kjo përmbajtje zyrtare politike është në kundërvënie të plotë ndaj qendrimit dhe interesave të SHBA në Ballkan. Në datën 8 qershor 2022 zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar iu drejtoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë tre krerëve të tre shteteve të “Ballkanit të hapur” të mbledhur në Ohër: “Unë u bëj thirrje liderëve të nismës së “Ballkanit të hapur”që të qendrojnë te nisma ekonomike. Ky nuk është një projekt politik”. Por Serbia dhe Rusia e duan atë si projekt politik. Pikërisht këtë konfirmoi shfaqja zyrtare e tre shteteve të aleancës “Ballkani i hapur” në Bruksel në 23 qershor 2020. Paradoksi gjeopolitik është që Serbia, aleati i vetëm strategjik i Rusisë në Ballkan, po tërheq pas qerres së vet ruse dy shtetë anëtare të NATO-s, udhëheqësve të të cilave nuk dihet se kush ua ka errësuar sytë dhe logjikën shtetërore dhe kombëtare. Karakteri politik i projektit serb “Ballkan i hapur” po vret interesat shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës./gazeta dita