Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Takim me Bebi Kristidhin dhe Piro Milkanin

Bebi Kristidhi apo Piro Milkani dikur, apo Piro Milkani dhe Margarita Kristidhi sot?! U takuam sot në Pogradec për kafe dhe të gjithë ata që kanë pasur rastin apo e kanë dëgjuar Milkanin, e dinë që është i ëmbël në biseda! Dikur thuhej për të burri i Bebit pasi pianistja e famshme jo vetëm në profesion por edhe në ajrin që përcillte në Tiranën e viteve ’60 ishte së bashku me Elenën (Helenën) nga femrat më të njohura. Unë kam rastisur ta shikoj djaloshin simpatik korçar të kinostudios në një drekë me Bebin dhe dr. Kristidhin në restorant ‘Vjosa’. Komentuam për ta mbasi ishin fejuar! Më kujtohet që komenti u bë pasi ky djaloshi nuk kishte shumë që ishte kthyer nga Praga ku kishte studiuar për kamera. Po kështu kisha dëgjuar për korçarin tej Viktor Gjika, që ishte kthyer nga Moska po për kamera. Ai vinte për të takuar të motrën në shkollën e mesme të Politeknikumit Mjekësor dhe si çuna të pashëm sillnin ajrin e jashtëm. Kthehem te biseda sot me Piron (me korçarët ngatërrohesh në përdorimin e r apo rr). Kujtuam biseda të lashta dhe të reja. Para ca kohësh Piro më kishte thënë se ka vite që më thonë, Margarita, gruaja e Piros. Këtë fitore e arriti pas shumë filmash ndoshta më shumë se çdo regjisor tjetër duke filluar nga “Ngadhnjim mbi vdekjen” (bashkë regjisor Gëzim Erebarën) ku shkëlqen Edi Luarasi dhe zbulon Timo Fllokon që më pas e bëri aktorin e tij në shumë kryerole (Kur zbardhi një ditë, Dasma, Shtigje lufte, Militanti). Për filmin e fundit artistik ”Trishtimi i zonjës Shnajder”, herë pas here ka qejf të thotë për ndonjë personalitet x apo y më kanë bërë komplimenta. I thamë sot së bashku me Natashën kulmin e arrite me aktoren e madhe Violeta Manushi, te Ollga, që tashmë këtu në Tushemisht është shndërruar si një pikë pelegrinazhi për gjithë turistët shqiptarë apo si një simbol i albumit të gjithë çifteve të rinj, sidomos atyre që vijnë nga emigracioni! Në bisedë e sipër kujtuam se Ruzhdi Pulaha e ka shkruar këtë vepër pasi erdhi në Pogradec si i qarkulluar (dënuar nga Tirana), më tej përmendëm se jo gjithëherët çdo e keqe nuk është për keq, kështu ka ndodhur pasi hoqën Natashën nga Revista “Shqiptarja e Re” për biografi dhe më pas u bë në Kinostudio shkrimtare e filmit sot 15 skenarë, apo Kiço Blushin e larguan nga Radio Tirana dhe u bë shkrimtar i shquar jo vetëm i filmit. Sot nuk kujtuam se si më ka thirrur në filmat e tij. Nuk i kujtova se një natë më erdhi në shtëpi natën vonë, rastisi që kisha një shishe wisky filluam të pijmë dhe diku afër fundit më thotë: Nesër kam xhirim “Pranvera s’erdhi vetëm”, eja për rolin e një profesori dr. Unë që kisha dobësi për mjekët, sigurisht pranova. Më la skenarin dhe të nesërmen xhiruam me yllin e asaj kohe Anisa Markajanin! E ruaj si kujtim të bukur atë bashkëpunim. Kur të takohemi në kafenë e radhës, në fakt e lamë për drekë këto ditë që do jenë këtu, do t’i kujtoj kohën e xhirimeve me filmin “Ballë për ballë”, bashkëpunimi im i parë me Piro Milkanin dhe Kujtim Çashkun. Sa herë takohemi, kënaqësia më e madhe për mua është biseda me Bebin, që shkëlqen në çdo moshë, ashtu si para pak ditësh në një ceremoni vlerësimi në Universitetin e Arteve! Dua t’i them mikut të shumë shqiptarëve. Sa me fat ishe kur u njohe me Margaritarin Margaritë!

Pogradec, qershor 2022.

Please follow and like us: