Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: ME SPIRANCËN E SHPIRTIT, ZHYTUR THELLËSIVE TË POEZISË

Fako Aliaj, një protagonist i ri në arenën e letrave shqipe. I pajisur me cilësi, optimizëm, me dashuri dhe besim për jetën. Poezia e tij është e drejtpërdrejtë, e angazhuar në fatin e jetën e njerëzve dhe kombit. Ai vjen përpara lexuesit shqiptar me permbledhjen e parë poetike” Spiranca e shpirtit” ku jane perfshirë 100 poezi, të shkruara ndër vite.
Pasioni i tij per poezinē eshtë i hershëm,daton që prej fillimviteve ’80,  por për arsyet e veta ka hezituar o nuk ka mundur të botoje. Me së fundi, ky vëllim poetik, e përfaqëson denjësisht autorin, dhe është si një prelud që poeti të ndjehet më i angazhuar akoma,  dhe të kurorëzoje ëndrrat e tij dhe mundin.
Lindur e rritur në Brataj të Vlorës, ai është mjaft i ndjeshëm ndaj temës sē fshatit, traditave dhe patriotizmit, të cilat i risjell natyrshëm në vagëzimin e tij poetik, elegant dhe të kursyer, pa shumë lajle e lule, por mbushur me jetën reale dhe në sintoni me temat që trajton. Por ai eshte i ndjeshëm, edhe ndaj poetëve te zones, sidomos , te njerit prej tyre, Petrit Rukes, i cili ka lënë gjurmë të dukshme në panteonin e letrave shqipe,  te cilit i kushton një dedikim elegjiak, pas shkuarjes së poetit në amëshim.
Por një nga frymëzimet e tij më të dukshme është vetë Muza poetike! Në vargje të ndjere ai shprehet;
“Një strehëz për shpirtin , kërkova papushim,
Një delfin shprese  në detin pa mbarim.
Kuletës i besova, mikeshës më të mirë,
Pakt bëra me dashurinë, prapë s’u ndjeva i lirë…
U ktheva dhe nga pija, por nuk gjeta shërim,
Vetëm poezia, spiranca e shpirtit tim!…”
Nga vetë poezia kemi një njeri të stërvitur me jetën, i cili në kërkime të pafundme, është joshur nga princesha të bukura, si Paraja dhe dashuria, është tunduar dhe nga nimfa e quajtur Pije, por vetëm në mbretërinë e Muzës së Poezisë, ndali për të qēndruar atje përgjithmonë, i flladitur me paqe dhe qetësi.
Ai hedh vargje plot sharm poetik , për tē përligjur më së miri dashurinë e martesën e tij me Muzën.
“Rreze drite ndaj të gdhirë, që na vijnë si prej Xhenetit,
Hapin portat për të hyrë, feksin vargjet e poetit…
Marrin jetë e marrin frymë, me poetin shkojnë ndër yje,
Edhe kthehen në çdo stinë, veshur me vel dashurie…”
Por kjo dashuri e tij për Muzën është pa ego të sëmurë, nuk kërkon famë e lavdi, thjesht zbraz shpirtin në kupat e shenjtëruara të ndjenjës.Ja si shkruan prapē ai në njërën prej poezive dedikuar artit poetk dhe të qenurit edhe vetë ” rob” i kapur prej Poezisë.
“Nuk kam ndërmend të shkruaj përditë,
As ndonjë ego, të quhem poet,
Por vargje rrebele që më vijnë në shpirt,
Mundohem “t’i zbus” e ti hedh në fletë…
Kur jam në qejf, a malli më merr,
Si dikur fëmijë ulem mes tyre,
Me dashuri i limoj e i kreh,
Dhe gati i bëj për shtegëtime…
Vargjet e mia mbi varkën e brishtë,
Në detin e gjerë të poezisë,
Në kohë të mirë apo të trishtë,
Si pergamenë mes kaltërsisë!…”
(Poezia: ” Vargje rebele”).
Poezia për autorin është si ditar, ku ai hedh trillet e jetës, pengjet, dëshirat, por edhe të përditshmen e trazuar. Një jetë intensive që jetohet me përkushtim përmes punës, familjes, miqve e librave. Por pa braktisur pasionet dhe deshirën për të kaluar bukur kohën, nëpër lokale duke pirë kafenë, duke ndjekur edhe arte te tjera si muzika e piktura, por njëkohësisht, duke iu gezuar edhe gjerave më të thjeshta, që i japin kuptim jetës njerëzore e të qenurit njeri e që jeton  në plotësinë e vet kohën.
“Sa shpejt  vjen ditë e shtunë,
S’më gjen fundjava si më parë,
Pasionet nuk i braktisa kurrë,
Dhe shpirtin tim e kam si djalë!…
Sa shpejt që vjen ditë e shtunë,
Por jo, merak s’bëhem aspak,
Dhe në më pafshi me bastun
Nuk dua të më thoni “plak”!…”
(Nga poezia ” Sa shpejt vjen ditë e shtunë”).
Por poeti, në çaste të veçanta, në njē ndërlidhje të magjishme mes jetës dhe misterit, i këndon asaj me pasion prej murgu,  si një lutje për ti mbushur mendjen vetes, se jeta duhet jetuar me dinjitet e guxim, pa u varur prej të tjerëve, pa dalë kurrë nga vetja, duke ruajtur identitetin si njeri dhe duke mbajtur në mend mësimet e vyera të dijetarëve dhe njerëzve të shenjtë.
“Në rrugën e pashkelur, me emrin JETË,
Biletë pa kthim, për të varfër e mbret,
Kodet si tabela, na shfaqen papritur,
Vendosur nga profetë, a njerëz të ditur.
Diku shkruhet “MOS!”, më tej “KUJDES!”,
Dhe dilema e vjetër: “të rroj a të vdes?”…
Një zë më pëshpërit:-“Ec, dhe kokën ngrije,
DRITA është në shpirt, mos e kërko ndër yje!”
(Poezia “Drita e shpirtit”).
Poezia e Fako Aliajt ka tematikë të larmishme, ajo ngarend sa tek fabula ku ” fshikullon ” veset e shoqërisë, tek satirat që u japin vendin që meritojnë njerëzve të pangopur për pushtet e pasuri, po aq shqetësohet edhe për fatin e një dallëndysheje, të një peme shekullore që duan ta presin padrejtësisht, për erëmimin e fushave e kodrave ku është rritur. Ai i dedikon vargje edhe njerëzve të afërt të familjes, por edhe vendeve ku i ka shkelur këmba që fëmijë.
Kredoja e tij poetike është optimizmi, dashuria për të jetuar jetën në të gjitha format e shfaqjes së saj, mos mposhtja nga pabesitë dhe shtrëngatat, por një njeri që pret me besim ditën e nesërme, e qe pret akoma një të nesërme tjetër, një të nesërme pafund.
“Sa herë zgjohem në mëngjes,
Dritaren hap me padurim,
Agimin ëmbël përshëndes,
E sikur ndjej adrenalinë.
Edhe në qoftë kohë pa diell,
Edhe në pastë  re e gjëmime,
Shikimin hedh lart në qiell,
Dhe i them vetes:”Është dita ime!”
Ditën time do ta shijoj,
Dhe shpirtin do ta bëj zgalem,
S’do le as çastin të më shkojë,
Se kjo e sotmja më nuk vjen!
E në u ndjefsha pak i lodhur,
Se jam ne moshë, jo djale i ri,
Une prap nuk jepem, se ul kokën,
Se nesër dielli do lindë përsëri!…”
(Poezia “Êshtë dita ime”).
Dhe me këtë kredo të tij, në dritaren ku sheh ngjyrat e jetês dhe pafundêsinë, lexuesve  dhe artdashësve, u shtohet një mik, që i përshëndet me vargjet e tij duke i bërë homazh të pafund jetës.

Please follow and like us: